Intervista/ Shkrimtari Kim Mehmeti rrëfen aventurën televizive
Anila Mema
E ndjenë mungesën e heshtjes së dhomës së tij të punës. I mungojnë rreshtat e shkruajtura shkujdesur nëpër blloqet e vogla, edhe rreshtat e gjatë apo vargjet e veprave të ndryshme, të cilat i lexonte për natë. Tashmë si mbetet më kohë e lirë për to. Publicisti i njohur Kim Mehmeti, sapo është pozicionuar si nëndrejtor i Televizionit Publik në Maqedoni. Peripecitë, vështirësitë, zhgënjimet apo gabimet, i rrëfen të gjitha në një intervistë të dhënë për gazetën.
Si vendosët të shkonit në këtë pozicion të ri?
Nuk do të kisha dashur asnjëherë ta bëja një punë të tilla, apo të synoja të zija një vend të tillë në televizon. Jam një njeri me shumë ide, por besoj se një ide e tillë nuk do më kishte lindur kurrë. Por ndonjëherë njeriu shkon aty ku nuk do, aty ku e çon fati a rrethanat. Thjeshtë dua të them se shkuarja ime në atë televizion, ka të bëjë me një obligim timin, miqësor ndaj Ali Ahmetit. Ishte dëshira e tij e madhe që më bëri të vendos edhe pse u përpoqa shumë ta bindja se nuk mund ta pranoja diçka të tillë dhe se jam nga ata njerëz që nuk e njoh fare atë media. Donte dhe ishte i sigurt që unë mund të bëja diçka për atë televizion. Tani ndodhem aty, por, gjithsesi e konsideroj një nga gabimet më të mëdha të jetës sime. Pasi ky është një gabim, i cili vlen për një arsye se në atë televizion mungojnë të gjitha standardet e gazetarisë dhe krijon mundësinë, që aty të angazhohen të gjithë njerëzit e rinj, të cilët mund të fillojnë çdo gjë nga e para dhe mund të ripërtërihet gjaku gazetaresk. Madje të vihen disa standarde, të cilat deri tani nuk kanë ekzistuar. Në këtë kontekst, unë jam i gatshëm, që aty të angazhohen njerëz të rinj nga mbarëhapësira shqiptare, pa lënë mënjanë edhe ndihmën e profesionistëve si dhe atyre jashtë Maqedonisë, pasi këtu në Kosovë mediat elekotronike janë shumë të pazhvilluara.
Thatë "gabim", përse?
Është një gabim se mbi të gjitha nuk kam ambicje se në biografinë time nuk kam peshë të rëndësishme drejtorllëqet. Unë luaj që në biografinë time të dominojë ai elementi, Kim Mehmeti, shkrimtar, jo kjo tjetra, që është pjesë e jetës për të ekzistuar. Madje, unë shkova aty nga pozita e drejtorit në pozitën e nëndrejtorit të përgjithshëm. (Kam qenë drejtor i një organizate joqeveritare, pastaj unë shkoj nga të ardhurat më të mëdha mujore, në një "shtëpi publike", ku paga mujore vonohet tre muaj dhe është shumë më e vogël nga ajo që e kisha). Normalisht duhet të jetë e logjikshme. S’besoj se duhet të ketë ndonjë njeri kaq të marrë që të bëjë diçka të tillë. Dua të mbetem undhëheqës i dhomës sime të punës, ku shkruaj, ku krijoj edhe ajo më realizon. Kjo është diçka që më lodh dhe më ka lënë pasoja në atë që unë dua të bëj.
Ndonjëherë u duket e pabesueshme se aty paraprakisht çdo parti shqiptare dhe maqedonase, sillte ndonjë zhargon me partizanët e vetë partiakë, që u futën të luanin rolin e gazetarit. Partia e dikurshme, PDSH-ja e Arbën Xhaferit, bëri një partizim të tmerrshëm në atë televizion që unë jam, dhe tani duhet kohë të dilet nga kjo gjendje. Të gjitha këto të harxhojnë energji, koncentrim, disponim e jetë, të cilat së bashku sjellin shumë pak apo fare kënaqësi…
Sa ka ndikuar në letërsinë tuaj pozicioni juaj i ri?
