Back

DITA E SHËNGJERGJIT

 Ndodhitë e çuditshme ia nisën në mes të dimrit, atë natë kur ia filloi të reshurit e borës, e cila për pak kohë i mbuloi rrugët dhe pullazet e shtëpive të fshatit. Gjatë tërë natës nuk u dëgjua asnjë lehje qensh e as vaji i fëmijëve. Në mëngjes, gjelat nuk kënduan si rëndom, thuajse kishin gabuar kohën apo kishin harruar këngën e tyre. Njerëzit frikësoheshin t’i frikësoheshin t’i çelin dyert e shtëpive dhe të dilnin në oborret e veta. Rrinin të shtrirë në shtrat duke mos kuptuar se ç’ishte duke ndodhur dhe cila ishte ajo forcë magjike e cila nuk u lejonte të afroheshin pranë dritareve dhe t’i shikonin fjollat e borës që binin pandërprerë dhe mbulonin fshatin. Më vonë u dëgjua një thirrje e mynxyrshme: “Dilni të shihni si kanë lulëzuar trëndafilat te oborri i xhamisë!” Kanë lulëzuar trëndafilat?! – mendova i trishtuar. U çova, vesha rrobat dhe u afrova pranë dritares. Kërcëlluan portat e larta nëpër oborret e shtëpive të fshatit dhe të gjithë u nisën nga xhamia. Të ardhurit para xhamisë, qëndronin si të shtangur: trëndafilat që rriteshin në oborrin e xhamisë kishin lulëzuar thuajse ishte pranverë e jo mesi i dimrit. Degët i kishin përplot me lule, pupla të paçelura dhe gjethe të gjelbërta. Në të vërtetë, edhe degët e tyre i kishte mbuluar bora e cila pandërprerë binte, mirëpo gjethet dhe trëndafilat e porsaçelur nuk ishin as fanitej as fantazmë e njerëzve të pavetëdijshëm. “Këto janë shenja me anë të cilave Zoti na dërgon ndonjë porosi e cila në vete bart ftohtësinë e borës dhe erën e luleve!” – belbëzonte një plakë pranë meje. Të gjithë dridheshim në oborrin e xhamisë dhe askush nuk kishte forcë apo guxim t’u afrohet trëndafilave të çelur nga të cilët erëmonte erë e këndshme. Vetëm magjistarja Fatkë u afrua dhe këputi një trëndafil të porsaçelur. I shtrydhi në dorë petalet e kuqe të trëndafilit dhe pas një kohe kur sërish e hapi shuplakën e dorës, gishtërinjtë i ishin skuqur nga gjaku që i pikonte nëpër duar. “Po, ky është gjaku që erëmon! Trëndafilat kurrë më nuk do të çelin në fshatin tonë!” – tha ajo duke shikuar fshatarët e habitur, të cilët ia nisën vajit. Kukama trishtuese u përhap anembanë fshatit. Por nuk përfundoi çdo gjë me aq. Thirrjet që u dëgjuan atje poshtë fshatit, buzë lumit, nuk u lanë kohë fshatarëve të mendonin për trëndafilat e çelur mes dimrit: të gjithë vrapuan kah lumi. Tmerri me të cilin u përballën atje i la të pagojë: valët e lumit ishin nxirë nga gjarpërinjtë e ngordhur të cilët i bartnin me vete dhe që rrokulliseshin në sipërfaqe të ujit sikur të ishin zorrë të rëndomta të mbushura me rërë. Uji bartte edhe plotë zhapinj me goja  të hapura, kërmij që ishin zhytur thellë në lëvozhgat e veta duke dashur ashtu t’i shpëtonin ngordhjes. Oh, Imzot, belbëzoja duke i shikuar ata pakurrizorë të ngordhur që kishin mbuluar lumin. “Mos harroni që këtë vit dita e Shëngjergjit do të na vijë pa gjelbërimin e përhershëm!” – bërtiti magjistarja Fatkë duke u zhytur në ujërat e lumit. Këmishën e bardhë e çoi deri në bel që mos t’i lagej. Fshatarët mëkot e thërrisnin që të kthehej, por ajo as që ua varte veshin thirrjeve të tyre. Kapi një gjarpër të ngordhur, e çoi lartë mbi kokë, ia nxori dhëmbët dhe ia ropi lëkurën me një shkathtësi të paparë. “E kam ditur edhe më parë se livadhet dhe arat tona do t’i mbuloj