Back

Si heronj mbi gomar

Kim MEHMETI

Nga konflikti i 2001, shqiptarët e Maqedonisë trashëguan Marrëveshjen e Ohrit dhe partinë e  re të Ali Ahmetit, BDI-në. Parti e cila, sot kur do e lexoni këtë tekst, do mbajë kongresin e sajë të dytë.  E para, pra Marrëveshja e Ohrit, për shqiptarët e këtushëm kishte domethënien e shpresës së madhe se më në fund ishte gjetur ilaçi që do shëronte sëmundjen  kronike të  mosmarrëveshjeve shqiptaro-maqedonase, sëmundje nga e cila Maqedonia lëngonte një dekadë me radhë. Trashëgimia e dytë e paskonfliktit, apo BDI-ja, shihej si mundësi e gjatëpritur për të ndërtuar një parti që do ua kthente shqiptarëve të këtushëm dinjitetit e humbur politikë përballë oponentëve të etnitetit maqedonas. Dhe krahas dëshmisë se shqiptarët nuk do shiteshin për një kolltuk qeveritar si ata të PPD-së dhe PDSH-së, BDI-ja duhej të ishte edhe garant i realizimin të Marrëveshjes së Ohrit. 

    Duke i ndjerë si të tilla, si të lindura nga e njëjta nënë – nga konflikti i 2001 – shqiptarët e këtushëm nuk kishin asnjë arsye pse mos ia besonin Ali Ahmetit realizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Dhe kështu, në zgjedhjet parlamentare të 2002, ai morri besimin e popullit dhe fatin e partisë së vet e lidhi në nyje me realizimin e kësaj Marrëveshjeje. Me çka, BDI-ja hyri në kabinetet qeveritare ende e pakonsoliduar, pa mbajtur as kongresin e sajë të parë, ashtu siç u ka hije partive revolucionare që kanë  dy shtylla që i mbajnë në këmbë – aurën e kryetarit dhe të kaluarën e famshme të ish UÇK-së.

    Në fillimet e bashkëqeverisjes së parë të BDI-së me aleatët e saj maqedonas, kjo parti, sadopak  u tregua e hapur për të gjithë ata që mendonin se mund të jepnin kontributin e vet për t’i çuar përpara të drejtat e shqiptarëve. Por ndoshta, nga dyert e hapura partiake të BDI-së, brenda saj hyri edhe hija e frikës, që i trishtoi disa “komandantë” të ish UÇK-së se dikush do ua zinte kolltukët qeveritare dhe të mpirë nga ky trishtim, ata e shpalosën sekretin se kishin themeluar parti për vete, e jo për popullin. Me çka, rrjedhat në këtë parti morën kahe tjetër nga ajo që e priste populli: BDI-ja u bë thuajse e njëjtë si PPD-ja dhe PDSH-ja, të cilat i detronizoi konflikti i 2001. Pra, BDI-ja u bë parti që realizonte ambiciet e vonuara të atyre që dinin si të sundojnë me popullin që e “çliruan”, por që nuk kishin lidhje si drejtohet shteti, si zhvillohen betejat politike. Kështu që, nëse PPD-ja e dikurshme nuk ishte “as e mira e shqiptarëve, as e keqja e maqedonasve”, nëse kryesuesit e PDSH-së shqiptarët e këtushëm i shndërruan në argatë të punësuar në partinë e tyre private, atëherë BDI-ja i bëri shqiptarët pengë të  frustracioneve etnike të Gruevskit dhe të bashkëmendimtarëve të tij.

     Duke e mbyllur partinë gjithnjë e më shumë dhe duke e barazuar të mirën e popullit me mirëqenien e atyre që dinin të thonë “le të bëhet siç thotë kryetari”, nuk vonoi shumë dhe Ali Ahmeti  e pa se me integrimin e shqiptarëve nuk i shkonte puna ashtu siç e kishte paramenduar. Pra, duke u përballur me mosrealizimin e Marrëveshjes së Ohrit, nga “integrues” i shqiptarëve brenda shtetit ku jetonin, Ali Ahmeti u shpall integrues i Maqedonisë në institucionet euroatlantike. Pra, duke e parë se Maqedonia më parë mund të bëhej anëtare e BE-së dhe e NATO-së, se sa shtet i pranueshme edhe për shqiptarët, BDI-ja thuajse heshturazi pranoi se Marrëveshja e Ohrit  kishte vdekur dhe se partitë shqiptare edhe një herë e kishin humbur betejën përballë partnerët të tyre maqedonas. Gjë që shqiptarët e këtushëm e përjetuan si dështim të madh kolektiv, si dëshmi se ky shtet gjithmonë gjente ilaçin e duhur, me të cilin ilaç, nga një politikan shqiptarë përplot me patriotizëm, bënte një pushtetarë të heshtur që do kënaqej me të mirat që ia ofronte “punëdhënësi” maqedonas. Pra, Maqedonia edhe më tej vazhdoi t’i ndërtojë marrëdhëniet shqiptaro- maqedonase mbi parimin se të drejtat e shqiptarëve të këtushëm, kanë çmim të barabartë me përfitimin personal të pushtetarëve shqiptarë. E BDI-ja vazhdoi të mbajë llogari që të mos e hidhërojë Gruevskin e dhënë pas ndërtimit të kishave dhe ngritjeve të përmendoreve, duke mos e interesuar fare  se çka mendonte populli për rolin e saj të “vasalit” në qeverinë e VMRO-DPMNE-së.  

