Back

Fajtor ështe viktima e jo dhunuesi

Shkruan: Kim Mehmeti  

Të merresh me analiza politike në shoqërinë shqiptare, do të thotë të të merr malli të shkruash për diçka pozitive. Të jesh shqiptarë i Maqedonisë, e aq më shumë kritik i dukurive negative në këtë shtet , do të thotë vullnetarisht të pranosh që një ditë t’i ngjash “Tersit të Pojanit”, i cili pandërprerë përsërit, keq kjo, e keq ajo.  Të shkruash tekste kritike për Maqedoninë, e ato t’i botosh në Tiranë apo Prishtinë, ajo do të thotë me vetë dëshirë të bëhesh “klient” i shërbimeve policore të kryeministrit të Maqedonisë, Gruevskit, të cilat aq mirë të shërbejnë, sa në mos më shumë, je i sigurt se askund nuk do jesh i vetmuar.  Por, kjo shërbesë bëhet ngarkesë atëherë kur këtë e hetojnë edhe fëmijët tu, kur këtë e vërejnë edhe miqtë që ulen me ty në kafene, e kur t’i duhet t’i qetësosh, tu shpjegosh se kështu e do rendi shtetërorë, se në këtë shtet që veten e quan demokratik, ende shqiptari  konsiderohet si armik potencial i shtetit, se ky shtet ka “mbrojtësit” e tij të denjë – etnitetin që veten e quan maqedonas, dhe armiqtë potencialë – shqiptarët e këtushëm.

Të merremi veshtë: autori i këtij teksti kurrë nuk ka menduar për veten se është ndonjë objekt i rëndësishëm që meriton të ndiqet nga organet e sigurimit shtetëror. Aq më shumë, ai ende nuk e ka  ndërmend të ruaj ndonjë mendim të fshehur për Maqedoninë, e të  cilin nuk do e kishte thënë  publikisht si në Strumicë, po ashtu edhe në Tiranë apo Prishtinë. Siç do e thotë edhe mendimin më të ri për këtë shtet: se Maqedonia shndërrohet në shtet policor, se ky bëhet shtet monstër, ku mund të të gëlltitë terri, ku jeta e njeriut është bërë më e lirë se qindra fletëvotime të hedhura në kutin e votimit, ku më as qeni nuk e di cilin e ka pronar. Në këtë shtet, mund t’ju ndodh edhe ajo që i ndodhi autorit të këtij teksti me datë 11 nëntor të këtij viti, rreth orës 22, në një kafene në lagjen e ashtuquajtur “Leptokaria” të Shkupit, ku kishte dal me djemtë e tij dhe me një mik. Pra, t’ju ndodh që fëmija juaj, duke dalë nga tualeti,  të kthehet i zbehur pranë tavolinës, pasi ka dëgjuar ndonjërin si i thotë dikujt tjetri nëpërmjet telefonit celular: “Këtu është ulur ku derri K. M…., po de…,e kam përpara syve…, ai është…, në Shkup nuk ka dy K.M…., do e ndjek….”. Në këtë shtet pra, duhet të keni kujdes kur dilni me familjarët dhe miqtë, sepse shoqërinë mund ta keni më të shumtë se ata që janë ulur pranë jush. Aq më shumë, në këtë shtet, mos dilni me fëmijët tuaj në vende publike, sepse mund ata të frikohen kur ta shohin se prindin e tyre dikush e përcjell. 

E sa i përket frikës, disa thonë se në krahasim me shumëçka tjetër që mund t’i hy, e t’i del njeriut, ajo njëherë hynë e kurrë nuk del. Por, edhe si e tillë, më mirë është të të hyjë ajo,  se  çka do qoftë tjerët, që të hyn, e të del, por të mbetet shprehi dhe e kërkon përsëri. Siç u ka mbet shprehi shqiptarëve të Maqedonisë që sa herë vjen në pushtet ndonjë parti e radhës, ata të kërkojnë ndonjë tjetër më të mirë. Apo siç i ka mbetur shprehi një pjese të madhe të popullit të vetëquajtur maqedonas etnik, që edhe te fëmija shqiptarë, të shohin një armik të ardhshëm potencial  të shtetit.

E që shqiptarët edhe më tej të mbeten në statusin e “elementit destruktiv” për shtetin, tani më janë fajtorë vet ata, e kurrkush tjetër. Janë fajtorë sepse gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të demokratizimit të Maqedonisë, ata thuajse nuk bënë asgjë më shumë përpos që bindshëm dëshmuan rolin e viktimës. Dëshmuan edhe atë se durimin tyre nuk mund ta luhat asnjë qeveri maqedonase. Edhe atë në një shtet ku përbëjnë më shumë se 30 % të numrit të përgjithshëm të popullsisë. E të jesh viktimë në një shtet ku je shtyllë pa të cilin shteti nuk mund të ekzistojë, me të drejtë “dhunuesi” mund të dyshojë se ke ndonjë pasion të fshehur, apo se ke ndonjë mangësi për të cilën nuk ka ilaç, se më parë pranon të të hyjë diçka që edhe del, se sa frika që të mbetet përgjithmonë brenda, por që një ditë mbase të çon të rikthesh guximin e të kuptosh se me të në ty, nuk jetohet. 

