Shkruan: Kim MEHMETI
Ka një të keqe që është më e madhe se gjitha të këqijat që mund të të ndodhin: e ajo është kur mësohesh të jetosh me të keqen pranë vetes, kur e ke fqinj atë që mezi pret të ta kallë shtëpinë dhe të ta shkatërrojë familjen, kur vetëm pse nuk mund të përballesh me shkaktarin e të keqes tënde bëhesh kinse atë nuk e sheh. Dhe nga ky këndvështrim duhet vlerësuar ngjarjet e para disa ditëve kur qindra huliganë maqedonas hynë nëpër oborret dhe shtëpitë e shqiptarëve të lagjes Nerez të Shkupit dhe rrahën fëmijë dhe gra të pambrojtura shqiptare. Edhe atë para syve të policisë dhe duke i paralajmëruar maqedonasit e kësaj lagjeje t’i largonin veturat e tyre nga rrugët, duke u thënë se aty do ketë tollovi. Pra, duke mos e fshehur se ngjarja ka qenë mirë e organizuar dhe ka pas qëllim të caktuar. Qëllim që edhe nuk është gjithaq i vështirë të zbulohet: që banorët e kësaj lagjeje të vetme multietnike në Komunën Karposh të Shkupit, t’i braktisin vatrat e tyre. E që do të thotë se kjo ngjarje mbase është pjesë e një projekti më të madh: që "xhepat" shumetnik të Shkupit të pastrohen nga shqiptarët. Gjë që mund të përfundojë shumë tragjikisht për tërë Maqedoninë dhe që dëshmon se ky shtet i ka xhepat e shkoqur për të ruajtur në to baraspeshën e përbërjes së saj shumetnike.
Dhe përderisa shqiptarët e Nerezit shëronin plagët e marra dhe pyesnin publikisht se pse policia nuk i mbrojti nga huliganët maqedonas, deputetët e kësaj zonë – i zgjedhuri i PDSH-së e tani "aktivist" i Gruevskit, Imer Selmani dhe ai i BDI-së – bënin çmos që ta qetësonin situatën dhe ajo të mos dilte nga kontrolli. Në ndërkohë, atyre nuk u erdhi në ndihmë asnjë nga politikanët maqedonas. Me çka deputetët shqiptarë të krijonin përshtypjen se janë shumë naiv, se nuk e kishin kuptuar se situata është nënë kontrollin e atyre që hartojnë koncepte si duhet pastruar "pjesa maqedonase" e Shkupit nga shqiptarët. Pra, ata të linin përshtypje se nuk e kanë kuptuar se "Komitët" e përkëdhelur nga VMRO-DPMNE-së në pushtet, hyjnë lirshëm nëpër vendbanimet shqiptare jo pse janë trima, por pse janë të mbrojtur nga disa struktura shtetërore të Maqedonisë.
Pra, politikanët shqiptarë i qetësonin bashkëkombësit e tyre nga Nerezi duke i bindur të ruajnë gjakftohtësinë edhe në çastet kur ata shihnin se si nënave të tyre u rrjedhë gjak nëpër trup. Por, në ndërkohë, po ata politikan, nuk u treguan nerezalinjve pse nuk i mbrojti policia që është e paguar të mbrojë jetën dhe pasurinë e tyre. Nuk u shpjeguan si është e mundur të mbetesh gjakftohtë dhe i qetë kur sheh qartë se dikush pandërprerë të provokon, kur e sheh ashiqare se dikush ndjehet i qetë vetëm atëherë kur nuk ka fqinj shqiptarë. Andaj, jo vetëm për nerezalinjtë, por për gjithë shqiptarët e Maqedonisë, mbeti e paqartë pse politikanët e tyre kërkojnë përmbajtje nga populli i vet, e nuk i sigurojnë mbrojtje nga ata që sa herë u kujtohet, të vijnë te pragu i shtëpisë e të tregojnë sa të urrejnë, sa u pengon prezenca jote fizike. Nga ata që edhe kur përcjellin ndeshje të futbollit, e ku nuk merr pjesë asnjë ekip shqiptarë, brohorisin "Smërt na shiptarite" ("Vdekje shqiptarëve").
