Back

Kim Mehmeti: “Marrëveshja e Ohrit është varrosur”

Në kuadër të fushatës së ndërmarrë me rastin e 10 dhjetorit, Ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional realizoi debat në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore me datë 07.12.2010. Aktiviteti në fjalë u organizua në bashkëpunim me Qendrën e të Drejtave të Njeriut pranë UEJL. Në prani të një numri të konsiderueshëm të profesorëve dhe studentëve të UEJL, si dhe të mysafirëve nga jashtë, panelistët Doc. d-r. Jeton Shasivari dhe publicisti Kim Mehmeti shtjelluan temën “Statusi i shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit”.
 
              Në fillim fjalën përshëndetëse e morën edhe udhëheqësit e subjekteve bashkë organizatore. Drejtoresha e Qendrës për të Drejtat e Njeriut pranë UEJL, znj. Besa Arifi, shkurtimisht elaboroi miratimin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor të vitit 1948, si dhe nevojën e trajtimit të temave të këtij lloji edhe në vendin tonë. Kryetari i Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, z. Rufat Sherifi sqaroi se përcaktimi QMBI për të trajtuar gjatë kësaj fushate temën se çfarë solli Marrëveshja e Ohrit në aspektin e të drejtave të njeriut, ka për qëllim që përmes vështrimit të ekspertëve, politikanëve e analistëve të hedhë dritë mbi implementimin e kësaj Marrëveshje apo dështimin e saj.
 
              Gjatë diskutimit të tij, publicisti Kim Mehmeti vlerësoi së qëllimi kryesor i Marrëveshjes së Ohrit ishte që të ndërpresë luftën e vitit 2001, e jo realizimi i të drejtave të shqiptarëve, sepse ajo njëherazi nënkuptonte vazhdimin e luftës politike të klasës politike maqedonase. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar para plot 9 viteve, tani më ka humbur kuptimin e vet, sepse i ka tejkaluar që moti afatet kohore deri kur duhej të implementohet.
“Por, fajin për situatën në të cilën gjendemi ne shqiptarët sot nuk duhet t’ia hedhim vetëm palës maqedonase, sepse tekefundit ata patën një koncept të qartë se çfarë shteti duan të ndërtojnë; më tepër duhet fajësuar politikanët tanë, të cilët asnjëherë nuk e përcaktuan qartë se çfarë në të vërtetë synojmë dhe si duam ta rregullojmë ardhmërinë tonë këtu ku jemi”, tha publicist Kim Mehmeti.
 
              Andaj, sipas tij, ka nevojë për një marrëveshje te re mes shqiptarëve dhe maqedonasve për ndërtimin e shtetit mbi dy shtylla kryesore, gjegjësisht fatin e njëjtë në përgjegjësi dhe të drejta të dy bashkësive më të mëdha etnike, maqedonasve dhe shqiptarëve. Gjithnjë sipas publicistit Mehmeti, kësaj marrëveshje do të duhej t’i paraprijë unifikimi i faktorit politik shqiptarë në Maqedoni në drejtim të koordinimit të politikave dhe strategjive që duhet ndjekur.