Back

VIZIONET DHE ILUZIONET

Kim Mehmeti

       Autori i këtij teksti shpesh e ka përsëritur se Maqedonia është shoqëri ku më së miri shihet sa të shtrenjta janë improvizimet politike, zgjidhjet gjysmake të problemeve ndëretnike dhe sa vështirë mund të ndërtosh shtet të vogël në kohën e vrapit marramendës të orës botërore. Mbase shkaku i kësaj, Maqedonia ende është vetëm kreaturë shtetërore e dy vizioneve të kundërta: të shqiptarëve dhe maqedonasve etnik. Ky shtet ecë drejtë ardhmërisë mbi binarët e standardeve të dyfishta, kështu që për maqedonasit etnik vlejnë ligjet shtetërorë, ndërsa për shqiptarët, rregullat dhe standardet e partisë së tyre e cila merr pjesë në koalicionin qeveritarë. I zënë në kthetrat e dystanradizimit dhe me dy vizione, ky shtet është si një rrëfimtore ku dëgjon tregimin për një shoqëri në të cilën përplasen ndërmjet veti vizionet e shqiptarëve me ato të  maqedonasve etnik, njëkohësisht është edhe rrëfimin, i cili faktorëve politik vendorë e të huaj, bindshëm ua rikujton të gjitha improvizimet e së kaluarës, të gjitha zgjidhjet “sezonale” që kanë shërbyer për qëllime të përkohshme, sa të kalohet lumi i derdhur ndëretnik, e më pas të ndërtohet ura.

      Maqedoninë ndryshe e përjetojnë shqiptarët e këtushëm e shumë më ndryshe maqedonasit etnik. Dhe ky realitet më së miri vërehet sot, kur pjesë e koalicionit qeveritarë është edhe Partia Demokratike Shqiptare, të cilës i është lënë nën “sundim” të plotë shoqëria shqiptare në Maqedoni. Dhe kështu, derisa maqedonasit etnik i mbron ligji, fati kolektiv dhe individual i shqiptarëve të këtushëm, varet nga vendimet e kryesuesve të PDSH-së të ndërmarra në kafenenë “Dora” në Tetovë, – e njohur si seli alternative e kësaj partie.  Pra, derisa  maqedonasit etnik nuk e ndjejnë gjithaq “shtetin partiak”, shqiptarët mbeten në kornizat e koncepteve katërvjeçare, që ndryshojnë varësisht nga partia e tyre e cila bëhet pjesë e koalicionit qeveritarë. Këtë më së miri e pasqyron ajo që ndodhi në Ministrinë e Kulturës, e cila pak kohë më parë publikoi listën e librave që do të financohen nga shteti, e për çka reaguan botuesit e këtushëm duke akuzuar ministrinë se është udhëhequr sipas përkatësisë partiake të autorëve. Pas ndërhyrjes së kryeministrit, Ministria e Kulturës anuloi rezultatet nga konkursi i mëparshëm duke shpallur konkurs të ri. Dhe solli vendim krejt ndryshe nga ai i mëparshmi. Por, vetëm për pjesën e botuesve të etnitetit maqedonas. Për botuesit shqiptarë nuk u bë asnjë ndryshim, pavarësisht pakënaqësisë së tyre lidhur me vendimin e kësaj ministrie. Ankesa e tyre nuk u morr parasysh mbase shkaku se ata u ankuan në adresë të gabuar: në atë të Ministrisë, në vend që ankesën ta dërgonin në adresë të selisë së Partisë Demokratike Shqiptare, në Tetovë. Me çka ndodhi ajo që përsëritet me vite: për botuesit e etnitetit maqedonas të vendosë komisioni i kësaj ministrie, ndërsa për shqiptarët vendimin ta merr selia e PDSH-së, e cila tani stimulon vlerat e veta letrare partiake, pra, ngjashëm si në përbërjen e mëparshme qeveritare kur kuadrot “kulturorë” të BDI-së përkrahnin shkrimtarët e oborrit të vet.

      Shembulli i lartpërmendur vetëm e qartëson atë që u tha në fillim të këtij teksti: se etniteti maqedonas sadopak është i mbrojtur nga ligji dhe institucionet shtetërore, ndërsa shqiptarët janë në duart e selive partiake në Tetovë. Kështu që ky shtet edhe më tej mbetet një shoqëri pa fizionomi të qartë shtetërore. Mbetet shtet në të cilin, për shembull, edhe më tutje fatin e policit shqiptarë e përcaktojnë udhëheqësit e PDSH-së, ndërsa për policin me përkatësi etnike maqedonase vlejnë rregullat dhe ligjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht janë në mbrojtje të sindikatës së kësaj ministrie. Pra, ankesat e maqedonasve zgjidhen në institucionet e shtetit, e ato të shqiptarëve në shtabin e partisë së Arbër Xhaferit. Mbase duhet pritur që partitë shqiptare në Maqedoni të themelojnë edhe sindikatat e veta partiake ku do të shqyrtohen ankesat e atyre që i ka punësuar partia e mëparshme shqiptare, pjesëmarrëse e koalicionit qeveritarë, e q; i përjashton nga puna kjo e tanishmja. Dhe kështu do të vazhdojë murimi i shtetit me standarde të dyfishta, i shtetit të vizionit etnik maqedonas i cili mbështetet në bindjen se nuk është e lehtë të ndërtosh shtet të përbashkët me shqiptarët që nuk i ngin asgjë, andaj edhe duhet të përpilojnë ligje që do ta mbrojnë Maqedoninë nga grykësia e tyre. Pra, do vazhdojë të ndërtohet edhe shteti i vizionit të mjegullt të shqiptarëve të këtushëm, të cilët ende janë të bindur se partitë, e jo shteti, duhet t’i mbrojnë interesat e tyre qytetare. Këto vizione diametralisht të kundërta takohen në iluzionin se një ditë të gjitha mosmarrëveshjet do t’i zgjidh Brukseli.

