Back

Heroi i betejave të huaja

Shkruan: Kim Mehmeti

      Shqiptarët e pritën si atë që duhej t’ua kthejë besimin në vetvete, që duhej t’ua shëronte dinjitetin dhe krenarin e lënduar, si njeri rreth të cilit do grumbulloheshin të gjithë ata që donin të japin kontributin e vet në zhvillimin e shoqërisë së shqiptarëve të Maqedonisë. Pra, Arbër Xhaferi u rikthye në Tetovë si i gjatëpritur, i cili duhej t’i legjitimojë shqiptarët e këtushëm si popull që ka vlera, edhe pse nuk ishin të paktë ata që e dinin se ai kurrë nuk do e braktiste Prishtinën, sikur atje të mos ndjehej si peshk i vogël në akuariumin përplot me peshq të mëdhenj politik, siç ishin Fehmi Agani i gjeneratës së vjetër dhe Veton Surroi i brezit që vinte. Ai u kthye në Tetovë me valixhe të zbrazëta sa i përket ndonjë aktiviteti të mëparshëm politikë, e që ishte shenjë njohëse e gjeneratës që u dëshmua në vitet e tetëdhjeta si mbrojtëse e interesave të shqiptarëve të ish – Jugosllavisë. Por, edhe si i tillë, ai ishte i nevojshëm për këto hapësira të lëna si arë pa pronarë. Pra, edhe si i tillë, ai asokohe e kishte kuptuar se personalitet bëhen ata që në momentin e duhur dinë të bëjnë veprimin që do i rreshtojë aty nga më lehtë do mund t’i kapë objektivi i historisë.

      E në fillim të dekadës së fundit të shekullit të njëzetë, Arbër Xhaferi mirë e kishte vlerësuar se më lehtë do e kishte të bëhet “hero” në një hapësirë “pasive”, siç ishte asokohe shoqëria e shqiptarëve të Maqedonisë, se sa në një Kosovë ku ai gjithmonë do mbetej një nga te “të tjerët”. Andaj, posa e thirrën që të ktheje, ai erdhi në Tetovë si i ftuari që mezi kishte pritur t’i kthehet vendlindjes. I porsaardhuri nga Prishtina gjithashtu mirë e kishte vlerësuar se shqiptarët e Maqedonisë ishin lodhur nga inferioriteti politik i udhëheqësve të tyre partiak, dhe mezi prisnin të vijë ndonjë prijës i ri që denjësisht do qëndrojë ulur pranë rivalëve të vetë të etnitetit maqedonas. Kështu që Arbëri e kishte “fronin” e lirë kur arriti në Maqedoni. Dhe jo vetëm fronin, por shumëçka ishte në favor të tij, sepse shqiptarët e këtushëm ishin në “nokdaun” politik, andaj në “ringun” ndëretnik do mund te shkëlqente cilido “arbër” që e dinte ç’është “arbëria”.

      Pra, në fillim të dekadës së fundit të shekullit të njëzet, Arbër Xhaferi erdhi në Tetovë si heroi i gjatëpritur. Si i tillë, ai mbase dështoi qysh në fillim kur, në vend që të bëjë atë që pritej prej tij – të ruaj unitetin e partisë më të madhe të atëhershme, dhe t’i ribashkoj rrymat e PPD-së që grindeshin mes veti – ai shumë shpjet u bë krahë i përçarësve të kësaj partie. Gjë e cila i hutoi shqiptarët e këtushëm, por i qëndruan mbrapa mbase shkaku se ata që asokohe ktheheshin nga Prishtina, nuk kishin nevojë të “japin provimin e atdhetarisë” si ata të mbeturit këtu, se vetë ardhja nga Kosova e përvuajtur ua kishte dhënë “licencën” e atdhetarit dhe patriotit. Dhe kur shqiptarët dolën nga hutesa, Arbër Xhaferi më kishte harruar pse e kishin thirrur, dhe kishte dalë në krye  të Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve. Parti e cila do udhëhiqet nga ai, por mbase do mbetet pronë private e nënkryetarit të saj edhe në vitet e mëvonshme kur do e ndërrojë emrin në PDSH. Dhe siç duket, në këtë “kompani aksionarësh” që e kontrollonte nënkryetari i kësaj partie, Arbër Xhaferit qysh në fillim i ishte caktua roli i “aksionarit” që kishte për detyrë t’u jep legjitimitet dhe shpjegim “atdhetarë” veprimeve të një grupi njerëzish, të cilëve askush nuk u kishte treguar se në politikë ekzistojnë dy rrugë: ajo që të çon drejtë të mirës kolektive, dhe ajo që të çon drejtë mirëqenies personale. Se ata që ecin rrugës së parë janë politikanë, e këta që ecin drejtë profiteve personale quhen manipulues me ndjenjat kolektive. Kështu që Arbër Xhaferi u bë ombrellë e të gjithëve në këtë parti, e vet ai ndoqi krejt një rrugë tjetër: në Maqedoni vepronte si politikan i heshtur që nuk dinte çka bënin shokët e tij partiak, e jashtë saj si vlerësues i rrjedhave politike në rajon. Me çka arriti që papërgjesinë e vet politike, ta mbulojë me llafazanin joshëse. Mbase kjo i ndodhi edhe shkaku se ai – si edhe shumë të tjerë – nuk e dinte se profesioni i politikanit dhe i opinionistit të lirë, janë aq të largët sa i futbollistit dhe i publikut. Dhe kështu ai u bë vlerësues i gjithë të tjerëve dhe harroi ta peshojë vetveten. Harroi se peshorja me të cilin e masnin shqiptarët e Maqedonisë, ishte krejt ndryshe nga ajo që e maste Tirana, se këtu nuk vlenin analizat gazetareske, por ajo se sa ishte përmisuar situata e tyre. Mbase shkaku i kësaj harrese, partia e tij edhe kurrë nuk arriti të fitojë zgjedhjet parlamentare në bllokun partiak shqiptarë.

