Back

“Shqipëritë” e Kim Mehmetit

I njohur si një njeri që nuk ka qime në gjuhë, Kim Mehmeti ka nisur të quajë Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë në një emër “Shqipëritë tona”, pasi që, sipas tij, problemet mbarëshqiptare janë probleme të cilisdo nga këto tri Shqipëritë.

Ai për popullin shqiptar mendon se është një popull që kurrë nuk është ledhatuar nga të tjerët, dhe pikërisht për këtë fakt, shqiptarët kanë harruar ta ledhatojnë edhe vetveten. Dhe tashmë, duke u bazuar në këtë, Kimi ka shpjeguar edhe se si shqiptarët filluan t’i gjasojnë një populli që nuk e çmon të gjallin e vlefshëm që ka pranë, por vetëm heroin e vdekur

Zëri: Shqipëritë tona. Ky është një emërtim i juaji për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Na bën të ndihemi më shqiptarë nëse rrumbullakohemi nën këtë emërtim?

Kim Mehmeti: Kjo duhet të na bëjë më të vetëdijshëm. Përkatësia etnike nuk është ndjesi, por mendësi e vetëtëdije për atë që je dhe asaj që i takon. E ne duhet të jetojmë me vetëdijen se edhe kur jetojmë në më shumë “shtëpi”, duhet të kemi synime të përbashkëta, duhet të keqen ta luftojmë së bashku dhe të mirën ta kremtojmë bashkërisht.

Pra, duhet të fillojmë të mendojmë “shqip”, që më lehtë të kuptojmë se problemet e cilësdo “Shqipërie” tonën, janë probleme mbarëshqiptare, se nga të arrirat e cilësdo “Shqipërie” tonë, përfiton shqiptaria. Ky është parakusht që t’i bashkojmë kokat, e që pastaj ta kemi më të qartë se si do ia bëjmë me tokat shqiptare. Ne nëse nuk fillojmë të mendojmë “shqip”, nuk do ia dalim të merremi vesh edhe kur e flasim të njëjtën gjuhë.

Zëri: Po këto tri Shqipëritë tona u shitën nga udhëheqësit, edhe ky një mendim i juaji. Por nëse shesin politikanët pse duhet të jetë kjo përgjumje popullore?

Kim Mehmeti: Nuk jam kundër shitjes së asaj që duhet shitur, por jam kundër mënyrës si shitet prona publike, e që tregon se si popull jemi të papërgjegjshëm ndaj saj, apo se na intereson vetëm ai oborri ynë, e lagjen e konsiderojmë si diçka që nuk na përket neve. Duhet ngadalë të mësohemi ndaj publikes, të jemi të përgjegjshëm po aq sa edhe ndaj “tonës”, sepse edhe ajo është e jona. Duhet të dalim nga mentaliteti se mjafton dikush të mos e prekë dhomën ku bëjmë gjumë, e sa i përket të përbashkëtës, me të pushteti të bëjë çka të dojë.

Nuk duhet të mbetemi peng i mentalitetit se frutat e mia janë vetëm ato që i vjel nga kopshti para shtëpisë sime, por të ndërtojmë vetëdije se askush s’mund të sillet ndaj parkut të qytetit thuajse ai i takon vetëm atij që është bërë i pari i “kasabës”. Këtë vetëdije tonë më së shumti e keqpërdorin elitat që sundojnë e të cilat nxjerrin në treg pronën publike duke e shitur atë me shpërfilljen e njëjtë me të cilën nipi shet atë që ka trashëguar nga gjyshërit. Prona publike duhet të privatizohet në aso mënyrë që pronari i saj- populli – të dijë si dhe pse ajo e ndërron pronarin.

Zëri: Mos iu shkoftë mendja ta shesin edhe gjuhën e simbolet. Një lutje e juaja. Por në Kosovë u prekëm edhe në këtë pikë. Të dhemb ky fakt?

Kim Mehmeti: Më shumë se dhembje ndjej çudi kur shoh me çfarë lehtësie ngandonjëherë rrënojmë atë që kanë ndërtuar paraardhësit tanë, për të filluar çdo gjë nga e para. Kjo lehtësi na ka bërë që shumëçka ta kemi të “përkohshme”, që një gjeneratë të rritet me flamurin kuqezi, e tjetra me atë që ka hartën e Kosovës. Kjo na bën që edhe përmendorja pranë të cilës gjyshi i sotëm i nxjerr nipat e mbesat, të mos jetë ajo e njëjta pranë së cilës kanë shëtitur prindërit e tyre përderisa kanë qenë fëmijë.

Ne shpeshherë lëmë përshtypje se jemi nga ata që pa e rrënuar atë që është ndërtuar, nuk na shkon murimi, se mund të ndërtojmë vetëm atë që vetë kemi projektuar, por jo edhe të mbindërtojmë ngrehinat e projektuesve të mëparshëm. Andaj, shumëçka e jona duket njështresore, si e përkohshme, gjithmonë e re.

