Back

Kim Mehmeti: Maqedonia po na shpall luftë hapur

Me këto fjalë e shpreh zemërimin e tij ndaj fyerjes së shqiptarëve në Enciklopedinë Maqedonase, Kim Mehmeti, shkrimtari, eseisti dhe publicisti i shqiptarëve të Maqedonisë. I revoltuar për termat e përdorura në botim dhe për pasaktësinë historike, ai thotë se i dhimbset një popull si ai maqedonas që ka akademikë të atillë. Teksa komenton dijet e akademikëve maqedonas ai shton se, para tre muajsh u botua "Historia e Popullit Maqedonas", ku shkruhej se maqedonasit janë pasardhës të maqedonasve antikë. Ndërsa në enciklopedi shkruhet se maqedonasit janë pasardhës të sllavëve. Atëherë, Kim Mehmeti shtron pyetjen: "Ç’mund të më thotë mua shkencëtari që nuk di origjinën e vet"? Nisur nga polemikat mbi fyerjen ndaj shqiptarëve nga maqedonasit, në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", marrë në ambientet e Festivalit të Poetekës që mbahet në Durrës, shkrimtari dhe publicisti ka prekur shumë plagë të dhimbshme të popullsisë shqiptare atje. Në një rrëfim të gjatë, ai flet për gjendjen aktuale të Maqedonisë, për të cilën mendon se është shtet i kalbur që tani po qelbet, flet për partitë politike shqiptare në shtetin fqinj, për të cilat ai thotë se nuk janë parti, por sekte politike, grupe njerëzish që e kanë marrë në duar fatin e shqiptarëve. Më tej, ai hedh dritë mbi projektin e ndërtimit të një kishe në themelet e shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup, duke deklaruar se kjo është një përpjekje për të zhdukur gjurmët e shqiptarëve në atë qytet. Kritikat e tij shkojnë edhe në adresë të shqiptarëve që kanë firmosur enciklopedinë, por edhe politikanëve të Tiranës. Për të parët thotë se "fatkeqësisht, në Maqedoni ka shqiptarë që blihen", por nuk janë shkencëtarë, ndërsa për të dytët, mendon se "po sillen si prindër të pakujdesshëm me fëmijët e tyre".

Si e shihni ju poetekën e këtij viti? Cila është rëndësia e saj?

Këto manifestime janë gjithmonë të mira në mos për arsye të tjera janë të mira për ne krijuesit. Madje thuhet që edhe librat e pavlerë kanë një vlerë se janë shumë të vlefshëm për autorin e në këtë kuadër, nëse këto lloj manifestimesh nuk kanë ndonjë vlerë më të madhe, kanë atë vlerën që mundësojnë kontakte mes krijuesve. Nga një takim, lind mundësia që kulturat e letërsive të ndryshme të komunikojnë. Letërsia është një gjë që e kanë të gjithë shoqëritë e pa të cilën thuajse është e pamundur të komunikosh me botën tjetër. Sido që të jetë, ne jemi popuj që nuk mund të konkurrojmë me popujt e tjerë me biznes, industri, fabrika a uzina. Ne duhet të konkurrojmë dhe mund të konkurrojmë me art, kulturë dhe letërsi, që i kemi si prodhim shpirtëror e mendor.

Në vazhdën e mendimit tuaj, a mendoni se letërsia bashkëkohore shqiptare është një letërsi që ecën përkrah letërsive të vendeve evropiane? A mund të konkurrojë përkrah tyre?

Letërsia shqiptare ka dëshmuar se ka vlera të atilla. Ju mos harroni se ndonjëherë nuk jemi objektiv. Shpesh kam dëgjuar se letërsia nuk përkthehet shumë në botë. Unë mendoj se është një pohim i gabuar ose jo i saktë. Nëse mendojmë se gjithë krijuesit shqiptarë duhet të përkthehen në gjuhët e huaja, ne gabojmë dhe nënvlerësojmë letërsitë e tjera. Shkrimtar mesatar ka çdo letërsi, ndërsa shkrimtar kulminant si Ismail Kadare apo Fatos Kongoli, s’ka shumë. Gjashtë shkrimtarë tanët përkthehen në gjuhë të huaja e qëndrojnë shumë mirë në bibliotekën botërore, dhe kjo për një letërsi të vogël sa e jona nuk është pak. Në bibliotekën botërore konkurrojnë edhe njëmijë letërsi të vogla si e jona. Konkurrenca është e madhe dhe e ashpër, dhe të kesh gjashtë shkrimtarë që lexohen në gjuhë të huaja, është mrekulli. Ju keni një shkrimtar i cili që sot është shndërruar në klasik e kjo nuk është gjë e vogël. Ndonjëherë janë fati e rrethanat që na ndihmojnë ne të dalim e të njihemi, të themi se jemi.

