Back

VEZËT E QYQES NË FOLE TË SHQIPONJËS

Shkruan: Kim Mehmeti 
 

      Publicistë ynë i njohur, Iso Rusi, këto ditë botoi një tekst ku mbron qëndrimin se kryesuesit e  PDSH-së kundërshtojnë nxjerrjen e ligjit për bashkësitë fetare, jo për të mbrojtur statusin e Bashkësisë Fetare Islame, por për t’i bërë shërbim Kishës Ortodokse Maqedonase dhe partnerit të tyre në koalicionin qeveritarë, partisë së kryeministrit Gruevski – VMRO-DPMNE-së. Në këtë kolumnë, si edhe në gjithë analizat e këtij autori, të cilat i karakterizon një maturi dhe vrojtim jo i njëanshëm partiak apo etnik, Iso Rusi nënvizon se “ ndërlidhja e PDSH-së në tezën se formula ‘një fe – një bashkësi’ është në dobi të BFI-së para së gjithash për të mbrojtur Islamin e vërtetë nga ai radikal, vetvetiu është e sforcuar”. Ai tutje shton se për islamistët radikalë, “nuk është e domosdoshme të kenë një bashkësi të re islame për të bërë atë që e kanë paramenduar”,  andaj edhe nënvizon se “frika e këtillë e PDSH-së përputhet me manifestimin tradicional të albanofobisë së djathtë maqedonase, jo rrallë të orientuar edhe ndaj islamit dhe të shprehur përmes pohimeve pas 11 Shtatorit të vitit 2001 se UÇK në vitin 2001 ka qenë tok me Al Kaedën (të cilën në atë kohë Xhejms Perdju e quajti “abuzim të tragjedisë amerikane”)”

      Nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe reagimi i PDSH-së. Edhe atë siç i ka hije kësaj partie: përplot helm dhe akuza në kufi të jonjerëzores, duke e shpallur Iso Rusin “ pjellë (ne kuptimin biologjik) tipike eksperimentale e UDB–së së vjetër jugosllave e cila gjithandej nëpër hapësirat e ish-Jugosllavisë krijonte  çifte për të lindë njerëz siç quante propaganda e atëhershme ”njeriu i ri socialistë”, “njeriu i ri jugosllav”., ”njeriu i….” po populli i thjeshtonte këto terma duke i quajtur thjeshtë –kopila!”. Reagimi i PDSH-së përmbyllet me një kanosje gjithashtu siç u ka hije kryesuesve “demokrat” të kësaj partie, e cila prej moti, e jo vetëm tani, kujdeset edhe për pastërtinë e gjakut shqiptarë, e ku thuhet se “ti, Rusi dhe ‘mjekrat’ për rreth teje si Sedat  Ramadani, Ramadan Ramadani, Beqa etj, nuk do të keni ‘gjumë’ të rehatshëm jo vetëm nga lidershipi i PDSH-së, po edhe nga çdo aktivist i kësaj partie.”

      Pra, ky reagim i PDSH-së, nuk kërcënon vetëm autorin e kolumnës, Iso Rusin, por edhe të gjithë ata që shoqërohen me të. Ky reagim i kryesuesve të PDSH-së, mbanë erë qelbësire të një qëndrimi fashist, mbështetet në mendësinë destruktive të udhëheqësve të kësaj partie se emblema partiake u mundëson të vlerësojnë edhe nëse dikush mundet ose nuk mundet t`i takojë një kombi, nëse është mjaftë i pastër etnikisht, nëse ka prejardhje të përshtatshme “arianite” dhe ngjashëm. Përpos kësaj, ky reagim shpalosë edhe atë që mbase Iso Rusi dhe të ngjashmit me të ende nuk e kanë kuptuar: se kryesuesit e PDSH-së nuk e kanë gjithaq lehtë siç e mendojnë disa analistë, se mbase ata frymojnë politikisht nën maskën e ngushtë që u mundëson nga jashtë të duken si nacionalistë shqiptarë, e në të vërtetë të mbeten rob të veprimit i cili di vetëm të njollosë, të asgjësojë, të heshtë të gjithë shqiptarët e Maqedonisë që mendojnë me kokën e vet. Pra veprim i i tyre i deritanishëm dëshmon se ndoshta ata janë të ngarkuar me një rol të rëndë politik: përpara shqiptarëve të këtushëm të painformuar të tregohen si pishtarë të shqiptarisë, e në ndërkohë të bëjnë punën që dikur e bënin qarqet antishqiptare.

