Shkruan: Kim Mehmeti
Këtë dhjetorë, Tetova shënoi edhe një ditë të rëndësishme nga kalendari i historisë bashkëkohore të shqiptarëve të Maqedonisë: dymbëdhjetë vjetorin e themelimit të Universitetit të Tetovës. Mbase asgjë tjetër, si historiku i këtij universiteti, nuk shënon saktë kthesat dhe përpjetëzat demokratike, nëpër të cilat kaluan shqiptarët e Maqedonisë. I themeluar nga komunat dhe partitë shqiptare në vitin 1994, ky Universitet do bëhet flamur që do u sjell vota në fushatat parazgjedhore të gjithë udhëheqësve partiak dhe atë do e përdorin për t’u ngjitur në lartësitë e pushtetit. Pra, që nga viti 1994 e deri në 2001, të gjitha partitë premtonin legalizimin e tij, por posa uleshin në kabinetet qeveritare, harronin se aty i kishte sjell dëshira e të rinjve shqiptarë për arsimim. Siç ndodhi në kohën e bashkëqeverisjes së parë të VMRO-DPMNE-së me PDSH-së, kur kryesuesit e partisë shqiptare në pushtet, këtë universitet e shpallën “si çerdhe të analfabetëve” dhe çka nuk than kundër udhëheqësve të atëhershëm të UT-së, vetëm që të arsyetonin hapjen e universitetit të tyre, të ashtuquajturin “Universitet të Shtullit”. Me çka Tetova u bë me dy universitete: një legal dhe një ilegal. Gjë që me siguri ndikoi që Maqedonia të arrijë deri në vitin 2001, kur të rinjtë morën pushkët dhe u thanë mjaft lojërave politike. Luftë që përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit, pas së cilës BDI-ja realizoi ëndrrën më madhore të shqiptarëve të Maqedonisë: legalizimin e Universitetit Shtetërorë të Tetovës.
Këtë dhjetorë, me një akademi solemne, Tetova shënoi dymbëdhjetë vjetorin e themelimit të Universitetit të Tetovës. Të gjithë të pranishmit në Akademinë Solemne që u mbajt në sallën e Shtëpisë së Kulturës të këtij qyteti, kishin pamje festive. Padyshim se më solemn dukeshin kryesuesit dhe qeveritarët e PDSH-së, të cilët posa erdhën në pushtet, ndruan rektorin e këtij universiteti në mënyrë “partizançe”, pa respektuar as ligje as kushtetutë, dhe zgjodhën një të vetin. Mbase me këtë donin t’i dëshmonin popullit atë që të gjithë e dinë: shqiptari është në gjendje të prish e të rindërtojë nga themeli atë që ka muruar kundërshtari i tij politik. Në Akademinë Solemne foli edhe Kryetari i Parlamentit republikan, regjisori Ljubisha Georgrievski. Edhe atë në gjuhën shqipe. Por, edhe shqipja e tij e cunguar, nuk u pengoi disa studentëve në sallë të mos rikujtojnë kohët kur ky i njëjti që tani u drejtohej në gjuhën e tyre amtare, lavdërohej se nëse bëhet kryetar i shtetit do ia pres “kthetrat shqiponjës dykrerëshe”. Mbase këta student rikujtonin edhe qëndrimet e tij të dikurshme kundër këtij universiteti, dhe andaj filluan të fishkëllejnë dhe të kërkojnë largimin e tij nga foltorja. Me siguri, në ato çaste atyre u janë kujtuar edhe pamjet e dikurshme kur policia maqedonase rrihte të rinjtë shqiptarë që mbronin këtë universitet, u është ringjallur ne kujtesë edhe viktima që u vra nga policia e këtij shteti. Shumëçka mundë t’i ketë revoltuar ata, si edhe shumë shqiptarë tjerë, por mbase nuk kishin llogaritur se në atë sallë kishte udhëheqës partiak që duan ta fshijnë nga kujtesa të kaluarën e shqiptarëve të këtushëm, që duan të nënshtrojnë vrullin rinorë. Dhe prandaj, dikush i nxori nga salla dhe i rrahu, i hodhi në rrugë të përgjakur. Njësoj si dikur, kur i rrihte dhe i përgjakte policia e Maqedonisë.
