Shkruan: Kim Mehmeti
Qeveria aktuale e Maqedonisë, e udhëhequr nga kryeministri Gruevski, e varrosi Marrëveshjen e Ohrit. Dhe kuptohet, në një shtet shumetnik, edhe varrimet duhet të jenë në frymën e larushmërisë etnike. Andaj në varrimin e kësaj marrëveshje morën pjesë të gjithë, serbë, turq, vlleh…, por të prirë nga VRMO-DPMNE-ja dhe PDSH-ja shqiptare. Dhe kjo përfundimisht ndodhi para disa ditëve, kur Marrëveshjes së Ohrit iu thye boshti kurrizorë, pa të cilin ajo e humbë çdo kuptim: parimi i Badinterit. Pra, kur u zgjodhën tre anëtarë të Këshillit Gjyqësor Republikanë, e për zgjedhjen e të cilëve nuk ishin të nevojshëm votat shumicë të shqiptarëve, por mjaftonin ato të PDSH-së, të sforcuar me votën e deputetëve tjerë jomaqedonas e joshqiptarë. Me çka doli se Marrëveshja e Ohrit paska pas për qëllim të avancojë vetëm të drejtat e joshqiptarëve, e jo ti mbrojë shqiptarët nga majorizimi etnik.
Pezhishka politike, të cilën ua thuri qeveria aktuale shqiptarëve të Maqedonisë, e që kishte për qëllim të zhbëjë Marrëveshjen e Ohrit, ishte e dukshme qysh gjatë formimit të qeverisë aktuale, kur nuk u përfillë vullneti politik i shumicës së shqiptarëve të Maqedonisë. Pra, kjo pezhishkë nuk i ngjante asaj të merimangës, e cila kurrë nuk e paralajmëron mizën se ku e ka thurë rrjetin. Atë e bënte të padukshme vetëm hutese e një pjese të shqiptarëve të këtushëm. Hutesë që kishte të bëjë me hamendjet se ku e gjente interesin e vet PDSH-ja që të bëhej krahë i atyre që donin të zhbënin këtë Marrëveshje shpresëdhënëse për popullin e këtushëm shqiptarë.
Nuk ishte gjithaq e paqartë se ç’ishte ajo që e bënte aq të fortë vëllazërinë dyetnik shqiptaro-maqedonase mes VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së. Përpos verbërisë së kryesuesve të PDSH-së që me çdo kusht të bëhen pjesë e qeverisë, kjo “vëllazëri” mbështetej edhe mbi hasmërinë e përbashkët ndaj ish UÇK-së Ali Ahmetit, e cila në vitin 2001 ua prishi idilin sunduese dhe i çoi të paguanin llogari për gabimet politike të bërë gjatë dekadës së mëparshme. Të prirë nga kjo hasmëri, kryesuesit e këtyre dy partive thuajse ishin besatuar t’ua lanin hakun shqiptarëve që asokohe përkrahën ish UÇK-në, e më vonë iu bënë krahë BDI-së së Ali Ahmetit. Dhe këtë mund ta arrinin vetëm me zhbërjen e Marrëveshjes së Ohrit. Me çka, në njëfarë mënyre, e humbë kuptimin edhe përgjakja e shqiptarëve në vitin 2001. Dhe viti zero i konfliktit, shpallet si dështim dhe vetëgënjimi i shqiptarëve të cilët morën armët në dorë, që të realizonin barazinë e vet me të tjerët dhe të shmangnin majorizimin etnik.
Gjatë gjithë kësaj beteje të qeverisë aktuale kundër vullnetit politik të shqiptarëve të këtushëm dhe për zhbërjen e Marrëveshjes së Ohrit, është arritur vetëm një rezultat: Maqedonia gjithnjë e më shumë i ngjanë një shtetit të përkohshëm. Shtet i cili jo vetëm që në Kombet e Bashkuara është pranuar me emër të përkohshëm, por edhe zgjidhjet e rendit të brendshëm shoqërorë i ka sezonale. Kështu që ke përshtypjen se dikush dëshiron shqiptarët t’i lodh me marrëveshje që nuk zbatohen, e t’i çojë të binden se nuk kanë zgjidhje tjetër përpos t’i nënshtrohen vullnetit politik të partive më të mëdha të etnitetit maqedonas.
