Back

Viza për në atdheun e marrëzisë politike

Shkruan: Kim Mehmeti

Shqiptarët e kohës së socializmit, të kësaj ane të kufirit dhe ata të mëmëdheut, kishin pasaporta me ngjyrë të njëjtë – të kuq – por me simbole të ndryshme në kopertinë. Pra, asokohe, shqiptarët udhëtonin nëpër botë dhe vizitonin vetveten me pasaporta të njëjta për nga ngjyra, por të ndryshme për nga "përmbajtja" ideologjike. Ata i ndante edhe një mur, që e ngritën muratorët ideologjikë të Enverit, e të ndihmuar nga "baltaxhinjtë" e Titos. Mur të cilin mund ta kalonin vetëm shpendët që Titoja e Enveri nuk mund t‘i kapnin, që t‘i shënonin me yllin e shtetit të tyre, si edhe shqiptarët e rrallë nga kjo anë e kufirit, që arrinin të merrnin viza të dyfishta për të kaluar nëpër "kapixhikët" e ngushtë të këtij muri ndërshtetëror – atë të Jugosllavisë- për ta vizituar shtetin amë, dhe vizën e Shqipërisë për të hyrë në mëmëdhe.

Shqiptarët e fundshekullit të njëzetë arritën ta shembnin atë mur ideologjik, por e shtuan numrin e pasaportave të shteteve demokratike, me të cilat udhëtojnë nëpër botë dhe vizitojnë "shqipëritë" e tyre. Kështu që, shqiptarët sot kanë pasaporta shumëngjyrëshe (të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, Greqisë), ku të kaltër e ku të kuq, aq sa edhe janë shtetet e këtyre hapësirave ku ata jetojnë, aq sa janë kufijtë që ndajnë shqiptarët nga vetvetja. Pra, shqiptarëve u ra në hise të ruajnë harmoninë e ylberit shumëngjyrësh të shteteve të sapoformuar në Ballkan, u bënë numërues të kufijve dhe andaj, ke përshtypjen, se sikur mos ishin ata, kjo pjesë e Ballkanit, nuk do kishte nevojë as për kaq shumë shtete, as për kaq shumë kalime ndërkufitare.

Ke, pra, përshtypjen, se ndashmëria ndërshtetërore e Ballkanit Perëndimor, është përafërsisht proporcionale me mundësinë e ndashmërisë së shqiptarëve. Gjë që shqiptarët mund t‘i çojë edhe të mburren, e të mendojnë se janë gurëthemel i shumë shteteve të këtushme. Por, kjo mburrje mund t‘i verbojë aq sa të mos shohin se rrallëkund janë edhe kulm i shtëpisë ku jetojnë, dhe andaj shpeshherë mbeten të lagur e të pambrojtur nga shtrëngatat që përfshijnë këto hapësira ballkanike.

Shqiptarët e demokracisë së sotme i dallon ngjyra e pasaportave të shteteve ku ata jetojnë, por i bashkon (mos)vlefshmëria thuajse e njëjtë e lejeve për udhëtim që ruajnë në xhepat e brendshëm. Pa marrë parasysh se pasaportën e cilit shtet kanë, ata jetojnë si edhe gjithë bashkëqytetarët e tjerë të tyre në këtë pjesë të Ballkanit: si nëpër gropa, gropa nga të cilat nuk dilet lehtë, nga mund të dalësh vetëm me shkallët e vizës së ndonjë shteti perëndimor. Gropa të rrethuara me murin e "Shengen"-it, i cili është po aq i patejkalueshëm sa edhe ai i dikurshmi që ndante Jugosllavinë e Titos nga Shqipëria e Enverit, mur që i ndanë të mirët e të ndershmit, demokratët e të kulturuarit, nga ne të kësaj hapësire të Ballkanit. Të cilët, pjesës tjetër të Evropës, mbase i ngjamë në urith, e të cilët posa i lëshon të hyjnë në kopsht, i çrrënjosin të gjitha bimët demokratike që ke mbjellë aty.

Tani, kur shqiptarët thuajse u pajtuan me fatin të jetojnë në pesë "gropa" të ndryshme të Ballkanit, kur ia morën dorën se si shkohet në Perëndim edhe pa vizën "Shengen", atyre i vihet edhe një pengesë për komunikimin e lirshëm mes vetes: viza që do duhet ta posedojnë shqiptarët e Shqipërisë për ta vizituar Maqedoninë. Pra, Maqedonia që dëshiron të integrohet në Evropë, e ngre murin kufitar që e ndan nga Shqipëria, vë viza për qytetarët e një shteti fqinj, me të cilin një ditë duan të takohen në Bruksel. Kështu që njeriu nuk e ka të qartë se vallë Maqedonia e di se shenjë njohëse e Evropës është lëvizja e lirë e qytetarëve, mallrave, ideve…, apo mendon se kjo nuk do vlejë edhe për shqiptarët e Ballkanit. Pra, ky vendim i Maqedonisë të çon të pyesësh veten se, vallë qeveritarët aktualë të këtij shteti, e dinë ku ndodhet kufiri i marrëzisë, dhe a e kuptojnë vallë se me këto viza ata shpjegojnë qëndrimin e tyre përbuzës ndaj 30% të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni…?