Para pak muajsh keni botuar romanin me titull "Vitet e urithit". Jeni shprehur për të se "doja që rrënjët e këtij romani të ishin të groposura sa më thellë në kohë. Trungu i saj të ishte fati individual, i ndërthurur në atë të shqiptarëve nga kjo anë e kufirit". Ç’keni dashur të thoni me këtë pjesë?

Kam dashur të them se ne që jemi sot e jetojmë sot, jemi prodhim i shekujve. Për të ardhur deri këtu është dashur që shumë gjenerata të gjejnë rrugën e mbijetesës, rrugë për të ruajtur veten. Ku rrugëtim ka qenë më i vështirë për ne që jemi nga ana tjetër e kufirit. Në Shqipëri shqiptari nuk është përpjekur që të mbetet shqiptar, sepse i tillë ka qenë gjithmonë, dhe nuk ka qenë i rrezikuar si shqiptar. Por për ne nga ana tjetër e kufirit, kemi qenë në rrezik vetëm nga fakti se jemi shqiptarë. Mbase edhe vetë ekzistenca fizike si të tillë ka qenë e penguar. Mua më ka brejtur në vetvete dilema, si ia kanë dalë të parët tanë të mbijetojnë në një ambient kaq të egër, ku je i rrezikuar thjesht se je shqiptar. Imagjinata shkon në thellësitë e kohës dhe i zbulon mënyrat e jetesës, e herë i rizbulon e herë i trillon ato. Në libër ajo shkon si një vijë. Andaj është përdorur metafora e urithit, për të thënë që ka pasur raste që është dashur të fshihen sikur nuk ekzistojnë e të nxjerrin kokë e të marrin ajër vetëm në rrethana të caktuara kur kjo ka qenë e mundur. Për të arritur këtu ku jemi, të parët tanë kanë jetuar në periudha ku iu është dashur të qëndrojnë si urithi, i cili fshihet nga sulmuesit e jashtëm, por ka pasur edhe kohë kur kanë mundur të marrin frymë më lehtë.

Mbi zgjedhjet e fundit në Maqedoni ju jeni shprehur se ishin mundësia e fundit për shtetin që të dëshmonte se e ka kuptuar se çdokush që mendon se Maqedonia mund të ndërtohet mbi baza të "pronarit" të shtetit – etnitetit maqedonas, dhe "qiraxhiut" në të – shqiptarët e këtushëm, në të vërtetë vetëm e ushqen krimbin i cili e brenë brendinë e këtij shteti dhe i kalb institucionet e tij". A mendoni se zgjedhjet e larguan atë "krimb"?

