Back

Kim Mehmeti: Shqiptarët e Maqedonisë u mposhtën nga ata të cilët i votuan

Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti, ka publikuar vepra zhanresh të ndryshme si romane, tregime, ese e publicistikë, ndërkohë një pjesë e veprës i është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Ai jeton dhe vepron në Maqedoni, ndërsa kohëve të fundit është shndërruar në një nismëtar i shumë iniciativave qytetare, pra njëri nga zërat më kritik ndaj veprimeve të klasës politike në Maqedoni. Në një intervistë ekskluzive për Gazeta e Re, Kim Mehmeti flet për pozitën aktuale të shqiptarëve në Maqedoni, efektet e Marrëveshjes së Ohrit, problemet dhe sfidat e shqiptarëve atje, interesimin e Kosovës dhe Shqipërisë ndaj çështjeve shqiptare në Maqedoni, e po ashtu edhe për qasjen e Shkupit zyrtar karshi shqiptarëve të Maqedonisë.

Mes tjerash Mehmeti thotë, ‘Marrëveshja e Ohrit ishte shpresa e madhe që kishte kuptimin se edhe shqiptarët e Maqedonisë më në fund do të bëheshin pronarë të shtetit po aq sa edhe maqedonasit’ mirëpo thotë ai ‘ndodhi e papritura: kjo Marrëveshje morri trajtën e një mashtrimi të madh”.

GeR: z. Mehmeti, pas gjithë peripecive prej Marrëveshjes së Ohrit, të ndodhura në dhe për Maqedoninë, ku ndodhet sot shqiptari i Maqedonisë?

Mehmeti: Marrëveshja e Ohrit ishte shpresa e madhe që kishte kuptimin se edhe shqiptarët e Maqedonisë më në fund do bëheshin pronarë të shtetit po aq sa edhe maqedonasit. Por ndodhi e papritura: Kjo Marrëveshje morri trajtën e një mashtrimi të madh dhe në vend që ta konsolidonte shtetin, në vend që t’u jepte fund mosmarrëveshjeve ndëretnike, ajo u shërbeu si mbulesë përfaqësuesve të kriminalizuar shqiptarë, të cilët në të vërtet edhe kurrë nuk u morën me realizim e kësaj Marrëveshje, por me bërjen tregti me interesat shqiptare. Dhe ata nxorën në shitje më të vlefshmen që kishin shqiptarët e këtushëm – dinjitetin dhe interesat kombëtare, gjë që atyre u paguhej shtrenjtë dhe u mundësonte që për katër vite të kaluara nëpër poste të larta shtetërore, nga pabukësa, të bëhen milionerë. Andaj duhet thënë shqip e qartë: Marrëveshja e Ohrit thuajse nuk u solli gjë shqiptarëve të Maqedonisë, por u afroi shumë përfitime personale drejtuesve leninistë e injorantë të BDI-së, të cilët duke mos e nxjerr nga goja këtë Marrëveshje, vazhdonin ta partizonin, ta akulturonin dhe ta kriminalizonin shoqërinë e këtushme shqiptare, me çka atë e bënin më lehtë të kontrollueshme nga qarqet politike e policore maqedonas. Dhe e tërë kjo mundësonte që edhe më tej Maqedonia të mbetej në duart e sunduesve maqedonas, që kishin mbështetjen e vasalëve shqiptarë. Apo, e tëra kjo ua mundësonte qarqeve policore e politike maqedonase të vazhdonin të sundonin sipas parimit se vetëm shqiptari i korruptuar është i dobishëm për shtetin dhe se, sa më të ultë e ka politikani shqiptar moralin, aq më lartë atë duhet ngjitur në piramidën shtetëror. Me çka pra u institucionalizua vasalizmi shqiptarë ndaj sunduesit maqedonas dhe – sado që tingëllon e pabesueshme – BDI-ja i ktheu shqiptarët thuajse në kohën e Rankoviqit, në kohët kur shqiptari nuk e dinte se a e vret maqedonasi me dorën e shqiptarit, apo e kundërta. Dhe duke qenë kështu, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit e deri më sot, shqiptarët e këtushëm ‘fituan’ nga një proces të montuar policor e gjyqësor në vit, si ai i ‘Monstrës’ apo i Lagjes së Trimave në Kumanovë. Po, ata fituan edhe një klasë politikanësh kriminelë të kapur nga qarqet policore, e të cilët u treguan shumë e dobishme për sunduesit maqedonas, por tmerrësisht keqbërëse për popullin që përfaqësonte.

