Back

Krizën e lexueshmërisë e kanë shpikur shkrimtarët që nuk dinë të shkruajnë

Intervistë: Kim Mehmeti, laureat i çmimit "Rexhai Surroi" për romanin më të mirë shqiptar për vitin 2008

, Kim Mehmeti, laureat i çmimit të parë që e ka dhënë kompania  

Intervistoi: ARBEN VESELAJ

LAJM: Ju jeni njëri nga prozatorët më të mirë të letërsisë shqipe. A mund të na thoni se cila është kryetema e romaneve dhe tregimeve tuaja?  

K.Mehmeti: Mbase letërsia mbijeton shkaku se të gjithë ne që shkruajmë e lexojmë, duam t’ia dalim në krye të pamundshmes: të zbërthejmë iluzionin e madh të quajtur jetë. Apo të shpalosim pse për çdo ditë lindin e vdesin njerëzit, e jeta mbetet gjithmonë njësoj tërheqëse dhe e freskët, thuajse ne jemi të parët që atë e shijojmë. Pra, pse lindja e vdekja, dy akte më të përsëritura tek njerëzit, mbeten gjithmonë aq të madhërishëm si shenjë e lumturisë – kur bëhet falë për lindjen, dhe të dhembjes – kur bëhet fjalë për humbjen e ndonjë njeriu të dashur tonin. 

Përveç kësaj që thash më lartë, mua më intereson edhe ndërthurja e personales me atë që ka të bëjë me kolektiven. Edhe atë duke i zgjeruar rrathët ashtu siç ndodh në jetë: nga epiqendra e individit, tek rrethi i atyre që e duan dhe i do, e pastaj duke arritur deri te rrethi i paramenduar i etnitetit të cilit i takon. Por, duke qenë gjithmonë i vetëdijshëm se merrem me pyetje që nuk kanë përgjigje, apo thënë edhe më saktë, se shtroj pyetje të cilat mbase nuk do kishin pritur deri më tani që unë t’u jepja përgjigje. Andaj, duke e ditur se ka pyetje që do mbeten gjithmonë të papërgjigjura, mundohem që nëpërmjet artit, t’i parashtroj drejtë pyetjet që më mundojn. As në krijimtarinë time, as në atë që lexoj, nuk pres të zbuloj përgjigje për kuptimin e jetës. I dua veprat letrare që ta nxisin kureshtjen, të bëjnë të mendosh për jetën dhe çdo gjë që e përbën atë. Andaj, ndoshta shkruaj pse askund nuk mund t’i lexoj pyetjet ashtu siç di t’i shtroj, edhe duke besuar se kureshtja ime do e zgjojë atë të lexuesve të mi.  

  

LAJM: Së fundi keni botuar edhe një roman tjetër, me një titull të çuditshëm “Vitet e urithit”, jeni rrekur të paraqitni një botë reale apo të rikrijoni tregimin e disa brezave njerëzor? 

K.Mehmeti: Shkruaj me vetëdijen se vepra letrare është gjithmonë nën pretendimet që ka autori. Apo, shkruaj i bindur se vepra letrare shpeshherë i ngjan një peme që e mbillni, por nuk mund t’ia parashikoni rritën e mëtejme dhe degëzimin e saj. Pra, shkruaj me vetëdijen e atij që e din ku ka rrënjët dhe trungun pema që ka mbjellë, por jo edhe si ajo tutje do rritet. 

Rrënjët e këtij romani doja të jenë të groposura sa më thellë në kohë. Trungu i saj doja të jetë fati individual, i ndërthurur në atë të shqiptarëve nga kjo anë e kufirit. Degëzimi pastaj shkoi ashtu siç mund të lexohet, e në të cilin  roman, nëpërmjet fateve individuale, doja të kompletohet mozaiku gruporë i një mjedisi, apo edhe i popullit të cilit i takojë. Kuptohet, do isha naiv sikur të besoja se e tëra kjo mund të arrihet lehtë dhe nuk do isha i drejtë ndaj vetvetes nëse nuk do kisha dyshimin se vallë ia kam dal apo jo të realizojë atë që doja. Në këtë roman, si edhe në tërë veprimtarin time letrare, mua më interesojnë fatet individuale, duke e ditur se ato janë pasqyra më e besueshme ku portretohet fati ynë kolektiv. Pastaj, reliefi i brendshëm njerëzorë, më intereson po aq sa edhe ai i jashtmi që e rrethon njeriun. Pra, dua të shkojë përtej asaj që bëjnë njerëzit, dua të jem edhe përshkrues i asaj që pjellë imagjinata e tyre. Apo thënë ndryshe, jetën njerëzore e kuptojë si një tërësi bëmash reale dhe pjellje të imagjinuara. Jeta është qëndismë ngjarjesh që ndodhin rreth nesh dhe në ne, ku pandërprerë zhvillojmë betejën me vetveten. Ajo është një magji, e ne jemi magjistarët që mundohemi atë ta zbërthejmë, e të gjejmë përbërësit e saj që na çojnë ta duam edhe atëherë kur atë e mallkojmë. Ta duam edhe atëherë kur duhet ta jetojmë si “urith” që fshihet nga rreziqet e ndryshëm.   

       

LAJM: Te “Vitet e urithit” lexuesit i shpërfaqet një botë e panjohur, sikur në përralla, herë një tjetër e njohur, me frazeologji dhe situata tipike shqiptare, përmes kësaj proze synoni të krijoni një letërsi surrealiste? 

