Back

Shteti i tre kantoneve

Shkruan: Kim MEHMETI

      Deri më tani, ka pas shumë projekte dhe elaborate antishqiptare, të cilët është dashur të përballen dhe që në thelb kanë pas një porosi: shteti nuk i ka dashur shqiptarët dhe ka dashur ata t’i shndërrojë në një komunitet të pazëshëm dhe të nënshtruar.  Këta projekte, kanë dalluar mes veti varësisht nga koha kurë janë zbatuar, nga koncepti ideologjikë i ideatorëve të tyre si dhe nga qëllimi që është dashur të arrihet. Por, të gjithë projektet e këtilla, deri më një, në strategjinë e vetë, kanë pasur një pikë të përbashkët: janë mbështetur mbi efikasitetin e policisë dhe të gjyqësorit. Andaj, të gjithë ato projekte dhe elaborate antishqiptare, kanë një nenë të përbashkët që thotë: sa më shumë të irritohet kjo popullatë, shqiptarët të ndjehen sa më të pasigurt aty ku jetojnë, të provokohen pandërprerë duke ua trishtuar fëmijët, duke i detyruar burrat shqiptarë të ndjehen të poshtëruar përpara familjarëve të tyre,  duke i prekur aty ku janë më të ndjeshëm , në atë që i ka mbajtur gjatë shekujve – në boshtin familjar. Këtë strategji dhe këtë koncept aq jonjerëzorë, e kanë praktikuar shumë pushtetmbajtës të këtushëm, duke filluar nga mbretërit serb, e deri te Millosheviqi.

      Mbase do ishte e tepruar dhe e palogjikshme, dikush të mendonte se ato plane dhe ato elaborate, mund të zbatohen edhe në shekullin e globalizimit, por  shumëçka në këto hapësira të Ballkanit, është jashtë logjikës së kohës dhe rrjedhë sipas kalendarit të shpirtngushtësisë etnike, e jo sipas atij të tolerancës dhe vetëdijes se bota shndërrohet në një fshat të madh, e në të cilin fshat, lagjet e përcaktojnë përkatësinë etnike, por vetëm aq sa për ta dëshmuar të qenurit njeri.  Andaj edhe veprimi thuajse i pakontrolluar i policisë maqedonase mbi shumë familje shqiptare, ndoshta nuk është pjesë e ndonjë projekti dhe elaborati antishqiptarë, por ai ka elementet e një fushate që donë të mbjellë pasiguri në mesin e kësaj popullate. Apo në mos më shumë, ka elementet e një fushate që irriton e të çon të thuash: mos vallë qeveria e Gruevskit mendon se një Maqedoni shumetnike nuk ka ardhmëri, andaj i shtynë shqiptarët të bëjnë atë që e ëndërrojnë disa qarqe të etnitetit maqedonas – ata të parët të kërkojnë kantonizimin e shtetit, e që pastaj, si nismëtarë të kësaj ideje “destruktive”, të marrin rolin që gjithmonë ua impononte politika antishqiptare e Beogradit: rolin e elementit “destruktiv” që nuk arrin t’i nënshtrohet shoqërisë me rend dhe ligje.

      Dhe sikur në qeverinë maqedonase të mos kishte përfaqësues të partisë më të madhe shqiptare, sikur Maqedoninë ta udhëhiqnin vetëm shokët e Gruevskit, shqiptarët e këtushëm do e kishin më lehtë të  qartësonin se çka është duke ndodhur me ta dhe cili është qëllimi i veprimeve torturuese policore mbi familjet shqiptare. Por, në rrethana kur ata mendojnë se kanë mbrojtësit e vet nëpër institucionet më të larta shtetërore, kur presin që dikush t’u shpjegoj si është e mundur aq shpesh policia maqedonase t’i ngatërroj adresat e shtëpive shqiptare, e pastaj të mendoj se mjafton vetëm të kërkojë falje, pra kur shqiptarët e këtushëm me të drejtë presin që partia e tyre në pushtet të del e të thotë kush e kontrollon policin e këtushme dhe sa ato aksione policore janë të mbështetura në ligj e rend, sa kanë pëlqimin e udhëheqësve shqiptarë në MPB, ata mbeten pa përgjigje. E aty ku nuk përgjigjet ai që duhet,  gjithë kanë të drejtë ta thonë të veten, e të japin shpjegime, edhe atë varësisht nga njohurit dhe informatat që kanë.

      Ajo që nuk ka nevojë për njohuri të veçanta, për çka nuk duhet të bësh hulumtime dhe të mbledhësh informata të shumta, ajo që shihet edhe pa syzat e ndonjë eksperti policorë, ka të bëjë me të vërtetën se policia maqedonase i kontrollon shqiptarët, por shqiptarët nuk kanë asnjë kontroll mbi të. Pra, shqiptarët e Maqedonisë ende janë popull i cili i është lënë në duar të policisë, se kur bëhet fjalë për shqiptarët, policia ka duar të lira të veproj ashtu si e vlerësojnë ata  që ende mendojnë se shqiptari i sotëm i këtushëm, është ai sharrëxhiu i dikurshëm, i cili duheshe të përshëndet edhe shtyllat elektrike ky kishte pshurrur zagari i ndonjë mbreti serb.

