Back

VMRO lavdërohet me shqiptarët e vrarë

VMRO – DPMNE lavdërohet para opinionit me aksionet e ndërmarra për vrasjen  dhe burgosjen e shqiptarëve. Në raportin e kësaj partie se çfarë kanë bërë për pesë vjet është përfshirë edhe rasti i Brodecit dhe Radushës ku u vranë, masakruan dhe arrestuan shqiptarë të pafajshëm, mes tyre edhe Harun Aliu, i njohur si komandant Kushtrimi.  

Sipas analistit Kim Mehmeti ky veprim i VMRO-DPMNE-së tregon pozitën e papërfillshme të partive shqiptare në Qeveri. “Ja çdo të thotë të jesh vasal në një qeveri. Sunduesi bën atë që mendon se duhet të bëjë, edhe ajo që është e mirë për sunduesin është  e keqe për vasalin. Kjo tregon pozitën e partive tona në qeveri që nuk janë të përfillshme, që janë vetëm statistë dhe që vetëm u sjellin keq shqiptarëve”, thotë për “Lajm” Mehmeti.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), parti kjo që ka qenë në qeveri gjatë masakrës së Radushës thonë se nuk është sukses ekzekutimi i qytetarëve, por sukses është kur problemet politike të zgjidhen me mjete politike. “Nuk mund të quhen  aksione të suksesshme ato aksione ku vriten qytetarë të Maqedonisë. Çdo herë  kam qenë ithtar dhe mbetem në atë se çdo problem duhet të zgjidhet me mjete politike, nëse gjeneza e problemit është politike. Edhe në këto dy raste mendoj se ka pas hapësirë që këto raste të zgjidhen me mjete politike dhe jo me ekzekutime.

Për Partinë Demokratike Shqiptare, (PDSH) e cila ka qenë pjesë e Qeverisë gjatë aksionit të Brodecit, ky veprim i VMRO-DPMNE-së është një populizëm i pastër. “Nuk ia vlen që të komentohen këto veprime, pasi një parti serioze nuk do të ishte lëvduar me të tilla gjëra. Është një populizëm i pastër”, tha për “Lajm” zëdhënësi i PDSH-së, Agon Ferati.

“’Stuhia malore’ – Një aksion policor i organizuar në mënyrë të shkëlqyer dhe zbatuar në mënyrë profesionale në fshatin Brodec të Tetovës, në funksion të mbrojtjes së integritetit territorial të Republikës së Maqedonisë, ku është shkatërruar grupi terrorist dhe janë sekuestruar një arsenal armësh dhe municioni. Penalisht janë akuzuar 17 persona dhe janë vrarë gjashtë pjesëtarë të grupit”, shkruhet në Raportin e VMRO-së për aksionin e Brodecit.  “Me aksionet si ai në afërsi të fshatit Bllacë e poshtme dhe në afërsi të fshatit Radushë, si dhe me aksionin në Brodec në vitin 2007, përveç sekuestrimit të një numri të madh të armëve dhe mjeteve eksplozive, është ndaluar dhe neutralizuar  kërcënime serioze mbi Republikën e Maqedonisë”, thuhet ndër të tjera në Raportin e VMRO-DPMNE-së.

(LAJM)

http://lajmpress.com/lajme/maqedoni/8955.html