Shkruan: Kim Mehmeti
Mbase shqiptarët dhe maqedonasit etnik nuk kanë mosmarrëveshje vetëm me atë se si ta rregullojnë të sotmen e Maqedonisë, dhe kujt çka i takon nga ajo që ndodhet mbi tokë, por assesi të pajtohen edhe lidhur me mbeturinat nga e kaluara që fshihen në barkun e dheut. Këtë e dëshmojnë edhe gërmimet arkeologjike të porsafilluara në Kalanë e Shkupit, e të cilat i konfrontuan arkeologët maqedonas dhe historianët shqiptarë të përkrahur nga disa organizata joqeveritare. Me çka edhe një herë u dëshmua se e sotmja e këtyre hapësirave nuk është oborrtare e denjë e së kaluarës, se edhe shumica e shkencëtarëve të këtushëm nuk e kanë kuptuar se e kaluara nuk është ngjyrë për ta zbukuruar të sotmen, e as gënjeshtër që josh kohët që do vijnë, por vetëm dhomë para derës së të cilës e ardhmja pret radhë që të bëhet e kaluar. Por, që ta kuptosh këtë, paraprakisht duhet ta kesh të ditur se të gjithë njerëzit gjatë jetës së vet gërryejnë diçka: disa në fushat e politikës së ditës, të tjerët gërryejnë varrat nga e kaluara, e të urtit gërmojnë në kopshtin e ideve që do ndriçojnë të ardhmen, e cila edhe kur do bëhet e kaluar, nuk do ketë shenjë njohëse marrëzinë njerëzore. E në Maqedoni më të frytshëm janë ata që gërryejnë në thellësitë duke mos e parë se me këtë herë – herë ia nxjerrin jashtë rrënjët të sotmes multietnike e multikulturore të këtij shteti. Me çka Maqedoninë e bëjnë t’i ngjajë një kopshti ku kopshtarët e sotmes duan të ndryshojnë llojin e bimës që mbinë nga fara e së kaluarës, ku degët etnike që rriten sot në këtë shtet ende nuk kanë gjetur trungun e të kaluarës së vet.
Për çka bëhet fjalë, dhe nga ai mosbesim i shkencëtarëve të këtushëm shqiptarë ndaj arkeologëve të etnitetit maqedonas? Mbase shpjegimi do duhej të fillonte qysh nga vitet e socializmit, kur ky shtet nuk kursente mjete për gërryesit e tokës që premtonin se nga thellësitë e saj do nxjerrin dëshmi që do vërtetojnë lashtësinë e etnisë maqedonase. Por, shkurtimisht thënë, gërmimet arkeologjike në Kalanë e Shkupit, janë pasojë e “etheve” disadekadësh që degët e përbërjes së sotme etnike të këtyre hapësirave të shpallen pjesë të këtij apo atij trungu të lashtë etnik. Në vazhdën e kësaj tendence, për gërmimet arkeologjike në Kalanë e Shkupit, qeveria e sotme e Maqedonisë ka nda rreth dy milion euro. Shumë e majme parash dhe mbase proporcionale me ambiciet e një popull të vogël që pretendon se ka histori të bujshme sa edhe vetë thellësia e të gjitha shtresave që kanë lënë pas vetes në këto hapësira civilizimet e lashta. Dhe kështu, para disa ditësh filluan gërmimet të cilat mbase kanë për qëllim të nxjerrin fakte që do u ndihmonin historianëve dhe arkeologëve të etniteti maqedonas të braktisin lidhjen “vëllazërore” me sllavët e jugut, e të dëshmojnë “farefisninë” direkte me Aleksandërin e Madh. Këto gërmime arkeologjike i udhëheq drejtori i tanishëm i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimive Kulturore, arkeologu Pasko Kuzman për të cilin – mbase qëllimkëqijtë – thonë se aty ku ai gërryen, medoemos ndodhet ajo që Paskoja kërkon. E nëse nuk është aty, shtojnë ata, atëherë Paskoja e gropos, që pastaj të gjejë atë që i mungon. Kështu, ai arrin etnitetin maqedonas ta afrojë drejtë të kaluarës së dëshiruar, por mbase edhe ta largojë nga e vërteta. Dhe e zhyt etnitetin maqedonas thellë e më thellë në mosmarrëveshjet me popujt fqinjë, veçanërisht me grekët e bullgarët, të cilët mohojnë të kaluarën dhe identitetin etnik të këtij populli. Gjithsesi, me këtë arkeologët maqedonas e rrisin edhe qëndrimin mospërfillës tek shqiptarët e këtushëm ndaj së kaluarës së etnisë maqedonase.
