Back

Si gjuetar derrash të egër

Religjionet janë si fole të ngrohta ku çel e rritet besimi i shumë njerëzve për atë që janë, atë që bëjnë dhe atë që dëshirojnë të arrijnë. Duke qenë nga shtyllat më të forta që gjatë shekujve kanë mbajtur në këmbë njeriun dhe njerëzimin, religjionet janë edhe strehimore, ku njeriu gjen prehje sa herë që ndien se barra e kësaj jete bëhet e papërballueshme për të, apo atëherë kur i nevojitet të përmbahet e të mos joshet nga veset e këqija të kësaj bote. Religjionet janë njëfarë ndërmendje e asaj se kush je, janë si shenjë që tregon drejtimin e udhëtimit, shenjë që të shfaqet atëherë kur harron sa nga je nisur e ku duhet të arrish. Andaj, duke qenë fetë rrëfyes të rrugëve që të çojnë drejt botës tjetër, e rendet politike shoqërore tregues nga duhet ecur që t’i shijosh lumturitë e kësaj jete, ato dy sisteme vlerash dhe standardesh banojnë në të njëjtën shtëpi, por hyrjet i kanë të ndara. Por, edhe ashtu të ndarë, është e pamundur të mos ketë një pikëtakim ku fetë dhe rendet politike shoqërore përballen me njëra-tjetrën dhe mbase edhe luftojnë mes tyre në emër të të njëjtit qëllim: për të mirën e individit, apo kolektivitetit. Me çka, gjatë zhvillimit të saj, gjinia njerëzore nuk ka arritur më larg se të ndihet e drejtuar nga feja, por e sunduar nga njeriu, apo si e përkushtuar ndaj Zotit, por në shërbim të sunduesve.

Jo njëherë gjatë historisë, religjionet e ndryshme, si dhe krahët rivalë brenda fesë së njëjtë – e gjithmonë në emër të Zotit – janë përgjakur mes tyre dhe jetën e besimtarëve e kanë shndërruar në ferr. Apo ka ndodhur që pas kapotës së shërbëtorit të Zotit, të fshihen shërbyes të djallit. Njësoj siç ka ndodhur që pas emblemës së institucioneve më të larta fetare që kanë për detyrë të mbrojnë normat dhe moralin fetar, të fshihen ata që nuk kanë njohur asnjë normë njerëzore. Pra, ka ndodhur në të kaluarën ajo që ndodh edhe sot në shumë vende mbi këtë rruzull tokësor: që herë-herë ta kesh vështirë të përcaktosh se ku fillon e ku përfundon beteja që bëhet në emër të fesë dhe të Zotit, e ku nis e mbaron ajo që ka të bëjë me mbushjen e xhepit të atyre që besimtarëve u shpjegojnë për të mirat e asaj bote, e vetë duan t’i shijojnë të gjitha kënaqësitë që i ofron jeta mbi këtë tokë.

Mbase nga ky këndvështrim duhen shikuar edhe ngjarjet e fundit që ndodhin mes komunitetit mysliman në Maqedoni, e ku si gjithmonë, si protagoniste kryesore paraqitet Bashkësia Fetare Islame, e cila prej moti lë përshtypjen se udhëhiqet edhe nga njerëz të atillë që falen nëpër xhamia, por flenë në shtratin politik dhe atë policor. Me çka edhe ia dolën që suksesshëm të ecin në rrugën nga luftëtarë të denjë në mbrojtjen e socializmit prej rrezikut të “irredentizmit dhe nacionalizmit shqiptar”, e deri te kohët e sotme demokratike, kur Maqedoninë dhe shqiptarinë e mbrojnë nga “vehabistët”. Pra, ia dolën që të mbahen në këmbë në mënyrën më të pahijshme dhe më perverse për ata që thonë se njohin vetëm Zotin dhe i përkulen vetëm atij: duke shëtitur nga prehri i njërës, në atë të tjetrës parti, por mbase duke mbetur gjithmonë të afërt me qarqet policore dhe madje duke u mbështetur edhe në tytat e kallashnikovit. Dhe duke qenë të tillë, disa nga ata, t’i rikujtojnë kohët e dikurshme socialiste kur kishte hoxhallarë që prinin në gjuetinë e derrave të egër, mbase duke e ditur se fati i tyre nuk varej nga përkushtimi ndaj fesë, por nga pesha e derrit të vrarë që ua dhuronin shokëve të tyre. Që ua dhuronin shefave policorë, e të cilët ia dolën që këtë institucion të rëndësishëm religjioz ta bëjnë t’i ngjajë një shërbimi që merret me kompletimin e listave të “bijve të spiunëve” dhe të “ekstremistëve myslimanë”…. Çka duhej qysh moti t’i çojë besimtarët e këtushëm myslimanë të shtrojnë pyetjen e logjikshme: vallë ky institucion qëndron mbi parime dhe rregulla fetare, apo u është nënshtruar atyre që nxisin dhe duan grindjen brendashqiptare. Si dhe të pyesin veten se me çka e merituan krerët e BFI-së të jenë shqiptarët e këtushëm më të mbrojtur nga policia maqedonase. Apo, me çka e merituan kryesuesit e bashkësive të këtushme fetare, të jenë nga të privilegjuarit që nuk i përfshin ligji për lustrim, ligj që ka të bëjë me të kaluarën socialiste të personave që mbajnë poste të larta nëpër institucionet e këtushme, e që ndoshta kanë qenë bashkëpunëtorë të dikurshëm të policisë?

