Back

Të joshur nga miti për vetveten

Shkruan:Kim MEHMETI

Si çdo profesionist tjetër, edhe një politikan mund të dështojë në punën e tij, mund të ndjehet i penguar që t’i realizojë premtimet që ua ka dhënë zgjedhësve të vet, apo të përballet me rrethana që janë në kundërshti me bindjet e tij politike dhe njerëzore. Pra, edhe një politikan, si çdo profesionist tjetër, mund të dështojë dhe, shkaku i përgjegjësisë që ndjen, të tërhiqet nga pozita ku është. Por, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë, një politikan i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm nuk e pyet popullin “ku të shkojmë nëse e braktisim qeverinë”, sepse udhëheqësit politik, për një popull, janë si ato fanarët që tregojnë drejtimin e rrugëtimit drejt të ardhmes. Pra, prijësit politik, të ardhur aty ku janë me votën e popullit, e jo nëpërmjet ndonjë konkursi ku është zgjedhur më i afti, kur e humbin mundësinë e veprimit të dëshiruar të mëtejmë, kanë dy zgjidhje: o të kërkojnë nga populli t’ua ripërtërijë legjitimitetin për një veprim ndryshe nga i premtuari, o t’i japin mundësi popullit të bëjë zgjedhjen e atyre që dinë nga duhet ecur përpara.

Pastaj, as politikanët, as gjithë të tjerët që merren me punë publike, nuk i ka lutur populli që të merremi me profesionet që ushtrojnë, por bëjnë punën që kanë menduar se më së miri dinë ta bëjnë. Andaj, politikani që pyet “ku të shkojmë tani”, siç bëri para do kohe kryesuesi i BDI-së shqiptare në qeverinë e Gruevskit, o përballet me dilema të mëdha në vetvete, o nuk e ka kuptuar se atë pyetje ai mund t’ia shtrojë vetvetes në heshtje, por kurrë jo edhe publikisht. Dhe  nuk duhet ta thotë atë pyetje publikisht sepse votuesit e tij e kanë përkrahur ngaqë ai ka premtuar se i njeh ngushticat politike nga duhet ta çojë popullin e vet drejtë të ardhmes, ngaqë populli ka besuar se nëse ai  përballet me situata të patejkalueshme dhe në kundërshtim me premtimet e dhëna, do bëjë veprimin e vetëm që do e legjitimojë si të pasuksesshëm, por jo edhe si të pandërgjegjshëm e të përgjegjshëm përpara popullit të vet: do e kthejë legjitimitetin që ka, me çka do dëshmojë se ai legjitimitet nuk i nevojitet  atëherë kur ka ardhur në situatë të mos dijë  nga t’ia mbajë.

 Duke pyetur popullin e vet “ku të shkojmë nëse dalim nga koalicioni qeverisës”, kryesuesi i BDI-së nuk shpalosi vetëm pozitën e tij pa rrugëdalje në qeverinë e Gruevskit, por përcolli porosi të dyfishtë dhe shumë të dëmshme për partinë e tij dhe për ata që i përfaqëson: ai me këtë pranoi se çka do që t’u bëjë Gruevski shqiptarëve të këtushëm, BDI-ja nuk do e braktisë qeverinë dhe njëkohësisht, publikisht ua përcolli shqiptarëve porosinë se çmimi që ata do paguajnë për mbetjen e BDI-së në qeveri, varet nga mëshira e Gruevskit, e jo nga potenca politike e partisë shqiptare në pushtet.  Me çka Ali Ahmeti, ma qartë se cilido tjetër, pranoi atë që e thonë kritikuesit e veprimit politik të BDI-së: se ndikimi i shqiptarëve në qeverinë e Gruevskit është aq sa edhe i çdo të punësuari tjetër në administratën shtetërore. Andaj, pyetja publike e Ali Ahmetit “ku të shkojmë nëse e braktisim qeverinë”, tregon se BDI-ja mbase edhe kurrë nuk e ka ditur pse ka hyrë në qeveri, andaj tani nuk mund ta sheh nga mund ta çojë rruga dalëse nga koalicioni qeveritarë. Pastaj, kjo pyetje e kryesuesit të BDI-së, ka edhe një domethënie shumë dështuese për partinë e tij: duke u përcaktuar mes popullit që e votoi dhe Gruevskit që e morri në qeveri, Ali Ahmeti i mbeti besnik Gruevskit dhe e braktisi popullin.

 Si do që të jetë dhe cilat do që të kenë qenë shkaqet që e çuan Ali Ahmetin publikisht të pranojë se ai nuk ka hallin e braktisjes së qeverisë, po atë se ku të shkojë pastaj, pra cilat do qofshin arsyet që e çojnë BDI-në të përcaktohet për Gruevskin e jo për popullin, ka një të vërtet që i shpjegon të gjitha të tjerat: BDI-ja e sotme përballet me mitin që e ndërtoi për vetveten. E ai mit ishte i ngritur mbi një të vërtetë dhe një gënjeshtër: mbi të vërtetën e lavdishme që kjo parti e trashëgoi nga ish UÇK-ja dhe mbi gënjeshtrën e madhe se gjithë administrata perëndimore është përqendruar në përcjelljen edhe përkrahjen e veprimtarisë së kësaj partie. Pra, ai mit u ndërtua edhe mbi gënjeshtrën se BDI-ja, e jo populli shqiptarë, është shtylla që e mbanë në këmbë stabilitetin e Maqedonisë, dhe duke qenë ajo faktor i “stabilitetit rajonal”, administrata amerikane edhe nuk merret me punë tjetër përpos që çdo mëngjes dëgjon referimet e atyre që përcjellin se “çka i tha Alia Gruevskit”. Pra, BDI-ja e sotme e Ali Ahmetit, si edhe shumë parti tjera në trojet shqiptare, vuajnë nga joshja e mitit që ndërtuan për vetveten se janë bërë faktorë të “projekteve  globale”, se ato janë lojtarë pa të cilët proceset perëndimore do dështonin në Ballkan, duke mos e kuptuar se “lojërat” e veta, perëndimi nuk i luan me ata që nuk e kanë kuptuar se ai që nuk dinë ta rregullojë lagjen e vet, s’ka çka i nevojitet qytetit.