      Andaj edhe mund të thuhet se gabojnë të gjithë ata që kryesuesit e PDSH-së i vlerësojnë nga këndvështrimi i politikanëve të angazhuar për të mirën e shqiptarëve të këtushëm dhe për të mirën e Maqedonisë, sepse shumëçka dëshmon se ata kurrë nuk kanë qenë të “paguar” për atë punë. Mbase edhe nuk është këndvështrim i drejtë as ai që kryesuesit e PDSH-së t’i vlerësosh si liderë partiak, sepse ata veprojnë si pronarë të një organizate fitimprurëse të quajtur PDSH-së, e cila prodhimin shumë të dëmshëm për shoqërinë e shqiptarëve të Maqedonisë, e shesin në paketa të stolisura me patriotizëm dhe simbole kombëtare. Andaj edhe mund të shpallen si dështuese dhe iluzioniste të gjitha analizat që shqyrtojnë atë për çka mbase kurrë nuk janë interesuar kryesuesit e PDSh-së: liritë fetare, lirinë e mendimit të lirë publik, harmonizimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni. Veprimi  i deritanishëm i kryesuesve të PDSH-së, me shumëçka ka dëshmuar se ata kanë qëllime krejt tjera: të shtojnë terrin në tunelin informatikë e politik në të cilin futen shqiptarët e Maqedonisë sa herë që kjo parti bëhet pjesë e koalicionit qeveritarë.

      Thjeshtë e shqip, mbase Iso Rusi dhe të ngjashmit me të, nga dëshira që të mos bëhen pjesë e gazetarisë grindavece, mundohen të bëjnë të pamundur, dhe nisen nga paragjykimi se ndoshta kryesuesit e PDSH-së nuk e dine se çka bëjnë, kështu që në njëfarë mënyre pa dashje edhe u bëjnë shërbim që të mbulojnë veprimin sipas të cilit Arbër Xhaferi merr votat e shqiptarëve, duke fshehur mjeshtërisht se PDSH-ja nuk është asgjë tjetër përpos filijalë politike e VMRO-DPMNE-së dhe një “kompani” private e dy “pronarëve” të saj. Sikur Iso Rusi dhe të ngjashmit me të, të ishin më të vëmendshëm, sikur të analizonin kujdesshëm diagramin e veprimit politik të kryesuesve të kësaj partie, mbase qëmoti do e vërenin se për ç’arsye kryesuesit e kësaj partie kundërshtojnë propozimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Maqedoni që të respektohet vullneti politik i shumicës shqiptare në Maqedoni, për ç’arsye deklarohen se do e zgjidhin problemin e dëshmorëve shqiptarë të rënë në konfliktin e 2001, a në ndërkohë fare nuk u pengon pse shteti maqedonas paguan harxhimet gjyqësore edhe nga parat e taksapaguesve shqiptarë për të mbrojtur të akuzuarit në gjyqin e Hagës për krime të bëra mbi shqiptarët. Sikur Iso Rusi të mos mbetej besnik i bindjes së vet se veprimi publik nuk do të thotë se mund të sillesh si “kurvë” e pamoralshme që punon në shtëpi publike, qëmoti do e vërente se kryesuesit e PDSH-së kurrë nuk kanë pasur hallin e të drejtave fetare të shqiptarëve të Maqedonisë, por mbase brengë kryesore e tyre ka qenë se si të përdorin ngjarjet tragjike të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA, për t’i njollosur si “mjekroshë” të rrezikshëm “vehabistë” të gjithë ata që në të vërtetë kanë vetëm një mangësi: me vonesë u bënë kundërshtarë politik të kryesuesve të PDSH-së. Pra, Iso Rusi sikur mos ishte ai që është, njeri që u rri larg grindjeve brendashqiptare, qëmoti do e shihte se kryesuesit e PDSH-së, veprojnë njësoj si edhe disa qarqe antishqiptare maqedonase, të cilëve çdo mjekër në fytyrën e myslimanëve të këtushëm, u ngjan me atë të Bin Ladenit. Qëmoti pra do e kuptonte se kryesuesit e PDSH-së mbase edhe nuk e kanë gjithaq lehtë, sepse duhet të manipulojnë, të keqpërdorin sinqeritetin e të rinjve shqiptarë të pashpresë e të papunë, e në ndërkohë të mos shihet se flamuri me shqiponjën dykrerëshe në mes, vetëm ua mbulon veprimin përbuzës, shkelës, shkatërrues të atyre pakë vlerave që kanë shqiptarët e këtushëm.

