Back

Zgjidhje e përkohshme për frustracionin afatgjatë

Shkruan: Kim MEHMETI

Nëse politikanët kryesisht e përcaktojnë rendin e një shoqërie, nëse dijetarët i lartësojnë dhe i afirmojnë vlerat morale dhe ato njerëzore, atëherë është e pritshme që skamnorët dhe hallexhinjtë të jenë ata që më së shumti i besojnë politikës, të bindur se janë mbrojtës të moralit dhe të njerëzores, e duke mos e vërejtur se nuk kanë kushte për ta bërë këtë. Dhe, sa më e varfër është një shoqëri, aq më shumë rritet fanatizmi partiak, dhe sa më i paktë është numri i atyre që mbrojnë vlerat dhe moralin njerëzor, aq më të fortë e më të papërgjegjshëm bëhen politikanët. Kështu që në shoqëritë ku forca partiake është proporcionale me mjerimin e popullit, nuk janë aq të rrezikshëm politikanët e papërgjegjshëm, por ata që u besojnë atyre. Dhe, në shoqëritë e tilla rrënohen institucionet, në ato shoqëri institucionet shërbejnë për t’i mbuluar të metat shoqërore si dhe individët e pamoralshëm e të papërgjegjshëm, e jo për t’i mbrojtur standardet dhe vlerat e një shoqërie. 

Shoqërinë e shqiptarëve të Maqedonisë kryesisht e dominojnë gjeneratat e reja, pra vrulli dhe energjia që ka nevojë të realizohet tani dhe sa më shpejt. Pra, atë e  përbëjnë dhe asaj ia japin shenjën njohëse të rinjtë e papunë e të pashpresë, të cilët duke mos pasur rrugëdalje tjetër, në të shpeshtën e rasteve energjinë dhe mençurinë e vet ua ofrojnë partive të këtushme, me shpresë se aktiviteti partiak do t’u mundësojë të jetojnë të lumtur dhe ashtu siç kanë ëndërruar e siç u është premtuar. Duke e ditur se rinia është ajo forcë që lartëson dhe rrënon një rend shoqëror, duke e ditur sa është e madhe përqindja e shqiptarëve të papunë, duke e ditur sa e etur është ajo rini për atë që i ishte e ndaluar deri dje – shkollimi i lartë në gjuhën amtare,  për ta heshtur pakënaqësinë e saj, asaj rinie Maqedonia i ofroi diçka tërheqëse, e që në shikim të parë duket zgjidhje shumë e mirë, por e shikuar në thellësi dhe në periudhë më afatgjate, ajo mund të sjellë telashe të reja: marrjen e diplomave të shkollimit të lartë pa kriter e pa standarde, thuajse vetëm nëse e plotëson një kusht – nëse ke durim të përcjellësh ligjëratat gjatë tre vjetëve dhe jo rrallëherë edhe varësisht nga ajo sa je aktiv në radhët e partisë shqiptare në pushtet. Kështu, kohëve të fundit u ofrohet edhe moshave më madhore nëpërmjet programeve të ngutshme dhe të reduktuara mësimore. Pra, edhe atyre të cilët, duke i njohur aftësitë dhe afinitetet e veta, janë përcaktuar për profesione që nuk kanë nevojë për diplomat e arsimimit të lartë.

Të merremi vesh: arsimimi është boshti kurrizor i një populli dhe nëse dikujt i nevojitet arsimim superior masiv dhe sa më i ngutshëm, ata janë shqiptarët e Maqedonisë. Gjithashtu, duhet të jetë e qartë se më e vlefshmja që e realizuan shqiptarët e këtushëm gjatë dy dekadave të fundit, është themelimi dhe legalizimi i universiteteve në gjuhën shqipe në Maqedoni. Vlerë e cila tani mbindërtohet me shpërndarjen e fakulteteve të këtyre universiteteve nëpër të gjitha mjediset ku jetojnë shqiptarët. Por, gjithashtu, duhet të merremi vesh e të themi hapur se kur sfera e arsimimit bëhet pjesë e lojërave politike, se atëherë kur fakultetet bëhen qendra ku grumbullohen të papunët e jo ata që duan të shkollohen, nga kjo dukuri ka vetëm një të mirë: në vend se nëpër çajtore, të papunët e rinj i harxhojnë vitet më të vlefshme të jetës nëpër mësonjëtoret e fakulteteve, me çka frustrimin e sotëm e grumbullojnë në vetvete për ta shfryrë pas ndonjë viti. Aq më shumë, kjo dukuri ka edhe një të keqe të padukshme, por që një ditë mund të zhvlerësojë shumëçka: të zhvlerësojë arsimimi superior, të krijojë situatën që populli të ketë shumë të arsimuar, e pak të ditur.