 Dhe kur jemi te miti që BDI-ja ia ndërtoi për vetveten – sa për të mbetur peng i saj – se ajo vepron në koordinim me qarqet e vendosjes të qendrave perëndimore, ditëve të fundit shpesh dëgjohet konstatimi se edhe në takimin e fundit me Ali Ahmetin “Rikeri e ka mbështetur  politikën konstruktive të partisë së tij”, andaj edhe kjo parti nuk ka pse të brengoset për të ardhmen e vet. E që do të thotë se edhe populli duhet të fle i qetë, se ka diçka që e dinë vetëm “kryetari dhe perëndimorët”, e që nuk na takon ta dimë edhe ne të vdekshmit e rëndomtë. Por, kalimthi thënë, ambasadori amerikan në Maqedoni, Filip Riker e përkrahu edhe aksionin policorë ku u ekzekutuan katër shqiptarë – edhe atë pa shpjeguar pse në vendin e  tij edhe të dyshuarit për veprimtari më çnjerëzore nuk ekzekutohen, por nxirren përpara gjykatave ku përgjigjen për veprat që kanë bërë – e BDI-ja nuk tregoi a e mbështet edhe ajo përkrahjen e ambasadorët amerikan dhënë policisë maqedonase?
Ku ta dish, mbase dilemat nuk duhet shtruar sa BDI-ja vepron sipas direktivave të perëndimorëve, por sa ajo i mbulon paaftësitë e veta me “presionin” e glorifikuar që mbi të e bëjnë diplomatët e huaj. Apo, gjërat duhet analizuar nga prizmi i të vërtetës se shqiptarët e Maqedonisë, mbeten në duart e PDSH-së që funksionon si kompani private e kryetarit të saj dhe të BDI-së që luan rolin e përfaqësuesit të politikave perëndimore në Maqedoni. Diku në mes të këtyre dy partive të padenja për t’i mbrojtur interesat e shqiptarëve të Maqedonisë, vepron Gruevski, i vetmi që ka të drejtë të ankohet për presionin që ia bëjnë diplomatët perëndimor, të cilët kërkojnë nga ai realizim sa më të ngutshëm të Marrëveshjes së Ohrit dhe zgjidhje sa më të shpejtë të kontestit për emrin me Greqinë. Por, edhe atij presioni, ai i kundërvihet suksesshëm, duke injoruar gjitha kërkesat e shqiptarëve dhe duke mbrojtur emrin e shtetit që drejton, ngaqë donë t’u mbetet besnikë premtimeve që ia ka dhënë popullit të vet. E që e bënë krejt të ndryshëm nga pushtetarët shqiptarë, të cilët posa ulen në kabinetet qeveritare, lënë përshtypjen se janë pjesë e administratës së Kombeve të Bashkuara dhe si të tillë, e përcjellin situatën në vend, që pastaj, raportet e veta, t’ua dorëzojnë diplomatëve perëndimorë, që  ata ta detyrojnë Gruesvkin të jetë më i kujdesshëm ndaj shqiptarëve të këtushëm.

 Se deri në ç’përmasa shkon serviliteti i politikanëve të këtushëm shqiptarë ndaj qarqeve politike perëndimore, më së miri e shpjegon një barsoletë të cilën e tregojnë gazetarët: i zënë ngushtë nga një kryetarë partie, të cilin e kishte kritikuar, dhe duke mos ditur si ta shpëtojë “kokën”, gazetari i thotë liderit partiak: “Tekstin e shkrova në marrëveshje me ambasadën amerikane!”. Pas kësaj, kryepartiaku i kërkon të falur për shqetësimet dhe miqësisht e thërret në kafe në selinë e partisë, e ku i thotë: “E di që më gënjeve, po ta kam falur sepse edhe unë, vite me radhë, në këtë mënyrë i gënjej këta teveqelët e kryesisë së partisë sime!”. Mbase kjo barsoletë më së miri shpalos të vërtetën se sa u përket shqiptarëve të Maqedonisë, atyre edhe kur u propozon të bëhen  kryetar të “Shoqatës së Peshkatarëve”, për t’ia rritur namin vetvetes, thonë se do përgjigjen pasi të jenë konsultuar me diplomatët e huaj. Me çka, njeriu nuk ia del të kuptojë se vallë politikanët e këtushëm shqiptarë janë përfaqësues të popullit, apo pjesë e administratave të ambasadave perëndimorë. Aq më shumë, nuk ia del ta kuptojë se kush cilin e (keq)përdorë: diplomatët e huaj politikanët tanë, apo përfaqësuesit tanë e (keq)përdorin autoritetin e diplomatëve të huaja për t’i mbuluar paaftësitë e veta. Me çka do del puna se Ali Ahmeti nuk e dinë nga t’ia mbajë, ngaqë të huajt ende nuk ia kanë treguar rrugën. Pa dyshim se të huajt këtë do ia thonë në kohën e duhur, mbase pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kur ka mundësi që BDI-ja të mbetet me aq deputet sa ka sot dega shqiptare e VMRO-DPMNE-së, partia e Imer Selmanit.

Kim Mehmeti
https://kmehmeti.com