GeR: Na thoni cilat janë problemet dhe sfidat kryesore me të cilat përballen shqiptaret në Maqedoni?

Mehmeti: Shqiptarët e Maqedonisë tani janë të mposhtur nga ata të cilëve ky popull u besoi dhe i votoi – nga drejtuesit e BDI-së! Dhe kjo është mposhtja dhe përbuzja më e madhe që mund t’i ndodh një populli. Andaj ata tani duhet të rikthejnë atë që në mënyrë tinëzare ua morën  drejtuesit e BDI-së, edhe atë jo pse ky popull nuk dinë ta mbrojë të veten, po pse shqiptarëve të këtushëm as që u shkoi ndërmend se ‘çlirimtarët’ e porsa kthyer nga Zvicra, do bënin të pabesueshmen –  patriotizmin shqiptar do e masnin në peshoret e partive maqedonase dhe do i binin shqiptarët e këtushëm në situatën që janë sot: më shumë t’u besojnë politikanëve maqedonas, se sa atyre shqiptarë!? Pra shqiptarët e Maqedonisë sot duhet të rikthejnë atë që kurrë nuk mund të jetë pronë e partisë: dinjitetin, të drejtën e votës, vlerat kulturore, moralin e njollosur, institucionet arsimore që janë bërë degë partiake të BDI-së si edhe, çdo gjë tjetër që e legjitimon pjekurinë e një popull. Pra shqiptarët e Maqedonisë duhet të dëshmojnë se e kanë kuptuar se nga gjitha përbuzjet që mund t’i bëhen një populli, BDI-ja atyre ua bëri atë më poshtëruesen – i shpalli përfaqësues të popullit edhe individët të cilët nuk do i pranonte si përfaqësues të vet as shoqata e vejushave të ndonjë fshati.

GeR: Çështjet si përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, participimi i shqiptarëve në vendim-marrje brenda institucioneve shtetërore në Maqedoni, ndarja e barbarët e buxhetit, e të tjera çështje me rëndësi për shqiptarët  po vazhdojnë të jenë sfida që e kanë ndjekur raportin e politikë-bërësve shqiptarë karshi Shkupit zyrtar. Ku është fajtori i këtij mos progresi të shqiptarëve në Maqedoni në raport me plotësimin e të drejtave të tyre?

Mehmeti: Që nga konflikti i 2001 e këtej, shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë pasur probleme me palën maqedonase, por me përfaqësuesit e vet politik. Pra që nga pas nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët e Maqedonisë janë viktimë e krimit dhe injorancës politike të të zgjedhurve të vet, të cilëtedhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe e konsideronin si mall për të bërë tregti me sunduesin maqedonas dhe atë e kuptonin si mundësi që shitësi shqiptar i një shtëpie dhe blerësi po ashtu shqiptar i saj, të flasin shqip në zyrën e noterit shqiptar, ku do e nënshkruajnë kontratën për shitblerje në gjuhën maqedonase!? Dhe duke pasur përfaqësues të kësaj kategoria, edhe vetë shqiptarët e Maqedonisë  u shndërruan në ‘mall’ shumë fitimprurës për drejtuesit e BDI-së, mall të cilin ata ua shisnin qarqeve politike e policore maqedonase, me çka shqiptari i Maqedonisë jetonte si i ‘dysunduar’ dhe dy herë i taksuar: edhe nën mbikëqyrjen e vasalëve të  BDI-së edhe nën sundimin e regjimit maqedonas dhe, duke u paguar haraçin e ‘lirisë’ ‘çlirimtarëve’ të BDI-së si dhe atë të robërisë, sunduesit maqedonase.

GeR: Si do ta vlerësonit qasjen e Republikës së Kosovës ndaj pozicionit të shqiptarëve në Maqedoni karshi të gjitha atyre nevojave e problemeve me të cilat përballet shqiptari i Maqedonisë e që Kosova do të mund të bënte diçka?

