Back

URAT PA KALIMTARË

Reportazh:

Shkruan:Kim MEHMETI

Shkupi i sotëm me asgjë nuk i ngjanë atij të fëmijërisë sime, të viteve të pesëdhjeta, kur nëpër tregjet e tij dominonin plisat dhe thuajse të gjitha dyqanet e artarëve dhe orëtarëve ishin pronë e shqiptarëve katolikë. Shkupin e atëhershëm, kur nëpër lagjet shqiptare mundje gjatë dimrit të blesh kungull të pjekur e të ëmbël si mjalti, e morën me vete kolonat e shqiptarëve myslimanë që u shpërngulën në Anadolli ku u bënë turq dhe vagonët e mbushur me shqiptarë katolikë, që shtegtuan në Kroaci ku u shkrinë dhe u bënë kroat. Shkupi i fëmijërisë sime është zhdukur në trishtimin e atyre që shtegtonin në humbëtirë dhe hidhërimin e shqiptarëve të tjerë që mbetën në vendlindje duke u hamendur tërë jetën se vallë, kryqi apo gjysmëhëna, gëlltiti më shumë shqiptarë nga këto troje. Kryeqendra e Maqedonisë nuk ka asnjë ngjashmëri as me atë qytetin e djalosharisë sime të hershme, të gjashtëdhjetave, kur paralagjet e tij ishin përplot me kopshte që ushqenin me frute të gjithë shkupjanët. Atë kryeqendër e gëlltiti tërmeti i verës së 1963, industrializimi socialist i cili ndërtoi fabrika si dhe hekuranën e madhe, e cila sot i ngjanë një elefanti të ngordhur të cilin s’ke si e nxjerr nga kafazi. Kopshtet e dikurshme të Shkupit të paratërmetit u zhdukën në themelet e katrorëve shumëkatësh ku do të jetonin iluzionet e proletarëve të barabartë. Shkupi i sotëm nuk është më as ai i rinisë sime të viteve të shtatëdhjeta kur –për nga numri i banorëve – kryeqendra e Maqedonisë socialiste ishte kryeqyteti i shqiptarëve (me afër 300 mijë banorë shqiptarë) jo pse u pakësua numri i tyre po për shkak se Tirana u be qytet “bregdetarë” dhe arriti deri në Durrës, ndërsa Prishtina e çliruar nga thundra serbe, thuajse u bashkua në jug me Ferizajn. Shkupi i sotëm nuk është as ai i viteve tetëdhjeta, kur jehonin britmat e të rinjve shqiptarë që mbushnin stacionin e autobusëve, nga shkonin në Prishtinë ku, nëna Kosovë u mundësonte të studionin dhe edukoheshin shqip, pasi që Maqedonia nuk duronte alfabet tjetër përpos atij cirilik. Britmat e rinisë shqiptare të Shkupit të viteve të tetëdhjeta i heshti beteja e ashpër kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptarë”,  kur u mbyllën të gjitha institucionet arsimore në Kosovë. Shkupi i sotëm nuk i ngjan aspak as atij të viteve të nëntëdhjeta, kur së pari herë, pas shumë dekadave, nëpër këtë kryeqendër  fluturoi lirshëm shqiponja dykrerëshe e shqiptarëve, njësoj si në kohët kur nëpër lagjet e tij shëtisnin kryengritësit shqiptarë të Rekës së Epërme (regjion në afërsi të Dibrës) të  cilët disa herë me radhë në kohën e Perandorisë Osmane çliruan Shkupin që prapë t’ua linin të tjerëve.  