Akademia solemne me të cilën u shënua dymbëdhjetë vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës, përfundoi sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Thuajse askush nuk ndjente shijen e hidhur të së vërtetës se shoqëria e shqiptarëve të Maqedonisë ngadalë dhe sigurt bëhet peng e rrugaçërisë partiake. Thuajse pak kush ndjente dhembje për plagët që morën të rinjtë e rrahur që përfunduan në spitalin e Tetovës. Andaj edhe mysafirët e kësaj Akademie solemne, shkuan në koktejin e organizuar në hotelin “Lirak” të Tetovës, për të cilin thonë se është pronë e Rektorit të ri të këtij universitetit. Gazetarët vrapuan pas Kryetarit të parlamentit, që ta pyesin si do e komentojë incidentin e ndodhur. Ai buzëqeshet, e thotë: “Ç’far incidenti, nuk pati kurrnjëfarë incidenti!” Mbase përgjigjja e tij është e sinqertë dhe shumë domethënëse: për të kurrë nuk ka qenë, e nuk do jetë incident të rrahësh disa student shqiptarë. Gazetarët i drejtohen edhe nënkryetarit të PDSH-së. E pyesin lidhur me të rrahurit që pohojnë se kane qenë të larguar dhe fizikisht të keqtrajtuar nga truprojat e tij. Edhe ai, i buzëqeshur thotë: “Nuk do tolerohet më dhuna, por do ketë vetëm luftë kundër krimit dhe korrupsionit!”. Mbase rrahjen e studentëve shqiptarë e konsideron si pjesë të kësaj lufte, nuk e ndjen si dhunë, por si masë edukative. Ai harron edhe atë se ata të rinj kanë prindër, apo ndoshta është mospërfillës ndaj çdokujt që nuk i nënshtrohet diktatit të tij partiak. Në të njëjtën kohë, nënkryetari i PDSH-së thekson se nuk ka informata për rrahjen e ndokujt, por e hap fletoren dhe gazetarëve ua lexon emrat e studentëve që kanë dashur të pengojnë mbajtjen e akademisë solemne. Do të thotë, atë nuk e kanë informuar për të rrahurit, por i janë afruar njerëzit e tij gjatë mbajtjes së akademisë solemne, dhe ia kanë pëshpëritur në vesh emrat e atyre që i fishkëllejnë nënkryetarit të parlamentit.
Akademia solemne në Tetovë përfundoi plotë solemnitet të hidhur. Do mbetet shija e hidhur e një dhune të ushtruar mbi të rinjtë shqiptarë që shprehnin revoltën e vet. Si dhe sekreti se vallë çka u ka pëshpëritur në vesh nënkryetari i PDSH-së atyre që i janë afruar aty ku ka qenë ulur dhe ende pa përfunduar akademia solemne e kanë lajmëruar se kush janë çrregulluesit e kremtimit të madh. Tetova e kremtoi dymbëdhjetë vjetorin e themelimit të Universitetit ashtu siç nuk e priste askush: me student të përgjakur të cilët për plagët e marra haptazi akuzonin truprojat e kryesuesve të PDSH-së. Dhe përpos fytyrave të përgjakura të të rinjve, shqiptarëve të Maqedonisë do u mbetet në kujtesë edhe një imazh shumë domethënës dhe shpjegues për situatën e sotme në të cilën ndodhen ata: përderisa kryeparlamentari i Maqedonisë qeshte dhe u thoshte gazetarëve se nuk kishte ndodhur asnjë ekcesë, të gjithë ministrat shqiptarë që qëndronin pas tij, gjithashtu zgërdhiheshin. Dhe kjo prapavijë, kjo fotografi që mbulonte ekranet televizive, kjo pamje është ajo që duhet sa më shpesh ta rikujtojnë shqiptarët e Maqedonisë. Sepse ajo shpjegon konstruktin mental të përfaqësuesve të tyre qeveritarë, ajo shprehë mentalitetin e shërbëtorit, buzëqeshja e të cilit gjithmonë është e varur nga ajo e pronarit. Ku ta dish, ndoshta ky është buzagazi i shqiptarëve të Maqedonisë, ky është realiteti i tyre. Që do të thotë, çdo gjë është si dikur, vetëm se tani nuk ka nevojë studentët e rinj shqiptarë t’i rreh policia maqedonase, por atë do e bëjnë “aktivistët” e PDSH-së. Ku ta dish, ndoshta kështu është më mirë: thonë se i yti ta ha mishin, por eshtrat nuk ti gllabëron. Mbase kjo thënie është e saktë, por ku është parë trup i gjallë pa mish, ku është parë popull i fortë dhe i vetëdijshëm për atë që i ndodh e që ka frikë nga “muskujt” partiak.