Qeveria s’heq dorë nga ndërtimi i kishës në Kalanë e Shkupit. Ky objekt mbetet ndër prioritetet e qeverisë në vitin 2011.
Në tenderin e hapur për rivitalizimin e kalasë së Shkupit, kërkohet që karakteri i kishës të dalë nga mbetjet arkeologjiko-arkitektonike nga ndërtesa mesjetare sarkale me bazë kryqin.
Analisti Kim Mehmeti, thotë se me ngritjen e Kishës në Kala, qeveria po vazhdon projektin e kryqëzimit të Shkupit të nisur që në vitin 2002. Ai vlerëson se në këtë mënyrë pushteti po tenton të bëjë deshqiptarizimin e kryeqytetit të Maqedonisë.
“Kjo kishë do të jetë varri ku do të varrosen marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërreligjioze në Maqedoni. Përpara kësaj kishe besoj se do të duhet të përgjigjen të gjithë qytetarët e Maqedonisë se a mund të ekzistojë ky shtet. Ky shtet gjithnjë e më shumë i afrohet ditës ku formohet bindja se ai është e pamundur të qëndroj në këmbët e veta”, deklaroi analisti Kim Mehmeti.
Edhe përkundër incidentin ndëretnik që shkaktoi ky objekt i kultit, qeveria nëpërmjet një kumtese paralajmëroi se nuk do të ndërpriten punimet për ngritjen e kishës.
“Mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Kalanë e Shkupit, që prejardhjen e ka nga periudha të ndryshme, do të mbetet në mesin e prioriteteve tona”, u tha në reagimin e qeverisë të lëshuar menjëherë pas incidentit të së dielës.
Teksti u shkëput nga ueb-faqja : http://top-channel.tv/artikull.php?id=204157&ref=lajme