Back

SHTETI I VIZIONEVE TË KUNDËRTA

Kim Mehmeti

  Maqedonia është shoqëri ku më së miri shihet sa të shtrenjta janë improvizimet politike, zgjidhjet gjysmake të problemeve ndëretnike dhe sa vështirë është të ndërtosh shtet të vogël në kohën e vrapit marramendës të orës botërore. Si e tillë, në hartat botërore,  Maqedonia edhe më tej do mbetet e shënuar si një pikë e zezë dhe e vogël, e cila mbulon vizionet e mëdha dhe të kundërta të shqiptarëve dhe maqedonasve etnik.  Vizione, që kanë të bëjnë për të njëjtin shtet,  që herë pas herë përplasen ndërmjet veti, dhe faktorëve politik vendorë e të huaj, ua rikujtojnë të gjitha improvizimet nga e kaluara,  të gjitha zgjidhjet “sezonale” që kanë patur për qëllime të përkohshme, sa të kalohet lumi i derdhur ndëretnik, e pastaj të ndërtohet ura. Por, kur flitet për vizionet politike, ato ose rrëshqasin mbi tokë dhe ngadalë bëhen realitet, ose fluturojnë e bëhen erë dhe mjegull. Pra, çdo gjë varet nga iluzionistët: nga ajo se vallë ata qëndrojnë  mbi tokë, apo flatrojnë në qiellin e andrallave të kota. Andaj edhe ky shtet  – si edhe shumë shtet tjera në këto hapësira – jeton me iluzionin se një ditë do bëhet pjesë e Evropës së bashkuar, dhe ngushëllohet me bindjen se këto do ia mundësojë  “pozita e rëndësishme gjeostrategjike”. Apo, thënë ndryshe, se do mbijetoj fal asaj se i ngjanë “arës” mbi të cilët kanë pretendime shumë pronar, por pa “tapi” për të dëshmuar pronësinë. Në ndërkohë, thuajse të gjithë harrojnë  se shikuar nga këndi i lojërave globale, pesha “gjeostrategjike” e Maqedonisë është më e “lehtë” se ajo e gypave të naftësjellësit AMBO, i cili mbase ndonjëherë edhe do ndërtohet.  

 

Maqedonia është shoqëri pa fizionomi të qartë shtetërore. Ajo në të vërtetë shpreh vizionet e mjegullta të etnitetit maqedonas të cilat mbështeten mbi bindjen se nuk është e lehtë të ndërtosh shtet të përbashkët me shqiptarët të cilët nuk i ngin asgjë, dhe mbi ëndrrën e mjegullt të shqiptarëve se do vijë dita kur të gjitha “shqipëritë” tona do i bashkojë Brukseli. Mbase konceptet politike të Maqedonisë më së miri i shprehë papërcaktueshmëria e veprimit politik të Arbër Xhaferit, i cili herë rritë namin e vet me nacionalizmin e ashpër dhe atdhetarinë e përmasave “rilindase”, e  herë me multietnicizëm të përafërt me kozmopolitizmin që do e pëlqente cili do neokomunistë i botës, e lere më demokratët e etnitetit maqedonas, për të cilët mjafton ta kundërshtosh “terroristin” Ali Ahmeti, që të jesh i adhuruari i tyre. Portreti i rendit shtetërorë të Maqedonisë, mbetet i mbuluar edhe nga mjegulla e paqartësive të etnitetit maqedonas se vallë janë vëllezër të sllavëve të jugut, apo  nipërit e Aleksandri, siç propagandohet viteve të fundit. Ky portret  mbetet i paqartë edhe fal ambicieve politike të shqiptarëve, të cilat janë të menaxhuara nga prijësit partiak, të cilët deri sa janë në opozitë, i përkulen vetëm shqiponjës dykrenore dhe flasin vetëm shqip, e kur vijnë në pushtet, puthin cilindo flamur të partisë maqedonase që i bënë pjesë të koalicionit qeveritarë.

