Back

Sot ë shtë në sprovë boshti kurrizor shqiptar

Shkruan: Kim MEHMETI

 

(Ese e botuar në maj të vitit 1999, pas vrasjes së Fehmi Aganit) 
 

      Ekzistojnë kohë kur edhe njeriu i fjalës publike përnjëherë e dëshiron heshtjen. Heshtjen, nga ato më trishtueset, e cila ngërthen në vetvete sasinë e papërballueshme të dhembjes, e cila ngulfat fjalët që nuk janë thënë kur është dashur të thuhen, si dhe mendimet që tani nuk ia vlen të shpalosen, sepse mund të jehojnë si tinguj qëllimkëqij që tentojnë të realizojnë atë më degraduesen që mund ta bëjë individi: nga tragjedia biblike dhe dhembja kolosale jona t’i ndërtojë përmendore vetvetes së muruar nga zbrazëtia e fjalëve. Këto janë kohë kur ajo që ndodh dhe që është duke ndodhur ua humb kuptimin fjalëve, kur i hesht njerëzit. Jo pse nuk dinë çka të thonë, por për shkak se “biseda” mes nesh më nuk mund të bëhet si në ditët kur lejohet të mbash llogari kujt cili vend i takon në “odën e burrave”: sot fjalët boshe mund të jenë pronë vetëm e atyre që nuk e shohin se “ora e bardhë” e kalendarit tonë historik jehon dhembshëm dhe kohën e mat vetëm nëpërmjet veprave konkrete e jo nëpërmjet “boshllëkut konceptual” që shpallin ata që dinë t’i këshillojnë të gjithë të tjerët përpos vetvetes.  

      Pra, sot nuk ia vlen të bisedohet pse “bajraktarët tanë” politik i rruajtën mjekrat, shkuan në Tiranë, Lubjanë e gjetkë, dhe u heshtën atëherë kur jehoi trishtueshëm vaji i foshnjave kosovare. Nuk ia vlen, sepse gabimet “e dasmës” nuk korrigjohen përderisa dasmorët janë nisur për të shkuar që ta marrin “nusen” dhe as njeriu acarohet me atë që ka morg në shtëpi ditën kur varros të dashurin e vet. Sot nuk ia vlen të sqarohet pse pjesa dërmuese e politikanëve tanë politikën e kanë kuptuar vetëm si mundësi që të sjell në krye të sofrës e jo edhe në vuajtje kulminante, sepse jo që ata këtë të vërtetë nuk e dinë, por e keqpërdorin një veti aq bujare shqiptare e cila i çon që mos t’ia prishin qejfin edhe “babait budalla”. Bujari që shpreh një edukim dhe veti kulminante njerëzore, por që është e kobshme në çastet kur duhet shpëtuar “familjen”.  

      Nuk është e nevojshme sot dhe në këto hapësira të analizohet pse jemi të prirë që tërë guximin intelektual ta zbrazim nëpër çajtore dhe kafene, vetëm nëpër artikuj gazetareskë dhe ne fjalime politike, pse edhe varrimet mund t’i përdorim për t’u bërë “prijës dhe kryetarë”, pse ngandonjëherë lejojmë që kolonës t’i prijë edhe ai që ka vetëm një udhërrëfyes – karrierizmin dhe primitivizmin e vet, sepse ato analiza mund të bëhen atëherë kur do të ulemi në Prishtinë dhe paraprakisht do ta kemi dëshmuar pjekurinë tonë individuale dhe kolektive. Ajo pjekuri pikë së pari do të dëshmohet me çlirimin e Kosovës nga thundra serbe e pastaj edhe me atë se sa do të kemi guxim t’i shtrojmë pyetjet e vërteta të cilat nuk do të kënaqen me përgjigje të thurura nga fjalitë boshe. Pyetje shumë konkrete që do të tingëllojnë qartë, si për shembull: Ku ishe dhe çka bëre deri sa gjakonte Kosova?  

      Pra, është e kotë që sot të kemi lutje tjetër përpos asaj që mund të ketë kuptim: Zot, na i shpëto fëmijët, gratë dhe të paaftit, se ata që i kanë thënë vetvetes burra duhet të dinë dhe të munden ta shpëtojnë vetveten dhe vatrën e vet. Nëse nuk dinë dhe nuk munden, atëherë ata nuk e meritojnë Kosovën. Gjithë kërkesat dhe lutjet e tjera përpos kësaj mund të na e mjegullojnë rrugën, mund ta rrisin barrën a atyre që janë nën tenda, që strehohen nëpër malet e Kosovës, të etur dhe të uritur. Atyre që dënesin mbi varret e më të dashurve. Atyre të rrallëve që mbetën në Kosovë duke mos pasur me kë t’i varrosin të vrarit, të cilët i dëmtoi nga pak edhe fjala jonë e pamatur dhe boshe, edhe iluzioni i ushqyer nga joracionaliteti ynë si edhe “bajraktarizmi” i atyre që edhe kur flisnin për popullin dhe në emër të popullit, nuk ishin në gjendje të mbrojnë as familjen e vet.  

