Back

VULA E SË KALUARËS NË TË SOTMEN SHQIPTARE

ALI ALIU ,KIM MEHMETI

Mbase historia kurrë nuk ka punuar në të mirën e shqiptarëve, dhe shkaku është se klasa e tyre politike gjithmonë gabimisht e ka lexuar orën e kthesave të mëdha historike. Por edhe se pushtetmbajtësit shqiptarë, të ardhmen e popullit thuajse gjithmonë e kanë flijuar në altarin e të sotmes së tyre për të mbetur në pushtet. Dhe kështu, historia e popullit shqiptar është plot me verbëri të klasave politike, plot me paradokse, me veprime të palogjikshme politike, që u ka mundësuar fqinjëve që shqiptarinë ta konsiderojnë si kopsht pa kopshtar, si shtëpi pa shtëpiar, si hapësirë ku pushtetarët pranojnë çdo gjë nëse ua garanton të mbeten në pushtet. Andaj pra, historia e shqiptarëve është plot me pushtetarë që kanë sunduar aq sa ka dashur ndonjë nga fqinjët, aq sa kanë mundur të bëhen të verbër ndaj fqinjëve që në forma të ndryshme Shqipërinë e kanë bërë “protektorat” të tyre ku flitet shqip e sundohet greqisht apo serbisht.
A punon historia më në fund edhe për shqiptarët, ose do të mbeten përsëri të vonuar? Përgjigjja e kësaj pyetjejeje do të varet nga ajo se sa klasa politike shqiptare e ka kuptuar se historia është punëtori në të cilën e kaluara është lënda kryesore me të cilën ndërtohet ardhmëria. Pra, ajo “prodhon” ardhmëri të mirë vetëm atëherë kur pushtetarët e sotëm do të arrijnë të lexojnë drejt shenjën e gabimeve nga e kaluara. Dhe duke patur gjithmonë parasysh atë shenjë, do të arrijnë ta kuptojnë se veprimi i sotëm i tyre politik është farë që do mbijë në të ardhmen e popullit shqiptar. Njësoj siç mbin sot fara e gabimeve politike të mbjellur nga pushtetarët në të kaluarën shqiptare.
Shqiptarët sot ndodhen përballë përgjigjeve të përziera me eufori dhe frikë, si dhe përballë pritjes të shpalljes së statusit përfundimtar të Kosovës. Shqiptarët sot e jetojnë edhe inatin vetagresiv të bashkëkombësve të vet në Maqedoni, si dhe vetëbesimin pa mbulesë dhe arrogant të Tiranës zyrtare. Të Tiranës me dyzet gazeta të përditshme dhe disa dhjetëra kanale televizive shqipe që mbulojnë hapësirën shqiptare në Ballkan, e të cilat kryesisht një i bie thumbit e tjetra patkoit. Me çka gjendja shqiptare del mozaik i ngatërruar, paradoksal, kakofonik, larg një vizioni të kthjellët. Shumica e mediave shqiptare, njësoj si edhe klasa politike, lënë përshtypje se shtyllë bartëse kanë tregun tokësor e nëntokësor, klanet partiake, mafioze, grupore, krahinore e fisnore dhe si të tilla, tërbohen e ulërijnë në kryeterminet, ballinat, për çështjet shpesh nga më banalet, por vetëm në bisht a incidentalisht për ato vitale për shëndetin e shtetit dhe kombit. Ato dinë të kurdisin, të nxisin, tema për të hedhur në treg pikanteri të qena e të paqena, të kurdisin grindje individësh për të zbavitur pastaj përmes tribunash e intervistash, kolumna e komente me javë e muaj të tërë popullin shqiptar. Do të luajnë teatër me më shumë identitetet shqiptare, me ngritjen në standarde gjuhën e grykës së Rugovës, e dokrra të ngjashme. Dhe po t’u thuash mediumeve të tilla në Tiranë, e sidomos atyre “me kokën gjogë e trurin zog” se këto s’janë as çështje as preokupim në Prishinë, bie fjala, ata cicërojnë: mjafton që është shqiptuar diç e tillë atje tek ju, që ne duhet t’i bëjmë jehonë si europianë që jemi… (këto ditë një shqipfolës i këtejmë paskësh dëgjuar se veriorët paskëshin bisht, prandaj pritet që gjogët e fuqishëm të vënë alarmin).