      Pa dyshim se Arbër Xhaferi bëri atë që do mbetet tipare njohëse e shumë politikanëve shqiptarë të fundshekullit të njëzet dhe të dekadës së par të mileniumit të tretë: të bëhen veprimtarë me përmasa mbarëkombëtare, duke mos pasur pas vetes thuajse asnjë rezultat konkret politik aty ku veprojnë. I veshur mjeshtërish me petkun e llafazanisë dhe i stolisur me diademën e pakontestueshme të një mendimtari të kthjelltë, i cili në kohën e duhur e thotë atë që dëshiron ta dëgjojnë shqiptarët në Tiranë apo në Prishtinë, ai në krye të partisë sillej si bashkëpronarë i cili mezi e kishte kuptuar se emër i famshëm në këto vise bëhet edhe ai që më së shumti e përmendin të paditurit. Dhe përderisa Prishtina e njihte “mallin” që ua kishte kthyer shqiptarëve të Maqedonisë, në Tiranë ai shumë shpejtë u bë “strategu me përmasa” mbarëshqiptare, të cilit duhej pa fjalë t’i përkuleshin të gjithë që kishin emër e mbiemër. E Arbëri këtë e arriti fal një dhuntie të cilën nuk mund t’ia mohojë askush: mjeshtëria t’i përdorë mediat, ku edhe nuk paraqitet si veprimtarë aktiv në politikë, por thuajse është “vëzhgues” i Kombeve të Bashkuara që ka ardhur këtu sa të zbardhte realitetin e shoqërisë shqiptarë. Dhe si i tillë, ai mbase do mbetet ndër analistët më të mirë të viteve të fundit, si vlerësues se si duhet të veprojnë shqiptarët kudo që janë, por duke ua treguar këtë pasi që ata kishin përfunduar betejën politike. Pra, fare nuk është e pakuptueshme pse Tirana e adhuron, pse Prishtina sillet ndaj tij me mospërfillje, ndërsa nga disa mjedise të shqiptarëve të Maqedonisë merr kritika. Sepse opinioni i Tiranës atë e vlerësonte si analist të spikatur, Prishtina e kujton si “a edhe ai u bë dikushi”, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë e vlerësojnë si kryetarë të një partie. Andaj, mund të thuhet se kishte të drejtë edhe Tirana që e mbante për mendimtarë të ndritur edhe ata shqiptarë të  Maqedonisë që e vlerësonin si politikan të dështuar. Sepse si analistë Arbër Xhaferi ishte dhe mbeti i pashoq, e si udhëheqës partiak, nuk shkoi më larg se tek kallaballëku i klubit të politikanëve shqiptarë, e që i solli me vete shtrëngata e tranzicionit.