      Sot, pra, nuk është kohë e volitshme të bëhen analizat pse Millosheviqi për “kryetarin” tonë Rugovën siguroi aeroplan që të shpie në Romë, ndërsa për Kokën tonë politike, intelektuale dhe vulën më të ndritshme të njerëzimit shqiptar, Fehmi Aganin, siguroi vetëm plumba dhe vdekjen. Nuk duhet bërë analiza, sepse hapësira që e ndan skajshmërinë e shpëtimit të njërit me aeroplan, dhe vrasjen barbare të Fehmi Aganit, fsheh në vetvete një të vërtetë të dhembshme e cila e shpjegon barbarin, mirëpo, e shpalos edhe një pjesë të fytyrës tonë: shqiptarëve shpesh herë armiku u ka treguar se cilët i kanë vlera të vërteta! Dhe atë në mënyrën më tragjike dhe më të dhembshme: duke i lënë të pakokë, pikërisht atëherë kur më së shumti u nevojitej truri i shëndoshë dhe i kthjellët. Si ai i Fehmi Aganit, i cili bënte atë që dinë të bëjnë vetëm njerëzit e mëdhenj dhe intelektualët e mirëfilltë: të gjithëve t’ua japin më të vlefshmen që e posedojnë, dhe të mos kërkojnë asgjë për kundërvlerë. Dhe, si i tillë, ai nuk e kishte as “merovcin” e vet për t’ia mbajtur lidhjet me “kadrovikët”, as truprojat për ta ruajtur nga agresiviteti i të tjerëve: ai ecte mbi tokën Kosovë ashtu siç i kishte hije vetëm atij dhe askujt tjetër! Me çka dëshmonte se ka diadema me madhësi për çdo kokë, por të pakta janë kokat që mund të bartin diademë, dhe që janë të kurorëzuara edhe atëherë kur kanë vetëm mbulesën e natyrshme – flokët e thinjura nga njerëzorja dhe e gjithë ajo që quhet vlerë intelektuale.  

      Nuk duhet kurrsesi sot të lejojmë që dhembja të ngulfat dëshirën për jetë, për ardhmëri dhe ecje përpara. Sot është në sprovë boshti kurrizor shqiptar. Sprova më e fundit dhe më e rëndë që duhet dhënë një kolektivitet nacional. Pasi të japim këtë sprovë, të ulur nëpër kafenetë e Prishtinës, Gjakovës, …, nëpër bibliotekat dhe odat tona të burrave, ashtu shtruar dhe haptazi do t’i shtrojmë pyetjet më të rënda që presin përgjigje. Ndër të tjera, do të duhet të përgjigjemi se si ndodhi që të dehemi nga “gandizmi” duke harruar se nuk kemi kundërshtar anglezët, por një konstrukt mental i cili mund të bëjë aheng mbi kufomat e masakruara. Pse kampet me të dëbuarit kosovarë i vizitojnë kryetarë të ndryshëm botërorë, por jo edhe ai të cilin kosovarët e zgjodhën ta kenë pranë në të mirë dhe të keqe. Pse kryetari i Kosovës nga Roma nuk shkoi në Tiranë, ku do të qante hallin me ata që e zgjodhën, ku, në mos tjetër, do të rrëfehej se vallë gjatë qëndrimit në Prishtinë, me çka e ka shërbyer Millosheviqi – me çaj, apo me shlivovicë. Ku do t’i shihte vuajtjet e popullit të vet, të dëbuarit që do të kishin rastin t’i shtronin pyetje të rënda, por të cilave herdo-kurdo do të duhet t’u përgjigjet. Përpos nëse nuk ka vendosur që gjithmonë me popullin e vet të komunikojë nga “Roma” dhe nëpërmjet gojës së vet të dytë – Adnan Merovcit! Përpos nëse mendon se ne nuk dimë t’i përgjigjemi edhe pyetjes se si ia arritëm të durojmë pikëllimin i cili erdhi si dhembje në dhembje, kur dëgjuam se vrasësit tanë na lanë pa kokën më të ndritshme njerëzore, politike, intelektuale, … Fehmi Aganin. Pa atë të cilit dëshironim t’i ngjajmë të gjithë. Madje edhe ata që formalisht ishin kryetar të ndryshëm të tij, por që e ndjenin se as diadema në kokë e as shalli i mëndafshtë nuk mund të shkëlqejë aq sa buzëqeshja e Profesorit dhe shpirti i tij i pastër, i cili pandërprerë kumtonte të vërtetën e rëndësishme: mos i thoni gjithaq lehtë vetvetes intelektualë dhe strategë nacional, sepse që të jeni të tillë, duhet të më ngjani mua – t’i ngjani vetvetes. Si edhe atë se të jesh në krye të kolonës është nder, por ngandonjëherë, si në rastin e Kosovës, nder i rrezikshëm.  

      Sot koha nuk premton për t’u bërë analiza, sepse jemi në fillim të rrugës së mundimshme. Nesër, kur gjithashtu nuk do të mund t’u shmangemi ligjeve të natyrës, kur prijës dhe kryetarë do të vdesin ashtu siç i ka hije njeriut – në shtrat, dhe kur do të na dhimbsen çdonjëri në mënyrën e vet, do ta kuptojmë se vrasja e Profesorit, politikanit, intelektualit dhe Njeriut – Fehmi Aganit, ua mori të gjithë “prijësve” dhe “strategëve” të tjerë të “eshalonit” të tij të drejtën që të meritojnë obelisk më madhështor se ai që duhet ta shënojë varrin e tij. Varri i tij e meriton diademën më madhështore me të cilën do të stolisen varret e kosovarëve nesër: lulet e para të lirisë së Kosovës. Dhe do të jetë ai një vend ku vetveten do ta ndjejnë keq dhe të dëshpëruar shumë të gjallë që e dinë se Profesori e meritonte mëngjesin e parë të çlirimit të Kosovës shumë më tepër dhe shumë më bindshëm se një plejadë “bajraktarësh” të tjerë.  

(Ese e ribotuar në gazetën Koha Ditore, Prishtinë me rastin e shënimit të 10 vjetorit të vrasjes  së Fehmi Aganit)