T’ia ndalosh Albin Kurtit të kandidojë për deputet, si t’ia vrasësh rinisë së Kosovës shpresën!

Nga Kim Mehmeti

Kosova është përballë zgjedhjeve të reja parlamentare. Dhe Kosova që tani e dinë se kush do i fitojë këto zgjedhje, por nuk e dinë se a do i lejohet të kandidojë për deputet kryetarit të partisë që pritet t’i fitojë zgjedhjet – atij të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkohë nuk është ndonjë sekret se në Kosova ka qarqe politike që kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje do e dëbonin nga vendi, e jo më t’ia ndalojnë të merret me politikë. Siç ka edhe të atillë që nuk e kuptojnë se t’ia ndalosh kryetarit të VV të kandidojë për deputet, është thuajse njësoj sikur rinisë shqiptare të Kosovës t’ia vrasësh shpresën.

Sidoqoftë nëpërmjet zgjedhjeve të ardhshme parlamentare kosovarët kanë mundësi ta ritheksojnë edhe më zëshëm atë që e thanë në zgjedhjet e shkuara parlamentare: se duan një Kosovë ndryshe, se duan shtet që nuk do u shërbejë pushtetarëve por popullit.

Pra ta ritheksojnë edhe më bindshëm se ka ardhur koha kur Kosova duhet të çlirohet nga ‘kriminelët e paqes’, të cilët në vend që të ndërtonin shtet, ndërtuan vila e shtëpi të madha për vetveten.

Pastaj zgjedhje e ardhshme parlamentare janë mundësi që rinia kosovare edhe njëherë të tregojë se ishte dhe mbetet lokomotiva e progresit mbarëshqiptarë, se ishte dhe mbeti guximi dhe vrulli i shqiptarisë.Dhe pa dyshim se kësaj radhe, rinia e Kosovës edhe më bindshëm do u thotë ndalë zhvatësve të vendit me në krye ata të ‘Klanit Pronto’ dhe ‘pleqve’ të LDK-së, të cilët Kosovën e lanë pa rininë e saj.

Përderisa Kosova bëhet gati për zgjedhjet e shKurtit, Shqipëria merret me vizitën e Piktorit në Ankara dhe Athinë. Edhe atë duke harruar se pritja e kryeministrit shqiptar në Turqi ka të bëjë me qëndrimin dashamirës ndaj popullit tonë dhe ka të bëjë me proshqiptarinë e administratës turke, e jo ndaj Kryeministrit të Shqipërisë.

Duke harruar gjithashtu se miqësia e Turqisë ndaj popullit shqiptar, nuk kushtëzohet nga ajo se cilët janë të zgjedhurit tanë.

Sepse sa për pritjen e Piktorit dhe disa burrështetasve shqiptarë, mbase Presidenti i Turqisë nuk do nxirrte rrugëve të Ankarasë as një mushk, e le më aq kuaj të bukur.

Më në fund, ne jemi ata që i zgjedhim burrështetasit tanë, dhe nëpërmjet mikpritjes së tyre, Ankara zyrtare e shpreh miqësinë e saj ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, gjë që Turqinë, krahas SHBA-ve, e bën shtetin më proshqiptarë në botë.

Ndërkohë bota e dinë se ai që nuk mund ta mirëmbajë shtëpinë e vet, nuk mund t’i rregullojë shtëpitë e huaja,Dhe është naive të besosh se Ankara dhe Athina zyrtare nuk e dinë se Piktori i bëri pikë e pesë shqiptarët, se është nxitës i grindjeve ndërpartiake në vendin e vet, se ai më mirë komunikon me Presidentin e Serbisë se sa me bashkëkombësit e vet që drejtojnë Kosovën dhe se Kryeministri i Shqipërisë i de faktorizoi shqiptarët dhe u bë mbulesë për projektet serbe rajonale.

Por ata dinë edhe diçka më shumë se kaq: se Piktori ndjehet politikanë i madh, po që ka disfatën të jetë burrështetas i një populli të vogël, që nuk dinë ta vlerësojë atë. Dhe duke e ditur këtë, pra duke e ditur se Piktori e ka harruar shtëpinë e vet duke u marr me rregullimin e botës, ata edhe e përdorin atë si njëfarë postieri që Athinës ia transmeton atë që mendon Ankara dhe anasjelltas, e që Piktorin e bënë të ndjehet paqe ndërtues me përmasa globale.

Më në fund shumë nga burrështetasit e popujve të vegjël i dallon nëpërmjet çantave të mëdha. E në të cilat nuk kanë projekte për vendet e veta, por porositë që i shpërndajnë nga një qendër në ndonjë qendër tjerët të botës. Por sidoqoftë, nuk duhet harrura se edhe të huajt të vlerësojnë nëpërmjet asaj sa e ke rregulluar shtëpinë tënde, sa ke bërë për popullin tënd.

Kim Mehmeti

Author avatar
Kim Mehmeti
https://kmehmeti.com