Back

Zgjedhjet të parakohshme në shtet të vonuar

Shkruan: Kim MEHMETI

Edhe pse në shumicën e rasteve atë e përbëjnë burrat, qeveria ka emër të gjinisë femërore. Andaj, edhe të gjitha qeveritë kanë shumë tipare të zonjës, u ngjajnë femrave që duhet t‘i lavdërosh edhe atëherë kur janë gjysmake, edhe kur ecin rrugës me takat e larta, thuajse të dy këmbët i kanë të majta. Siç është qeveria e aktuale e Maqedonisë, e cila e udhëheq shtetin me shtatë ministra në dorëheqje dhe me një Kryeministër, i cili do e harxhojë mandatin, e nuk do e kuptojë se, që ditën kur doli në krye të shtetit – e jo tani kur i janë përgjysmuar ministrat – ishte kryesues i një qeverie gjysmake, pa legjitimitetin e shqiptarëve. Pra, një qeveri që kishte vetëm legjitimitetin e etnitetit maqedonas, dhe si e tillë, dëshmoi se Maqedonia, si shtet i llojit të veçantë, mund të qeveriset nga çdokush. Apo se në Maqedoni nuk vlen thënia se ‘çdo popull ka qeverinë që meriton‘, por se ‘çdo qeveri që nuk e respekton vullnetin e popullit, i ngjan kalorësit që ka kalë, por jo edhe këmbë‘.

Duke qenë i ngjashëm me kalorësin pa këmbë, Kryeministri aktual i Maqedonisë, prej moti përpëlitet në shtratin e të pamundshmes: të konsolidojë qeverinë e përbërë nga djathtistë, majtistë të skajshëm dhe ministra shqiptarë, që përfaqësojnë familjarët e tyre e jo popullin. Si dhe të ndërtojë sa më shumë kisha dhe kryqe që do dëshmojnë se çdo gjë në këtë shtet është sllave dhe ortodokse. Dhe kështu i humbi thuajse dy vjet, e ngatërroi shekullin e nëntëmbëdhjetë me atë të sotmin. Të vetmin rezultat që arriti, është acarimi i marrëdhënieve ndëretnike, si dhe provokimi i shqiptarëve me vendime e veprime nga më absurdet për një shtet shumetnik. Padyshim, me këtë arriti të jetë i pëlqyer nga ata pjesëtarët e popullit të vet, që ende qëndrojnë përpara pasqyrës duke pritur që ajo t‘u tregojë se vallë më shumë u ngjajnë sllavëve të jugut apo nipërve të Aleksandrit të Madh. Pra, arriti ta shtojë popullaritetin e vet tek etniteti maqedonas, duke e ushqyer atë popullaritet me diçka helmuese për marrëdhëniet ndëretnike: me qëndrimin e tij antishqiptar dhe me mohimin e vullnetit shumicë politike të shqiptarëve të këtushëm.

Padyshim që Gruevski arriti edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme për të, e tragjike për shtetin: ngadalësoi realizimin e Marrëveshjes së Ohrit (apo mbase atë e varrosi) dhe kështu ia harxhoi shtetit dy vite të tëra, duke u marrë me kotësinë e mosmarrëveshjeve, për të cilat ishte arritur marrëveshje në Ohër qysh në vitin 2001. Gjë që nuk e bëri pa qëllim, por me parallogaritje të gabuara. Pra, gjë që kishte për qëllim të ngadalësojë realizimin e të drejtave të shqiptarëve dhe të avancojë etnitetin maqedonas, e që rezultoi krejt ndryshe: i bindi shqiptarët e këtushëm se në këtë shtet çdo gjë ndryshon e ec përpara, përpos mendësisë antishqiptare të kryesuesve të VMRO-DPMNE-së. Pra, i bindi shqiptarët se në shtetin ku jetojnë, ata edhe mund të bëhen qeveritarë, por nuk u jepet e drejta të artikulojnë vullnetin e tyre politik dhe vetë të përcaktojnë se kush do e udhëheqë shtetin në emër të tyre. Me çka, si kurrë më parë, shqiptarët e këtushëm, u përballën me pyetjet se cili gabim i tyre i la aty ku ndodhen sot: t‘i ngjajnë "lypsarit", i cili e mbush thesin me lëmoshën që ia jep pala politike e etnitetit maqedonas, apo të pyesin veten se si është e mundur që Kryeministri i një shteti, të cilit mund t‘ia rrënojnë themelet edhe banorët e një fshati të banuar me shqiptarë, të sillet ndaj kësaj popullate thuajse si perandor i Romës. Të përballur me këto absurde, shqiptarët e Maqedonisë mbase do arrijnë deri te dy përgjigje: njëra do ua kumtojë paaftësinë e tyre të marrin në dorë fatin e vet, e tjetra që do ua ndriçojë të vërtetën se është e rëndë të ndërtohet një shtëpi e përbashkët me atë që nuk të do.

