Back

Krimbi shumëpartiak

Shkruan: Kim Mehmeti

 Maqedonia, ku banojnë problemet e shekullit të nëntëmbëdhjetë, që kanë të bëjnë me ruajtjen e bërthamës etnike maqedonase, ka shpall zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mbase kjo ishte zgjidhje e vetme për të dalë nga kriza politike, në të cilën e futi shtetin kryeministri aktual Gruveski. Kjo ishte zgjidhje e vetme edhe për ta rimarr veten elitat e këtushme politike pas shokut që përjetoi Maqedonia nga vetoja greke që pengoi marrjen e ftesës për në NATO. Apo thënë më saktë, kjo ishte mundësi e vetme për ta mbuluar paaftësinë e vet elitat e këtushme politike, paaftësinë për të dalë përpara pasqyrës ku do shohin se vragat e identitetit etnik maqedonas, nuk janë të shkaktuara nga përbërja etnike e shtetit, por nga veshmbathja e ngushtë e tij kombëtare, për të cilën tjerët thonë se është e arnuar me copa të historisë, gjuhës dhe kishës së popujve fqinjë.

Të parashikosh se çka do ndodh në Maqedoni pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, është njësoj sikur të paragjykosh se kur do merr fund grindja ndërpartiake mes shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet. Ajo që mund të thuhet që tani është e vërteta se pas shpërbërjes së parlamentit republikanë dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, Maqedonisë i jepen dy mundësi. E para, të korrigjojë gabimin e kryeministrit Gruevski, i cili mohoi vullnetin shumicë të shqiptarëve dhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, në vend të partisë së Ali Ahmetit – BDI-së, në koalicionin qeveritar përfshiu vëllezërit e “gjakut” – PDSH-në. Dhe e dyta, këto zgjedhje të parakohshme, kanë përmasat edukuese për politikanët e etnitetit maqedonas: ua bënë me dije se nuk mund të ketë qeveri stabile nëse mohohet vullneti politik shumicë i shqiptarëve të këtushëm.

Këto zgjedhje ndoshta janë edhe mundësia e fundit për Maqedoninë, që ajo të bëjë zgjidhjen e duhur lidhur me ardhmërinë e sajë, e t’i shpallë të vdekura kohët kur mund të manipulohej me votën shqiptare. Pra, të ndërpriten orvatjet perverse politike – të ringjallura gjatë dy viteve të fundit të sundimit të VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së – që shqiptarët e këtushëm t’i kthejnë në kohërat socialiste të Rrahman Morinës, kur qarqet sllave ishin ato që e dinin se cilët mund të jenë përfaqësues të denjë të shqiptarëve. Këto zgjedhje do jenë mundësia e fundit për Maqedoninë që ajo të dëshmojë se e ka kuptuar se çdokush që mendon se Maqedonia mund të ndërtohet mbi baza të “pronarit” të shtetit – etnitetit maqedonas, dhe “qiraxhiut” në të – shqiptarëve të këtushëm, në të vërtetë vetëm e ushqen krimbin i cili e brenë brendinë e këtij shteti dhe i kalbë institucionet e tij. Andaj, këto zgjedhje, ose do shënojnë fundin e një periudhe kur shqiptarët ishin fajtorë kujdestarë për gjitha të këqijat që ndodhnin në shoqëri, ose fillim i federalizmit të Maqedonisë. Pra, o do i sjellin Maqedonisë forca politike që do kenë guxim dhe vullnet politik ta përmbyllin Marrëveshjen e Ohrit dhe atë ta kompletojnë edhe me disa “nene” më tepër – si për shembull atë se qeveria duhet të përbëhet nga dy partitë që kanë fituar zgjedhjet tek etniteti maqedonas dhe ai shqiptarë, se në këtë shtet nuk është e mundur edhe kryetari i shtetit edhe i kuvendit edhe ai i qeverisë të jenë vetëm maqedonas etnik – o do e çojnë edhe më tej rrugës së federalizmit të saj.

Këto zgjedhje pra, nuk duhet të ofrojnë vetëm përbërje të re parlamentare, por edhe kompletim të dosjes se si të zgjidhen, njëherë e përgjithmonë, mosmarrëveshjet maqedono- shqiptare. Nëse nuk ndodh kjo, nëse mandatari i ardhshëm do ua përcjell shqiptarëve sinjalin që ua çoi Gruevski pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006 – se shqiptarët mund të votojnë kë të duan, por mandatari i zgjedh shqiptarët që do ulen nëpër kolltukët qeveritar – atëherë ky do jetë sinjal për shqiptarët e këtushëm të nisin ndërtimin e godinës së re të parlamentit të pjesës së tyre federative, do jetë sinjal se ky shtet nuk mund të funksionojë si unitarë, por vetëm si një federatë dyetnike.
Zgjedhjet e shpallura të parakohshme parlamentare në Maqedoni, do jenë edhe një provim i pjekurisë politike për shqiptarët e këtushëm dhe partitë e tyre. Andaj, për shqiptarët e Maqedonisë, nuk është gjithaq i rëndësishëm koalicionimi mes partive të tyre, por ajo se sa ato do heqin dorë nga dhuna, e cila i çon shqiptarët e këtushëm që zgjedhjet t’i përjetojnë si diçka trishtuese, e jo si festë demokratike. Pra, partitë shqiptare do duhet të shpalosin se vallë kanë hequr dorë nga “muskujt” partiak dhe rrugaçëria, apo edhe më tej do sforcojnë “diktaturën demokratike” të cilën suksesshëm e betoni PDSH-ja gjatë dy viteve të kaluara në qeveri.