qelbësira e pakurrizorëve!” – murmuriste ajo duke ua rrjepur lëkurën edhe gjarpërinjve tjerë që i kapte dhe me lëkurën e të cilëve i mbushte xhepat e jelekut. Fshatarët e shtangur të cilët qëndronin buzë lumit as që kuptonin çka ishte duke ndodhur. Të gjithë ishin bërë rob të një frike rrëqethëse. Qëndronin në breg të lumit dhe dënesnin. Pas një kohe, magjistarja Fatkë doli nga lumi me plotë lëkura gjarpërinjsh të varura rreth qafës dhe nëpër duar. “Kthehuni nëpër shtëpitë tuaja! Kërkoni ndjesë prej njëri – tjetrit për gabimet dhe mëkatet e bëra, sepse për ne shumëçka ka marrë fund! Do duhet të fillojmë një jetë të re, të ndarë nga të bëmat në të kaluarën!” – u tha ajo fshatarëve të habitur dhe vet u nisë drejt fshatit. Fshatarët shikuan njëri-tjetrin, pastaj përqafuan shoqi-shoqin duke kërkuar ndjesë për gabimet dhe shamatat që kishin pasur në mes veti. Pastaj u drejtuan nga shtëpitë e veta duke qenë të bindur se kurrë më jeta e tyre nuk do të ketë rrjedhën e mëparshme, se në fshatin e tyre nuk do të dëgjohej për gjatë kohë qeshja gazmore e fëmijëve e as të rënit e daulles dhe zëri melankolik i zurnave që paralajmëronin fillimin e dasmave në vjeshtën e hershme.

 

            Parashikimet e magjistares Fatkë u realizuan: erdhi dita e Shëngjergjit, por shelgjet që rriteshin buzë lumit nuk kishin ndër mend të gjelbëronin si në pranverat e mëparshme. Ato ishin tharë njësoj si edhe gjithë drunjtë e tjerë. Siç ishte zakon në fshatin tonë natën që i paraprinte ditës së Shëngjergjit , gratë e fshatit shkuan te lumi, por atje nuk kishin me çka të thurnin kurora për t’ua varur viçave në qafë, që t’i stolisnin dyert e shtëpive dhe mutit në të cilët tundnin dhallin. Në vend të kullosës e luleve, livadhet, arat dhe kodrinat rreth fshatit i mbuloi një bimë e çuditshme që kishte formën e këpurdhave dhe e cila kundërmonte një erë të keqe si të kufomës së kalbur. Tërë fusha ishte e mbuluar me ato këpurdha të cilat kishin ngjyrë të kaltër në të kuqe dhe disa njolla të verdha. Të gjithëve na kaploi tmerri. Gratë që shkonin nga lumi, duke dashur të bëheshin gati për ditën e Shëngjergjit, ktheheshin prapë, duke vajtuar. Edhe burrat qanin, duke qëndruar ulur në pragjet e dyerve të shtëpive. Gruan time, Habinen  , mezi e dallova në grumbullin e grave në breg të lumit. Qëndronte ulur buzë lumit, dëneste në heshtje si edhe gjithë gratë tjera duke i mallkuar ato këpurdha që kishin mbirë në vend të kullosës dhe luleve pranverore. Asnjë pemë nuk kishte gjelbëruar. Vetëm bajamja te Kodrina e Polakut i kishte degët të mbushura me disa lule të kaltra në të kuqe, të ngjashme me ato të këpurdhave që mbulonin kudo hapësirën rreth fshatit. Nga degët e bajames pikonte një lëng i zi i cila posa binte në tokë avullohej dhe tretej në ajër. “Ja erdhi dita kur etjen do duhet ta shuajmë duke pirë shurrën tonë, ndërsa në vend të lotëve nëpër fytyra do të na rrokullisen pika gjaku!” – murmuriste magjistarja Fatkë, duke gërryer një gropë në oborrin e shtëpisë së vet e në të cilën i gropoi lëkurat dhe dhëmbët e gjarpërinjve dhe pasi i mbuloi me dhe filloi të belbëzoj diçka në formë të lutjes: “O Zot, ti që gjithmonë na ke pasur të parët për të na dënuar, a do të vijë ajo ditë kur do ta meritojmë mëshirën tënde dhe të qeshim, të gëzohemi, t[ lotojmë nga lumturia si gjithë të tjerët?!”