Se krerët e BFI-së nuk mbështeten gjithaq në parimet e fesë dhe te besimtarët e vet, por forca e tyre buron nga qarqe jofetare, më së miri dëshmoi zënka e fundit në xhaminë e Isa Beut në Shkup, kur përfaqësuesit e këtij institucioni fetar tentuan dhunshëm të deligjitimonin imamin e kësaj xhamie, e pas cilës rrahje, BFI-ja nuk kërkoi përkrahjen e besimtarëve të vet, por mbështetjen e policisë maqedonase. Edhe atë duke i akuzuar kundërshtarët e saj si “vehabistë”, me çka u dha shkas mediave në gjuhën maqedonase dhe gazetarisë që mirëmbahet me pomadën “pavlloviqiane” proserbe, t’i rikthehet temës për rrezikun që i kanoset Maqedonisë nga “fondamentalizmi islam”, nga një rrezik i trilluar prej qarqeve antishqiptare, rrezik që kurrë nuk mund të mbijë në arën shumëreligjioze arbënore. Apo thënë ndryshe: pas kësaj zënke të pahijshme mes besimtarëve myslimanë në xhaminë e Shkupit, BFI-ja kërkoi ndihmë nga i vetmi institucion me të cilin mbase ajo edhe ka bashkëpunim më të mirë – nga Ministria e Punëve të Brendshme. Me çka mbase u jep të drejtë qëllimkëqijtë që thonë nëpër kafene se nëse disa “shërbëtorëve të Zotit” ua heq shallin dhe mbështetjen policore, nga ata do mbetej vetëm një gjuetarë i mirë i derrave të egër.

Sido që të jetë, religjionet mbeten edhe më tej prehje, apo shtrat, të cilin çdonjëri e shtron me aq sa beson dhe sa i nënshtrohet Zotit, me aq sa dëshiron dhe sa ka mundësi t’i përkushtohet fesë. Kështu që në mesin e besimtarëve gjithmonë do të ketë fanatikë e liberalë, por çdo gjë do varet nga ajo kush ata i drejton dhe sa kanë hapësirë të veprojnë. Pra, sido që të jetë, fetë kanë qenë dhe do mbeten shtylla të rëndësishme për ta bërë jetën më të qëndrueshme dhe më kuptimplotë. Pastaj, religjionet kanë qenë e do mbeten shenjë njohëse e individit, apo e një kolektiviteti, ato kanë qenë e do jenë nyje lidhëse mes njerëzve, popujve dhe hapësirave mbi këto tokë. Por, ato gjithashtu kanë shërbyer si shkak për mosmarrëveshje mes popujve, si dhe ka ndodhur që në emër të tyre të derdhet gjak mbi këtë tokë, edhe pse religjionet kurrë nuk kanë qenë në konflikt mes tyre, por njerëzit janë ata që i kanë keqpërdorur për të shfryrë destruktivitetin. Dhe kjo nuk ka ndodhur atëherë kur është shtuar numri i jobesimtarëve, fondamentalistëve apo kundërshtarëve të religjioneve, por në kohën kur institucionet më të larta fetare kanë rënë në duart e njerëzve destruktivë dhe kur fetë janë bërë shërbëtore të politikë së ditës. Me çka është dëshmuar se fetë dhe rendet shoqërore kanë hyrje të ndara në shtëpinë e përbashkët ku banojnë, por kur njëra nga ato nxit grindje, kur ato fillojnë të bashkëveprojnë, pëson e tërë godina. Andaj ka raste kur në emër të mbrojtjes së shtëpisë së përbashkët, duhet të gjithë të angazhohen në shfarosjen e dukurive negative që fshihen pas institucioneve religjioze, e të cilat janë më të rrezikshme se të gjitha të tjerat, ngaqë duke helmuar shpirtin e besimtarëve, qenien e tyre e zhvlerësojnë deri në ato përmasa, sa ajo të mos vlejë as sa një plumb.