Edhe fundi i këtij nëntori dhe fillim i dhjetorit të sivjetshëm natyrisht nuk bën përjashtim dhe vlon nga një shumësi kakofonike temash dhe çështjesh “madhore”, por thuaja se kalon në heshtje dyshtetësia greke. Zëri gati se i vetmuar i Sabri Godos, prandaj tingëllon si në shkretëtirë. Deri sa mund edhe “të kuptohet” zmbrapsja e politikës shqiptare përballë “dhuratës greke”, por shqetëson, për të mos thënë është pikëlluese ajo e mediumeve shqiptare. Ja një nga hamendësimet tona të shikuar nga dritarja jashtë mëmëdheut, të cilën dikur e mbulonte perdja e iluzionit se kur një ditë të hapen kufijtë, Tirana do të jetë ajo që do kujdeset për gjithë shqiptarinë. Kur nuk mund ta paramendonim se klasa politike e Shqipërisë nuk do të dijë si të kujdeset as për të sotmen e mëmëdheut të tkurrur e lëre më për shqiptarët që kanë mbetur jashtë kufijve të shtetit amë.
Të ketë penetruar aq gjerësisht dhe thellësisht “vizioni shpëtimtar” grek në Shqipëri? Mund të jenë me qindra familje të lidhura drejtpërdrejt a tërthorazi me Greqinë, por të jenë brenda kësaj merimange edhe mjetet për informim? Të ketë përfshirë pjesërisht kjo dhuratë greke edhe këtë esnaf? Ndoshta.
Në ditët kur vetëm sa për të hedhur grepin lexuesit hidhen në treg marrëzi nga më të ndryshmet, kur nxitet deri në patologji mosdurimi dhe urrejtja e brendshme, copëtimet sipas përmasave kryqetërthor, heshtet një nga rreziqet me përmasa dramatike. Në ditët kur ky shtyp nxit bojkotin që një parti i kurdis manifestimit festiv një partie tjetre, siç qe bojkoti që iu bë inaugurimit të Skënderbeut në Shkup nga ana PDSH-së (ndonjë gazetë nuk denjoi ta shënojë as edhe me një resht), në ditët, javët kur me aq zell gërmohet në botën intime të një gjimnazisteje të para njëzet e ca viteve, që të eksponohet ajo para tërë botës shqiptare, akt ky që pasqyron mjerim moral, akt vrasës nga më barbarët, nga më mesjetarët që njeriun normal e lë pa frymë, zelli për t’iu kundërvënë dhuratës greke është sa për të shpëlarë gojën, plot konsideratë për të mos thënë inferioritet.
Vallë do të thotë kjo se klasa politike shqiptare ende e jeton inferioritet e vet të dyfishtë: atë ndaj fqinjëve dhe atë ndaj Europës së civilizuar. Do të thotë vallë kjo se edhe elitat tjera shqiptare më shumë mbajnë llogari të jenë të pëlqyer nga fqinjët se sa nga populli të cilit i takojnë? Apo thjesht bëhet fjalë për edhe një verbëri kolektive që do e zbardhim në të ardhmen, siç bëjmë sot kur analizojmë gabimet e bëra në të kaluarën? Apo ndoshta kjo dëshmon se populli shqiptarë ka krijuar elita që dinë të zbërthejnë të kaluarën, por nuk kanë guxim t’u bëjnë ballë gabimeve që bëhen sot. Pra, ka elita të cilat ende nuk kanë dal nga djepi i inferioritetit të dyfishtë, i cili i bën të jenë të kujdesshëm ndaj të tjerëve, por jo edhe ndaj popullit që i takojnë.
