Vendosja e flamujve të Maqedonisë nëpër shtylla të larta, sipas analistëve nuk është gjë tjetër përpos një nacional romantizëm i vonuar, ose provokim ndaj fqinjit jugor, por që mund të sjellë edhe ndonjë konflikt të padëshiruar brenda shtetit. Analisti Kim Mehmeti thotë për “Lajm” se flamujt nuk i bën madhësia, por ajo që kanë shënuar në vetvete. “Një proverb thotë: ‘Sa më i vogël është populli aq më voluminoze e ka historinë, më të gjatë e ka himnin dhe më të madh dëshiron ta ketë flamurin’. Mirëpo popujt e vegjël harrojnë një të vërtetë, sepse flamujt nuk i valëvit era, por vetëdija e njeriut, vetëdija për përkatësinë etnike, vetëdija për përkatësinë kombëtare. Flamujt nuk i bën madhësia, por ajo që ata kanë shënuar në vetvete. Shqiponja jonë sikur të jetë edhe 10 cm me 10, ajo ka aty betejat prej Skënderbeut e këtej”, tha Mehmeti. Sipas tij këto flamujt e mëdhenj që vihen nëpër Maqedoni nuk shprehin kurrgjë tjetër përpos një nacional romantizëm të vonuar të maqedonasve, mirëpo siç thotë Mehmeti, ato bëjnë një gabim. “Unë sa vërej flamujt e mëdhenj vihen vetëm në mjedise maqedonase që do të thotë ata e përvetësojnë, pasi akoma s’kam dëgjuar që një flamur i tillë të vihet p.sh. në Kalanë e Tetovës. Çdo të thotë kjo? Se atë flamur e barazojnë me përkatësinë etnike, e kanë etnizuar edhe atë flamur, njëlloj si emrin dhe nëse ndodh ajo, Maqedonia duhet të ketë dy flamuj. Këtë flamurin që maqedonasit e mendojnë si është vetëm i tyre dhe flamurin shqiptar”, thotë analisti Mehmeti. Ai i preferon Gruevskit që çdo kund të vendosë nga dy shtylla. “Do të ishte mirë që me kohë ta përgatisë terrenin se gjithsesi në Maqedoni, pa u valëvitur edhe flamuri shqiptar nuk do të vlejë asnjë flamur tjetër, nëse etnizohet, të jem i qartë. Nëse ky flamur ka domethënien e etnitetit maqedonas, siç ndodhi me emrin, atëherë do të ishte mirë që me kohë të vendoseshin nga dy shtylla”, theksoi Mehmeti.