      Iso Rusi, si edhe shumë të tjerë të ngjashëm me të, ndoshta vonë e kuptuan se këto janë kohë kur qyqet bëjnë vezë në fole të shqiponjave. Sikur t’i ndërlidhnin kujdesshëm ngjarjet gjatë konfliktit të 2001 dhe ato pas zgjedhjeve parlamentare të 2006 kur Arbër Xhaferi e ndihmoi Gruevskin të mos përfillë vullnetin politik të shumicës shqiptare në Maqedoni, Iso Rusi dhe të ngjashmit me të, do e vërenin se kryesuesit e PDSH-së i përkrahin dhe i afirmojnë vlerat demokratike perëndimore, por vetëm nëpërmjet parullave të mëdha proamerikane dhe proevropiane me të cilat e mbulojnë mendësinë e vet leniniste. Se ata janë në gjendje të gjithëve sa jemi të na shpallin “vehabistë” të rrezikshëm, spiun të serbit e grekut, “fëmijë eksperimental” të socializmit, vetëm që ta dendësojnë mjegullën e hutesës brendashqiptare, vetëm që të mos shihet fytyra e vërtetë e disa veprimtarëve tanë politik. E veprimtaria e disave prej tyre mbase ka për qëllim që të gjithë shqiptarinë e këtushme ta shpallë si një plehërishte të pavlerë përplot me spiun e tradhtarë. Me çka në fund do del se mbrojtës të mirëfilltë të lirive shqiptare në Maqedoni janë “komitët” e VMRO-DPMNE-së. Ata të njëjtit që karrierën politike e ndërtuan mbi parullat e ngjashme me atë: “Dhoma gazi për shqiptarët”.

      Ku ta dish, mund një ditë të del puna se shkronja SH(qiptare) në emrin e disa partive, ka qenë vetëm mbulesë për t’ua mundësuar kryesuesve të tyre t’i akuzojnë të tjerët për atë që bëjnë ata vetë. Mbase një ditë mund të del në sipërfaqe edhe e vërteta se shqiponja e stilizuar në flamurin e PDSH-së, ka shërbyer vetëm si mbulesë që të mos shihet në cilën fole është ngjizur dhe është rritur  partia e Arbër Xhaferit. Dhe sa t’i hutoj shqiptarët e këtushëm që të mos vërejnë se PDSH-ja është po aq pro NAT-os e pro BE-së, sa edhe VMRO-DPMNE-ja, sa edhe të gjitha partitë “leniniste” në këto hapësira,  të cilat thonë se janë perëndimorë, a në të vërtetë popullin e konsiderojnë si kope të pavlerë që duhet “kullotur” ashtu siç i pëlqen “bariut”. Andaj Iso Rusi, e gjithë të ngjashmit me të, duhet ta dine se jetojmë në kohë kur ka edhe politikanë të cilët nuk ngurrojnë edhe të të vrasin, e pastaj të të vijnë në varrim, që të burgosin e pastaj të nxjerrin nga burgu duke e përdorur edhe atë si veprim atdhetarë përpara zgjedhësve, të kidnapojnë e pastaj triumfalisht të çlirojnë duke dëshmuar sa janë të devotshëm në luftën kundër krimit të organizuar. Andaj kujdes, se për fat të keq, ky lloj i politikanëve ngandonjëherë arrin të gënjejë edhe diplomatët e huaj. Duke keqpërdorur atë se disa nga ata të gjorët  nuk mund të paramendojnë se mund të ketë politikan të cilët janë kameleon aq të gjindshëm, sa në çastin kur t’i mendon se i ke parë ngjyrat e flamurit që fshehin nën sqetull, ata ngutazi futen nën shqiponjën. Dhe nga andej, të mbuluar me puplat e buta të shqiponjës dykrerëshe, ua masin pastërtinë e gjakut etnik të gjithë atyre që e kanë kuptuar se njeriu jeton që të arsyetojë lindjen, e të meritojë varrin. Sepse jo çdokush arrin të  arsyetoj qumështin e nënës dhe të meritojë pastërtinë e dheut ku do prehet.