            Dita e Shëngjergjit kaloi si më zi: për asnjë çast nuk prajti kuja e grave, e as dënesja e fëmijëve të trembur nga ajo që ndodhte. Burrat e fshatit as që dolën rrugëve si ditëve tjera: dënesnin nëpër heshtje nëpër shtëpitë e veta dhe thuajse prisnin t’u arrinte ndonjë lajmë i lemerishëm. Aty nga mesdita, fshatin e mbuloi një mjegull e dendur.  Asgjë më nuk shihej, as zogjtë që krakëllinin të hutuar nga ai terr i papritur që mbuloi fshatin e as gratë që vajtonin. Fshatin e mbuluan thirrjet e atyre që kërkonin të gjenin njëri tjetrin. Prindërit e trishtuar çirreshin me të madhe duke i thirrur fëmijët e vet që kishin mbetur në rrugë apo jashtë fshatit ku kullosnin bagëtinë. Plakat shkulnin flokët duke lutur Zotin të shpëtonte fshatin nga ai terr trishtues. Askush nuk vërejti nga erdhi ajo mjegull, si u lëshua mbi fshat me atë dendësi si të ishte lëngë ngjitës. Aso mjegulle askush në fshat nuk kishte par: ishte aq e dendur dhe përplot lagështi sa njeriu nuk mund t’i shihte as duart e veta e lera më ç’ndodhte rreth tij. Më trishtuese ishte ajo se mjegulla u fut edhe nëpër shtëpitë e fshatit, nëpër ahuret ku pallnin lopët dhe bagëtia e shqetësuar. Llambat që i ndiznin me të shpejt fshatarët nëpër shtëpitë e veta as që mund të ndriçonin gjë. “Fryni të gjithë në drejtim të qiellit që të davarisim këtë mjegull!” – bërtiste Balani, i çmenduri i fshatit i cili thuajse ishte i vetmi që nuk i trembej asaj errësire trishtuese. “Ç’është duke ndodhur?!” – më pyeste gruaja ime e strukur pranë meje. Nuk dija çka t’i thosha. Pse të mos pranoj: edhe për mua e gjithë ajo që ndodhte ishte e pashpjegueshme. “Ndihmë, ndihmë…!” – u dëgjua një zë fëmije në oborrin e shtëpisë tonë. Pastaj u dëgjua një përplasje dhe ofkëllim rrëqethëse. Fëmija i cili pak më parë kërkonte ndihmë, si duket ra në pusin tonë të thellë i cili qëmoti qëndronte në mes të oborrit i pambuluar. “Ç’farë tmerri, oh Zot, pse na le pa dritë!?” – belbëzonte gruaja ime duke i dhënë gji vajzës sonë të lindur disa ditë më parë. Pas pak kohe u dëgjuan disa trokitje të rënda në portën tonë. “A të dal të shoh se kush troket?” – pyeta Habinen. “Të lutem, mos u largo! I frikësohem kësaj mjegulle!” – më tha duke më shtrënguar pran vetes. “Ti qëndro pranë fëmijëve dhe mos u brengos. Unë së shpejti do të kthehem. Nuk e kam vështirë të orientohem edhe nëpër këtë terr! Ti e di se e njoh çdo pëllëmbë të fshatit, se di t’i dalloj edhe shputat e padukshme ku kanë shkelur gjyshërit tanë!” – i thash dhe u nisa nga dera. As që u vura vesh fjalëve lut[se të saj që të mos largohesha. Posa dola në oborr më kaploi një trishtim rrëqethës. Më së tepërmi më trishtonin thirrjet që jehonin nga të gjitha anët e