Jo. Mendoj se vetëm vazhdoi kalbja e Maqedonisë nga brenda dhe unë e ndiej që gjithnjë e më shumë Maqedonia shndërrohet në një kufomë, e cila tashmë ka filluar të qelbet. Këtë e dëshmojnë edhe ngjarjet e fundit lidhur me Enciklopedinë që sapo u botua, këtë e dëshmuan zgjedhjet për të cilat ju më pyesni, sepse u zgjodh një president i cili nuk e ka legjitimitetin e shqiptarëve, se ata nuk e votuan. Për këtë arsye, ai është president vetëm i maqedonasve. Andaj, që në fillim kur ai u zgjodh unë thashë, që Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë të kujdesshme në sjelljen ndaj këtij presidenti. Thashë se duhet ta dinë se është president vetëm i maqedonasve, që nuk ka legjitimitetin tim si shqiptar. Dhe nëse është kështu, ata nuk mund t’i japin legjitimitet. Politikanët maqedonas që nuk kanë legjitimitetin e shqiptarëve, vijnë në Shqipëri e përqafohen me Bamir Topin dhe del sikur ata na thonë, ja presidenti shqiptar ne na pranoi, çfarë keni ju kundër. Disa herë unë jam mërzitur nga veprimet e politikanëve tanë, e ndaj shpesh them se unë nuk dua që Tirana të më përcaktojë mua se për kë të votoj, mirëpo dua që Tirana ta respektojë vullnetin tim. Nëse ne si shqiptarë kemi thënë se ai nuk është presidenti ynë atëherë ju nuk keni të drejtë morale, kombëtare, njerëzore t’ia jepni atij legjitimitetin e munguar. Maqedonasit u mësuan me ne shqiptarët. Çfarëdo të bëjnë ata me ne, vjen Tirana dhe thotë se është në të mirën tonë. Ne jemi bërë si ai fëmija që gjithmonë me të drejtë kërkon diçka, por që i ka prindërit e pakujdesshëm sepse gjithmonë ia mbyllin gojën. Ne kemi prindër të paaftë. Të jesh sot politikan evropian perëndimor do të thotë ta njohësh vetveten, të dish ta mbrosh e ta ruash atë. Nuk duhet të interesohesh vetëm a i pëlqen të huajve.

A dëshmuan shqiptarët e Maqedonisë se nuk janë vetëm një numër i heshtur me të cilin manipulojnë partitë e tyre politike, por qytetarë që dinë të përcaktojnë dhe zgjedhin fatin e vet politik? Ka qenë kjo një pyetje që ju e keni shtruar para tyre…

Unë mendoj se shqiptarët e Maqedonisë kanë një problem që është shumë i madh dhe që ka të bëjë me pyetjen që ju shtroni. Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë parti politike, por sekte politike, grupe njerëzish që e kanë marrë në duar fatin e tyre. Mbase ekzistojnë kohë kur mjediset që nuk janë të vetëdijshme për atë që ju ndodh vuajnë nga e keqja. Unë kam frikë se një ditë gjeneratat e ardhshme të Maqedonisë, do të thonë për ne që jemi sot, çfarë budallenjsh kanë qenë ata që kanë lejuar këta budallenj t’i udhëheqin? Aty vlen parimi, i pari shpjegon shumë për ata që qëndrojnë pas atij. Nëse njerëzit më të mençur të shqiptarëve të Maqedonisë janë këta që janë, atëherë unë mund ta marr me mend se si jemi ne të tjerët. Nuk qëndron problemi vetëm tek partitë politike, por ne vetë nuk i kemi krijuar akoma klasat dhe elitat tona shkencore e kulturore. Kemi një popullatë që ka pasur disfatë e nuk ka mundur të arsimohet dhe me këtë dua të them se kultura politike është e ulët. Gabimi i dytë është se don që vrapimthi t’i korrigjojë këto. Gjërat e humbura nuk korrigjohen, nëse nuk keni dashuruar si i ri, ju si i vjetër mund të keni 20 të dashura, por kjo nuk e kompenson humbjen. Në aspektin politik, ne mbetëm vetëm një numër me të cilin manipulojnë partitë tona. Ne na shesin si një kope. Këtë e bëri BDI-ja në zgjedhjet e fundit. Ia fali disa vota shqiptarësh presidentit.

Para pak kohësh ka pasur edhe një debat tjetër mes historianëve maqedonas dhe atyre shqiptarë, mbi kontributin e shqiptarëve në pavarësinë e Maqedonisë. Cili është opinioni juaj mbi këtë çështje?

Është fakt që shqiptarët nuk morën pjesë në referendum kur u shpall pavarësia dhe nuk e votuan kushtetutën e parë. Kjo do të thotë se shqiptarët nuk kanë qenë kundër krijimit të shtetit po nuk janë për çdo lloj Maqedonie. Pra, unë nuk jam për një Maqedoni që është vetëm e maqedonasve. Ajo se sa shqiptarët janë të rëndësishëm për atë shtet, mund të dëshmohet shumë lehtë. Nëse shqiptarët nuk do të duan të ekzistojnë në atë shtet, tek ai shtet nuk do të mbetet as shkronja M. Sikur shqiptarët të thonë ne nuk na interesojnë votimet, bëjeni shtetin si të doni. Në kushte të tilla, Maqedonia nuk do të ekzistojë. Ndoshta kjo i frustron maqedonasit.