        Në një Maqedoni të tillë, mbetet çdo gjë e pathënë deri në fund. E tillë duket edhe Marrëveshja e Ohrit, e cila duheshte të jetë gurthemeli më i fortë i harmonisë ndëretnike. Gurthemel i cili nga dita në ditë dëshmohet  si i dobët për të mbajtur mbi vete vizionet e etnitetit maqedonas se edhe më tej do mbeten “pronarë” të shtëpisë, me shqiptarët “qiraxhinj” të zhurmshëm në të. Pra, ende pa kaluar plotë pesë vite nga nënshkrimi i saj, Marrëveshja e Ohrit u tregua si  kornizë jo e përshtatshme, kornizë jo sa duhet e gjerë dhe e gjatë që  të mbajë pranë njeri tjetrit portretet e dy  etnive numerikisht më të mëdha të Maqedonisë – atë të etnitetit maqedonase dhe atë të shqiptarëve të këtushëm. Se Marrëveshja e Ohrit është e gozhduar me ambicie të mëdha, por pa ia përcaktuar madhësinë e duhur, u dëshmua nëpërmjet mosmarrëveshjeve të fundit lidhur me  formimin e koalicionit qeveritarë, kur mandatari nuk përfilli vullnetin politik shumicë të shqiptarëve dhe, duke përdorur metodën “demokratike”, të cilën nuk ia pengon as kushtetuta as ligji, i përfshiu në kabinetin e vet “vëllezërit e gjakut” të PDSH-së. Me çka edhe nxori në sipërfaqe një mangësi të madhe të Marrëveshjes së Ohrit: se ajo  nuk e ka përcaktuar atë më qenësoren për shqiptarët e këtushëm – si të mbrohet vullneti i shumicës politikë nga majorizimi etnik. Dhe e detyroi  Ali Ahmetin që edhe një herë të përvesh mëngët dhe të filloj “betejën” kundër asaj që nuk i pengon Arbër Xhaferit:   të bindë opinionin vendorë dhe ndërkombëtarë se Marrëveshja e Ohrit nuk vlen gjë nëse  shqiptarëve u merret e drejta që vota e tyre e lirë të përcaktojë se cilët do jenë përfaqësuesit e tyre në organet më të larta shtetërore, të dëshmojë se lojërat me vullnetin shumicë politikë të shqiptarëve të këtushëm – bile edhe kur janë të ndihmuara nga një parti shqiptare – këtë shtet mund ta çojnë vetëm drejtë edhe një marrëveshje të re të Ohrit. Me çka do pasurohet historia bashkëkohore e këtij shteti, mirëpo do kalbet nga brenda edhe ajo pakë forcë lidhëse në mes të qytetarëve me përkatësi të ndryshme etnike.

Marrëveshja e Ohrit nuk shprehë vetëm mosguximin politik të partive politike në Maqedoni që të shkojnë deri në fund në “gozhdimin” e kornizës që do përcaktojë marrëdhëniet ndëretnike shqiptaro-maqedonase, por  edhe hamendjen e institucioneve euro-atlantike se si të shkohet më tutje me këtë shtet “eksperimental”, i cili duhet të arsyetojë “investimin” ndërkombëtarë se Ballkani nuk është tokë jopjellore për konceptet multietnike.  Sikur mos ishte kështu, ata nuk do nënshkruanin marrëveshje ku mungojnë zgjidhjet të cilat mbase vetëm naivët mund të besonin se herdo kurdo nuk do vij radha të shtrohen në tavolinën e bisedimeve.  Mbase, të prirë nga dëshira që sa më shpejtë të merr fund konflikti i 2001,  nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit nuk kanë mundur t’i kushtojnë rëndësi edhe një çështjeje pa të cilën nuk mund të qëndrojë ndërtesa multietnike e Maqedonisë – zgjidhjes kushtetuese të koalicionit dyetnik qeveritar, mundësisë që funksionet më të larta shtetërore të mos u takojnë gjithmonë dhe të gjitha vetëm maqedonasve etnik, por të bëhet e mundur në këto poste të zgjidhen edhe shqiptarët.  

Problemet me të cilat ballafaqohet sot Maqedonia, e të cilat sërish i ranë në hise t’i zgjidh Ali Ahmeti,  nxjerrin në sipërfaqe të pathënat e Marrëveshjes së Ohrit dhe tendencat e etnitetit maqedonas që çdo gjë të kthehet aty ku ishte para vitit 2001. Këto orvatje tani për tani tregohen të suksesshme vetëm pse janë të përkrahura nga “strategu” mbarëshqiptarë, Arbër Xhaferi. Dhe shkaku se analistët dhe intelektualët e “paguar” nuk arritën të bindin përkrahësit e PDSH-së se nuk janë në mbrojtje të BDI-së, por mbrojnë diçka më të madhe dhe më jetike për shqiptarët e Maqedonisë, diëka me të cilën nesër mund të përballet cilado parti shqiptare: se mbrohet e drejta thelbësore demokratike që vetë votuesi shqiptarë të përcaktojë përfaqësuesit e vet në institucionet shtetërore ku shkohet sipas numrit të votave e jo sipas “yjeve” demagogjike për atdhetari “fitimprurëse”.