      Sa i përket analistit Arbër Xhaferi, ai arriti t’i mbrojë suksesshëm të gjitha veprimet e  PDSH-së. Por edhe këtë e bënte më shpesh në Tiranë, e shumë rrallë në Shkup. Mjeshtërinë që të shpallë vepër atdhetare edhe veprimet partiake që me atdhetarin janë të largëta sa qielli dhe toka, Xhaferi e dëshmoi edhe këto ditë kur Tirana ishte e “tronditur” nga lajmi se ai do e braktisë kreun e PDSH-së. I pyetur nga një gazetar se “a mund të bëhet realitet në Maqedoni që shqiptarët të kenë një koalicion të përbashkët, i cili më pas do të hynte në aleancë me çdo qeveri maqedonase” dhe mos vallë “kjo përçarje kaq e madhe, e dëmton çështjen shqiptare?”, Arbëri do përgjigjet pastër e shqip “se duhet të kemi parasysh argumentin e faktorëve të ndryshëm që i cilësojnë shqiptarët si rrezik, jo vetëm për Maqedoninë, por për gjithë rajonin. Çdo homogjenizim i shqiptarëve në Maqedoni sidomos tani kur vendoset fati i Kosovës do të vlerësohej me dyshim….”. Me çka definitivisht e morën veshtë pse ai kurrë nuk kontribuoi për bashkëveprim mes partive të shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe më në fund e kuptuam se për ardhmërinë e Kosovës na qenkan shumë të dobishme edhe konfliktet fizike parazgjedhore mes përkrahësve të të BDI-së dhe PDSH-së, nga të cilat Arbër Xhaferi kurrë nuk u distancua. Apo se përçarjet ndërpartiake në Shqipëri dhe në Prishtinë, nuk na qenkan vetëm kontribut madhor për pavarësinë Kosovës, por edhe dëshmi e paluhatshme përpara demokracisë evropiane se nuk kanoset asnjë rrezik nga ndonjë “homogjenizim” i shqiptarëve!? Andaj, rroftë përçarja!? 

      Por, i tillë ishte, dhe i tillë do mbetet Arbër Xhaferi: cilindo veprim të vetin ta shpall si kontribut për çështjen mbarëshqiptare. Pra, ishte udhëheqës partiak që bënte gjumë në shtratin politik të Maqedonisë, e mbulohej me çarçafët e endur nga (dis)fati i Kosovës, heshtte në parlament ku shqiptarët e paguanin të fliste, e mbante ligjërata atdhetare në Tiranë. I tillë arriti të mbetet edhe fal mundësisë që ia afronin “muskujt” partiak: t’i heshtë të gjithë shqiptarët e Maqedonisë që e pyesnin se cilat janë rezultatet që i kishte arritur PDSH-ja e tij gjatë bashkëqeverisjes me VMRO-DPMNE-në. 

 Si do që të jetë, Arbër Xhaferi arriti diçka të pamohueshme: shqiptarët e Maqedonisë të kenë një udhëheqës të vetin që do e çmojë lartë pala e etnitetit maqedonas dikur e deklaruar si antishqiptare – VMRO-DPMNE-ja, dhe që do e adhurojë Tirana. Në ndërkohë, edhe më tej do mbeten enigma se sa kanë të drejtë ata që thonë se PDSH-ja është fëmijë i ngjizur në laboratorët e policisë maqedonase, e sa ata që pohojnë se prindërit zyrtarë të kësaj partie dihen: nënë ka partinë e dikurshme më të madhe shqiptare – PPD-në, ndërsa baba, Sali Berishën. Shikuar nga ky këndë, shërbimet e dikurshme policore kanë mund të jenë vetëm “inkubatorë” që kanë ndihmuar rritjen më të shpjetë të “foshnjës” partiake, siç bënin asokohe edhe me shumë parti tjera të Maqedonisë, e që mbanin epitetin “nacionaliste”. E Sali Berisha – me komentet e famshme të asokohshëm të ATSH-së për tradhtarët e PPD-së – ishte ai që ia hapi rrugën drejtë lartësive politike. Si dhe drejtë përçarjeve brenda shqiptarëve të Maqedonisë që filluan atëherë, e vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. 

       Ku ta dish, ndoshta Arbër Xhaferi dhe PDSH-ja e tij edhe nuk mund të bënin asgjë më shumë, përpos të ecin suksesshëm rrugën që të çon nga kapota e komunizmit e deri te parullat atdhetare. Pra, kryesuesi i PDSH-së, e drejtoi këtë partia andej nga ishin katandisur edhe partitë tjera të shqiptarëve të Maqedonisë: nëpër rrugën e pllakosur me premtime të mëdha, e të rrethuar me arsyetime pse ato nuk i realizonin kur bëheshin pjesë e koalicioneve qeveritarë. Arbër Xhaferi pra, eci rrugës politike që është e hapur vetëm në demokracinë e shoqërive shqiptare: të bësh emër duke treguar jo çka ke bërë, por ç’duhet të bëjnë të tjerët. Prandaj edhe Xheferi mbeti i humbur diku mes politikanit të dështuar dhe analistit të mrekullueshëm. Apo, mbeti si  politikan pa fizionomi të qartë politike, e me portret të ndritshëm si opinionist i rëndomtë dhe analizues i betejave të huaja. E kjo ishte e mundur, sepse vetëm në shoqërinë shqiptare mund të bëhesh i barabartë me Ismail Kadarenë, edhe atë pa e shkruar “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”.

Gazeta Albania,Tirane
Gazeta Lajm,Shkup