Shpesh është artikuluar mendimi se Maqedonia si shtet nuk mund të ekzistojë pa luajalitetin e shqiptarëve. A mund të na skiconi një shtet maqedonas pa shqiptarët?

Atëherë nuk do të ketë shtet. Mbase do jetë shteti me shkronjën M, dhe shteti që nuk do të përmendet as në histori, sepse ka vetëm 20 vite si shtet.

Si qëndron çështja e ndërtimit të një kishe në themelet e shtëpisë së Nënë Terezës?

Vendimet të këtilla merren që t’i shlyhet Shkupit çdo shenjë shqiptare, sepse ai qytet ka qenë qendër e shqiptarisë, ka qenë një ndër kulmet e trekëndëshit, Tiranë-Shkup-Prishtinë. Jo rastësisht ata duan të fshijnë çdo gjë që është shqiptare. Ata na shpërfillin, sepse sikur të na përfillshin ne, dhe ta dinin se ka ndonjë rrezik nga ne, nuk do të guxonin t’i bënin këto hapa. Shumëçka nga kjo tregon se në çfarë pozite jemi ne. Por kjo tregon edhe se sa respekt kanë ata ndaj qendrave tona të mëmëdheut. Një shtet që ka droje se do të ketë implikime apo pasoja nga një veprim i tillë, nuk e ndërmerr atë hap. Reagimi i diplomacisë maqedonase është me stilin e fqinjësisë së mirë, por, qeveritarët shqiptarë duhet të dinë projektet dhe duhet të dinë se ministria e Kulturës do të ndërtojë kishë mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezës. Leja është dhënë dhe trualli po ashtu. Tani heshtet, duke ndjekur stilin e zakonshëm, që shqiptarët do të harrojnë e pastaj do fillojë ndërtimi.

Para pak ditësh u botua Enciklopedia Maqedonase, punimet për të cilën kanë filluar vite më parë. Cilat ishin gabimet që u bënë në këto vite punë për ta nxjerrë këtë enciklopedi? Në këtë vazhdë janë kritikuar shumë pesë emra shqiptarësh, por në të vërtetë ç’peshë faji kanë ata?

Me sa di unë, aty kanë qenë të përfshirë dy akademikë të tjerë tanët, të cilët kur e panë se ç’do të ndodhë, kur e panë se kush ishte kryeredaktori, i cili është një antishqiptar i përbetuar, ata u tërhoqën. Në Maqedoni gjithmonë gjen shqiptarë që mund t’i blesh e që shkojnë ku t’i çosh. Ata nuk janë shkencëtarë. Njëri prej tyre, që ka shkruar për kulturën e shqiptarëve, me emrin Agim Poloska, është një njeri për të cilin unë mendoj se nga 48 orë, në 12 prej tyre është i dehur. Këtë e them hapur. Imagjino që ai njeri, pas 12 orësh dehjeje, të fillojë të shkruajë për mua, apo të flasë për shqiptarët. Ky është mjerimi i ne shqiptarëve të Maqedonisë. Unë flas për njerëzit që kanë nënshkruar si redaktorë shqiptarë në atë enciklopedi, siç është Agim Poloska.

Në atë enciklopedi thuhet se shqiptarët u krijuan si shtet nga gjermanët në Luftën e Dytë Botërore…

Çdo njeri bën atë që mendon se ti ia lejon, ose që mendon se ai e bën e ti s’ke çfarë i bën. Normalisht në atë enciklopedi shihet fryma: shqiptarët janë ardhacakë dhe si të tillë, ne duhet të çlirohemi nga ata. Ky botim bën thirrje për luftë. Atë e dinë të vërtetën. Atyre duhet t’iu djegësh akademinë. Duhet t’u thuash të mos luajnë me zjarr, se do të digjen. Ata e dinë se Shqipëria është e themeluar që nga viti 1912, këtë e dinë edhe fëmijët maqedonas. Duan të na provokojnë. Kjo do të thotë se na konsiderojnë armiq, dhe ne duhet të sillemi si armiq. Në mos tjetër, iu duhet treguar vendi.