Njohësit e mirë të historisë thonë se terrori grek mbi shqiptarët mbase ka qenë më i egër edhe se terrori serb në veri. Megjithatë, moti kemi hequr dorë, në emër të fqinjësisë së mirë, t’ua kujtojmë këtë fqinjëve tanë të jugut. Kemi hequr dorë edhe atëherë kur për peshën dhe përmasat e provokimeve nuk do të duhej të heshtnim. Po ashtu, nuk duhet heshtur e harruar e të mos kemi parasysh se disa nga provokimet e kohëve të fundit janë jehonë e mendësisë së dikurshme ndaj orekseve dhe agresionit ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë, se janë jehonë e gjenocidit ndaj çamëve. Dhe pikërisht këto provokime të mos i shtrosh si shtet shqiptar në tryezën evropiane është verbëri e pafalshme që ndër të tjerat si heshtje e shton edhe më oreksin dhe pangopësinë greke.
Përvoja shqiptare me grekun e pasqyron në mënyrë plastike thënia e lindur nga populli “kur na kishte borxh (greku) na merrte edhe kaun”, që duket se ka mbetur mekanizëm i përhershëm në pamundësi që edhe sot të praktikojë dhunën mbi tokat shqiptare, pastrimin e hapësirës, siç bëri me Çamërinë, politika greke aktualisht përdor teknika të sofistikuara, të pazarit që i ha koha: favore sociale, kërcënimin dhe joshjen në stilin shkopi dhe karota, ndërrimi i emrave e mbiemrave, i kombësisë, fesë në shkëmbi të lejes për qëndrim, në shkëmbi të ndihmave sociale, pensioneve.
Kjo barbari e tillë praktikuar më shumë se një decenie, po bëhet në heshtje të politikës shqiptare. Kështu një anëtar i Bashkësisë Europiane, në vend të praktikimit të fqinjësisë së mirë, që është një nga kushtet themelore për shtetet që pretendojnë të anëtarësohen në këtë bashkësi, Greqia bën politikë të ndërhyrjeve që çrregullojnë dhe helmojnë gjendjen në këtë pjesë të Ballkanit, që e ngarkojnë atë me mosdurim dhe urrejtje, me destabilizim shtetesh. Dhe Europa bën që nuk sheh sjelljen e këtij anëtari të vet me fqinjët, shtet me një politikë e cila vetëm para disa viteve qe e gatshme që me Sërbinë e Millosheviqit ta ndajë Maqedoni, një politikë që tani përmend njëzet e pesë për qind të ortodoksëve shqiptarë që do t’i homogjenizojë duke u dhënë dyshtetësi.
Pse Shqipërisë të mos i dëgjohet zëri në Evropë për një strategji kaq të rrezikshme të politikës Greke ndaj Shqipërisë? Pse e hesht apo e belbëzon Shqipëria çështjen e dyqind mijë çamëve të lënë pa tokë e pa shtëpi, të dëbuar me dhunë pa të drejtë të vizitojnë varet e të parëve? Pse politika greke nuk u lejon shtetasve të vet shtetësi të dytë, përkatësisht ua merr atë të vetën në raste të tilla, që një të drejtë të tillë nuk do t’ua lejonte të tjerëve, në këtë rast Shqipërisë.
Të shfrytëzosh kaq mizorisht krizën sociale të shtetasve shqiptarë, nevojat e tyre jetësore ende të një standardi të ulët, për të shantazhuar ata, për t’i detyruar të ndërrojnë mbiemra dhe identitete me synime pushtuese dhe asimiluese, është vërtet barbari kohërash të errëta. Shteti me një politikë që e vetmja në këtë hapësirë nuk pranon ekzistencën e pakicave brenda kufirit të vet, pra nuk lejon shtetësi të dytë dhe kërkon që ta bëjë të kundërtën Shqipëria.