Pra, partitë pushtetmbajtëse në Maqedoni, duke u frikësuar nga numri i madh i të rinjve të papunë, atyre u ofruan mundësinë alternative si t’i harxhojnë vitet dhe i drejtuan nëpër fakultete që u bënë aq të shpeshta sa edhe vetëshërbimet, e ku ngandonjëherë vlejnë edhe të njëjtat rregulla: diploma që mund ta marrësh varet nga thellësia e xhepit, e jo nga kapaciteti i trurit. Ku ta dish, mbase edhe nuk duhet pritur asgjë më shumë nga një shtet si Maqedonia ku nuk prodhohet thuajse asgjë, shtet që u formua pas shpërbërjes së federatës jugosllave, duke mos e ditur se ç’është shteti. Pra, ndoshta nuk duhet pritur asgjë më shumë nga një Maqedoni që e jeton fazën shtetërore, kur gjithçka i është përkushtuar fshehjes së realitetit të zymtë, që jeton fazën kur çdo gjë është në funksion që politikanët ta kenë sa më mirë përderisa u janë përkushtuar përfitimeve materiale personale.
Por, sa i përket rinisë së papunë shqiptare në Maqedoni, ka diçka që e dëshmon si më të vetëdijshme e më të pjekur se politikanët që e përfaqësojnë këtë popull. Pra, ka diçka që rinia shqiptare mbase e di se në një shoqëri ku asgjë nuk prodhohet, të kota janë të gjitha diplomat, se në një shtet ku të gjithë të shkolluarit mbajnë kokën të kthyer nga administrata shtetërore, kurrë nuk mund të bëhesh profesionist që ke ëndërruar, se shkollimi i paplanifikuar dhe i pambështetur mbi nevojat reale të një shoqërie, se arsimimi stihik, vetëm e hesht frustrimin rinor të sotëm, që ai të shprehet edhe më i fortë në të ardhmen. Duke qenë e tillë, rinia shqiptare me të drejtë mundohet të jetë më aktive, por duke bërë një gabim që shqiptarët e këtushëm e përsërisin vite me radhë: sa herë që dëshpërohen nga një elitë partiake, ata kërkojnë formimin e ndonjë partie të re me në krye me udhëheqës të paharxhuar. E, në të vërtetë, shqiptarëve të Maqedonisë nuk u mungojnë parti, ata nuk kanë nevojë për subjekte të reja politike, por atyre u mungojnë institucione, ku profesionistë të mirëfilltë dhe të pandikuar nga partitë politike, do të hartojnë plane dhe projekte konkrete për të ardhmen e shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Pra, rinia e sotme shqiptare, në vend që të kërkojë atë që ka të bëjë me fatin e saj – si për shembull pastrimin e institucioneve arsimore nga njerëzit që prodhojnë të paditur – ata vazhdojnë të vetëgënjehen se çdo gjë u varet nga partia e munguar politike dhe nga liderët e rinj që do të vepronin ndryshe nga këta të sotmit. Me këtë bien në kurthin e atyre që kanë kultivuar vetëdijen se aktiviteti politik është gjithçka, se politika është e vetmja që të mundëson të bësh diçka për vetveten e për të tjerët, se çdo gjë duhet lënë në duart e politikanëve. Dhe, duke menduar kështu, shqiptarët e Maqedonisë ua lan në duar politikanëve arsimimin, kulturën, religjionet…., që më në fund çdo gjë të përfundojë me institucione që shërbejnë edhe për ta mbuluar vetveten edhe disa nga ata që shkelën mbi njerëz për të ardhur në pozitat ku janë, e të cilëve, po ua hoqe mbështetjen partiake, nga ata mbetet vetëm një njeri që beson se pozita dhe diploma e përcaktojnë diturinë, e jo dituria pozitën dhe diplomën, nga ata mbetet një mjeran që beson se moralin dhe njerëzoren e përcakton pozita në të cilën ndodhesh, e jo e kundërta.