Sa u përket zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni, për shqiptarët e këtushëm ato kurrë nuk kanë qen mundësi për të zgjedhur, por rast i veçantë për të shijuar vrazhdësinë e atyre që me çdo kusht duan të sundojnë popullin. Pra, për të parë hapur se disa parti të tyre, thuajse kurrë nuk janë mbështetur në vullnetin politikë të zgjedhësve, por në mjeshtërinë dhe forcën fizike të numëruesve të votave. Andaj këto zgjedhje parlamentare janë mundësi e fundit për ta shlyer njollën e turpit nga zgjedhjet e mëparme në mjediset shqiptare, ku kishte plotë parregullsitë dhe dhunë. Nëse ndodh e kundërta, kjo do dëshmojnë se shqiptarët e këtushëm janë kapur fortë nga “diktatura demokratike” dhe kanë lejuar të bëhen popull që u takon partive, e jo qytetarë që kanë parti të vetat. Pra këto zgjedhje të parakohshme, të cilat shqiptarëve ua mundësoi Ali Ahmeti me BDI-në e tij (si mundësi të korrigjohet padrejtësia që ua bëri shqiptarëve të këtushëm Gruevski pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006) janë ndoshta mundësia e fundit që shqiptarët e Maqedonisë të dëshmojnë se nuk janë një numër i heshtur me të cilin manipulojnë partitë e tyre politike, por qytetarë që dinë të përcaktojnë dhe zgjedhin fatin e vet politik.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni do duhet t’u japin fund edhe luhatjeve të elitave politike të etnitetit maqedonas se vallë është i mundur shtet i përbashkët me shqiptarët. Si dhe për ta kuptuar se kërkesa greke për ndryshimin e emrit të shtetit, është absurde, por edhe si e tillë ajo duhet tejkaluar. Pra, të kuptojnë se lojërat ballkanike nuk janë atë që thuhet për to, por atë që fshehin pas vetes. Se problemi greko – maqedonas lidhur me emrin e Maqedonisë, nuk ka të bëjë gjithaq me atë se si do quhet shteti, por si do quhet populli që tani veten e quan maqedonas. Pra,se Athinës zyrtare nuk i pengon gjithaq emërtimi i shtetit, por emërtimi i një populli. Sepse, me emërtimin e një populli si maqedonas, Athina humbë monopolin mbi një pjese të së kaluarës së këtyre trojeve. Andaj ky problem nuk do zgjidhet edhe gjatë kohë. Sa shkaku i naivitetit të elitave të këtushme të etnitetit maqedonas, po aq edhe shkaku i një qëndrimi shpirtngushtë nacionalist grekë. Kështu që edhe shqiptarët e këtushëm do mbeten pengë i problemeve që etniteti maqedonas ka me vetveten dhe popujt fqinj. E në ndërkohë, të gjithë ata që jetojnë në këtë shtet, do e kuptojnë se demokracia është joshëse edhe e bukur, por Maqedonia është ende larg demokracisë së vërtetë. Pra do e kuptojnë se edhe e bukura nuk shkëlqen çdokund njësoj me bukurinë e vet. Për shembull, gjelbërimi pranveror dhe lulet mbi varreza, nuk janë njësoj të mahnitshme si ato nëpër livadhe. Edhe urtësia nuk është çdokund njësojë e vlefshme. Ta shpalosësh atë përpara atyre që nuk marrin veshtë, është njësoj sikur t’u shpjegosh dhenve se qethja nuk është e dobishme vetëm për pronarin e kopesë, por u ndihmon atyre më lehtë të përballin vapën e verës dhe të mos i mbulojë leshi aq sa mos munden të ecin. Edhe demokracia nuk është çdokund atë që thuhet për të: rendë shoqërorë ku mbi të gjitha qëndron qytetari me vlerat e tij individuale, ku votuesi e përcakton fatin e partive politike, e jo vetëm e kundërta. Për shembull, për Maqedoninë, shumëpartizmi është shndërruar në krimb i cili e brenë këtë shtet nga brenda. Krimb të cilin e ushqen kriza e identitetit që ka etniteti maqedonas. Atë krimb e ushqen edhe shpirtngushtësia etnike e qarqeve politike të këtij etniteti, të cilët, duke mos mundur të zbulojnë rrënjët dhe trungun e tyre etnike, duan që zgjedhjet shumëpartiake t’i përdorin si mundësi për t’ua imponuar shqiptarëve “diktaturën demokratike”.

 

 (Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)