Back

Vitet e verbërisë

Shkruan: Kim MEHMETI

 

      Nga viti i ardhshëm, filloristët shqiptarë, që nga klasa e parë do e mësojnë gjuhën e bashkështetasve të tyre të vetëquajtur maqedonas. E pasi të mësojnë gjuhën maqedonase, ata do bëjnë të njëjtën që kanë bërë dekada me radhë prindërit e tyre gjatë shkollimit: do i përvishen punës të përvetësojnë historinë, letërsinë dhe kulturën maqedonase. Me këtë, shqiptarët do bëhen qytetarë të vyeshëm, do dinë çdo gjë për popullin, i cili mbase shumë pakë dinë për vetveten. Pra, me këtë shqiptarët do jenë të gatshëm të jetojnë në një shtet  shumetnik, shumëkulturorë e shumëgjuhësorë, e në të cilin edhe maqedonasit e Tetovës nuk dinë thuajse asnjë fjalë shqip dhe për kryetrimin shqiptar Skënderbe, dëgjuan atëherë kur i revoltoi ngritja e përmendores së tij në pjesën veriore të Shkupit.

      Nga ky vit, më në fund, u dha në përdorim godina e re e Gjimnazit “Zef Lush Marku”, e ndërtuar në lagjen Veri të Shkupit. Godinë shkollore të cilës i është vënë gurthemeli aq herë sa ka pasur zgjedhje parlamentare në Maqedoni. Pra, e cila ndërtohet plotë dy dekada, aq vite për sa Perandoria Turke i ndërtoi të gjitha kalatë dhe xhamitë në Ballkan, edhe atë në kohë kur gurët janë bartur mbi shpinë e me gomarë. Dhe si e tillë, kjo ndërtesë e re e gjimnazit më të vjetër në gjuhën shqipe në Maqedoni, e që i ka shëtitur të gjitha lagjet e Shkupit si qiraxhi i shkollave maqedonase, do mbetet e largët për nxënësit e fshatrave perëndimorë të Shkupit – ku edhe dominon popullata shqiptare – aq sa është i largët edhe Universiteti i Tetovës. Andaj, nuk është e çuditshme nëse në të ardhmen, ata u drejtohen shkollave të mesme në Tetovë. Me çka ndoshta qeveritarët e BDI-së më në fund do e kuptojnë pse pushtetarët maqedonas donin që godina e re e këtij gjimnazi të ndërtohet sa më larg qendrës së Shkupit dhe pse ndërtesën e vjetër të këtij gjimnazi në lagjen Nerez të kryeqendrës – kryesisht e banuar me shqiptarë – ata ngutshëm duan ta mbushin me nxënës apo student të etnitetit maqedonas.

       Pra, shumëçka që është duke ndodhur këtë vit, e që paralajmërohet të ndodh që nga viti i ardhshëm shkollor, qartë shpjegon se edhe shumë vite më pas, shqiptarët e këtushëm do i vjelin frytet e verbërisë politike të përfaqësuesve të tyre nëpër institucionet më të larta shtetërore. Përfaqësues të cilët askush nuk i akuzon pse nuk dinë, por pse nuk i pyesin ata që dinë, me çka do e kuptonin se njerëz të gjithëdijshëm nuk ka në këtë botë, se botën e banojnë injorantë që vetëgënjehen  se i dinë të gjitha dhe të mençur që dinë kë të pyesin për gjërat që nuk i dinë. Dhe sikur ata të pyesnin, dikush do u tregonte se godina e re e Gjimnazit “Zef Lush Marku” u ndërtua atje ku ndodhet sot, vetëm që shqiptarët e këtushëm të getoizohen e të jenë sa më larg qendrës së Shkupit, se godina e vjetër e këtij gjimnazi nuk u jepet në përdorim shqiptarëve që të pengohet “shqiptarizimi” i lagjes Nerez, e mbetur si xhep shumetnik në pjesën  “maqedonase” të Shkupit. Pra, dikush do u tregonte se koncepti multietnik nuk realizohet kur vetëm njëri e njeh gjuhën, historinë dhe kulturën e tjetrit, por kur të gjithë sa janë, e mësojnë gjuhën e mjedisit ku jetojnë dhe i njohin tiparet dalluese të bashkëqytetarëve të tyre me përkatësi tjetër etnike.

