Back

Mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës

Kim Mehmeti

Mbase edhe gjat kohë shoqëritë shqiptare do të bëjnë gjumë në shtretër të ndarë në më shumë shtete të Ballkanit duke ëndërruar Evropën e bashkuar. Dhe do u nevojitet kohë ta kuptojnë se një shoqëri- njësoj si edhe individi- kur nuk mund të arrijë atë që dëshiron, duhet të mësohet të dojë, të vlerësojë dhe të përdorë drejtë atë që ka. Pa këtë urtësi shoqëritë shqiptare vështirë do ta kenë të kuptojnë se e vetmja shtyllë e fortë mbi të cilën mbështetet identiteti i tyre është trashëgimia dhe e sotmja e tyre kulturore. Se portreti i identitetit të tyre ndërlidh veçorit krahinore, dialektore dhe të një populli shumëreligjioz të cilin e ka përshkuar edhe puhiza e qetë e lindjes edhe freskia e këndshme e kulturës krishtere.
Puhizë e flladshme e cila duhet të na mbajë të kthjelltë sa mos harrojmë se identitetin tonë nuk mundë ta dëmtoj asgjë aq sa moskomunikimi i shoqërive shqiptare të cilat zhvillohen në pesë shtete të Ballkanit. I cili moskomunikim na e mjegullon shikimin që të mos vërejmë se nëse Ballkani është “fuçi baroti”, atëherë Evropa është “depo” e mbushur përplot me mbeturina eksploduese politike. Se nëse Ballkani është një gropë e madhe përplot me “llome historike” të mbledhura nëpër tavolinat mbi të cilat të mëdhenjtë arnojnë hartat e popujve të vegjël të këtyre hapësirave, atëherë Evropa është vetëm një bibliotekë e madhe përplot me memoare të rrejshme ku flitet për barazi mes popujve, vetëm sa për t’i fshehur standardet e dyfishta të cilat përdoren edhe sot.
Se nëse Ballkani është një karrocë e thyer e cila mezi mbanë peshën e miteve të shumtë, atëherë Evropa është tren me shumë drejtues, por pa lokomotivë. Se nëse Ballkani është nxënës i cili kurrsesi nuk arrin t’i mësojë leksionet nga e kaluara, atëherë Evropa është një mësuese e plakur harrimtare e cila jo vetëm që nuk rikujton rininë e saj, por edhe nuk e ka kuptuar se nga historia askush nuk ka mësuar gjë. Dhe më në fund, të kuptojmë se nëse Ballkani është një hapësirë ku jetojnë popuj të pafuqishëm të përcaktojnë rrugën e ardhmërisë së vet- me çka janë të detyruar që nga padrejtësitë e trashëguara të murojnë besimin se “fatit nuk mund t’i iket”- atëherë pjesa tjetër e Evropa është vendbanim i atyre të cilët nuk janë të gatshëm të përballen me të vërtetën se Ballkani nuk është asgjë tjetër përpos pasqyrë në të cilën shihet fytyra e pastolisur e këtij kontinenti.
Në atë fytyrë të vrazhdë të kësaj pjese të Evropës, gjithsesi bëjnë pjesë edhe shoqëritë shqiptare, pa marrë parasysh në cilat tërësi shtetërore ato bëjnë pjesë. Të cilat shoqëri më shumë se një dekadë ngulfaten në “maunokracinë”, si fazë kalimtare drejtë kapitalizmit të mirëfilltë. Pra, edhe shoqëritë shqiptare janë në duart e “pashallarëve demokratik” dhe në kthetrat e partive politike të cilat funksionojnë si shoqëri private që u sjellin përfitime personale vetëm atyre të cilët populli gabimisht i quan kryesues partiak. A shumica e të cilëve e bindën veten se nënë e veprimit politikë është gënjeshtra dhe babë i suksesit partiak është pafytyrësia. Dhe mundësuan që imazhi i sotëm i shoqërive shqiptare vulë njohëse të ketë porno filmat e “artisteve tona” me nam e nishan të cilat janë duke na çuar në Evropë të atillë siç jemi- me turinjtë e zhytur në kokainë dhe bythëcullak.