Gjuha është materie e gjallë, ajo gjithmonë “bymehet”, atë çdo gjeneratë e pasuron me diçka, por askush nuk mund të marrë kazmën e çdo gjë ta fillojë nga themelet edhe atë vetëm pse mendon se ajo që u takon të gjithëve edhe lejon që çdokush të vendosë për të.

Zëri: Dasmat e njerëzve të thjeshtë dhe vdekjet e njerëzve të mëdhenj po vazhdojnë të përcillen nën flamurin kombëtar. Kështu iku edhe Ali Podrimja. Një injorancë ndaj simboleve të shtetit të ri apo një dashuri më e thellë për simbolet kombëtare?

Kim Mehmeti: Të gjitha vuajtjet e veta Kosova, si dhe mbarë shqiptaria, i lotoi me flamurin kombëtar. Edhe datat festive kjo shqiptari i kremtoi me atë flamur. Flamujt nuk janë vetëm një copë pëlhure, por ato janë rrëfim i ngritje-rënieve të një populli. Andaj, ky flamuri i ri i Kosovës, asnjëherë nuk do mund të qëndrojë dhe nuk duhet të qëndrojë më lart se ai kombëtar.

Flamurin kombëtar e qëndisën shekujt, e këtë shtetërorin të Kosovës e vizatuan aq shpejt si të ishte emblemë e ndonjë klubi sportiv. Këtë populli e ndjen, andaj feston e loton me flamurin në të cilin janë shtresuar të gjitha lotëderdhjet gjatë shekujve dhe të gjitha kremtet e popullit shqiptar.

Zëri: Shqipëritë, Shqipëria, shqiptarët…, sikur rritemi kur përmendim këto emërtime. Por në anën tjetër kur zhgënjehemi nga një mik, pothuaj të gjithë thonë “mos paq punë me shqiptarë” . Si mund të jemi kaq të mirë e kaq të këqij në të njëjtën kohë?

Kim Mehmeti: Jemi si gjithë të tjerët, popull që ka individ nga të gjitha sojet që e përbëjnë gjininë njerëzore. Pastaj ne jemi popull të cilin kurrë nuk e kanë ledhatuar të tjerët, e kështu mbase edhe kemi harruar ta ledhatojmë vetveten. Kështu që ne në njëfarë mënyre filluam nga pak të ngjajmë në popull që nuk e çmon të gjallin e vlefshëm që ka pranë, por vetëm heroin e vdekur.

U bëmë vajtues të mirë të atyre që na braktisin përgjithmonë, e të pakujdesshëm ndaj vlerave që i kemi përkohësisht. E tëra kjo ndërlidhet me mosbesimin ndaj vetvetes, nga prirja që me çdo kusht dhe pa asnjë kriter, të bëhemi si të tjerët, të tjetërsojmë në vetvete edhe në atë pa të cilën kurrë më nuk do mund të jemi atë që kemi qenë.

Zëri: Nuk ka pothuaj asnjë gazetar shqiptar që kur ka intervistuar ndonjë të huaj e që nuk i ka bërë pyetjen “Çfarë mendoni për shqiptarët”, pse na duhen lajkat e të tjerëve?

Kim Mehmeti: Mbase për shkak se ende nuk e kemi ndërtuar mendimin për vetveten. Apo ndoshta shkaku se nuk kemi gjetur pasqyrën tonë ku do shohim se si dukemi, e tani na intereson se ç’pamje kemi në pasqyrat e huaja. Ne nuk duhet gjithaq të lodhemi me atë çka mendojnë të tjerët për ne, por çka mendojmë ne për vetveten. E pastaj, duke kompletuar portretin tonë të atillë siç është, të ndërtojmë edhe standarde vlerësuese si për të peshuar vetveten ashtu edhe të tjerët.

Ne ngandonjëherë vuajmë të bëhemi të shkathët si hebrenjtë e punëtorë të disiplinuar si gjermanët, por duke harruar se para së gjithash duhet të jemi të moralshëm, fisnikë, besnikë, të ndeshëm dhe të përkushtuar siç kanë qenë gjithmonë shqiptarët. Edhe që të jesh sa më i përafërt me të tjerët, duhet së pari të jesh vetvetja.

Zëri: A është kjo një shenjë se nëse lartësohemi nga të tjerët ( duke i shtyrë të na lartësojnë) kemi grada më shumë?

Kim Mehmeti: Nuk është e panatyrshme që individi, apo një grup të ndjejë nevojë të jetë i pëlqyer dhe i vlerësuar nga të tjerët. Por edhe ky pëlqim dhe vlerësim që dëshiron të të vijë nga të huajt, është proporcional me atë sa t’i je i kënaqur me atë që ke dhe atë që je. Shpeshherë ne dukemi si ai që nuk e pëlqen vetveten. Që është i pakënaqur me vetveten, e që pret ta pëlqejnë të tjerët dhe të huajt të jenë të kënaqur me të.

Intervisët për gazetën “Zëri”, Kosovë