Back

Shqiptarët e mbajnë gjallë Maqedoninë

Ekzistimi i Maqedonisë varet nga shqiptarët dhe kjo duhet tu ngulitet në kokë njëherë e përgjithmonë maqedonasve. Kështu vlerësojnë analistët pas fyerjeve të fundit që iu bënë shqiptarëve nga institucioni që mban emrin akademi dhe idesë gjeniale që doli nga partitë e vogla maqedonase se gjoja në Maqedoni paska vetëm 16 për qind shqiptar. "Nëse sipas regjistrimit dalin vetëm 10 shqiptarë, ekzistimi i Maqedonisë varet më shumë nga shqiptarët sesa nga maqedonasit dhe kjo është ajo që u dhemb sllavo-maqedonasve. Vetëm 10 të jenë, Maqedonia kufizohet vetëm me shqiptarë", tha për "Lajm" analisti Kim Mehmeti. Sipas tij vetëm 10 shqiptarë do të mjaftonin për ta shkatërruar këtë shtet. "Atë moment kur të duan këta 10 shqiptarë e shkatërrojnë këtë shtet", theksoi Mehmeti, duke shtuar se maqedonasve nuk u intereson as kur kemi ardhur, as sa jemi, po u intereson kur do të shkojmë dhe kur s’do të mbete asnjë shqiptar. "Ky është thelbi i gjithë këtij aksioni që e ndërmarrin maqedonasit. Ato, bile që nga viti 1990 na kanë treguar se duan Maqedoni vetëm të maqedonasve, Maqedoni të pastër. Nëse ata insistojnë në të, unë nuk dyshoj se s’do ta kenë, mirëpo ajo do të jetë vetëm rrethina e Strumicës dhe e Pallankës, aty diku do të shtrihet. Ajo do të jetë një Maqedoni që do të jetë provincë e ndonjë fqiu, ose provinca e Serbisë, ose provinca e Bullgarisë". Ndërsa sa i përket pjesës shqiptare, Mehmeti thotë se ajo dihet se ku do të jetë. "Në të vërtetë ata na e kanë hedhur dorashkën, nuk duan shtet me shqiptarët, tashti ne me të vërtetë nuk duhet të luajmë rolin e abdallit që nuk e kupton dhe të shtiremi. Kjo fushatë ka 20 vite që zhvillohet dhe nuk ka nis tani, gabon ai që mendon se nisi me enciklopedinë", thotë ai duke numëruar një sërë ngjarjesh antishqiptare që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve.

Mehmeti përmend, Brodecin, Ligjin për përdorimin e simboleve, Gjykatën Kushtetuese, ngjarjet e Nerezit, Këshillin për Kulturë pa asnjë shqiptarë, etj, etj. "Krejt këto janë një proces që zgjat dhe ne bëhemi se nuk i kuptojmë dhe tash ky është problemi ynë", thotë Mehmeti.

Për të mbrojtur fëlliqësirën që bërë Akademia Maqedonase e Shkencës dhe Artit (AMSHA) dy partitë minore maqedonase VMRO-Partia Demokratike dhe Lëvizja Popullore për Maqedoninë kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Publike kundër falsifikimit të Regjistrimit të popullsisë të vitit 2002. Këto dy parti me kallëzimin e tyre penal kontestojnë shifrën e 25 për qindëshit të popullsisë shqiptare në Maqedoni, duke vlerësuar se numri i shqiptarëve në këtë vend shkon deri në 17 për qind.

Maqedonasit po e lypin me daulle

Nëse sot bëhej regjistrimi i rregullt i popullsisë, shqiptarët do të dilnin 34 për qind dhe 25 për qind sa i kanë nxjerrë në regjistrimin e vitit 2002. Sipas demografit Asllan Selmani numri i shqiptarëve në Maqedoni shkon 34 për qind. Si argument ai merr numrin e nxënësve shqiptarë të shkollave të mesme i cili është rreth 35 për qind.