fshatit. “Njerëzit si ne nuk meritojnë asgjë përpos mjegullës së errët! Fryni të gjithë që të shpëtojmë nga kjo errësirë, o të mjerë!” – bërtiste pandërprerë budallai i fshatit, Balani zëri i të cilit ishte më i fortë se thirrjet tjera. Lartë në kodrinë jehonin thirrjet e fëmijëve të cilët terri i papritur i kishte zënë së bashku me bagëtinë. “O nënë, më shpëto!” – thirrnin fëmijët e mbetur rrugëve të fshatit. “Birë, djali i nënës, ku të kam!?” – dëgjoheshin britmat e grave që kërkonin pjellën e vet duke mos guxuar të dilnin jashtë shtëpive. Ecja drejtë portës. Më drudheshin këmbët nga trishtimi. “Ndihmë!” – belbëzoni dikush afër meje. E dija se i jam afruar pusit. “Më ndihmo sa nuk jam mbytur!” – jehoi nga thellësia e pusit zëri molisës i një fëmije. U drejtova nga pusi. Mora në thua në një gurë dhe u përplasa mbi një dru i cili u rrokullis dhe ra në pus. U dëgjua një përplasje e zhurmshme në thellësi të pusit dhe një “oh” e lehtë e fëmijës. “A më dëgjon?” A je ende gjallë!?” – pyesje si i shastisur fëmijën, i cili kishte rënë në pus. Nuk u dëgjua asnjë përgjigje e as ndonjë klithje që do të më dëshmonte se fëmija i dëgjonte thirrjet e mia. U çova në kë,bë i bindur se më nuk mund t’i ndihmoja fëmijës në pus dhe as mua mund të më ndihmonte njeri në ato çaste trishtuese. “Kthehu, të lutem mos më lër vetëm!” – dëgjoja thirrjet e gruas sime, por as që më shkonte mendja të kthehesha. Në të vërtet as që mundesha të bëja një gjë të tillë edhe sikur të doja, sepse nuk kisha orientim në cilin drejtim shkoja. “Njerëz, o ju budallenj më të mëdhenj të botës, mos bërtitni të gjithë njëzëri, por një nga një. Që të mundemi unë dhe Zoti t’ju dëgjojmë të gjithëve dhe të kuptojmë hallin që ju mundon!” – çirrej me tërë zërin që kishte budallai i fshatit, Balani. Pastaj u dëgjua një bubullimë pas të cilës të gjithë heshtën nga frika. Vetëm zogjtë krakëllinin me të madhe duke mos ditur nga të fluturonin.  Një burrë i lartë u n desh me mua kur dola në rrugë. “Kush je!?” – e pyeta duke e mbajtur për supesh. “Balani!” – m’u përgjigj ai që qëndronte përball meje. Ishte budallai i fshatit, Balani, i cili gjithmonë vraponte rrugëve të fshatit duke u ikur guralecëve të fëmijëve dhe talljeve të të rriturve. “Ku jeni fshehur tani, pse nuk më gjuani me gurë, o ju krimba të këqij me fryt njeriu! Keni frikë, a?! Nuk ua mba të dilni rrugëve të fshatit që të talleni me mua!