Luan Starova ka reaguar për këtë problem që herët. Pse u desh të pritej që kjo enciklopedi të dilte, për ta kthyer në një polemikë të nxehtë?

Unë nuk dua të shitem këtu si ndonjë trim, sepse jam lodhur nga trimëria e tepërt. Në Maqedoni më ka habitur një gjë. Pse shqiptarët marrin pjesë nëpër institucionet shtetërore, përfshi ato shkencore? Unë nuk jam anëtar i shoqatës së Shkrimtarëve. Jo se unë mohoj diçka, por e di se unë u nevojitem atyre, por për këtë shërbim unë nuk jam i gatshëm. Unë këtë nuk e them se është problem individual. Nuk e di se ç’kërkojnë akademikët shqiptarë në atë akademi. Ata e dinë se kush janë kolegët e tyre, ata e dinë se kush është Bllazhe Ristovski, e si ai në akademi ke shumicën. Ç’kërkojnë aty? Ç’kërkoj unë të bëhem anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, kur unë i di qëndrimet e tyre se jam rritur e shkolluar me ta? Nëse unë nuk mund ta korrigjoj këtë, unë nuk bëhem pjesë e saj. BDI në pushtet reagon si të ishte një shoqatë joqeveritare. Por kjo është absurde, se këtë projekt e ka financuar qeveria. Si mundet që ata si ministra, të mos dinë se çfarë ndodh? Në një tekst unë jam tallur, duke thënë se Gruevski mund të jetë gati të na sulmojë ne, e këta abdallët tanë do e marrin vesh kur të na bien bombat mbi kokë. Pastaj, ata do dalin të protestojnë me ne e të thonë që kjo është antishqiptari. Por, të gjitha këto vijnë nga qeveria ku ata bëjnë pjesë.

Sipas jush cila mendoni se do të ishte zgjidhja e këtij problemi? A duhet dhe si mund të ndërhyjnë qeveria shqiptare dhe ajo maqedonase për këtë çështje?

Unë jam njeri me mendje të hapur, në kuptimin që nuk di të mendoj se ka popuj të mirë dhe popuj të këqij. Por di të mendoj se ka elita politike e kulturore që marrin në qafë popuj. Më dhimbset një popull si ai maqedonas që ka akademikë të atillë, por le ta paguajnë çmimin ata. Mendoj se Maqedonia duhet lënë të "digjet në zjarr të heshtur" dhe ajo po digjet. Ne bëmë çmos që ta heqim atë tigan nga zjarri, por siç duket maqedonasit që nuk duan një shtet të përbashkët me shqiptarët, gjithnjë e më shumë forcohen e rriten. Them se elitat maqedonase nuk duan shtet të përbashkët me shqiptarët. Atëherë unë shtroj pyetjen, pse të ndërtoj shtet të përbashkët me atë që nuk do? Si ta mbaj në krevat femrën që nuk do, përpos që ta marr me dhunë? Atëherë unë them se nuk duhet të t’i dhunojmë maqedonasit të jetojnë me ne. Nëse nuk duan, nuk duan, rrugë të mbarë.

Ka pasur krahasime mes akademikëve të sotëm maqedonas dhe atyre serbë të ndikuar nga shovinizmi dikur, sa i takon qëndrimit ndaj shqiptarëve. Sa qëndron ky krahasim?

Ajo shihet. Serbët bënin shumëçka në mënyrë të tmerrshme, por ata dinin se si e bënin të keqen. Ndërsa këta, as atë nuk e dinë. Është një shprehje që thotë: "Mundohen të vënë vetulla e i nxjerrin sytë". Dhe pikërisht këtu është e keqja e tyre. Serbët kishin akademikë shovinistë, por akademikë që dinin në shkencë, ndërsa këtu ke akademikë shovinistë që nuk dinë asgjë. Para tre muajsh u botua "Historia e Popullit Maqedonas", ku shkruhet se maqedonasit janë pasardhës të maqedonasve antikë. Në enciklopedi shkruhet se maqedonasit janë pasardhës të sllavëve. Ç’mund të më thotë mua shkencëtari që nuk di origjinën e vet? Këtu është dallimi mes serbëve dhe maqedonasve. Këta janë serbë të zbehur dhe të vonuar.

Fatmira Nikolli
Gazeta Shqiptare