        Shkupi i sotëm është një qytet pa fizionomi, i cili mbase edhe vështirë e kujton të kaluarën e vet. Sepse edhe ai, si edhe banorët e tij, ka stinët e veta të jetës të cilat nuk përfundojnë atëherë kur mbyllet një kalendarë kohorë dhe fillon shfletimi i tjetrit, por vetëm atë ditë kur nuk ka kush ta kujton. Mbase ngjashmëria mes njerëzve dhe qyteteve nuk përfundon këtu: njeriu që jeton në më shumë vendbanime, mbetet pa tipare dalluese të grupit nga vjenë, ndërsa qytetet ku shpesh ndryshon përbërja e banorëve, mbetet pa fizionomi. Siç ka mbetur Shkupi i sotëm  ku edhe Ura e  Gurit, që ishte emblemë shekullore e këtij qyteti, tani më nuk i ngjan asaj të dikurshmes, sepse disa urëndërtues të ditëve të sotme e rinovuan, deshën ta bënin “më të bukur e më të vjetër” nga ajo që e kishin ndërtuar dhe lënë pas vetes Osmanlitë. Dhe tani ajo i ngjanë një plaku me fesë në kokë, por të veshur me pantallona të ngushta xhinsi. Urës së Gurit që ishte kronikë e saktë e kohës, ata ia zhveshën “ferexhenë” orientale që të jetë sa më “evropiane”, e tillë siç mundohet të bëhet Maqedonia e sotme, me më shumë se katërqindëmijë të papunë, si që është shteti nga për çdo ditë nisen autobusë me të rinj që braktisin vendlindjen. Siç është  Maqedoni e cila shkaku i ngutjes demokratike në të vërtetë nuk vlen hiçgjë më shumë se  kryeqendra e sajë, ku nuk kanë ardhur nga provinca vetëm ata që janë larg jetës e afër vdekjes – pleqtë. Shkupi i sotëm  ka shumë bulevarde përplot gropa, por thuajse askush nuk përfill ngjyrat që ndizen dhe fiken nëpër semaforë. Udhëkryqet e kësaj kryeqendre shpesh janë të bllokuar nga protestuesit e ngjyrave të ndryshme etnike dhe partiake. Në ato udhëkryqe shpesh përplasen e kaluara dhe e sotmja e këtij qyteti, si dy të huaj që jetojnë në të njëjtin qytet, por nuk kanë asgjë të përbashkët mes veti.  

Shkupin e sotëm me atë të dekadave të dikurshme që ka mbetur vetëm nëpër panoramat e vjetra, e bënë të njëjtë vetëm lumi Vardar. Lumi që buron në Vrutok (në afërsi të Gostivarit) dhe derdhet në detin Egje të grekëve. Valët e të cilit tek burimi i përkëdhel jehona e zërit të myezinëve, që vjen nga minaret e larta të Gostivarit, ndërsa para se të derdhen në det fillojnë të matin kohën sipas të ramunit e kambanave të kishave ortodokse. Kalimthi,  ky lumë bënë punën e tij shekullore: e ndanë Shkupin në dy pjesë thuajse të barabarta – në pjesën jugore që shtrihet deri në rrëzë të malit Vodno dhe në pjesën veriore e cila ngadalë i afrohet kufirit me Kosovën. Apo në pjesën moderne ku jetojnë banorët me përkatësi etnike maqedonase dhe atë me lagje pa infrastrukturë urbane, ku dëgjohen britmat e fëmijëve shqiptarë, të cilët mbushin rrugët e ngushta, duke mos patur hapësirë ku të shfryjnë lazdraninë fëmijërore. Dhe ku duhet të ndërtohet godina e re e gjimnazit në gjuhën shqipe “Zef Lush Marku”, e cila kurrqysh të ngritet mbi dhe, edhe pse  lidershipët e partive shqiptare disa herë me radhë kanë përuruar ndërtimin e sajë me vënien solemne të  gurëthemelit sa herë që janë mbajtur zgjedhjet lokale apo parlamentare. Mbase ndërtimi i gjimnazit shqiptarë në Shkup vonohet edhe shkaku se në ndërkohë duheshte të ndërtohet kryqi gjigant në maje të malit Vodno, për të cilin u harxhuan  edhe para nga taksapaguesit shqiptarë dhe i cili sot shihet nga do që të hysh në Shkup. Kryq i cili ndoshta nuk shprehë gjithaq adhurimin ortodoks ndaj simbolit të tyre religjioz, sa bindjen e atyre që mendojnë se në Maqedoni edhe malet, njëso si qielli dhe ajri, janë me origjinë ortodokse fetare. Kryq i cili do shënojë kohën kur u varros gara shumëdekadëshe mes dy përbindëshave – kapitalizmit dhe marksizmit, por mbase në këtë pjesë të Evropës filloi ajo mes religjioneve.   

