Back

Të kapur në pezhishkën e populizmit

Shkruan: Kim Mehmeti

Maqedonia e sotme është e kapur në rrjetin e populizmit dha antishqiptarizmit të kryeministrit Gruevski, i cili vite me radhë e fshehë paaftësinë e vet politike duke thënë se populli do jetë ai që do vendos për emrin e shtetit dhe duke gënjyer se ndërton shtet shumetnik. Ky shtet, i cili emër të vërtet qëmoti e ka populizmin e Gruevskit e mbiemër verbërinë e tij antiperëndimore, ka mbetur peng i disa elitave nacionalromantike të etnitetit maqedonas, elita që ngjajnë në "serbë të vonuar". Por, duhet thënë hapur se rrjeti i padukshëm në të cilin është kapur Maqedonia e sotme, është i thurur edhe nga penjtë e paaftësisë së partive të këtushme shqiptare që t’i kundërvihen si duhet një politike të këtillë të Gruevskit, e cila sa u përket marrëdhënieve ndëretnike, shtetin e ktheu thuajse aty ku ishte përpara konfliktit të 2001. Pra, duhet thënë hapur se kjo paaftësi e partive shqiptare është bashkëfajtore për situatën në të cilën sot ndodhet Maqedonia, se ajo paaftësi është fajtore pse shqiptarët sot merren me referendumin e Gruevskit dhe pse atij nuk iu tha me kohë se shqiptarët nuk kanë pse të lodhen me referendumin e VMRO-DPMNE-së, me referendumin i cili ka për qëllim që përgjegjësinë e politikanëve ta hedhë mbi shpinën e popullit. Referendum i cili nuk është në funksion të mbrojtjes së interesave të shtetit, por në afirmimin e "maqedonizmit" të vonuar, i cili i përjashton gjitha etnitë tjera dhe maqedonasit etnik i legalizon si pronarë të vetëm të këtij shteti.

Dhe sot, kur aq debatohet për referendumin e premtuar të Gruevskit për emrin e ardhshëm të shtetit, ka ardhur çasti i fundit kur shqiptarët e Maqedonisë do duhet të thonë hapur se s’kanë pse të merren me referendumin i cili ka të bëjë me mbrojtjen e boshtit kurrizor të etnisë maqedonase, e jo me forcimin e skeletit të shtetit. Pra, kur sot aq flitet për referendumin që do përcaktonte emrin e ardhshëm të Maqedonisë, shqiptarët e këtushëm duhet t’ia thonë hapur Gruevskit atë që nuk ia thanë me kohë partitë shqiptare, që zëvendësuan njëra tjetrën në koalicionin qeveritarë, vetëm sa të shihej se janë njësoj të paafta t’i kundërvihen politikës antishqiptare të VMRO-DPMNE-së: t’i thonë se ai mundë të organizojë edhe referendum për ta mbrojtur "ajvarin" si specialitet nacional "maqedonas", por këtë duhet ta bëjë pa shqiptarët dhe pa harxhuar para nga taksapaguesit shqiptarë.

Kur bëhet fjalë për pjesën shqiptare në thurjen e rrjetit ku sot është kapur Maqedonia, duhet thënë se atë thurje e filloi PDSH-ja, e cila iu përkul VMRO-DPMNE-së deri në gjunjë – kuptohet, duke i vënë gjunjët mbi vullnetin politikë të shqiptarëve të këtushëm – dhe thurjen e atij rrjeti e vazhdoi më tej BDI-ja, me politikën e sajë inferiore të cilën mbase më së miri e zbërthejnë përfaqësuesit e sajë, që herë thonë se duhet të bëjnë çmos për ta nxjerrë nga burgu i Sheveningenit Tarçullovskin e dënuar nga Gjykata e Hagës për krime lufte mbi shqiptarët, e herë japin deklarata absurde se me, apo pa maqedonasit, deri në vitin 2014, shqiptarët e Maqedonisë do bëhen pjesë e Evropës së Bashkuar. E çka dëshmon se tani, kur përballen me paaftësitë e veta, kur shohin sa thellë janë futur në politikën mesjetare të Gruevskit, përfaqësuesit e BDI-së duan të shpëtojnë atë që mund të shpëtohet, duan të lënë përshtypje se nuk e kanë ditur se Gruevski është njeri që e mbanë fjalën dhe nuk heq aq lehtë dorë nga politika e tij populiste dhe antiperëndimore. Pra, tani duan të lënë përshtypje se nuk e kanë ditur se Gruevski nuk guxon të merr përgjegjësinë që i takon për ndryshimin e emrit të shtetit dhe do bëjë çmos që të fshihet pas vullnetit gjithëpopullor.