    
    Se Marrëveshja e Ohrit mbeti letër ku u varrosën shpresat shqiptare, dëshmon e vërteta se edhe tetë vite pas nënshkrimit të saj, sa u përket të drejtave kolektive të shqiptarëve të këtushëm, ato janë thuajse aty ku ishin para konfliktit të 2001. Pra, shqiptarët e këtushëm ende merren, për shembull, me zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Kur jemi te gjuha shqipe dhe te dëshmitë se deri ku ka arritur zyrtarizimi i saj, mjafton të veçohet vetëm një shembull shumë domethënës: në Fakultetin Filologjik të Shkupit, pranë katedrës së Albanologjisë, kandidati shqiptarë, përpara ligjëruesve gjithashtu shqiptarë, temën e doktoraturës për ndonjë krijues shqiptar, e mbron në gjuhën maqedonase!? Apo, së shpejti, të gjithë filloristët shqiptarë, do e mësojnë gjuhën maqedonase që nga klasa e parë, gjë të cilën nuk do e bëjnë moshatarët e tyre maqedonas me gjuhën shqipe.

    E në ndërkohë, shtatë vite pas themelimit të saj, BDI-ja do e mbajë Kongresin e Dytë.  Domethënë, për dallim nga Marrëveshja e Ohrit të cilën Gruevski qëmoti e varrosi, BDI-ja vazhdon të gjallërojë. Por, BDI-ja e sotme nuk është as ajo e dikurshmja që u jepte shpresë shqiptarëve se do i zgjidhte çështjet për të cilat të rinjtë shqiptarë morën armët në duar, as ajo që do dëshmonte se shqiptarët e këtushëm dinë të ndërtojnë parti të qenë.  BDI-ja e sotme është pronë e kryesuesve të saj, i ngjanë një “shoqate aksionarësh”, ku  dominojnë aksionet e ish komandantëve, por nga e cila panë dobi edhe ish politikanët që i shëtitën të gjitha partitë, e në të vërtetë gjithmonë kishin vetëm librezën partiake të KFR-së (Kah Frynë Era). Pra, BDI-ja mbeti pa portret të qartë politikë, andaj as nga  Kongresi i saj i Dytë nuk duhet pritur asgjë të veçantë, përpos  vërtetimin e certifikatave të “aksionarëve” të saj. Apo thënë ndryshe,  Kongresi i Dytë i BDI-së do dëshmojë se këtë parti e mbajnë në këmbë dy shtyllat e sajë: Kryetari emblematik dhe grupi i atyre që vlerë të vetmen kanë thënien “le të bëhet siç thotë Kryetari”. Andaj, lirisht mund të thuhet se nëse BDI-së ia nxjerrë Ali Ahmetin, nga kjo parti mbetet vetëm kujtimi i largët për kohët kur shqiptarët e këtushëm shpresonin se mund të ndërtojnë parti, e cila nuk do varet vetëm nga vullneti i “babës”, por edhe nga kërkesat e fëmijëve që kompletojnë familjen.

Nuk ka dyshim se Ali Ahmeti e dinë se partia e tij sot ushqehet vetëm me të kaluarën e tij dhe të ish UÇK-së. Njësoj siç e dinë se kur e bie partinë në shkallën që të varet nga vullneti i një njeriu dhe vetëm nga e kaluara, atëherë ajo nuk ka ardhmëri. Andaj, ai sot është i detyruar ta mbajë gjallë BDI-në ashtu siç e mbante  gjallë dikur Titoja partinë e tij komuniste: sa herë që fraksionet e ndryshme ia rrezikonin Lidhjen Komuniste, ai e zgjeronte “presidiumin” e partisë dhe aty i kooptonte të gjithë të pakënaqurit. Kështu që, nga Kongresi i Dytë i BDI-së duhet pritur vetëm shtimin e numrit të nënkryetarëve të ri  dhe theksimin e lidhshmërisë së fatit të kësaj partie me  anëtarësimit e Maqedonisë në NATO dhe BE. Me çka do shihet qartë se BDI-ja bëhet gjithnjë e më e largët për shqiptarët e këtushëm, e gjithnjë e më e afërt me Gruevskin. Pra, do shihet qartë se qëmoti ka vdekur ëndrra shqiptare se partia e dalë nga ish UÇK-ja, do dijë t’i del zot fëmijës së dytë më shpresëdhënës të lindur nga konflikti i 2001 – Marrëveshjes së Ohrit.

Pra, nga Kongresi i Dytë i BDI-së, duhet pritur shumë fjalime për angazhimin e kësaj partie që Maqedonia të shkojë rrugës së integrimeve euroatlantike, e pakë fjalë që do tregonin çka bëri kjo parti për shqiptarët dhe kush e mbylli rrugën për integrimin e shqiptarëve në shtetin ku ata jetojnë. Fjalime që do shpalosin një të vërtetë dështuese për BDI-në: se kjo parti është paralizuar nga pritja që Maqedonia të hyjë në BE dhe NATO, e që pastaj të tregojë se çka do bëjmë me përmendoret e Gruevskit. Shkaku i kësaj pritjeje, mbase Ali Ahmeti edhe nuk bënë asgjë tjetër përpos që i zbaton “këshillat e perëndimorëve”. Nuk ka dyshim se ai mirë bënë që i dëgjon ata që vendosin për fatin e popujve të vegjël, por  dikush duhet t’i tregojë se, kur e lidh kalin aty ku të thotë pronari, duhet paraprakisht ta vlerësosh a ka mjaftë kullosë përreth, që kali të mos cofë nga urtia përderisa e mbanë lidhur në të njëjtin vend.  Pra, dikush duhet t’i tregojë Ali Ahmetit se partia e tij është katandisur rrugës që dikur e ecën PPD-ja dhe PDSH-ja, e udhëheqësit e të cilave parti e filluan karrierën politike të hipur mbi kalë të bardhë dhe e përfunduan si heronj mbi gomar.