Back

Zgjedhjet e fundit parlamentare të këtij lloji në Maqedoni!?

Shkruan: Kim Mehmeti

Asgjë nuk e shpalos pozitën e shqiptarëve të Maqedonisë sa fushatat parazgjedhore, fushata kur qartë shihet se shqiptarët janë popull joinstitucional, se pushteti ndaj tyre nuk ka qëndrim të njëjtë si ndaj popullit maqedonas, se shqiptari, të cilin e keqtrajton policia apo ndonjë bashkëkombës i tij i mbështetur nga partia pushtetmbajtëse, nuk ka ku të ankohet. Thjesht, fushatat parazgjedhore në Maqedoni, kanë dëshmuar dhe dëshmojnë, se ky shtet organizon zgjedhje me standarde të dyfishta: me sadopak rend e qetësi në vendbanimet maqedonase dhe me kaos e parregullsi, të nxitura edhe nga disa institucione shtetërore, në vendbanimet shqiptare. Gjë që logjikisht ka vetëm dy shpjegime: ose qarqe të caktuara maqedonase, të ndihmuara nga vasalët e tyre shqiptarë, duan ta pengojnë demokratizimin e shoqërisë shqiptare në Maqedoni, ose mendojnë se kjo është mënyra e vetme se si ata t‘i mbajnë nën kontroll e t‘i përdorin si mbulesë për të gjitha dështimet e elitave të paafta të këtushme maqedonase. Dhe jo vetëm aq: mbase ky shtet nuk ka potencial ta kontrollojë tërë territorin e vet. Andaj, duke u përballur me pamundësinë të kontrollojë edhe vendbanimet shqiptare, ato i lë në duart e partisë shqiptare, që është pjesë e koalicionit qeveritar. Me çka, partia shqiptare në pushtet, ndihet sunduese e gjithëfuqishme e shoqërisë shqiptare, por edhe bëhet vasale e partisë pushtetmbajtëse maqedonase. Dhe kështu mbyllet rrethi i demokracisë dystandardëshe në baza etnike e Maqedonisë, të cilën e përbëjnë demokracia e mbrojtur nga institucionet shtetërore për popullin maqedonas, dhe demokracia e shqiptarëve, e lënë në duart e partisë shqiptare në pushtet. Pra, në Maqedoni gjallëron demokracia institucionale dhe ajo që ka trajtën e diktaturës demokratike njëpartiake.

 

Sido që të jetë, zgjedhjet e sivjetme të parakohshme parlamentare në Maqedoni, do mund të jenë edhe të fundit të këtij lloji dhe kështu të organizuara. Posaçërisht, nëse dhe më tej vazhdon institucionalizimi i demokracisë dystandardëshe në Maqedoni, e që mund ta çojë këtë shtet drejt zgjedhjeve të organizuara në të njëjtën ditë, por me dy komisione qendrore zgjedhore: atë të shqiptarëve dhe atë të maqedonasve. Gjë që do varet nga mençuria politike e shqiptarëve të këtushëm, nga ajo sa ata do e kuptojnë se janë humbësit më tragjikë nga kjo demokraci dystandardëshe në të njëjtin shtet. Apo edhe nga ajo sa janë lodhur nga trishtimi që atyre u sjellin zgjedhjet, sa ndihen të zhgënjyer nga një Maqedoni, e cila u ofron siguri dhe qetësi qytetarëve maqedonas, e nga ana tjetër, e stimulon dhe e nxit kriminalizimin e shoqërisë shqiptare në këtë shtet. Gjë që këto ditë mund të dëshmohet edhe nëpërmjet deklaratave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, lidhur me ekseset që ndodhin në vendbanimet shqiptare, e që rëndom këto deklarata përfundojnë me thënien se ministria "nuk di asgjë lidhur me ngjarjet" dhe se "janë ndërmarrë të gjitha masat të zbulohen keqbërësit". Deklarata të tilla u kanë hije institucioneve shtetërore, të cilat edhe pas atentatit mbi një lider të opozitës shqiptare, u sollën me mospërfillje dhe shpalosën një qëndrim përbuzës ndaj gjithë shqiptarëve të Maqedonisë. Ky qëndrim lindi pyetjen e logjikshme: nëse një lideri partie mund t‘i ndodhë atentat në mes të ditës, nëse atentatorët akuzohen për "prishje të rendit dhe sigurisë", atëherë ç‘mbrojtje institucionale mund të presë një shqiptar i rëndomtë? Dhe nëse një akt i tillë nuk i alarmon organet policore të Maqedonisë, atëherë sa ato do tronditeshin nga dhuna policore mbi ndonjë shqiptar të pafajshëm?

Sjelljet e organeve shtetërore që duhet t‘u ofrojnë siguri të gjithë qytetarëve, janë ato që mbështesin bindjen në opinionin e këtushëm shqiptar, se ata janë viktimë e ndonjë projekti të koordinuar kundër tyre. Se ata dikush i ka futur në spiralen e zënkave ndërpartiake, vetëm që të mos shihet se ka qarqe maqedonase, që nuk kanë hallin si Maqedonia të arrijë deri në NATO apo BE, por si të shpëtojnë nga ambiciet e natyrshme të shqiptarëve të këtushëm. Me çka Maqedonia lë përshtypjen e udhëtarit që ua ka lakmi largësive, sepse nuk di të shijojë atë që ka pranë. Pra, Maqedonia bëhet shtet ku shqiptarët u duartrokasin fishekzjarrëve partiake, duke harruar se ato nuk vlejnë gjë përballë rrezeve të diellit. Ndërkohë, thuajse askush nuk vëren se, për shkak të këtij vesi të nxitur te shqiptarët, ngadalë dhe bindshëm perëndon edhe dielli i Maqedonisë.

