Back

Vizionet e kundërta pengojnë ecjen e Maqedonisë si shtet multietnik

RADIO EVROPA E LIRË: Zoti Mehmeti si e vleresoni ju në tërësi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në këtë përvjetor?

KIM MEHMETI: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit shkon ashtu siç shkojnë shumë gjëra në këtë shtet, domethënë i kemi ata që duan ta zbatojnë sa më shpejt dhe ata të cilët gjithmonë e mbajnë të ngritur frerin e dorës. Mendoj që u realizua shumë çka, mëkat mendoj është të mos theksohet që qeveria e kaluar bëri mjaft që të realizohet ajo marrëveshje, por është e ditur se këtu gjithmonë ekziston një rrymë e atyre nostalgjikëve, siç i quaj unë, për Maqedoninë e para Ohrit, e cila gjithmonë do të bëjë manovrime të ndryshme, që ta ngadalësojë apo ta çojë Maqedoninë atje ku ishte dikur. E dëshirojnë domethënë majorizimin etnik. Mirëpo u bënë disa punë që duhen vlerësuar dhe konsideruar si një hap i rëndësishëm.

– Në Maqedoni edhe sot vazhduan bllokadat e rrugëve nga ana e përkrahësve të Bashkimit Demokratik për Integrim, në sajë të pakënaqësisë nga ana e kësaj partie që, pavarësisht se ka fituar numrin më të madh të deputetëve të shqiptarëve, nuk është përfshirë në koalicionin qeveritar. Si e shpjegoni ju këtë zhvillim?  

– Ky zhvillim nuk ka të bëjë më me atë se kush do të jetë në koalicionin qeveritar, por ka të bëjë me atë se vallë a do të respektohet vullneti politik i shumicës shqiptare në Maqedoni apo jo. Unë gjithmonë e shoh nga ky kënd dhe shikuar nga ky kënd, unë mendoj se BDI-së i ra në hise të mbrojë vullnetin politik të BDI-së dhe PPD-së, sepse ndoshta nga shumë pikëpamje tani PPD-ja është ajo që do të thoja se mbron nderin dhe vullnetin politik të shqiptarëve të Maqedonisë. Mendoj se nuk ka rrugëdalje tjetër përveçse ose të mbrohet ai nderi i vullnetit politik të shqiptarëve të Maqedonisë, ose të kthehet majorizimi etnik, që do të thotë që gjithmonë vullnetin politik etniteti maqedonas të mund ta korrigjojë nëpërmjet partisë së vet më të madhe, apo që do të thotë ndryshe, ose që BDI-ja dhe PPD-ja ta mbrojnë atë vullnet të shumicës së popullsisë shqiptare në Maqedoni, ose do duhet t’i kthejnë mandatet. Rrugë tjetër unë nuk shoh personalisht.

– Ekspertët në Maqedoni kanë tërhequr vërejtjen se këto zhvillime mund të rrezikojnë edhe zbatimin e parimit të Badinterit gjatë miratimit të ligjeve në Kuvendin e Maqedonisë, e që kanë të bëjnë me popujt jomaqedonas. Çfarë mendoni ju për këtë çështje?

  

– Po ato edhe e kanë penguar se kur në instancën më të lartë, kur qeveria nuk e respekton atë, se mandatari me mospërfshirjen e partisë më të madhe shqiptare në qeveri, ai në të vërtetë e mohon këtë parim. Atëhere ju duhet të pritni që ai mohim i të drejtës të vazhdojë mëtutje. Është hapur vetëm një derë dhe varet nëse ajo derë do të mbyllet apo do të vazhdojë edhe më tutje, hapja e dyerve të tjera doja të thoja. Ju duhet të prisnit në nivel lokal që mos ta përfillin kryesuesit e komunave, posaçërisht aty ku jeton pakicë tjetër. Kështu që mendoj se kjo është shumë rrezikshme. Mirëpo ju nëse e vëreni edhe koalicioni qeveritar është si një klub i atyre që ishin kundër Marrëveshjes së Ohrit. Mos harroni se mandatari i sotëm ishte ai që organizoi referendumin kundër ndarjes rajonale të Maqedonisë, kundër ndarjes territoriale. Kështu që ka shumë çka këtu. Këtu gjithmonë i kemi ato rrymat që gjithmonë duan ta ngadalësojnë punën, apo që nuk mund të binden se edhe shqiptarët janë shtetformues aq sa të tjerët.

– Ti kthehemi dhe njëherë shkurtimisht Marrëveshjes së Ohrit. Duke patur parasysh zhvillimet me rezultatet e sivjetme të votimit, a mendoni se ka hapësirë për ndonjë rishqyrtim në këtë marrëveshje?

– Mbrëmë m’u kujtua që Maqedonia është krijesë shtetërore interesante dhe ajo gjithmonë dëshmon diçka se askush kurrgjë nuk mëson nga e kaluara, se historia është mësuese nga e cila askush kurrgjë nuk ka mësuar. Unë e thashë mbrëmë në një manifestim të pesëvjeçarit se ndoshta Maqedonisë do t ‘i duhet Ohri 1 e Ohri 2 që ta regjistrojë vetë në vetëdije këtë konflikt. Por mendoj se duhen zgjidhur edhe disa probleme për shembull shqiptarët duhet të insistojnë në atë se si do të jetë përfaqësimi i tyre në qeveri, si do të jetë përfaqësimi i tyre në pozitat më të larta shtetërore, ju kudo e keni kryetarin e shtetit maqedonas, kryetarin e qeverisë maqedonas, kryetarin e Kuvendit maqedonas. Kjo nuk shkon në një shtet multietnik. Atëhere duhen bërë zgjidhje të tjera kushtetuese, që ofrojnë një siguri më të madhe. Jo kështu çdo katër vjet ne të vimë në situata që të bëhen lojëra të ndryshme politike.