      Partia shqiptare në pushtet, tani për tani, hesht sa u përket disa aksioneve policore nëpër vendbanimet shqiptare, e të cilat bastisje u vlerësuan si vandaliste. Mbase kështu ajo donë të anashkalojë paaftësinë e saj që t’i kundërvihet Gruevskit, i cili nëse jo hiçgjë tjetër, ia doli të realizojë qëllimin e dyfishtë: të mbajë në tension dhe pasiguri shqiptarët e këtushëm dhe t’i “nokautoj” partitë shqiptare. Pra edhe si i tillë, si një ish boksier mesatarë dhe politikanë nën mesataren, Gruevski ia doli t’i çojë shqiptarët të ndjehen më të përbuzur se kurdoherë më parë prej se Maqedonia u bë shtet i pavarur. Aq më shumë, këtë fushatë antishqiptare, e të paketuar si luftë kundër krimit, Gruevski e realizon pas 2001, atëherë kur shqiptarët e këtushëm besonin se më nuk do ketë polici e cila do hyjë nëpër shtëpitë e tyre si në pronë pa pronar. Pra,  kjo fushat e Gruevskit, bëhet edhe më intensive tani kur shqiptarët e Maqedonisë nisën të besojnë se me ardhjen e partisë së Ali Ahmetit në qeveri, çdo gjë do vijë në vendin e vet. Pra, kjo fushatë antishqiptare e Gruevskit, intensifikohet tani kur shqiptarët e këtushëm besuan se BDI-ja – e cila gjatë 18 muajve sa mbeti jashtë qeverisë edhe pse kishte marrë shumicën e votave shqiptare – do mbetej e tillë siç thoshte se është edhe pasi të bëhet pjesë e koalicionit qeverisë: mbrojtëse e interesave kolektive, e jo e interesave personale të të përkëdhelurve partiak.

      BDI-ja e pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006 – kur i fitoi zgjedhjet, e nuk u bë pjesë e qeverisë – thoshte se nuk do tolerojë politikën antishqiptare të Gruevskit, se Gruevskin e konsideron si bartës të një politike e cila nuk i sjell ardhmëri këtij shteti, se ai është udhëheqës i taborit që donë të asgjësojë Marrëveshjes e Ohrit, se Gruevski ka për qëllim devalvimin e luftës së 2001 dhe kriminalizimin e shoqërisë së shqiptarëve të këtushëm. Dhe BDI-ja e atëhershme kishte të drejtë dhe rrallëkush mund t’i shpallte këto vlerësime si të pasakta. Andaj edhe aq lehtë u përkrahë pjesëmarrja e kësaj partie në qeveri.  Por tani, pas thuajse gjysmë viti pjesëmarrje në koalicionin qeveritarë, kryesuesit e BDI-së ofrojnë thuajse vetëm heshtje. Heshtje e cila mund të ketë shumë domethënie: ose janë pajtuar me pamundësinë të ndryshojnë çkadoqoftë, ose  i ka kapur virusi i “PDSH-zëimit”, i cili të çon të mendosh se populli e ka po aq mirë sa edhe ata që janë ulur nëpër kolltukët qeveritar. 

      Cilado që të jetë arsyeja e heshtjes së BDI-së në pushtet, ajo heshtje ka edhe domethënien se BDI-ja është vetëm një pjesë e mjerimit politik të shqiptarëve të këtushëm. Mjerim politik, i cili i çon shqiptarët e këtushëm që edhe sikur sot të kishte zgjedhje parlamentare, ata sërish t’ia jepnin shumicën e votave BDI-së. Pra sërish ta votonin këtë parti të “heshtur”, shkaku se nga do që shikojnë për rreth vetes, gjitha zgjidhjet tjera janë më të këqija se kjo ekzistuese. Dhe duke qenë shqiptarët në situatën e atij që ka heq dorë nga më e mira e vet, duke ikur nga më e keqes që mund ta gjejë, BDI-ja e Ali Ahmetit zhytet në vetëpëlqimin e saj dhe në besimin se është partia më e mirë në mesin e më të këqijave.  Besim i cili ndoshta nuk e lejon këtë parti të kuptojë se kur barazohesh me më të keqin, je pajtuar të mos bëhesh i mirë. Apo BDI-ja të mos e sheh se  partitë gabojnë atëherë kur të mirën e vet e barazojnë me të popullit, e popujt paguajnë çmim të lartë atëherë kur, duke iu ruajtur më të keqes që mund t’u ndodh, e harrojnë se cila është e mira e tyre.

      Si do që të jetë, mbetet e vërteta se elaboratet antishqiptare që janë përdorur nëpër këto troje, kanë ndryshuar mes vet varësisht nga autorët dhe ideologët e tyre. Por, të gjithë deri më një, kanë pikën e përbashkët: zbatues të tyre ka qenë policia dhe gjyqësori.  Pra të gjithë ata elaborate, janë mbështetur mbi mundësinë që sa më shumë të irritohet popullata, që burrat shqiptarë të poshtërohen përpara grave dhe fëmijëve të tyre, me qëllim që të gjithë të ulin kokën,  të binden se aty ku fletë shteti, heshtin burrat. Mbase policia maqedonase edhe nuk vepron sipas ndonjë projekti antishqiptarë, por shqiptarët e Maqedonisë gjithnjë e më shumë ndjehen si viktimë e ndonjë projekte që është sajuar kundër tyre.  Shqiptarët e këtushëm gjithnjë e më qartë e shohin se si vepron policia maqedonase, por ata nuk arrijnë ende të shohin se ndoshta dikush qëmoti ka vendosur të realizojë një planë tjetër për këtë shtet:  kantonizimin e Maqedonisë, ndarjen e sajë në kantonin e etnitetit maqedonas, në atë të etnitetit shqiptarë dhe në kantonin e Shkupit. Dhe mbase kjo hartë trekantonëshe do jetë e ardhmja e këtij shteti. Mbase për këtë të ardhme të shtetit angazhohet Gruevski, andaj edhe bënë çmos që shqiptarë t’i detyrojë të fillojnë realizimin e tij. I cili projekt, mes nesh thënë, edhe nuk është gjithaq i keq.