Gjë që dëshmon se ishim dhe mbetem shoqëri të parullave, të llafazanisë, të grindjeve…, shoqëri të fragmentuara të cilat mbase kanë frikë të dalin përpara pasqyrës ku do shohim se shumica prej nesh- demokrat të sotëm e disidentët të vonuar të së djeshmes që braktisën grazhdin ideologjik kur nga ai nuk mbeti asgjë- jemi bërë shpjegues të identitetit tonë vetëm pse nuk dimë këtij populli t’i tregojmë si të mbijetojë dhe cilën rrugë ta ndjekë që sa më shpejtë të del nga ky tunel i pashpresës. Apo edhe pse nuk duam të pranojmë se ora e zhvillimit të shoqërive shqiptare ende tregon kohën e Konicës e të Nolit, por sot nuk kemi as “Konica” as “Nola” që të dalin në krye të kolonave intelektuale. Pra, pse nuk kemi guxim të pranojmë se pengesë e zhvillimit tonë të sotëm nuk janë vetëm politikanët e ardhur nga e djeshmja, por edhe Faraonët tanë intelektual të cilët na mësojnë që të sotmen ta jetojmë njësoj si ëndërrimtarët e djeshëm: duke mos e kuptuar botën si ylber shumëngjyrësh, por si përbërje bardh e zi, tërësi ku jetojnë të mirë dhe të këqij. Duke mos parë se identitetin shqiptarë nuk e dëmtojnë dhe nuk e kanë dëmtuar as kryqi as gjysmëhëna, por politika bajraktareske, akulturimi, arat e mbjellura me bimë narkotike, shkatërrimi i familjes shqiptare, gjeneratat e reja të çorientuara dhe të pashpresa…
Si dje, edhe sot, shqiptaria thuajse mbetet me hapin në ajër, luhatet mes kryqit dhe gjysmëhënës, jo pse atë e ka kolovajzë të vetme, por pse ka të atillë që edhe identitetin etnik këtij populli ia shpalosin si të ishte çështje sezonale e cili varet nga disponimi i atyre që kanë ambicie të bëhen Kishë e vetme e urtësisë kombëtare. Të cilët nuk kanë kuptuar se nuk ka ujë që të shpërlan nga e kaluara, por ka lumenj ku mund të lahesh në të ardhmen. Pra, se nuk ka ujë që dy herë kalon mbi të njëjtët gurë, ashtu siç nuk ka njeri i cili mund ta rihecë të kaluarën e vet. Dhe duan të na ushqejnë vetëm me gënjeshtrat e politikës ditore të servuara në sofrën e premtimeve se jemi nisur rrugës së Evropës së bashkuar. Që pastaj, ne të gënjyer nga ahengu i tillë, të harrojmë prijësve tanë politikë dhe Faraonëve intelektual t’ua shtrojmë pyetjen më të rëndësishme: si mendojnë të na bashkojnë me pjesën tjetër të Evropës kështu këmbëzbathur dhe të uritur.