{ – – bërtiti ai duke u larguar nga unë. “Balan, ndalu të të pyes diçka!” – thirra pas tij. “Vetëm unë e di çka do të ndodh pasi të largohet kjo mjegull e errët, e cila ua futi lepurin në bark të gjithëve!” “Më thuaj se çka do të ndodh, Balan?” – bërtisja duke vrapuar pas tij. “Do të kalben plepat e lartë dhe gratë e fshatit do të lindin fëmijë shurdhmemec! Në këtë fshat edhe gjatë kohë nuk do të qajnë foshnjat e porsalindura!” “Të djegtë rrufeja, t’u thaftë ajo gjuhë e mallkuar!” – u dëgjuan mallkimet e një gruaje drejtuar Balanit, i cili më bëhej se ecte diku afër meje, por nuk e shihja. Një qeni, të cilin nuk e pashë në terr, ia shkela bishtin. Më kafshoi në këmbë dhe u largua duke ulëritur dhe duke goditur me kokë murnajet e avllijave të larta. “Ejani na shpëtoni se do të na hanë ujqit!” – dëgjoheshin thirrjet trishtuese të fëmijëve lart nga kodrina, që gjendje mbi fshat. “Do t’ju hanë, posi! A mos menduat, vallë, se tërë jetën do të më gjuani me guralecë?!” – qeshej Balani tanimë diku larg meje. “Nënë moj, oj nënë…” – bërtiste një vajzë. “Ku të kam, moj bija e nënës?” – jehonte zëri i një gruaje diku në terr. “Këtu te kroi, moj nënë! Nuk e di nga cila anë të nisem!” “Qëndro aty, xhani i nënës! Mos u largo derisa të kalojë kjo mjegull e mallkuar!” “Balan, o Balan…, shko ma shpëto fëmiun!” – bërtisnin nënat e trembura për fatin e pjellës së vet. “Balan, o Balan!” – e thirrja edhe unë duke dashur që sërish t’i afrohesha. “Kot e keni, tani të gjithëve ju nevojitet Balani, të gjithë tani më kërkoni, ju frikacak të paturpshëm! Të gjithëve tani ju nevojitet Balani i çmendur të cilin nuk e frikon as mjegulla as terri!” – dëgjoja jehonën e z[rit të tij të largët. “Balan, Balannooooo …!” – thërrisnin pas tij thuajse të gjithë hallexhinjtë e fshatit. “Ha-ha-ha-ha-ha…!” – qeshej ai i kënaqur nga ato britma që kërkonin  ndihmë nga ai. “Ju tregova ç’të bëni o të mjerë, ju thash të fryni me sa fuqi që keni që të shpërndani këtë mjegull të dendur, e ju nuk më dëgjuat!” Ç’keni tani që kërkoni ndihmën time?!” – pyeste ai fshatarët që e thërrisnin nga të gjitha anët që t’u ndihmonte të gjenin rrugën apo t’ua shpëtonte fëmijët që kishin mbetur larg shtëpive të veta. “Balan, shko në mal dhe na i shpëto fëmijët!” – e lusnin gratë duke dënesur. “Fëmijët e juaj ti shpëtoj!? Ato krijesa të bezdisshme të cilat kurrë nuk më lan të qetë! Ha-ha-ha-ha…. Sa të mençur jeni ju çmendurakët e mjerë! Le t’i hanë ujqit fëmijët tuja që nuk i do askush dhe që i lindni çdo ditë nga një!” “Balan, o budalla mbi të gjithë budallenjtë, eja të të pyes diçka!” – e thërriste dikush afër meje. “Ha-ha-ha-ha …!” – jehonte nëpër fshat qeshja e zëshme e Balanit të çmendur, i cili qe disa vite jetonte në fshatin tonë dhe askush nuk e dinte nga kishte ardhur dhe ku e kalonte natën. Flitej se flinte te mezhda afër varrezave të fshatit i hipur mbi ndonjë lis të lartë ku i paloste degët në formë të shtratit. Disa pohonin se ushqehej me ushejza dhe gaforre të gjalla, të cilat i gjuante te lumi.