Ç’do të bëjë Shqipëria përballë kësaj sfide ndoshta nga më të rrezikshmet gjatë historisë? A mund ta përballojnë shqiptarët sfidën kaq joshëse të dhuratës greke? Duket pak si e vështirë. Kur ende s’ka përfunduar ëndrra e shqiptarëve për të parë “edhe ne pakë botë”, vendosmëria dhe gatishmëria për t’i hyrë këmbë Adriatikut, dhurata greke për shqiptarin gjithsesi vjen si dhuratë qiellore, pasaportë që i hap pash e më pash dyert e Europës dhe atë vetëm me një të rënë të lapsit: germat çudibërëse të një ripagëzimi dhe çdo gjë merr fund. Ç’duhet bërë me këtë rast politika shqiptare? Natyrisht, të vërë alarmin poqese ndjehet e shqetësuar nga dhurata greke që vështirë se do të mund tí rezistonte dot një pjesë e mirë e shtetasve të vet?
Si do të ndjehet para kërcënimeve se fqinji i fundit mund të çrregullojë dhe përmbysë cilëndo qeveri në Shqipëri vetëm me një urdhër për të vënë fshesën e dhjetëra mijë apo edhe qindra sish të punësuar atje? Rrëmuja që mund të sillte një hap i tillë të cilin e mban të gatshëm sa herë i duhet politikës greke, do të ishte e papërballueshme, bile edhe atëherë sikur të ishin të një mendje dhe të bëheshin bashkë të dy blloqet partiake shqiptare, që siç e dimë është e pamundur të ndodhë kjo çudi. Përkundrazi, është fare e sigurt se cilado parti qoftë në opozitë, do ta shfrytëzonte ndërhyrjen greke për t’u rikthyer në pushtet. Të priten mbase edhe nja dhjetë vjet, kur edhe Shqipërisë mund t’i vijë radha të anëtarësohet në familjen europiane, kur do të mund t’i pajiste edhe ajo qytetarët e vet me pasaportën Evropiane, nëse deri atëherë do të mbetej kush përtej brezit Himarë, Gjirokastër, Korçë. Ose t’i kërcënojë edhe Shqipëria qytetarët e vet me heqje të shtetësisë, që e sugjeron zoti Sabri Godo, i cili sado bën sikur zëri i tij për t’ia prerë rrugën kësaj furie antishqiptare është edhe zë i Shqipërisë, ai megjithatë duket zë Donkishoti i vetmuar, i pafuqishëm. Zëri i Godos tingëllon si qëndresë në mbrojtje të identitetit, të sedrës, të krenarisë së gjakut të derdhur moteve për mbrojtjen e trojeve arbërore, sado i bindur se s’do të ndodhë kurrfarë shitjeje shpirtrash, shqetësimi i tij megjithatë jehon si zë i një rilindasi pa mbështetje.
Ç’të bëhet pra, të hapen dyert më në fund dhe le t’ia mbajë kush nga të dojë, dhe le të mbetet kush të mbetet. Të marrë fund loja dhe le të jemi aq sa mund të jemi dhe le të fryhet fqinji i Jugut, i cili “kur të ka borxh ta merr kaun”. Fqinji që mbase shëron komplekse të vjetra, i cili ka parë vetëm të mira ndër shekuj nga shqiptarët, edhe gjatë luftës për çlirim, edhe gjatë mëkëmbjes si shtet meqë fqinjët e tyre në veri kanë qenë në të gjitha fushat një shkallë mbi ta. Ç’të bëhet pra me këtë politik inferiore të Tiranës zyrtare për të cilën ne, shqiptarët jashtë mëmëdheut, shpresonim se do na mbrojë nga “dhuratat” e ngjashme që mund të na vijnë nga serbet. Që kurrë nuk mund ta paramendonim se edhe politika e sotme zyrtare e Tiranës është po ajo e shekullit të kaluar – me vulën e pëlqimit të Athinës apo Beogradit.

Botuar ne:Gazeta Albania dhe Gazeta Ndryshe