E shqiptarët e Maqedonisë thuajse kanë arritur shkallën për të cilën thuhet se zemra e njeriut bëhet gurë. E kjo shkallë arrihet kur je viktimë shumëvjeçare, kur jeton gjatë kohë në frikë, pa e kuptuar se ajo nuk zhduket pa e shikuar rrezikun në sy.  Pra, nëse gjatë kohë jeton në frikë dhe pranoni rolin e viktimës, doemos një ditë bëhesh i pandjeshëm ndaj asaj që të ndodh, filloni pahetueshëm ta jetosh fazën kur më nuk ka faj dhunuesi, por viktima. Jeton fazën kur viktima është fajtore pse “dhunuesit” nuk arrin ta kuptojë se padrejtësitë kolektive dhe individuale në një shtet, janë ato që prodhojnë “armiq”, se kur nuk bënë gjumë të qetë “viktima”, ëndrrat e trishtueshme i sheh “dhunuesi”.  Apo se kur jeton në një shtet ku të gjithë qeveritarët shqiptarë nuk kanë ndikim në qarqet e vendimmarrjesh shtetërore as aq sa sekretaresha e Kryeministrit Gruevski, atëherë s’ke pse të mos dyshosh se jeton në shoqëri ku  çdokush mund të ta përgjojë telefonin, e aq më shumë, ta di se sa herë ke urinuar në tualetin e ndonjë kafeneje të Shkupit.

 Më në fund, kur  “dhunuesi” e sheh se në grupin parlamentarë keni profesoreshën Teuta Arifi, që njehë disa gjuhë të botës,një Blerim Bexheti, jurist të aftë, një Xhevat Ademi, oratorë të veçantë, një Tahir Hani, me qetësinë e diplomatit …., e ju për Nënkryetarë të Parlamentit propozoni “Komandant Mësuesin”, atëherë i keni dëshmuar Gruevskit se jeni “viktimë”, të cilës i është bërë zemra gurë dhe është bë e pandjeshme ndaj asaj që e pret dhe e kërkon populli nga partia më e madhe që atë e përfaqëson në institucionet shtetërore. Pra, kur Gruevski e sheh se përballë i ka të gjunjëzuara të gjitha partitë shqiptare, të cilat koncept më të lartë politik kanë hyrjen pa asnjë kusht në qeveri, atëherë ai nuk ka pse të mos e ketë ndjenjën e atij që “jep” sipas vullnetit të vet. Dhe s’ka pse mos propozojë dhe të miratojë në Parlament edhe ligj perversë,  i cili do stimulon natalitetin në disa komuna të Maqedonisë (lexo: në komunat ku jetojnë maqedonasit etnik), e nuk do vlejë për ato komuna ku prindërit ngjizin fëmijë pa pasur nevojë për “vijagrën” ligjore të Gruevskit (lexo: në komunat shqiptare). Ligj që duhej shqiptarët e këtushëm t’i çojë të shohin se për ata koha nuk ka ndryshuar shumë, se për ata shumëçka ende është si në socializëm kur pushteti sillte ligje që diskriminonin familjet shqiptare me më shumë se dy fëmijë.

Mbase për shqiptarët e Maqedonisë do fillojnë ndryshimet atëherë kur do e kuptojnë se ka ardhur koha kur duhet t’i ndryshojnë partitë e veta, kur duhet të pranojnë përpara vetvetes se qëmoti ka kaluar koha kur për mosrealizimin e të drejtave të tyre mund t’i akuzonin të tjerët dhe se ka ardhur dita kur të gjitha pakënaqësitë e veta duhet t’i zbrazin përpara selive të partive të tyre, e jo përpara qeverisë së Gruevskit. E deri sa të ndodh kjo, analizuesit shqiptarë të situatës politike në Maqedoni, herë – herë do e ndjejnë veten thuajse janë “Tersi i Pojanit”, i cili dinë të jetë i pakënaqur me të gjitha dhe të gjithë. Mbase edhe s’ka si mos e ndjesh veten të tillë në një shtet ku vlen thuajse  vetëm një parimi: “Budallai e shalëron të hutuarin”. Pra në shtet ku ia vlen të jesh budalla, por jo edhe i hutuar dhe kureshtar.