            Papritur filloi të frynte një erë e lehtë. Degët e larta të plepave filluan të luhaten. “Phu, si nuk ju vjen turp! Jeni mbyllur nëpër shtëpitë tuaja si lepuj të qethur!” – bërtiste Balani i hidhëruar. Era e lehtë erdhi si ndonjë përkëdhelje e dashur dhe që moti e pritur. Ajo largoi nga fshati mjegullën e errët. Dalëngadalë, mjegulla u largua dhe filluan të hijet e njerëzve të ulur skaj mureve duke mos ditur nga të shkonin. “Oh Zot, falë të qofshim që na shpëtove!” – bërtisnin gratë duke iu gëzuar dritës, e cila sërish filloi të mugëtojë. Rrugët e fshatit u mbushën me fëmijë të përlotur dhe të rritur, ndërsa dielli sërish lëshoi rrezet e veta mbi fshat si pakë më parë. Nënat i përqafonin fëmijët e vet. “Pse gëzoheni!? Mos vallë shpresoni se keni shpëtuar?!” – jehoi një thirrje drejtuar fshatarëve, të cilët përqafonin njëri-tjetrin të ngazëllyer. Të gjithë shikuan andej nga erdhi ai zë dhe panë Balanin e çmendur të hipur në majën e një plepi të lartë. Ishte ulur në një degë ku rrinte duke qeshur. “Zbrit o Balan, se do të rrëzohesh e do të bëhesh copë e grimë!” – e lutnin fshatarët të cilët u grumbulluan rreth plepit. “Ju jeni frikacakë! Ku ishit pak më parë të dilni jashtë! U futët në tulinat e grave nga frika! Ha-ha-ha-ha…!” – qeshte zëshëm duke shikuar ata që ishin mbledhur poshtë. “Llalla_llëllëllë…!” – e nxirrte gjuhën dhe i tallte ata që e shikonin. “Lëreni le të thyej qafën!” – tha magjistarja Fatkë duke u dhënë shenjë me dorë fshatarëve që të largoheshin. “Lëreni le të thyej qafën!” – e tallte Balani nga lartë duke e holluar zërin si të Fatkës. “Kam me ju pshurrë ju të gjithë pakurrizorëve! Ja, kështu…!” – dhe u çua në këmbë që të bënte shurrën mbi fshatarët. Papritur dega filloi të kërcëllinte dhe Balani u përplas në tokë, si ndonjë thes. Ata që ishin më afër vendit ku ra, iu afruan që t’i ndihmonin, mirëpo Balanit nuk i nevojitej ndihma – vdiq para se t’ia pastronin  gjakun që i rridhte nga hunda dhe goja. Nga xhepat e palltos së tij dolën disa gjarpërinj dhe zhapinj të cilët ai i kishte zënë duke shëtitur rrugëve të fshatit.

            Pullazet e shtëpive ishin të lagura si të kishte rënë shi. Zogjtë fluturonin në lartësitë qiellore thuajse pak më parë asgjë nuk kishte ndodhur. I shpejtova hapat drejt shtëpisë kur m’u kujtua fëmija që ra në pus. Posa u afrova pranë pusit vërejta dy duar të përgjakura, të cilat shtrëngonin rrethojën e pusit dhe mundoheshin të zvarrisnin trupin jashtë. U afrova dhe i preka ato duar të njoma. I ndihmova fëmijës të dalë nga pusi dhe u gëzova kur e nxora jashtë. Atë fëmijë kurrë më parë nuk e kisha parë në fshatin tonë. “I kujt je dhe si quhesh!!?” – e pyeta. Fytyrën e kishte të gërvishtur, dhe nga koka i rridhte gjak. “Nuk më njeh?!” – më pyeti ai me një zë të përvajshëm. “Jo!” – ia ktheva unë. “Me të vërtetë nuk më njeh!?” – më pyeti ai sërish, i habitur. U gjunjëzova para djaloshit dhe papritur ajo fytyrë e njollosur me pika gjaku m’u bë e njohur. “po, po…!” – fillova të belbëzoj duke përkëdhelur faqet e tij, në të vërtetë faqet e mia të dikurshme, faqet e mia që ishin në një kohë të kaluar kur mendoja se terri nga fshati ynë përgjithmonë është zhdukur. E mora në duar atë fëmijë dhe u drejtova nga lumi. Një dhembje e çuditshme më xëgiste në kraharor dhe nuk më linte të frymoja. “Do të ulemi pranë lumit dhe atje do të pushojmë!” – i thosha fëmijës duke i shpejtuar hapat. “Si të duash! E shoh se je shumë i lodhur!” – belbëzonte fëmija duke e afruar faqen e vet pranë simes. “Me të vërtet jam i lodhur, por s’kam ç’të bëj!” – murmurisja unë. U ula pranë lumit dhe as vetë nuk e di se kur më kishte kapluar gjumi. Më vonë erdhi edhe më zgjoi gruaja ime, Hazineja. “Eja në shtëpi! A nuk e sheh se kaloi dita!” U nisëm drejt shtëpisë. Shuplakat e duarve i kisha të njollosura me gjak. “Qenke gërvishtur!” – më tha Hazineja kur i vërejti njollat e gjakut nëpër trupin tim. “Po, këto janë gërvishtje të vjetra, qysh nga fëmijëria dhe varrë të cilat gjakojnë pandërprerë!” – i thashë dhe vazhduam ecjen drejt shtëpisë sonë duke heshtur.