Andaj, përderisa arkeologët e etnitetit maqedonas gërmojnë me shpresë se në thellësitë e Kalas së Shkupit do gjejnë gjurmët e Justinianës, e me çka do dëshmojnë lashtësinë ortodokse të këtyre trojeve, shqiptarët janë të bindur se aty ka vetëm artefakte nga koha e Dardanëve dhe se këto hapësira kanë qenë dhe do mbeten pjesë e kulturës shqiptare. Pra, shkencëtarët dhe organizatat e këtushme shqiptare, kërkojnë që në këto gërmime arkeologjike të marrin pjesë edhe arkeolog të njohur nga Tirana e Prishtina, duke shprehur hapur frikën se gërmuesit e tanishëm do i fshehin faktet e gjetura në këtë lokalitet arkeologjik. Mosbesimin e vet ndaj arkeologëve maqedonas ata e mbështesin mbi një të vërtetë: në këtë shtet janë bërë shumë gërmime dhe zbulime arkeologjike, por kurrë në to nuk kanë marrë pjesë edhe shqiptarët. Këtu janë ndërtuar kisha kudo që është gjet ndonjë gurë i bardhë për të cilin është thënë që i përket civilizimit bizantin, por thuajse asnjëherë nuk ndodhi të zbardhet ndonjë objekt ilir apo të mbrohet ndonjë xhami e ndërtuar në shekujt e hershëm të Osmanlijve, si për shembull Burmali Xhamia, një nga më të bukurat në Ballkan, mbi themelet e të cilës tani në Shkup do ndërtohet Teatri Kombëtar Maqedonas. Pra, dekada me radhë në këto hapësira është gjurmuar lashtësia ortodokse dhe sllave, dhe në ndërkohë thuajse janë mbuluar gjurmët e civilizimeve tjera, e veçanërisht ato me shenjën ilire dhe orientale. Kështu që u bë shfytyrimi edhe i Urës së Gurit, Çarshisë së Vjetër në Shkup, mbase vetëm që arkitekturës dhe objekteve të mbetura nga koha e Perandorisë Osmane t’u vishen rrobat e ortodoksizmit. Në këtë drejtim u shkua aq larg, sa edhe Sahat – kullat turke u stolisën me kryqin ortodoks.
Se në shtresat nëntokësore të Kalasë së Shkupit mund të priten edhe artefakte që do dëshmojnë të kaluarën Dardane të këtyre trojeve, nuk e mohojnë as arkeologët e etnitetit maqedonas. Por, pa dyshim se arsyeja që ata i çon të gërryejnë sa më thellë në këtë kala, nuk janë Dardanët, por shpresa se aty do gjejnë gjurmët e qyteti të lashtë, Justiniana Prima, i ndërtuar në shekullin e VI nga Justiniani i Parë. Arkeologët serb e maqedonas shpresojnë se ky qytet i lashtë ndodhet diku mes Leskovcit dhe rrethinës së Shkupit. Por shumica e tyre pohojnë se, sa u përket gjetjes së gjurmëve nga ky qytet i lashtë, janë të kota gërmimet arkeologjike në këtë kala. Kalaja e Shkupit, shtojnë ata, është hapësirë shumë e vogël dhe vetëm naivët mund të shpresojnë se ajo do mjaftonte aty të jenë ndërtuar bazilikat e mëdha të Justiniana Prima.
Disa nga ekspertët e këtushëm thonë se me këto gërmime në të vërtet thyhet edhe ligji si dhe nuk respektohen disa standarde që janë bazë e hulumtimeve arkeologjike. E këto pohime i mbështesin mbi të vërtetën se ende nuk janë publikuar rezultatet e gërmimeve të bëra në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar. Dhe thonë se pa u zbardhur gjurmët e lashtësisë që janë zbuluar atëherë, nuk mund të fillohet me hulumtime të reja. Por, kuptohet: reagimet e tyre mbeten të ngulfatur mbase edhe nga mëditjet e majme që do marrin ata që sot gërryejnë thellë e më thellë në Kalanë e Shkupit.
Si do që të jetë, gërmimet arkeologjike në Kalanë e Shkupit vazhdojnë. Pesimistët thonë se arkeologët aty do gjejnë vetëm inatet e etnive të frustruara të Maqedonisë. Si dhe shpresën e kotë të disa historianëve dhe arkeologëve të etnisë maqedonase që duan ta shpallin veten nipër të Aleksandërit të Madh. Një arkeolog serb thotë se kolegët e tij maqedonas aty do mund të gjejnë vetëm vidhen e humbur të syzeve të tij para tridhet viteve, kur ai aty kishte kërkuar gjurmë nga lashtësia. E autori i këtij teksti mund të shtojë se Pasko Kuzmani aty mund të zbulojë edhe vendin ku urinonim ne fëmijët e viteve të gjashtëdhjeta kur nga lartësia e Kalasë së Shkupit shikonim Urën e Gurit, por të bukur siç e kishin lënë Osmanlinjtë, e jo këtë të sotmen që e “zbukuruan” arkitektët maqedonas. Nga shikonim edhe malin Vodno, por pa kryqin e madh që e ka sot, e që qëndron mbi Shkup si mbi një varrezë ku prehet urtësia njerëzore.