Duke qenë Kryeministër i një qeverie të vonuar, Gruevskit tani objektivisht edhe nuk i mbetet zgjidhje tjetër, përpos të bëjë atë për çka flitet kohëve të fundit në Maqedoni – të shpallë zgjedhje të parakohshme. E të cilat do mund ta nxirrnin Maqedoninë nga kjo rrugë pa dalje ku e çoi Kryeministri aktual i shtetit. Kryeministër, i cili ia veshi Maqedonisë shenjën e shtetit të jashtëkohshëm, shtetit të vonuar që i ngjan kalasë, kala që çdo katër vjet ndërtohet nga e para. E bëri të shihet më qartë se themelet e këtij shteti janë të mbushura me beton, që i mungon armatura e vullnetit politik të shqiptarëve të këtushëm. Të shihet më qartë se ndërtuesit e këtij shteti nuk duan të përballen me realitetin se Maqedonia mund të ketë ardhmëri vetëm nëse do arrihet baraspeshë mes ambicieve kolektive të etnitetit maqedonas dhe atij shqiptar.

Kur bëhet fjalë për zgjedhjet e mundshme të parakohshme në Maqedoni, të gjitha parashikimet thonë se në bllokun etnik maqedonas ato do t‘i fitojë VMRO-DPMNE-ja, e në atë shqiptar BDI-ja. Pra, do ndodhë e njëjta si edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006, por tani me përqindje edhe më bindëse se atëherë. Gjë që do i mundësojë Gruevskit të korrigjojë gabimin e bërë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, por mbase me asgjë nuk do mundë të plotësojë dy vitet e humbura për Maqedoninë, humbje që vetëm sforcon bindjen se e kotë është të mendojë për të ardhmen e vet shteti që i ngjan rrëfimit për atë prostitutën: Kur e kanë pyetur atë se pse nuk lind një fëmijë me ndonjë klient të saj, të bukur e të mençur, ajo është përgjigjur: Është e pamundur ta bëj këtë, sepse posa njëri e ngjiz fëmijën, vjen tjetri dhe e prish.

E kështu, prish e ndreq e ndreq e prish, Maqedonia mbeti thuajse aty ku ishte edhe në vitin kur e shpalli pavarësinë e saj. Ajo sot është më e begatë vetëm me kisha dhe kryqe. Ajo sot ka edhe më shumë parti sesa në fillim të dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Më shumë parti sot kanë edhe shqiptarët e këtushëm. Dhe thuajse të gjitha ato – përpos BDI-së – i vendosën emblemat partiake mbi të kuqen e të zezën kombëtare, e shpallën veten për fole të shqiponjës dykrenore, a në të vërtetë, disa nga ato dolën se janë fole ku bëjnë vezë qyqet. Sepse në krye të tyre dolën udhëheqës, të cilët "shokohen" lehtë kur thua ndonjë fjalë kritike për ta, por janë të pandjeshëm kur policia vret shqiptarët, fare nuk u bën përshtypje kur të rinjtë e pashpresë braktisin Atdheun dhe kur Gruevski sjell vendim që, mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezës të ndërtojë kishë ortodokse. Pra, as që arrijnë të mbrojnë të sotmen e shqiptarëve të këtushëm, e jo më të presësh nga ata të mbrojnë të kaluarën e tyre, siç janë xhamitë e rrënuara gjatë dekadave të kaluara dhe kishat shqiptare që i ndërtuan mjeshtrit e Rekës së Epërme, e që sot i ka shpallur si të vetat Kisha Ortodokse Maqedonase.

Zgjedhjet e mundshme të parakohshme, shqiptarët e Maqedonisë do i presin me udhëheqësit partiakë të PDSH-së të "shokuar" nga shumëçka dhe me Ali Ahmetin e sigurt se shumica e shqiptarëve të këtushëm ende i beson dhe i qëndron mbrapa. Pranë këtyre dy partive qëndrojnë edhe dhjetëra të tjera, që kanë flamur dhe bajraktarë, por pak kush u shkon mbrapa. Si edhe ajo e sapoformuara, BDSH-ja e Bardhyl Mahmutit, i cili si kryesues i saj, mbase do duhet të bëjë çmos të shpëlajë një mëkat që bëri ndaj shqiptarëve të Maqedonisë: E ndihmoi PDSH-në të ringjallej në kohë kur thuajse asnjë shqiptari të këtushëm nuk i nevojitej dëshmi plotësuese për urtësinë që e kishte kuptuar prej moti, e që kishte të bëjë më kryesuesit e kësaj partie – i dehuri nga pija dëmton vetveten dhe dikur kthjellohet, por i dehuri për pushtet merr në qafë popullin.

Pra, sa i përket kampit politik shqiptar, zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, për të cilat hapur flitet kohëve të fundit, e qetë mund t‘i presë vetëm BDI-ja. Por të shqetësuar duhet të jenë të gjithë shqiptarët e këtushëm. Në mos më shumë, për shkak se të gjitha partitë e tjera shqiptare do mbështeten mbi shkathtësinë e numëruesve, e jo mbi disponimin e votuesve. Që do të thotë, se shqiptarët e këtushëm do mund të përballen me grindje ndërpartiake edhe më të ashpra se ato në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006. Me çka, edhe një herë do shihet qartë se shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë nevojë vetëm për sundues të ndershëm, por edhe për mësues të guximshëm, të cilët hapur do u tregojnë se dikush atyre qëllimisht ua ka ngatërruar sistemin vlerësues dhe i çon t‘u përkulen trimave avdallë e politikanëve të pafytyrë. Por edhe të mos e kuptojnë se, aty ku luanët mbahen në kafaz, macet e shpallin veten mbret.

(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)