Si do që të jetë, mbetet e vërteta se njësoj si Maqedonia, edhe  partitë shqiptare kurrë nuk arritën të profilizohen në subjekte me koncepte të qarta politike. Mbetën të lëvaren në mes të vizioneve demagogjike atdhetare të kryesuesve partiak – përderisa janë në opozitë – dhe ambicieve multietnike, kur vijnë në qeveri. Të tillë mbeten edhe votuesit shqiptarë: të hutuar nga pamundësia të përcaktojnë se vallë partitë e tyre  mbështeten në koncepte të qarta politike, apo veprojnë si   “kompani private” që u sjellin përfitime  vetëm rretheve të ngushta  partiake.  Dhe të mos vërejnë se nuk janë vetëm qarqet politike të etnitetit maqedonas ato që sot ëndërrojnë dhe kanë nostalgjik për Maqedoninë e para Marrëveshjes së Ohrit, por ka edhe udhëheqës partiak shqiptarë që me ëndje kujtojnë vitet kur në arën politike të Tetovës mbillnin patriotizëm dhe atdhetari, e në sofrën e pushtetit në Shkup ushqeheshin me frutat që ua sillte “maunokracia”. Kështu që shqiptarët e Maqedonisë u pasuruan me “maunokrat”, pa e vërejtur se partia të bënë shërbëtorë të pavlerë, nëse nuk e dinë pse i beson. Shqiptarët e  Maqedonisë sot nuk janë shumë më larg se aty ku ishin edhe përpara nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit: ndodhet në paradhomën e zhurmshme ku shumica e etnitetit maqedonas, e përkrahur nga   “analistët e pashitur” dhe “strategët” shqiptarë, ia zbërthejnë atë që mund të shpjegohet, por nuk mund të arsyetohet – se mandatari ka të drejtë të zgjedh cilëndo parti shqiptare  si pjesë të koalicionit të vet qeveritarë. Parim i cili qëndron, por vetëm nëse paraprakisht realizohet ndonjë nga parullat e dikurshme të partisë së mandatarit të tanishëm, ato të  VMRO-DPMNE –së, për “Maqedoni pa shqiptarët në të”, për “Dhoma gazi dhe sëpata për shqiptarët”. Parulla nga të cilat kurrë nuk u distancuan ata që e shtynin Ali Ahmetin me përkulje të kërkojë falje shkaku i një deklarate kërcënuese të një bashkëpunëtori të tij.  

Siç duket,  Maqedonia edhe mëtej do mbetet e ngërthyer në kthetrat e “mosmarrëveshjes historike”  në mes shqiptarëve të këtushëm dhe maqedonasve etnik.  Mbase mund të ndodh që ky shtet të mbetet vetëm si “kreatur” e vizioneve të kundërta etnike, shoqëri të cilën nuk mund ta definosh as si shtet njëetnike, as si multietnik, por si shtet i cili qëndron mbi themelet e koncepteve të pathënë deri në fund. Dhe si i tillë, ky shtet edhe ka filluar ti ngjajë një sajese të çuditshme të ambicieve të paqarta etnike, një pushimoreje të përkohshme ku edhe etniteti maqedonas edhe ai shqiptarë prehen dhe fshijnë djersët. Thuajse bëhen gati të vazhdojnë gërryerjen e mirëfilltë të themeleve mbi të cilat do ndërtojnë ardhmëri të përbashkët. Ku ta dish, ndoshta ata edhe hamenden se si t’i pastrojnë  llogaritë e lënë anësh pas konfliktit të 2001. Apo presin që dikush t’u ndihmojë të kuptojnë se shteti nuk ndërtohet nga inatet partiake dhe etnike, se janë mbyllur të gjitha mundësitë për konflikte ndëretnike, por kanë mbetur të hapura dyert për Marrëveshjen numër dy të Ohrit, e cila ndoshta do përcaktojë kufijtë e kantoneve të Maqedonisë. Këtë mundësi duhet t’ua shpjegojë dikush edhe bashkëpunëtorëve të Ali Ahmetit, të cilët kurrsesi të kuptojnë se sektori civil është ai që më bindshëm se partia mund të mbrojë votën shqiptare. Tu shpjegojë se kanë një mundësi historike të definohen deri në fund disa zgjidhje pa të cilat kurrë nuk do ketë harmonizim të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni. Se janë para një beteje politike të cilën duhet ta zhvillojnë duke lënë anësh popullin, para një “lufte” të cilën duhet ta bartin mbi supe prefektët e komunave të kësaj partie dhe kabineti i qeverisë së Gruveskit. Luftë mes institucioneve vendore që i kontrollon BDI-ja dhe qeverisë, e cila nuk do shkaktojë ndasi të mëtutjeshme brendashqiptare, por do e ia rikujtoj Gruevskit dhe shokëve të klubit “Nostalgjikët e Maqedonisë së para 2001” se ky shtet mund edhe të kthehet atje ku ishte para Marrëveshjes së Ohrit, por vetëm nëse të gjithë shqiptarët e Maqedonisë bëhen anëtarë të PDSH-së dhe pranojnë të votojnë për kandidatët e VMRO-DPMNE-së, ashtu siç bënë disa tetovarë gjatë zgjedhjeve parlamentare kur kandidati i BDI-së humbi shkaku se disa shqiptarë të atjeshëm mbështetën kandidatin e VMRO-DPMNE-së. Me çka mbase edhe për herë të parë u promovua veprimi politik multietnik. I cili edhe si i tillë aspak  nuk shpreh zhvillimin e konceptit multietnik në këtë shtet, por mjerimin politik të atyre, të cilët kurrë nuk paguajnë vet kur ulen të drekojnë në restorant,  dhe ku më shumë rendësi i kushtojnë madhësisë së pjatës se sa kamerieres së bukur.