Mehmeti: Do ishte naive nga shqiptarët e Maqedonisë sikur ata të prisnin ndihmë nga pushtetarët e Kosovës, nga ata të cilët vendin që drejtojnë e bënë thuajse të pabanueshëm për rininë e atjeshme shqiptare. Dhe ne shqiptarët e Maqedonisë do ngjanim si të pamendët sikur të prisnin ndihmë nga ata që të riun e burgosur e kthejnë në shtëpi në arkivol, nga ata që shqiptarët e këtushëm i shohin vetëm si urë mbi të cilën do kalojnë ‘maunat’ që do u sjellin atyre përfitime personale. Është e dhimbshme por e vërtetë: ne shqiptarët e Maqedonisë paguajnë çmim të lartë edhe pse pushtetarët e këtushëm maqedonas drejtë e kuptuan se “Shqipëritë” tona, janë të drejtuara nga hajdutokratë, se në botën shqiptare çdo gjë është e copëzuar, përpos krimit dhe hajdutërsië dhe se, shumica e burrështetasve shqiptarë, janë nga ajo racë, që e harron edhe origjinën e vet kur përballet me ngjyrën e euros dhe dollarit!

GeR: Po ashtu, si do ta vlerësonit qasjen e Republikës së Shqipërisë ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe nevojave që ata kanë?

Mehmeti: Ajo që thash më lartë për Prishtinën zyrtare, në mas të madhe vlen edhe për burrështetasit e Shqipërisë. Duke e shtuar edhe cirkun e përditshëm që e ofrojnë politikanët e atjeshëm, me çka shpesh herë, të çojnë të turpërohesh nga ata. Nuk u takojë atyre që presin nga Tirana zyrtare që ajo të na mbajë për dore si të ishim fëmijë të paaftë të ecin vetë, por dua që në mos më shumë, zyrtarët e atjeshëm ta kuptojnë se ne nuk jemi të interesuar as për një PS,  a për një PD të fortë, por për një Shqipëri të konsoliduar ku vlen ligji, se neve nuk na intereson gjithaq se vallë ‘doktori’ është një plakë që nuk e sundon vetveten, apo ‘piktori’ është artistë që e jeton ëndrrën e vetë të vonuar artistike, por ne duam një mëmëdhe ku institucionet shtetërore do i shërbejnë shqiptarisë, e jo nëntokës politike.

GeR: Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoni, shqiptarët i gjejnë të ndarë në disa lista zgjedhore. Çka do të thotë kjo për shqiptarët atje?

Mehmeti: Është e vërtet se shqiptarët e Maqedonisë, në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, do kenë më shumë lista zgjedhore dhe ndoshta edhe mundësinë të shpëtojnë nga kthetrat e BDI-së dhe PDSH-së, nga kthetrat e këtyre dy partive që dëshmuan se të keqen që ta bëjnë përfaqësuesit tu të kriminalizuar dhe të korruptuar, nuk mund të ta bëjë as armiku. Dhe si çdo gjë tjetër, edhe ky realitet politik prej shumë partive të reja opozitare, mund të shihet nga dy këndvështrime: edh si rrezik që të përçahet vota e tyre, por edhe si mundësi që njëherë e përgjithmonë të defaktorizohen BDI-ja e PDSH-ja, këto dy parti që e keqpërdorën votën shqiptare për ta përbuzur shqiptarin. Më në fund, e kaluara tregoi se nuk të vlen gjë forca partiake, po qe se atë e drejtojnë politikanë të papërgjegjshëm dhe të korruptueshëm.

GeR: Dhe për fund, para se të ju urojmë 28 nëntorin, Ditën e Flamurit, cili është mesazhi juaj drejtuar shqiptarëve në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri?

Mehmeti: Shqiptarët e kudondodhur kurrë nuk duhet të harrojnë se më e vjetër se Shqipëria e Kosova, është shqiptaria. Dhe se Shqipërinë e Kosovën, i lindi patriotizmi shqiptarë, ai patriotizëm që ushqehej me idealin për një komb, një gjuhë, një flamur dhe një shtet! Andaj kurrë nuk duhet lejuar që të venitet ky ideal, sepse kjo venitje e zbehë të menduarit dhe të vepruarit ‘shqip’! Dhe kur e them këtë unë nuk kam ndërmend nacionalizmin primitiv siç është ai i shkollave serb për lidhshmërinë e gjakut me tokën, por kam parasysh patriotizmin e njerëzishëm, që të bënë ta kuptosh se kur e ka keq shqiptari i Çamërisë, lëngon e tërë shqiptari dhe se kur e ka mirë shqiptari i Ulqinit, mirësia e  përshkon tërë shqiptarinë. Pra unë kam parasysh patriotizmin që të bënë ta duash tëndin, e ta respektosh të ‘huajin’, patriotizmin pa të cilin kurrë nuk mund ta njohësh përgjegjësin që ke ndaj të përbashkëtës kombëtare dhe asaj gjithënjerëzore./gazetaere.com/