Back

Tetëmbëdhjetë vite pritje

Shkruan: Kim MEHMETI

 

Tetëmbëdhjetë vite me radhë, shqiptarët e Shqipërisë e jetojnë dritë-terrin e tyre, mungesën e rrymës elektrike, si dhe grindjet e pafundme mes politikanëve të atjeshëm, që shijojnë privilegjet politike, por jo edhe përgjegjësinë për atë që bëjnë. Gjatë tri dekadave të shkuara, shqiptarët e Kosovës, i kaluan thuajse të gjitha rrathët e ferrit, që të arrijnë aty ku ndodhen sot – të kenë shtet të pavarur, të qeverisur nga tri struktura paralele "qeveritare" (UNMIK, EULEX dhe qeverinë vendase). Tetëmbëdhjetë vite rresht, shqiptarët e Maqedonisë, jetojnë inferioritetin e tyre politik ndaj palës etnike maqedonase dhe sillen rreth e qark të vërtetës, me të cilën nuk duan të përballen, një e vërtetë shumë e dukshme, e përsëritur thuajse çdo ditë në të kaluarën dhe sot, e që thotë: maqedonasit etnikë duan të mbeten pronarë të vetëm të shtetit.

Gjatë këtyre tetëmbëdhjetë viteve, shqiptarët e Shqipërisë e të Kosovës, mësuan shumëçka dhe besuan se do vijë dita kur Korporatat Elektrike shqiptare nuk do menaxhojnë shpërndarjen e territ, por të dritës, besuan se protektorët me qëllime kundërthënëse, do e kuptojnë se me ambiciet e tyre të fshehta për të rivizatuar hartat e Ballkanit, nuk ia ngatërrojnë hapin vetëm Kosovës, por gjithë kësaj hapësire. Edhe shqiptarët e Maqedonisë, gjatë tetëmbëdhjetë viteve të kaluara, iu dorëzuan durimit dhe pritjes që të arrijnë gjeneratat e reja, të cilat nuk do të ndihen inferiore ndaj bashkëqytetarëve të tyre të etnitetit maqedonas. Pra, shqiptarët, kudo që janë, gjatë tetëmbëdhjetë viteve të kaluara, arritën të mësojnë e të kuptojnë shumëçka, por mbase jo edhe atë, se në Ballkan ende nuk ka mbaruar shekulli i nëntëmbëdhjetë, se kalendari i këtyre hapësirave nuk shënon datën e saktë të shekullit të sotëm. Si të tillë, ata mirë e lexojnë kalendarin e së kaluarës së tyre, por mbrapsht i kremtojnë festat e shënuara në të. Kështu që, në nëntorin e festave të tyre të këtij viti, ata harruan të vënë nga një flamur mbi çdo shtëpi shqiptare, që më qartë të shihej se deri ku janë kufijtë e gjuhës dhe kulturës së tyre, se deri ku shtrihet ky popull, i cili mbase, para gjithë të tjerëve në Ballkan, do duhej të kërkonte hartë-vizatuesit e shekullit të njëzetenjë.

Gjatë tetëmbëdhjetë viteve të kaluara, shqiptarët bënë çmos të bindin botën se jetojnë "shekullin" integrues. Ata bënë çmos që sa më pak t‘i ngjanë vetvetes, e sa më shumë të tjerëve në Evropë. Duke qenë të zënë me pasionin të dëshmojnë se janë evropianë të shkallës së parë, ata nuk vërejtën se nga gjithë shtypshkronjat e Ballkanit, më të mirëmbajtura janë ato që bëhen gati të parat t‘i shtypin hartat e rivizatuara të shteteve të këtushme. Pra, nuk hetuan me kohë se disa shtete të Evropës së shekullit njëzetenjë, se një pjesë e Evropës së rrethuar me murin ‘Shengen‘, është ajo që i mirëmban këto shtypshkronja, është ajo që i ushqen ëndrrat a atyre që duan të mbajnë gjallë ëndrrën millosheviçiane për shtete të pastra etnike. E me këtë, Evropa e bashkuar, ndoshta heshturazi pranoi dështimin e vet për shtete multietnike në këto hapësira dhe i la kohë Ballkanit të përfundojë procesin e ndërprerë gjatë shpërbërjes së Perandorisë Otomane, kur çdokush mori jo atë që i takonte, po atë që mund t‘ia siguronte "vëllai i madh" me banim në ndonjë nga kryeqendrat e kësaj Evrope të shekullit integrues.