Ka ndikuar shumë në letërsinë time. Ka disa muaj, që unë nuk merrem me letërsi, madje, kur pranova të vij këtu harrova edhe alfabetin e gjuhës shqipe. Nuk i jam i mësuar. Thjeshtë, për krijuesin, këto pozicione janë vende, që lenë shkretëtirë në punën e tij apo në vetëqenien e atij njeriu. Tek unë ka ndikuar shumë, në atë mënyrë, që këto dy muaj kam harruar shkrim dhe lexim. Më duket se nuk e njoh Kimin e dikurshëm, që çdo mbrëmje lexonte diçka dhe shpesh shkruante ndonjë rresht. Me pak fjalë është bërë një rrëmujë e vërtetë tek unë, që nuk më lejon të jem ai që jam në të vërtetë. Besoj se është bërë ndonjë rrëmujë edhe aty ku kam shkuar, se njerëzit përnjëherë ballafaqohen me disa kërkesa të tjera që i shtroj unë. Dua dhe po mundohem të sjell në këtë televizion shumë profesionalizëm, shumë departizim, dhe shumë depolitizim të shoqërisë shqiptare të Maqedonisë.
Çfarë reforme keni menduar të ndërmerrni në këtë televizion?
Ajo që gjithmonë kam dashur dhe dua të ndryshoj në këtë televizion është të sjellim një frymë të re. Ne kemi një rini të edukueshme, kemi një rini që nuk ndihet inferiore përpara palës tjetër maqedonase. Në atë televizion do t’u jap shansin kësaj rinie, duke e ditur se nuk i kushtohet asnjëherë hapësira e takuar. Madje, rinia është parajsa e kësaj toke, së cilës nuk i jepet mundësia të rritet, të hedhë rrënjët e veta, dhe atëherë ne e kemi shkatërruar dhe të ardhmen e këtij vendi.
Çfarë do të bëje për t’u kthyer sërish te letërsia?
Shumë shpejt do të rikthehem te letërsia. Kurrë nuk e kam parë të ardhmen time nëpër funksione të tilla dhe do të paguaj këtë çmim dhe jam i vetëdijshëm se "letërsia" do të më kuptojë. Mjaft lexoj vetëm procesverbale. Kontrata që duhen të nënshkruhen, kam filluar të dëgjoj gazin parlamentar, që kurrë nuk e kam dëgjuar, kam filluar të lexoj një letërsi tjetër që kurrë nuk më është dashur. Mirëpo tani nuk mundem pa letërsinë e vërtetë. Madje, mund të them se unë jam njeriu i vetëm dhe më i interesuar që "Kim Mehmeti", të jetë jashtë këtij pozicioni.
Cili ka qenë krijimi juaj i fundit?
Gjëja e fundit që kisha në dorë para se të vija në këtë vend është një roman, dorëshkrimin e të cilit e përfundova para se të vija në këtë vend. Tashmë, ai roman është në fazën e botimit në shtëpinë botuese "Dukagjini" në Pejë, i cili besoj se brenda këtij viti do të dalë. Gjithsesi, shkrimi është ai që më realizon. Ndoshta nuk do të jem aq i dënuar të më vdesin të gjitha ndjesitë apo fryma krijuese.
Çfarë keni lexuar së fundmi?
Romani i fundit, që unë kam lexuar është "Lëkura e qenit" nga Fatos Kongoli, por kam lexuar edhe ndonjë gjë të huaj që më ka rënë në dorë, sepse ka dy tre muaj që lexoj vetëm gazeta.
Kush është Kim Mehmeti
Kim Mehmeti, ka lindur në vitin 1955 në fshatin Gërçec në afërsi të Shkupit, ku edhe jeton. Puna e tij e gjatë si reporter shënohet në mjaft revista kulturore, gazeta etj. Ka punuar si reporter i lirë në gazetën "Flaka", redaktor i revistës kulturore "Jehona", redaktor i veprimtarisë botuese pranë SHGB "Flaka", koordinator i programit botues pranë Institutit Shoqëri e Hapur. Ka qenë gjithashtu redaktor përgjegjës i Rrjetit Alternativ Informativ për Maqedoninë dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Multikulturor në Shkup. Është shkrimtar bilingual, i cili pos në gjuhën amtare shkruan dhe boton edhe në gjuhën maqedonase. Shkruan prozë, tekste publicistike dhe përkthen nga gjuha maqedonase në shqipe, dhe anasjelltas. Deri tani ka botuar më tepër se dhjetë libra nga të cilat veçojmë: Përmbledhjet me tregime: "Bolero", "Fati", "Fati i Fatushes", "Fshati pa varreza"… Romanet: "Shtat netë dënesje" dhe "Fshati i fëmijëve të mallkuar". Të gjithë librat e tij janë botuar edhe në gjuhën maqedonase. Tregime të këtij autori janë përkthyer dhe botuar në gjuhën franceze, gjermane, angleze, turke, polake, kroate, sllovene. Në mesin e më shumë përkthimeve nga gjuha shqipe në gjuhën maqedonase veçojmë atë të "Kanunit të Lek Dukagjinit", që është vlerësuar si një kontribut i veçantë i tij dhe "Eskili – ky humbës i madh" të Ismail Kadaresë.
17 shtator 2006