Karvani i “Lajm”-it dhe shtëpisë botuese “Logos A” edhe të mërkurën vazhdoi misionin për përhapjen e të vërtetës historike për shqiptarinë e Shkupit. Stacion i radhës ishte Shkodra, një ndër qytetet më të njohura shqiptare për nga begatia historike dhe kulturore.
Në një natë të ftohtë dimri përplot me borë, biblioteka “Marin Barleti” në Shkodër për dy orë rresht u shndërrua në një vatër të ngrohtë të dashamirëve të librit dhe historisë. Moti i ftohtë nuk pengoi shumë intelektualë të njohur shkodranë të marrin pjesë promovimin e librave “Shkupi” dhe “Lypsiqarët e Shkupit”, për të dëgjuar të vërtetën historike të Shkupit të shkruar në një stil të përkryer eseistik nga ana e autorit Kim Mehmeti.
“Jam i nderuar që gjendem sot në qytetin e Gjergj Fishtës, Marin Barletit dhe Shtjefën Gjeçovit. Unë jam i vetëdijshëm për shijen e përsosur të shkodranëve për kulturën dhe letërsisë. Prandaj sot nuk kam ardhur të lavdërohem para jush me veprat e mia, por kam ardhur para jush të marr certifikatën e shkrimtarit”, tha autori Mehmeti, duke shprehur respekt të plotë për publikun shkodran, por edhe duke u shprehur i emocionuar që gjendej para njerëzve
Në fokusin e interesit të shkodranëve prezent në këtë manifestim nuk ishte vetëm e kaluara e Shkupit. Duke e vlerësuar si njërin nga zërat më të artikuluar që përcjell të vërtetën edhe për aktualitetin e tanishëm të shqiptarëve të Maqedonisë, shkodranët parashtruan shumë pyetje edhe për zhvillimet e fundit dhe padrejtësitë që po ju bëhen shqiparëve të këtushëm. Përgjigjet e shkrimtarit dhe publicistit Mehmeti ishin në stilin e njohur kritik, duke rikujtuar edhe njëherë se fajin kryesor për këto padrejtësi nuk qëndrojnë te maqedonasit por te vetë politikanët shqiptarë. Nga kritikat e tij Mehmeti nuk përjashtoi nga kritikat e tij as politikanët në Shqipëri dhe Kosovë, duke e përmendur bashkimin e trojeve shqiptare si një proces i cili do të shpëtojë shqiptarët, me thënien e njohur : “Shqiptarët po si bashkuan kokat, nuk munden t’i bashkojnë as tokat””.