Sa u përket premtimeve të përfaqësuesve të BDI-së se deri në vitin 2014 shqiptarët e Maqedonisë do bëhen pjesë e BE-së, ato nuk janë të parealizueshme. Duke u nisur nga numri i madh i të papunëve të rinj shqiptarë, duke pasur para sysh tunelin pa dalje në të cilin ndodhet rinia e këtushme shqiptare, nuk është e pamundur që deri në vitin 2014, në këtë shtet të mbeten vetëm pleqtë shqiptarë që nuk do mund to votojnë pa ndihmën e ndonjë komisionari partiak, gjë të cilën me aq mjeshtëri e bëjnë kutimbushësit e partive të këtushme shqiptare. Pra, sa u përket premtimeve se të rinjtë e këtushëm shqiptarë do i shijojnë begatitë e Evropës së Bashkuar, ato janë duke u realizuar: nga dita në ditë, shtohet numri i autobusëve që i çojnë të rinjtë shqiptarë nëpër metropolet perëndimore. Dhe mbase numri i autobusëve do rritet edhe më shumë në vitin e ardhshëm, kur pritet që Maqedonisë t’i hiqen vizat dhe kur partitë e këtushme shqiptare do e kuptojnë pse Gruevski blen kohë dhe bënë çmos të shtojë frustrimin te të rinjtë e këtushëm shqiptarë.

Si do që të jetë, afrohet dita kur do shihet se BDI-ja e sotme, njësoj si PDSH-ja e deridjeshme, shtrenjtë do e paguajë çmim e besimit të vet në atë që nuk e besonte asnjë shqiptarë i Maqedonisë, përpos atyre që ishin ulur në kolltukët qeveritare: se nga një "millosheviq" i vonuar si Gruevski, mund të bësh një demokrat që do i çmojë vlerat perëndimore. Duke besuar në të pamundurën, BDI-ja sot bënë gjumë në djepin e vetëgënjimit se ende ia vlen të veprosh sipas formulës – mos ia prishë qefin Gruevskit dhe shpreso se një ditë ai do e kuptojë se është duke zbatuar politikë shkatërruese për shtetin. Duke bërë gjumë në atë djep, kryesuesit e BDI-së së shpejti do e shohin ëndrrën si janë kapur në pezhishkën që ua thuri Gruevski. Pasi ta shohin këtë ëndërr, atyre nuk do u mbetet rrugë tjetër përpos të bëhen populistë si Gruevski. Pra, nuk do u mbetet rrugë tjetër përpos t’i ofrojnë popullit premtime gënjeshtare si ai i para disa ditëve, se nga treni shumetnik i Maqedonisë, ata do e ndajnë vegonin shqiptarë dhe me të shtyrë atë do e çojnë deri në Strasburg. Por, nga ta dish, në këto hapësira ndodhin edhe çudira dhe kurrë nuk duhet të besosh se i ke zbërthyer deri në fund lojërat e këtushme politike. Posaçërisht lojërat mes në Gruevskit që ka shalëruar kalin e populizmit primitiv dhe të një BDI-je ku njëri i bie thumbit e tjetri patkoit. E kur jemi te lojërat politike, ato janë të paparashikueshme në shoqëri ku nuk vlen asnjë standard dhe ku asgjë nuk i nënshtrohet ndonjë sistemi logjik të veprimit. Pra, lojërat politike janë kaotike në shoqëri ku popujt nuk e kanë kuptuar se premtimet e politikanëve janë si valët e lumit që derdhen njëra mbi tjetrën, janë si pije e pashtershme nga e cila dehen votuesit, janë si pishinë ku çdokush mund të shpërlajë e të pastrojë papastërtitë e veta, janë si istikam pas të cilës shumëkush i fshehë paaftësitë, janë si burim që rrjedhë, por ku nuk mund ta shuash etjen.