      Por, që ta kuptojnë këtë, do duhet dikush t’i bind drejtuesit e BDI-së se jo çdo gjë realizohet me durim e pritje, se pritja dhe durimi janë tipare e murgjve, e jo e politikanëve që e rrëmbejnë çdo ditë të sotme, e që me ato të murojnë të ardhmen, jo e politikanëve që e dinë se e sotmja është arë ku mbillet fare e të ardhmes, se çdo e sotme e humbur të nesërmen ta bënë të djeshme. Pra, që ta kuptojnë këtë, do duhet dikush t’u tregojë kryesuesve të BDI-së se populli një ditë do ngihet dhe do e kuptojë pse nuk “dështon” koncepti i tyre politikë: sepse i ngjanë veprimit të lypsarit, i cili ulet në një qoshe dhe me të drejtë beson se nëse jo sot, atëherë nesër, do kalojë ndonjë i pasur e shpirtbardhë që do ia lëshojë mbi shuplakën ndonjë monedhë. Apo thënë ndryshe, populli një ditë do e lexojë qartë se politika e BDI-së nuk mund të “dështojë” ngaqë ajo i ka aleat vitet që kalojnë, e që vetvetiu çojnë rrugës që edhe në këtë Ballkan një ditë të mos kenë gjithaq rëndësi shtetet,  me çka do humbin kuptim betejat e sotme ndëretnike që zhvillohen në Maqedoni. Me çka do shihet se edhe ai që nuk bënë gjë, është pjesëtarë i ndryshimeve. Apo, do shihet qartë se përparësia e sotme e BDI-së është vetëm një: kur i krahason ata me disa “atdhetarë” të PDSH-së opozitare, të dalin si politikanë të ardhur nga Kongresi amerikan. Por, edhe si të tillë, afati i tyre i përdorimit do jetë për aq kohë sa shqiptarë e këtushëm do kenë durim të presin, për aq kohë sa shqiptarët e Maqedonisë do mbeten këta që janë: të painteresuar të ndryshojnë vetveten dhe me shpresë se ndryshimet në shoqërinë e tyre do i bëjë dikush tjetër. Pra, për aq kohë sa duhet pritur që të shpaloset e vërteta se politikanëve të tillë nuk u bëjnë përshtypje vogëlushët shqiptarë që do jenë të detyruar të mësojnë edhe një gjuhë të huaj qysh në moshën gjashtëvjeçare, as gjimnazistët e fshatrave perëndimorë të Shkupit që do udhëtojnë me orë të tëra deri te godina e shkollës së tyre, deri te ndërtesë e vendosur në një lëndinë në cep të Shkupit, e me çka më shumë i ngjanë një kampi ku grumbullohen emigrantët e përkohshëm të ardhur në Maqedoni, se sa një objekti shkollor.

   Nga viti i ardhshëm, vogëlushët shqiptarë të klasave të para të fillores, krahas shkronjave të alfabetit të gjuhës shqipe, do mësojnë të flasin edhe maqedonisht. Këtë ata e kanë dhuratë nga politikanët shqiptarë të cilët nuk e flasin mirë as gjuhën e tyre amtare dhe që nuk e njohin alfabetin politik, i cili alfabet është krejt ndryshe nga ai që e përdorim ne të vdekshmit e rëndomtë. Duke qenë të tillë, përfaqësuesit e BDI-së në qeveri, as që e dinë, për shembull, se ky shtet më shumë investon për Kopshtin Zoologjik të Shkupit, se sa për vlerat kulturore shqiptare. Pra, duke qenë politikanë që vetëgënjehen se i dinë të gjitha, të cilëve nga veshët u rrjedhë mençuria e nga hundët u kullon profesionalizëm, pushtetarët shqiptarë në qeveri nuk e kanë kuptuar as atë që për çdo ditë ua demonstron Gruesvki: mundohu të gjuash sa më shumë peshq në ujin e sotëm të lumit, jo vetëm pse i njëjti peshk nuk mund të kapet dy herë, por pse askush nuk e dinë si do jetë rrjedha e nesërme e lumit. E si mund ta kuptojnë këtë ata që veprojnë sipas parimit: mbaje durueshëm shkopin për peshkim në duar, sepse peshkun që nuk e ke zënë sot, do e kapësh kur të rritet e të bëhet më i majmë. Dhe duke qenë të tillë, ata edhe kanë mbetur vetëm me shkopin në dorë.