Por gjithsesi, duhet të jemi të drejtë dhe theksojmë se për situatën ku sot ndodhen shqiptarët e këtushëm, janë fajtore edhe vetë partitë shqiptare. Faji i tyre qëndron aty, sepse ende nuk e kanë kuptuar që të metat e rendit shoqëror të Maqedonisë, janë si ato të mallrave të fabrikuar me mangësi të dukshme, e që shiten me çmim të zbritur. Një nga këto mangësi të rendit shoqëror të Maqedonisë, është edhe ai, se ky shtet nuk arriti, që në ecje, të bëjë korrigjimin e disa zgjidhjeve kushtetuese, pa të cilat nuk mund të ketë të ardhme. Pra, Maqedonia nuk arriti të institucionalizojë realitetin e saj multietnik, por të kushtëzuar nga relacioni mes popujve numerikisht më të mëdha në një shtet të vogël, ai maqedono-shqiptar. Kështu që ajo u lejoi këtyre dy etnive të kenë partitë e tyre, të futen në fushatë zgjedhore, duke iu drejtuar popullit të vet, por duke ua mundësuar partive maqedonase të luftojnë për pushtet, e atyre shqiptare për të qenë "vasal" i qeveritarëve maqedonas. Apo, përderisa politikani maqedonas ka hapësirë të pakufizuar të jetë i zgjedhur në çdo post, për politikanin shqiptar ka kufij të caktuar të ngjitjes politike, që përfundon me pozitën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit. Dhe kjo ndikoi te shqiptarët e këtushëm, që edhe ata të shndërrohen në popull që "zëvendëson" pronarin e vërtetë të shtëpisë, ndikoi që shqiptarit të këtushëm t‘i takojë demokraci e kufizuar, që shqiptarët e këtushëm të kenë çelësin e dhomës së tyre etnike, por jo edhe të derës hyrëse të godinës shtetërore.

Si shoqëri që luhatet mes demokracisë klasike dhe asaj "badinteriane", Maqedonia ka nevojë të ngutshme për një "remont" të plotë kushtetues. Ai ose do e zgjidhë juridikisht se si edhe shqiptari i këtushëm do mund të bëhet kryetar i shtetit, i Parlamentit dhe Kryeministër, ose do i detyrojë shqiptarët që ata vetë të dëshmojnë se si dilet nga roli i "vasalit". Në botë ka plot modele që kanë rregulluar dilemën kur kryetari i shtetit është i një etnie, Kryeministri apo kryetari i Parlamentit të jetë i etnitetit tjetër. Andaj, Maqedonisë i mbetet ta zgjedhë atë më të pranueshmen për realitetin e saj multietnik, por që qëndron mbi themelet maqedono-shqiptare.

Maqedonia është shtet i "prodhuar" me mangësi të mëdha, mangësi që ngadalë e çojnë drejt vetëzhdukjes. Pastaj Maqedonia është shtet që praktikon demokraci "badinteriane", por e lënë në duart e logjikës "gruevskiane". Kjo logjikë ushqehet me besimin se mund të nënshkruash cilëndo marrëveshje me shqiptarët, e të mos jesh i obliguar ato t‘i zbatosh. Kjo është mendësi neosocialiste, e mbindërtuar mbi themelet e logjikës së dikurshme sllavo-komuniste, se ligji është për ta gënjyer qytetarin, e jo për ta zbatuar. Duke qenë e tillë, në vend që ta mbindërtonte Marrëveshjen e Ohrit me zgjidhje të tjera kushtetuese – si për shembull qarkullimit etnik të kryesuesve të lartë të shtetit – Maqedonia e Gruevskit bëri të kundërtën: thuajse i asgjësoi edhe ato pak të arrira të dala sipas kësaj marrëveshjeje. Kuptohet, atë e bëri e ndihmuar nga vasalët shqiptarë dhe duke besuar se kështu do ua marrë hakun shqiptarëve vitin 2001. Pra, duke besuar se konfliktin e atij viti do e shpallë si të pavlefshëm për historinë e tyre. E në të vërtetë, e arriti të kundërtën: e solli Maqedoninë në prag të rrezikut, që ka vetëm të kaluar, por jo të ardhme. E solli Maqedoninë para rrezikut të barabartë me atë të 2001-it: të bëhet pjesë e historisë, por pa ndonjë domethënie të veçantë për fatin e shqiptarisë. Për vitin 2001, sigurisht që do ketë kaptinë të veçantë në historinë mbarëshqiptare. Nëse për hiçgjë tjetër, atëherë sa për të shpjeguar se cili ka qenë dallimi mes atyre që ecën ndershëm rrugën e misionit atdhetar dhe vasalëve të VMRO-DPMNE-së, që bënë çmos për ta njollosur këtë pjesë të historisë së shqiptarëve të Maqedonisë.