Nuk ka dyshim se në këtë shtet dikush e luan rolin e të verbrit, se dikush bëhet se nuk e sheh as atë që shihet po aq qartë sa edhe kryqi i madh mbi majën e malit Vodno, nga ana jugore e Shkupit. Njësoj siç nuk ka dyshim se shqiptarët e Maqedonisë paguajnë çmim edhe për shkak se partitë e tyre ndryshe e vlerësojnë situatën ndëretnike në Maqedoni. Kështu që, përderisa për PDSH-në, pozita e shqiptarëve të këtushëm është tragjike, BDI-ja atë e vlerësonin si të mirë. Pra, përderisa kryesuesit e PDSH-së kërkojnë ndihmë nga Tirana e Prishtina, Ali Ahmeti thotë se çdo gjë është duke shkuar mirë dhe se Tirana zyrtare duhet të vazhdojë ta përkrahë Maqedoninë në ecjen e saj drejtë NATO-së dhe Brukselit. E shqiptarët u mbetet pritja, u mbetet të durojnë dajakun e "Komitëve" që të arrijë dita kur do shohin se kush vuan nga verbëria: ata që thonë se është keq e më keq, apo ata që vlerësojnë se kësaj rruge arrihet deri te e mira Ajo që është e qartë që tani, ka të bëjë me atë se shqiptarët e këtushëm nuk u besojnë kryesuesve të PDSH-së as atëherë kur ata thonë se namazi i xhumasë falet të premten. E lidhur me deklaratat e Ali Ahmetit se çdo gjë është në rregull, shqiptarët e Maqedonisë gjithnjë e më shpesh e pyesin veten: vallë ai sheh diçka që është a padukshme për ne, apo dinë diçka që e fsheh nga ne.
Kur jemi të PDSH-ja, deputet e kësaj partie këto ditë e braktisën parlamentin republikan. Dhe kjo parti – si edhe gjitha të tjerat – këtë veprim demokratik e ka përdorur sa herë që ka qenë në opozitë. Mbase shkaku se ajo ka koncept veprimi vetëm për të qeverisur, apo ngaqë larg grazhdit të pushtetit asaj i ringjallet nervi kombëtarë. Si do që të jetë, mbetet e çuditshme pse kryesuesve të saj nuk u është kujtuar edhe veprimi i vetëm që u ka mbetur i paprovuar për të dëshmuar se janë partia më shqiptare në Maqedoni: në shenjë revolte për padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve të këtushëm, ta braktisin shtetin dhe të veprojnë ilegalisht nga Tirana e Prishtina. Me çka do e kishin më pranë kryetarin e tyre shpirtëror, e shqiptarët e këtushëm ndoshta do i merrte malli për këtë parti, e cila, si gjitha partitë tjera shqiptare, kur është në pushtet, Maqedoninë e sheh si parajsë për shqiptarët, e posa mbetet në opozitë, shtetin e përjeton si ferr e kryeministrin Gruevski – dikur të ngritur në qiell nga Arbër Xhaferi – e ndjenë njësoj siç e ndjejnë çeçenët Putinin.
Sa u përket thirrjeve të shqiptarëve të këtushëm drejtuar Tiranës zyrtare, që ajo të bëjë të mundshmen që ta lehtësojë betejën e tyre me institucionet shtetërore, të cilat në pjesë të madhe janë edhe antishqiptare, kjo thirrje i ngjanë trokitjes në derën e të shurdhrit. Më në fund, krerët e Shqipërisë nuk janë si ata të Bullgarisë, të cilët për një shtetase të tyre të burgosur, e çuan në këmbë tërë Maqedoninë. Mbase presidenti Topi me flokët e lyera me xhel, as që e dinë sa të burgosur politik shqiptarë ka në Maqedoni e Serbi, e jo më të reagojë si kolegu i tij Bullgarë, i cili e detyroi presidentin e maqedonasve Gjorgjinë që ngutshëm të mendojë për lirimin e bullgares së burgosur. Apo thënë ndryshe, politikanët e Tiranës janë aq "properëndimorë e aq paqedashës", sa nuk duan që topi i tyre të njolloset nga lojërat politike ballkanase. Ata kanë drejtuar shikimin drejtë së ardhmes së ndritshme, andaj ai u është mjegulluar nga shkëlqimi i saj dhe i pengon të shohin se çka është duke ndodhur sot me shqiptarët jashtë kufijve të Kosovës e Shqipërisë. Kështu që, kotë e ke të thërrasësh Tiranën zyrtare në ndihmë: ajo ende e jeton shurdhërinë e shkaktuar nga inferioriteti politikë përballë fqinjëve të vet. Kështu që nuk është e çuditshme pse huliganët maqedonas aq lirshëm hyjnë nëpër shtëpitë dhe oborret e shqiptarëve për t’i rrahur fëmijët e gratë e tyre. Ata mbase e kanë kuptuar se sa do që ata t’i rrahësh, do vijë ndonjëri që do i qetësoj e do i bindë se duhet ruajtur gjakftohtësia, të kërkojë nga ata të ofrojnë dëshmi se janë popull paqedashës, se deri ne vdekje do kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të Maqedonisë. T’i bindë se e ardhmja do jetë shumë më e mirë, duke mos u shpjeguar si ta mbijetojnë të sotmen, si t’ia dalin sot kur përballen me ata që hapur të dëshmojnë se mezi presin çast të volitshëm të ta djegin shtëpinë dhe të ta shfarosin familjen.