Por, sado që shqiptarët duan të jetojnë kalendarin e vërtetë – atë të shekullit integrues – sa më shumë ata dëshmohen si evropianë të rreshkur, gjithnjë e më shumë duken si të jashtëkohëshmit e Ballkanit. E këtë më së miri e dëshmojnë shqiptarët e Maqedonisë, të cilët, të armatosur me durim të pafundmë, të ngopur me premtimet se do vijë dita kur do bëhen bashkëpronarë të vërtetë të shtetit, nuk arritën të shohin se shteti ku ata jetojnë, ka kufij të padukshëm, por të qartë të brendshëm, që ndajnë pjesën etnike maqedonase, ku vlejnë standarde krejt të tjera nga ato të pjesës etnike shqiptare. Pra, shqiptarët nuk arritën të shohin se Maqedonia është ndarë në pjesën për të cilën kujdesen institucionet e shtetit – pjesën etnike maqedonase – dhe atë për të cilën kujdesen vetëm partitë shqiptare – pjesën etnike shqiptare. Dhe, duke mos parë këtë, apo duke mos pasur guxim të përballen me këtë realitet, shqiptarët e Maqedonisë mbetën pronë e partive të tyre, e maqedonasit etnikë u bënë pronarë të vetëm të shtetit të përbashkët. Me çka edhe erdhi puna deri aty, që tre për qind të serbëve të mund të ndikojnë në rendin e brendshëm të Kosovës, e tridhjetë për qind të shqiptarëve të Maqedonisë, të mbeten asistentë të pushtetmbajtësve maqedonas.

Ku ta dish, ndoshta ka ardhur koha që shqiptarët e Maqedonisë duhet ta kuptojnë se në politikë fiton ai që me kohë i ndez dritat e të vërtetave që duhet t‘i shohë vetë, e i fik ato që i bien drejt në sy dhe ia mjegullojnë shikimin. Pra, ka ardhur koha kur shqiptarët e këtushëm duhet të ndezin dritat e të vërtetës se jetojnë në shtet ku shumëçka është vënë mbrapsht dhe t‘i fikin dritat e vetëgënjimit se dikush nga jashtë do t‘u tregojë se cila është e mira e tyre, e si duhet arritur deri tek ajo. Thënë edhe më qartë: ka ardhur koha që shqiptarët e Maqedonisë duhet të thonë hapur se nuk janë të gatshëm të kontribuojnë për një Maqedoni me kufij të pashpallur të brendshëm, që ndajnë popullin e privilegjuar – atë të etnitetit maqedonas – nga shqiptarët, por duan që ato kufij të bëhen të dukshëm, të vizatohen qartë në hartën e këtij shteti. Me çka edhe do shihet se problemi i këtij shteti nuk janë kërkesat shqiptare, por institucionet shtetërore që kanë institucionalizuar jobarazinë etnike. Pra, do shihet qartë se Maqedonia është pjellë e një vetëdijeje të shekullit të nëntëmbëdhjetë, por me dhunë e veshur me petkun e rrejshëm të shekullit që dëshiron të ketë shenjë njohëse harmoninë ndëretnike.

Tetëmbëdhjetë vitet e kaluara, shqiptarët e këtyre hapësirave kuptuan shumëçka, por jo edhe atë se me disa politika të veta, Evropa "humane" dhe integruese, nuk arriti asgjë më shumë përpos të bëjë barazimin e viktimave dhe kriminelit ballkanik, nuk arriti asgjë më shumë përpos që ua doli të gjithëve sa jetojmë në këto hapësira, të na shkruajë një histori gënjeshtare, e cila të gjithëve do na portretojë si mëkatarë të barabartë për tragjeditë që ndodhën. Dhe duke shkruar një histori të pasaktë për të sotmen e kësaj pjese të saj, Evropa i la pa të nesërme të sigurt shtetet e shumta të kësaj hapësire ballkanike. E posaçërisht Maqedoninë, e cila nga shtet me emër të përkohshëm, gjithnjë e më shumë i ngjan një shteti me afat të skaduar të përdorimit, shtet ku të gjithë presin trenin që çon në Bruksel e NATO, e askush nuk vëren se dikush qëmoti e ka shkatërruar hekurudhën dhe Maqedonia e ka bërë t‘i ngjajë trenit të mbetur pa hekurudhë.

Gjatë tetëmbëdhjetë viteve të kaluara, mbase shqiptarët e kuptuan se demokracia ballkanase ka zemër të ngurtë njëetnike, e ajo evropiane ka veshë të shurdhër që nuk dëgjojnë britmat e atyre matanë murit të ‘Shengenit‘. Andaj, të përballur me ngurtësinë e demokracisë ballkanase dhe me shurdhërinë e asaj evropiane, shqiptarët s‘kishin si mos bindeshin se janë popull i vetmuar në këtë gadishull. Dhe si të tillë, ata për herë të parë drejtuan shikimin në kahen e duhur, shikuan drejt mikut të tyre të dëshmuar, përtej Atlantikut, nga SHBA. Ku edhe panë se shekujt do shkojnë e do vijnë, por për popujt e vegjël të këtyre hapësirave, edhe gjatë kohës, do mbetet diçka që nuk do ndryshojë kurrë: e vërteta se Evropa dhe Amerika janë si nëna dhe e bija. Andaj të dashurin e vajzës, s‘ka si mos ta dojë edhe e ëma. Posaçërisht nëse ai i dashur, e ka kuptuar se tetëmbëdhjetëshi ka qenë e do mbetet numër, i cili simbolizon tetëmbëdhjetë urtësitë që duhet t‘i mësojë një minoren para se të hapërojë në moshën madhore, kur i vetëm duhet të ecë rrugëve të jetës.