  Në historinë e Shkupit do të mbeten të shënuara shumë data të lavdishme dhe tragjike nga e kaluara. Në historinë e vet, shqiptarët e sotëm do i rikujtojnë datat kur paraardhësit e tyre mbronin dhe çlironin një ndër kryeqendrat e kulturës dhe identitetit të tyre. Shqiptarët do rikujtojnë në të ardhmen edhe dy  eksodet e mëdha kur këtij qyteti iu shlye çdo shumëçka shqiptare dhe bindshëm filloi të dominojë shenja njohëse e etnitetit maqedonas: atë të viteve të pesëdhjeta kur u nisën kolonat për në Anadolli dhe Kroaci dhe ato të ditove të sotme kur Shkupit iu zhveshën të gjitha shenjat e shqiptarisë. Përderisa eksodi i parë ishte i dhunshëm, i nxitur nga të tjerët, deshqiptarizimin e Shkupit të sotëm, të kohëve  demokratike, e bënë vetë shqiptarët të cilët rrënuan edhe ato pak institucione shqiptare në kryeqendrën e Maqedonisë dhe i shpërngulën në Tetovë. Duke qenë të prirë nga instinkti provincial dhe mendjemadhësia e lidershipëve partiak me ambicie gjithëpopullore e kapacitet mahalleskë, të gjitha partitë shqiptare zgjodhën që selitë e veta ti kenë ne Tetovë. Dhe në ndërkohë PDSHJ-ja atje themeloi universitetin e vet partiak – atë të Evropës Juglindore e më vonë, BDI-ja atë shtetërorin- Universitetin e Tetovës. Kështu arritën të realizonin ëndrrën sllave që Shkupi të ketë sa me pakë veshmbathje të kulturës dhe civilizimit shqiptarë, që në kryeqendrën e Maqedonisë të dominojë vetëm alfabeti cirilik dhe kryqi gjigant në maje të malit Vodno. 

Shkupjanët e sotëm shqiptarë mundohen që të korrigjojnë gabimet e bëra në të kaluarën dhe organizojnë manifestime të ndryshme që të ringjallin Çarshinë e Vjetër, rrugicat e të cilës vite me radhë janë të shkreta. Organizojnë koncerte ku këndohet shqip, por disi nuk ia dalin të ringjallin të “vdekurin”. Mbase as përmendorja e Skënderbeut që do ngritet në vinë “kufitare” që ndan “Shkupin e shqiptarëve” nga “ai i maqedonasve”, nuk do arrijë të ringjall këtë pjesë të Shkupit, sepse prej moti shkupjanët e rinj shqiptarë mbajnë kokën e kthyer nga Tetova ku janë dy universitetet në gjuhën shqipe. Si dhe për shkak se maqedonasit etnik gjithnjë e më rrallë kalojnë mbi Urën e Gurit. Këtë urë e kanë braktisur edhe lypsarët e vegjël romë, mbase shkaku se edhe ata e kanë kuptuar se më nuk mund të llogarisin lëmosh multietnike, por duhet të përcaktohen se duan lëmoshë nga dora shqiptare, apo nga ajo e maqedonasve etnik. Dhe kështu edhe ata e lanë të shkretë urën shumë shekuj të vjetër dhe disa u ulën përpara kishave ortodokse në pjesën e Shkupit maqedonas e të tjerët para xhamive në pjesën shqiptare. Lypsarët që ende i besojnë konceptit multietnik, tani janë nëpër udhëkryqet e Shkupit ku ua zgjasin dorën vozitësve që presin t’u ndizet drita e gjelbër në semaforë, vozitësit që thuajse nguten që  të arrijnë aty ku janë – askund.