K. Mehmeti: Synimi im është të shlyej kufirin mes reales dhe ireales. Më në fund, jeta e njeriut është edhe ajo që ai bluan në imagjinatën e vet, edhe ajo që ëndërron, edhe ajo që pjellë fantazia e tij. Andaj pse t’i jepet përparësi vetëm asaj që mund ta prekim e ta shohim. Njeriu edhe nuk është vetëm atë që ne shohim, nuk është vetëm atë që ne njohim, por një përbërje ndjenjash, një botë që fantazon, që jeton edhe në hapësirat e imagjinuara. Mua më intereson jeta si e tërë, jo e ndarë me kufij, më intereson portreti i plot i njeriut, jo vetëm ai që shihet në fotografi, apo që e shohim përderisa qëndron përpara nesh i qeshur, mirëpo në vetvete ndoshta edhe i mërzitur dhe ndoshta duke bluar në kokë pamje tjera nga ato që ka përpara vetes. Për të arritur në thellësitë e qenies njerëzore, nuk mjafton vetëm përshkrimi i jashtëm, por duhet të shkosh më thellë. E në thellësitë e tilla mund të zbresësh shumë rëndë, sepse duhet përdorur shkallët e ireales. Andaj edhe proza ime ngandonjëherë ngjanë në një përrallë, e zhvendosur jashtë realitetit, a në të vërtetë është pjesë e jetës sonë.      

LAJM: Me romanin “Vitet e urithit” Ju u shpërblyet me çmimin letrar “Rexhai Suroi” që ndau kompania mediale “Koha” nga Prishtina, ndërkaq, keni pasur një konkurrencë të fortë (Ben Blushi me romanin  “Të jetosh në ishull”, Fatos Kongoli me “Jetë në një kuti shkrepëse” etj), çka mendoni: a është çdo herë shpërblimi i parë një tregues i saktë për një vlerë të padiskutueshme, apo është çështje e shijeve letrare, e preferencave subjektive…? 

K.Mehmeti: Çmimet i japin njerëzit që kanë shije dhe standarde të veta vlerësuese. Pra, çdo grup i veçantë njerëzish, ndryshe do vlerësonte një vepër letrare. Andaj edhe në letërsi ka aq shkrimtarë më “të mirë” se tjetri, sa edhe shije, preferenca dhe standarde individuale sipas të cilave vlerësohet një vepër. Çmimet nuk janë tregues i saktë i më të mirës, por pa dyshim se tregojnë se cila vepër është e mirë. Këtë e them sepse kam qenë edhe vetë anëtar jurie letrare dhe e di se subjektivizmi juaj ju lejon të gaboni aq sa, mes dy të mirëve, të zgjidhni më të mirin tuaj të preferuar. Andaj edhe pasi mbyllet rrethi më i ngushtë i të përzgjedhurve, nuk është edhe gjithaq mëkat i madh se cili nga ata do merr çmimin e parë. Dhe pasi mbyllet ky rreth, vjen në shprehje shija e anëtarëve të jurisë, si dhe çdo subjektivizëm tjetër. Por, besoj se asnjë juri nuk do donte të shpall veten si të pastandard, pa shije dhe pa kulturë leximi, duke ia ndarë çmimin edhe ndonjë vepre e cila nuk e plotëson as kushtin të radhitet mes veprave më të mira të botuara gjatë një viti.       

LAJM: Shpesh po thuhet se tregu shqiptar i letërsisë është në krizë (d.m.th., nuk lexohet libri shqip), si mendoni Ju, kemi krizë lexueshmërie për shkak se kemi letërsi të dobët, apo nuk kemi veprimtari botuese profesionale, e cila s’di të menaxhojë me tregun shqiptar të librit?  

K. Mehmeti: Kjo nga pak është edhe temë e bezdisshme. Sigurisht se tregu shqiptarë – jo vetëm ai që i përket librit – është i çrregulluar. Pa dyshim se në kohën e internetit më pakë do gjeni njerëz që leximin do e kenë dritare më të rëndësishme nga do shohin botën pak më ndryshe. Nuk ka mëdyshje se jetojmë në kohë kur kultura mbetet nënë hijen e maunave të padoganuar me cigare, e që kalojnë kufijtë e shteteve shqiptare. Pra, nuk ka hamendësi se shoqëritë shqiptare kapitalizmin e kanë kuptuar si rend shoqërorë që qëndron mbi pasurinë materiali, e varfërinë shpirtërore, gjë që është e gabuar. Por, megjithatë, nuk ka mëdyshje se filozofinë se faji është te lexuesit, e kanë shpikur shkrimtarët që mendojnë se ata dinë të shkruajnë, e lexuesit nuk dinë të lexojnë. Jam i bindur se sot kemi lexuesit më me shije, se sa në kohën e socializmit, kur i detyronin njerëzit të lexojnë. Kam një djalë timin që lë anësh TV ekranin dhe internetin, dhe mbyllet në dhomën e tij ku lexon. E them hapur: është tundim i madh t’i lësh anësh ekranin e TV-së dhe internetin, e të mbyllesh në dhomë me librin. E pranojë hapur: nuk e di a do bëhesha lexues i mirë si Emadi im, sikur t’i kisha të hapura të gjitha ato dritare që ai i ka të çelura, e nga mund ta shikoj botën. Andaj, mbështesë qëndrimin se libri i mirë gjithmonë do lexohet. Se numri i lexuesve shqiptarë është proporcional me veprat e mira që botohen.

E MARTË, 31 MARS 2009

(Gazeta Lajm,Edicioni i Kosoves)