      Autori i këtij teksti shpesh e ka përsëritur se shumëçka në Maqedoni mbetet e pathënë deri në fund. Mbase e tillë është edhe Marrëveshja e Ohrit, e cila duheshte të jetë gurthemeli më i fortë i harmonisë ndëretnike. Gurthemel i cili nga dita në ditë dëshmohet  si i dobët për të mbajtur mbi vete vizionet e etnitetit maqedonas se edhe më tej do mbeten “pronarë” të shtëpisë, me shqiptarët “qiraxhinj” të zhurmshëm në të. Pra, ende pa kaluar plotë pesë vite nga nënshkrimi i saj, Marrëveshja e Ohrit u tregua si kornizë jo e përshtatshme, kornizë jo sa duhet e gjerë dhe e gjatë që  të mbajë pranë njeri tjetrit portretet e dy  etnive numerikisht më të mëdha të Maqedonisë – atë të etnitetit maqedonas dhe atë të shqiptarëve të këtushëm. Se Marrëveshja e Ohrit është e gozhduar me ambicie të mëdha, por pa ia përcaktuar madhësinë e duhur, u dëshmua nëpërmjet mosmarrëveshjeve të fundit lidhur me formimin e koalicionit qeveritarë, kur mandatari nuk e përfilli vullnetin politik të shumicës shqiptare dhe, duke përdorur metodën “demokratike”, të cilën nuk ia pengon as kushtetuta as ligji, i përfshiu në kabinetin e vet “vëllezërit e gjakut” – PDSH-në. Me çka edhe nxori në sipërfaqe një mangësi të madhe të Marrëveshjes së Ohrit: se ajo nuk e ka përcaktuar atë më qenësoren për shqiptarët e këtushëm – si të mbrohet vullneti i shumicës politikë nga majorizimi etnik.

        Mbase nuk është e tepërt të përsëritet e vërteta se njësoj si Maqedonia, edhe  partitë shqiptare kurrë nuk arritën të profilizohen në subjekte me koncepte të qarta politike. Partitë shqiptare në Maqedoni mbetën peng i “rrugaçërimit” të aktiviteteve të tyre partiake dhe i vizioneve demagogjike atdhetare të kryesuesve të partive. Mbase ky veprim, e përcaktoi edhe fatin e shqiptarëve të këtushëm: të mos mund ta qartësojnë se vallë partitë e tyre mbështeten në koncepte të qarta politike, apo veprojnë si  “kompani private” që u sjellin përfitime  vetëm rretheve të ngushta  partiake. Të mos shohin se edhe sot nuk janë shumë më larg se aty ku ishin edhe përpara nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe se për ata ende vlen sistemi njëpartiak, vetëm se tani “komunistët” e tyre ndërrohen çdo katër vite.

      Autori i këtij teksti as vetë nuk e dinë se sa herë e ka përsëritur se Maqedonia  mbeti e ngërthyer në kthetrat e “mosmarrëveshjes historike” në mes shqiptarëve të këtushëm dhe maqedonasve etnik. Dhe sa do e çuditshme të tingëllon, këtë mosmarrëveshje e mbajnë gjallë të gjitha partitë e koalicionit qeveritarë. Sepse kështu qarqet politike maqedonase arrijnë të ndërtojnë institucione shtetërore të cilat do e mbrojnë Maqedoninë nga shqiptarët, e partitë shqiptare mbeten sunduese të pakontestueshme të shoqërisë shqiptare në këtë shtet. Dhe si i tillë, ky shtet ka filluar ti ngjajë një sajese të çuditshme të ambicieve të paqarta etnike. Mbase Maqedonia është në pritje që dikush t’i tregojë se nuk ndërtohet shtet mbi inatet partiake dhe etnike, se shteti ku përplasen vizionet e kundërta një ditë mbetet i zhytur në baltën e dy botërave paralele që medoemos çojnë drejtë kalbjes së brendshme të shtetit. Mbase këtë e di edhe Ali Ahmeti, të cilit i ra në hise që edhe një herë kryesuesve të VMRO-DPMNE-së tu shpjegojë se vizionet e kundërta janë si zjarr i padukshëm që djeg ardhmërinë e shtetit, se standardet e dyfishta në një shtet, janë si plagë që nuk e ndjen por gjakon, se nga ky zjarr dhe nga kjo plagë nuk ndërtohet, por prishet shteti.