        Duhet pranuar se kryeqendra e sotme e Maqedonisë ishte dhe ende është më e urbanizuar se Prishtina dhe Tirana. Shkupi i sotëm përfitoi nga tërmeti i viteve gjashtëdhjeta dhe nga dekadat socialiste kur personalisht Titoja dha urdhër që ky qytet të shprehte solidaritetin jugosllav dhe botërorë. Rrugët e Shkupit janë më të gjëra dhe me më pakë gropa se ato të Tiranës. Ajo që bulevardet e këtij qyteti i bënë të ngjashme me tollovinë e kryeqendrave fqinje, janë vozitësit nevrik të cilët posa ulen pranë drejtuesit të makinave, fillojnë të shajnë cilëndo që u del përpara. Edhe në Shkup, si në Tiranë, gjobë për gabimet gjatë vozitjes, paguajnë vetëm ata që nuk kanë asnjë dajë deputet apo figurë të njohur publike. Dhe sa herë që kalojnë kolonat e qeveritarëve mbyllet ndonjë lagje, apo bulevard. Sepse burrështetasit e Maqedonisë e dinë se banorët e shtetit që drejtojnë nuk kanë pse të nguten, se prej moti kanë arritur aty nga nuk shkohet më tej – në stacionin e pashpresës. Andaj vozitësit e këtushëm e dinë se nuk duhet respektuar ngjyrat e semaforëve, por duhet t’ua lëshosh rrugën veturave të biznesmenëve, qeveritarëve, parlamentarëve dhe “maunokratëve” të cilët kanë imunitet dhe mund të të shkelin e të kalojnë mbi ty si mbi ndonjë mace rrugaçe që nuk ka as Zot as pronarë: atyre nuk ka çka u bëjnë gjyqtarët e “pavarur” të Maqedonisë, të cilët në dorë mbanë peshoret ligjore, por dënojnë sipas kandarit partiak. 

        Shkupi i sotëm është letërnjoftimi i vetëm i Maqedonisë. Në të jetojnë edhe më shumë se dyqindëmijë shqiptarë. Shqiptarët më të dukshëm të Shkupit janë shitësit e vegjël të cigareve në Bit-Pazar dhe  “katundarët” e vendbanimeve që rrethojnë kryeqendrën e Maqedonisë si një unazë bashkëshortore e cila simbolizon pandashmërinë deri në vdekje mes të fejuarve. Kjo unazë e përbërë nga fshatrat e banuar me shqiptarë,  ka mbetur pa gishtin e vet, sepse në brendi të qytetit ka shumë shqiptarë, por pakë shqiptari. Shqiptaria është mbyllur nëpër çajtoret e tymosura ku vështirë mund të dallohen fytyrat e atyre që zhurmshëm diskutojnë se vallë PDSH-ja apo BDI-ja e Ali Ahmetit ka bërë më shumë që kryeqendra e Maqedonisë të jetë Shkup i shqiptarëve poaq sa edhe “Skopje” e etnitetit Maqedonas. Dhe kur i lodh tymi i cigareve dhe u ngritet tensioni nga çaji i rëndë turk, edhe adhuruesit e PDSH-së, njësoj si edhe ata të BDI-së, bien dakord se Vardari që ndan Shkupin në dy pjesë, prej moti i ngjanë lumit që ka ura, por jo kalimtarë që kalojnë nga bregu jugorë në atë verorë.  

       

   Shkupi i sotëm nuk është as ia i fëmijërisë, as ai rinisë sime të hershme. Ai nuk ka si mos t’i ngjajë pjekurisë sime të sotme e cila ka mbet me hapin në ajër. Hap i mbetur pezull mbi plasaritjen që ndan të kaluarën dhe të ardhmen.  Shkupi i sotëm është pronë e mafies ndërtimore të cilën nuk e intereson as e kaluara, as e sotmja e kryeqendrës së Maqedonisë, por vetëm fitimi nga pallatet e larta të cilat mbijnë jo vetëm aty ku është paraparë sipas projekteve, por çdokundë ku themelet i gërryen paraja dhe forca partiake. Andaj edhe Shkupi i sotëm nuk është vetëm letërnjoftim i Maqedonisë, por edhe portreti pa fizionomi i një kohe kur çdo gjë luhatet në mes të së djeshmes së errët të njëmendësisë komuniste dhe të sotmes së tymosur të çmendurisë demokratike.

 (Botuar, ne SHQIP, 06.06.2006)