Back

Shqiptarët të bojkotojnë maqedonishten për të respektuar shqipen

Shqiptarët e Maqedonisë duhet të bojkotojnë maqedonishten, njëjtë si kosovarët serbishten pas ofensivave serbe të viteve të 80-ta. Meqë shqiptarët përbëjnë 30-të për qind të popullsisë së Maqedonisë, ndërsa shqipja nuk përdoret si gjuhë e dytë zyrtare, madje emri i saj as që përmendet në kushtetutën e Maqedonisë, shqiptarët duhet të zgjohen nga gjumi dhe të mos heshtin siç heshtëm me përmendoret e sheshit të Shkupit.

Analisti Kim Mehmeti thotë se përderisa shqipja nuk institucionalizohet, atëherë shqiptarët do të bënin shumë mirë ta bojkotonin përdorimin e maqedonishtes. “Sot kur një pjesë e maqedonasve Shkupin e ndjenë gjithnjë e më të vetin, kur shumë shoqata e institucione i shkruajnë letra Brukselit ne shenjë revolte pse kryeqendra e Evropës e anashkalon emërtimin ‘maqedonase’ e ‘maqedonas’, shqiptarët sillen njësoj si edhe gjatë ndërtimit të përmendoreve në sheshin e kryeqytetit të Maqedonisë: heshtin e madje edhe presin atë që nuk mund ta bëjnë vetë, t’ua rregullojë Zoti”, thotë Mehmeti për “Lajm”, duke shtuar se shqiptarët duhet të thonë hapur se shteti ku jetojnë është duke u rrënuar nga pesha e rëndë  përmendoreve të shumta dhe se është duke u ngulfatur nga britma e bashkëqytetarëve të tyre maqedonas që thonë se ky vend flet vetëm në një gjuhë dhe ka vetëm një fe. “Shqiptarëve nuk u kujtohet të thonë atë që duhet ta dinë ata vetë dhe e tërë bota: se ky shtet nuk fletë vetëm në një gjuhë, se ky vend mund të mbetet pa zë, nëse shqiptarët e këtushëm do u përgjigjeshin elitave maqedonase në të njëjtën mënyrë siç sillen ato ndaj gjuhës shqipe – nëse do vendosnin të mos flasin në gjuhën maqedonase përderisa gjuha e tyre amtare nuk institucionalizohet si e barabartë me atë maqedonase. Pra të thonë hapur se zyrtarizimi i një gjuhe nuk matet me atë sa e flasin ministrat, po sa populli mundet të komunikojë në gjuhën amtare me institucionet e shtetit. Por për ta thënë këtë, më parë duhet të dalësh nga pozita e ‘vasalit’ politik që vrapon pas veprimeve të sunduesit e nuk ecë rrugës së vet drejtë së ardhmes”, thotë Mehmeti.

Ndërkaq, Shoqata e Botuesve Shqiptarë të Maqedonisë (SHBSHM), të martën me anë të një letre kërkoi ndihmë nga euro-komisarit Shtefan Fyle, për përdorimin e shqipes.

“Përmes kësaj letre, kërkojmë nga ju që të shfrytëzoni autoritetin dhe ndikimin tuaj dhe të institucionit që përfaqësoni, për të lobuar deri tek Qeveria e Republikës së Maqedonisë që sa më shpejtë të shqyrtojë mundësinë që të ngrihet nisma për përmendjen e gjuhës shqipe në Kushtetutën e RM dhe në nën aktet tjera ligjore. Po ashtu, edhe deri tek partitë politike shqiptare që ta artikulojnë këtë si kërkesë politike. Ne si organizatë kulturore mendojmë se ky është një hap shumë i rëndësishëm në avancimin dhe kultivimin e kulturës shqiptare në Republikën e Maqedonisë, si njërën prej kulturave autoktone evropiane të këtij vendi”, tha Qamil Rufati, nënkryetar i SHBSH-së. Përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni është mjaft i kufizuar, edhe aty ku e lejon Ligj, shqipja sërish cungohet.

(Gazeta LAJM)

http://lajmpress.com/lajme/maqedoni/11365.html