Të zënë në kthetrat e debatit se cila nga partitë më të mëdha të etnitetit maqedonas – VMRO-DPMNE-ja apo LSDM-ja – është më “proshqiptare”, shqiptarët e këtushëm harruan të vlerësojnë se ku qëndron “shqiptaria” dhe kultura politike e partive të tyre. Nuk arritën të shohin me kohë se ata që ngjallën këtë debat, në të vërtetë njihnin vetëm butësinë e kolltukëve ministrore dhe përfitimet personale. Duke përkrahur këtë debat pervers, shqiptarët e këtushëm i dhanë legjitimitet çdo veprimi politik, përfshi edhe atij që një popull kurrë nuk e lejon: për hir të përfitimeve dhe inateve personale, përfaqësuesit politik të mëkëmbin interesin kolektiv. Ata pra u lejuan kryesuesve të PDSH-së t’ia numëronin “vëllait” politik të Ali Ahmetit – Crvenkovskit – gjitha të këqijat që ua ka bë shqiptarëve – e që nuk janë të pakta – e harruan të pyesin se cilat të mira ua solli VMRO-DPMNE-ja. Mos vallë ndër ato të mira që ua solli qeveria e parë e VMR-DPMNE-së duhej numëruar edhe fshatrat e bombarduar të shqiptarëve gjatë konfliktit të 2001, apo protestat kundër shkollimit të shqiptarëve në gjuhën e tyre amtare dhe bllokimin e rrugëve që të mos miratohej ligji për ndarjen territoriale të Maqedonisë!?
Të gjitha qeveritë e deritanishme të Maqedonisë, kanë mëkate ndaj shqiptarëve që nuk ua fal as njeriu as Zoti. Por me këtë, edhe të gjithë ata shqiptarë që ishin pjesë të këtyre qeverive kanë mëkate që sadopak duhet t’ua brejë ndërgjegjen. Siç kanë mëkat edhe të gjithë elitat tjera shqiptare që u lejuan partive të shkelin mbi çdo gjë që i çon drejtë pushtetit. Të shkelin edhe mbi shenjtërit e këtij populli, si ajo se burri shqiptarë kurrë nuk sulmon fëmijë, gra dhe të pambrojtur. Se as në rrethana lufte shqiptari nuk të vret pas shpine, se nuk ta përbuzë familjen, se burrëria gjithmonë qëndron ulur pranë fronit të Perëndive. Të gjithë qeveritë e deritanishme manipuluan me shumëçka shqiptare, por vetëm aq sa u lejuan vëllezërit e tyre partiak shqiptarë. E të gjitha këto manipulime të mbledhura grumbull, tani e lindin dilemën – si tutje?
Mbase ecja e tutjeshme ka vetëm dy rrugë. Ose të pranohet koncepti politik i PDSH-së që shqiptarët të mbeten “statistë” të dëgjueshëm që do ndihmojnë partitë politike të etnitetit maqedonas të bëjnë shtet sipas dëshirës së tyre, ose të gjejnë mekanizma që edhe ata të jenë bashkësundues të këtij shteti. Ecja e deritanishme shumëpartiake e shqiptarëve të Maqedonisë, dëshmon se partitë e tyre, të atilla siç janë, nuk do arrijnë kurrë të imponohen si partner i barabartë qeverisës. Se qeveria aktuale i rrënoi edhe ato pakë shpresa se demokracia klasike, e kombinuar me atë konsesualen, do i mundësojë ardhmëri stabile këtij shteti. Kështu që shqiptarët e këtushëm mbase do jenë të detyruar të shkojnë mëtej me kërkimin e zgjidhjeve të reja. Dhe pa dyshim se shumë shpejtë do duhet t’i përgjigjen pyetjes se si do e ndërtojnë ardhmen e vetë afatgjate në këtë të shtet ku thuajse çdo gjë ka përmasat e të përkohshmes. Dashkan apo jo, shqiptarët e këtushëm do duhet të shtrojnë pyetjen se mos vallë ka ardhur koha të mendojnë edhe për ndërtimin e godinës së Kuvendit të ardhshëm të “Iliridës” nga do i delegojnë përfaqësuesit e vet në parlamentin republikan në Shkup!?
Çdo veprim i qeverisë aktuale të Maqedonisë, shqiptarët e këtushëm i përballë me pamundësinë të shpresojnë se Kuvendi republikan në Shkup është vendi ku ata do i realizonin synimet e veta si qytetarë të këtij shteti. Me këtë pamundësi i përballë edhe veprimi i të zgjedhurve shqiptarë në parlamentin republikan. Ku më në fund, kryetari i PDSH-së u tregoi shqiptarëve se kush janë alfat dhe omegat e “demokraturës” së Maqedonisë. U dëshmoi se ky shtet nuk varet nga asnjë marrëveshje, por vetëm nga mëshira e vëllazërisë VMRO-DPMNE – PDSH. Gjatë këtyre rrahjeve mes deputetëve të PDSH-së dhe BDI-së, edhe shqiptarët e këtushëm morën një shuplakë e cila do duhet t’i vetdijësojë. Në mos më shumë, aq sa të kuptojnë se disa përfaqësuesit të tyre ende nuk e njohin urtësinë se sundimtari i mirë kurrë nuk e nxjerrë lehtë shpatën nga këllëfi. Se ai që shpejtë merr shpatën në dorë që të pres kokat e kundërshtarit, ka vetëm një përparësi: e sheh vendin se ku një ditë do rrokulliset edhe koka e tij politike.
(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)