Pse m‘u tani vihen viza për qytetarët e Shqipërisë që duan ta vizitojnë Maqedoninë? Kjo është një pyetje, që shumëkush e shtron, por pakkush jep përgjigje të saktë. Sepse, t‘i pyesësh për këtë pushtetarët shqiptarë në qeverinë e Gruevskit, është njësoj sikur ta pyesësh pulën se ç‘ngjyrë ka bishti i dhelprës që atë e ka kapur për fyti. T‘i pyesësh për ketë pushtetarët e këtushëm të etnitetit maqedonas, ata të thonë se ky vendim ka të bëjë me përmbushjen e standardeve integruese evropiane. Pra, pushtetarët e këtushëm shumetnikë, japin përgjigje, por asgjë nuk tregojnë. Përgjigjen kështu, mbase duke u nisur nga parimi se ai që kupton, moti do ta kishte kuptuar qëndrimin antishqiptar të qeverisë aktuale të Maqedonisë, e ai që nuk kupton, kot e ke t‘i përgjigjesh. Pra, ai që kupton, moti do ta vërente se Maqedonia me shumëçka i ngjan atdheut të marrëzisë politike. Andaj, ata që ende presin përgjigje, mjafton të ndërmendin hallin e shprehur publikisht të një redaktori me mbiemër serb të një gazete të këtushme në gjuhën maqedonase, që përafërsisht të kuptojë qëndrimin e Maqedonisë zyrtare ndaj të ardhurve nga Shqipëria. E ai, para pak kohësh, publikisht u ankua pse nuk mund të shkonte si dikur t‘i kënaqej borës në Mavrovë. Ky i përkëdheluri i qeveritarëve shumetnikë – në gazetën e të cilit, për dallim nga gazeta "Lajm" në gjuhën shqipe, qeveria i publikon të gjitha materialet e veta propaganduese – hapur tha se do t‘i kalonte pushimet dimërore në Austri, sepse Mavrovën ia kishin "okupuar" shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë. Pra, ankohej se Mavrova qëmoti nuk është më ajo e dikurshmja, kur aty flitej vetëm maqedonisht dhe serbisht. Gjë që ndoshta e ka çuar Gruevskin të veprojë ngutshëm e të mos vërejë se nuk kanë faj shqiptarët pse Maqedonia është aq e vogël, e ata janë shumë, se shqiptarët nuk kanë si u ndihmojnë aeroplanëve që rrotullohen mbi Shkup, e bishti e krahët u mbeten në ndonjë shtet fqinj.

Por, cilado që të ketë qenë arsyeja që e çon Maqedoninë ta pengojë komunikimin e lirshëm të shqiptarëve nga ajo anë e kufirit me ata të këtushmit, mbetet e vërteta se ky vendim me shumëçka shpjegon se cili është ndikimi i shqiptarëve të këtushëm në qarqet e vendimmarrjes. Shpjegon inferioritetin e pushtetarëve shqiptarë ndaj kolegëve të tyre maqedonas. Sepse sikur të ishte ndryshe, nuk do kishte qeveri që do mund t‘i shkonte ndërmend të bëjë një veprim që irriton një përqindje të madhe të qytetarëve të shtetit që udhëheq. E kështu, me ministra shqiptarë kukulla, Gruevski mund t‘i ndajë me mure edhe fshatrat e këtushëm shqiptarë, e lëre më të mos kanoset se diçka e tillë e pret edhe Kosovën, posa t‘i ndryshojë pasaportat e UNMIK-ut.

Me këta shokë shqiptarë që ka në qeveri, Gruevski mund të bëjë shumëçka. E për këtë janë fajtorë shqiptarët e këtushëm, të cilët nuk arritën t‘ia tregojnë anët e botës qysh atëherë kur ai shkeli vullnetin shumicë politik të tyre. Pra, nuk i ndihmuan të shihte se Veriu dhe Perëndimi janë anët përcaktuese të ardhmërisë së këtij shteti. E me çka ai me kohë do ta kuptonte se të mundohesh t‘ia ndryshosh kahun erës veriake që vjen nga Kosova, të besosh se mund t‘ia ndryshosh rrugëtimin diellit që pushon në Perëndimin e tij pas Sharrit, është njësoj sikur të duash t‘ia ndryshosh drejtimin kokëdhembjes dhe atë ta shndërrosh në dhembje barku.

Andaj, nuk ka dyshim se vendimi i qeverisë së Maqedonisë që vë viza për qytetarët e Shqipërisë, nuk është vetëm përbërje ëndrrash të kota të qarqeve të këtushme politike të etnitetit maqedonas. Ky vendim është edhe pasqyrë ku mund të shihet fytyra mjeruese e politikanëve shqiptarë në këtë shtet, si edhe ajo e diplomacisë së Tiranës zyrtare. E portreti i sotëm i këtij mjerimi të dyfishtë të politikave shqiptare, është ai që lejon ngritjen e mureve mes shqiptarëve në këto hapësirave, mure ku qartë shkruhet, por nuk ka kush të lexojë: sa më i vogël është një popull e një shtet, aq më të kompleksuar i ka politikanët! Në atë mur është shënuar edhe kjo e vërtetë: kur ta biesh punën të të përbuzin politikanët e kompleksuar, ke ndonjë problem të madh me vetveten e jo me tjerët.

(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)