            Kur erdhi nata, në rrugën që kalonte pranë shtëpisë sime u dëgjuan thirrje dhe një zhurmë shurdhuese. Dola  në oborr dhe ç’shihja; fshatarët kishin mbushur karrocat me rrangallat e shtëpisë dhe ishin drejtuar nga dalja e fshatit. Qanin fëmijët, vajtonin pleqtë e plakat, gratë i shkulnin flokët, pallnin lopët, dhentë blegëronin e qentë lehnin si të laritur. Oh Imzot, a janë çmendur të gjithë, pyesja veten. “Për ku jeni nisur?!” – pyeta një burrë që kaloi aty pranë meje duke e kapur për krahu. E tërhoqi dorën duke mos e kthyer kokën nga unë. “Njerëz, mos jeni çmendur?! Mos e braktisni fshatin! Sërish do të gjelbërojnë  arat dhe livadhet tona. Edhe shelgjet pranë lumit do të bulëzojnë si dikur! Mos i lini varret e të parëve t’i mbuloj kullosa!” Por, thuajse askush nuk më dëgjonte, askush nuk ua varte veshin britmave të mia. Shkuan, Imzot, shkuan të heshtur si në varrim, belbëzoja në vete dhe qëndroja si i shtangur. Dhe me të vërtet shkuan, e boshatisën fshatin: dënesja e fëmijëve dhe kuja e grave sa vinte e bëhej më e largët. Pas një kohe, në largësi dëgjohej vetëm një këngë e dhembshme të cilën e këndonin vajzat e fshatit tim. Edhe jehona e fyellit tingëllonte nga të gjitha anët e fshatit. “O zëre të dashura, a kurrë më nuk do të ju dëgjoj!?” – belbëzoja duke shëtitur rrugëve të fshatit. Hyja shtëpi në shtëpi duke shpresuar se ndonjëri ka mbetur, se nuk kanë ikur të gjithë, por askund nuk takova njeri të gjallë. Kohë pas kohe, vraponte ndonjë mace që mbante në gojë ndonjë copë mish të tharë, të cilën e kishin harruar pronarët e shtëpisë ta merrnin me vete. Para se të mugëtojë u nisa drejt shtëpisë sime. “Habine, të gjithë ikën! E braktisën fshatin!” – i thash gruas sime, e cila qëndronte ulur në shtrat dhe dëneste. Fëmijët flinin, Samali kishte përqafuar të vëllanë e sëmurë Galinin dhe e shtrëngonte fort në kraharorin e vet. Ymreja, e lindur para ca ditëve, vajza ime e dashur dhe me mall e pritur, lëvizte buzët dhe duart. “Të shkojmë edhe ne?!” – tha Habineja. “Ku!?” – e pyeta. “Atje ku njerëzit nuk kanë harruar të qeshin!” “Të nisemi, ndoshta do të kemi fat të arrijmë në ndonjë vend të tillë!” Nuk dija ç’të bëja. Dola në oborr. E mbulova pusin me një pllakë guri duke belbëzuar pandërprerë: “Do të kthehemi! Shumëherë kemi shkuar për t’u kthyer sërish këtu. Kurdo që të jetë e mundur do të kthehemi dhe do të pimë ujë aty ku kanë pirë të gjithë të parët tonë! Do të lulëzojnë sërish livadhet tona, sepse i