Mbase ne ngutemi të bashkohemi me pjesën tjetër të Evropës vetëm që të shpëtojmë nga ky copëzim vendorë dhe duke shpresuar se Brukseli do të na mësojë se si të jetojmë pa shpikur armiq. Ku ta dish, ndoshta edhe pjesa tjetër e Evropës një ditë do të na përqafojë si pjesëtar të sajë vetëm sa ta largojë nga paravetja pasqyrën ku shihet fytyra e saj e pastolisur. Si do që të jetë, mbetet e vërteta se sikur edhe nesër të bëhemi pjesë e Evropës pa kufij, të rinjtë tanë njësoj do ëndërrojnë sa më parë t’i braktisin këto hapësira ku rrugët janë përplot me gropa dhe ku vetëm mafia ballkanike arriti të realizojë konceptim multietnik duke bashkëpunuar mes veti pa ngarkesa dhe paragjykime nacionaliste. Ku ta dish, mbase të gjithë neve që jetojmë në këto hapësira edhe nuk na nevojitet gjithaq të dëshmojmë “identitetin tonë evropian” sa atë ballkanik. Pra të dëshmojmë se dimë drejtë të shpjegojmë ëndrrën gënjeshtare se në Evropën e bashkuar mund të hymë me mafiozët dhe kontrabandistët e bashkuar të cilët qëmoti i rrënuan kufijtë e Ballkanit dhe i tejkaluan të gjitha mosmarrëveshjet religjioze dhe etnike.Ëndrra e jonë e zhurmshme për t’iu bashkangjitur pjesës tjetër të Evropës, prej moti është vetëm mbulesë fitimprurëse për ata që duan të shpallen Faraon të së sotmes tonë. Për ata që ëndërrojnë të mbeten të përjetshëm dhe të varrosen në Piramidat shtetërore, a në ndërkohë duke mos parë se edhe Evropa e sotme nuk është gjithaq e “evropizuar” sa e lavdërojmë ne. Sepse edhe sot si dikur, kur u thua “evropianëve” se turqit janë nisur drejtë Brukselit, ata përjetojnë frikën e viteve kur osmanët kishin rrethuar Vjenën. Edhe kur dëgjojnë se drejtë kryeqendrave të tyre është nisur treni ballkanas, ata parafytyrojnë vagonët e mbushur përplot me kriminel dhe të papunë. Në të vërtetë, Evropa e sotme ende nuk është çliruar tërësisht nga stereotipat e ndërtuar me vite për kulturën lindore dhe për ballkanasit.
Ëndrra jonë e larmishme nganjëherë nuk na lejon të shohim se edhe Evropa e bashkuar ende nuk ka shpëtuar nga hamendjet vallë të bëhet një “klub” katolik apo një shumësi shtetesh të qytetarëve të barabartë. E mbetur në mes të hamendjeve të këtilla, Unioni evropian nuk shkoi më larg se sa në gjirin e vet të pranojë vetëm kryqin ortodoks. Apo më saktë, në radhët e veta të pranojë Greqinë e sotme e cila ende nuk ka arritur të pranojë realitetin e vet të deridjeshëm asimilues dhe dëbues “demokratik” kur pësuan dhe i braktisën vatrat e veta shekullore mijëra familje nga Çamëria dhe Maqedonia e Egjeut. Evropa e sotme mbeti peng i standardeve të veta të dyfishta dhe i luhatjeve vallë të shkoj mëtutje dhe kryqit të sotëm në Bruksel t’ia bashkëngjit edhe gjysmëhënën. Në ndërkohë, ne shqiptarët, të prirë nga avdallenjtë tanë politikë dhe Faraonët intelektual me pretendime të bëhen Tempuj të urtësisë kolektive, mbetem peng i inferioritetit tonë i cili na çon t’u nënshtrohemi koncepteve sezonale. Të luftojmë kundër të kaluarës duke dashur të bëhemi të pëlqyer nga ata që përcaktojnë fatin e sotëm të popujve të Ballkanit. Dhe si të tillë të mos shohim se as kulturat që kanë shenjë gjysmëhënën as ato që i stolis kryqi, nuk ushqejnë amoralin, destruktivitetin njerëzore, nuk nxisin urrejtjen, nuk përkrahin qëndrimet përbuzëse ndaj cilitdo populli apo kulture. Pra të mos shohim se me këto shoqëri shqiptare të cilat mbështeten në bajraktarizmin primitiv, ne nuk mundemi të bëjmë asgjë më shumë se sa të trillojmë armiq vetëm sa të arsyetojnë dështimet tona. Sikur mos ishim të këtillë, ne qëmoti do e shihnim se Evropa e sotme i ngjanë një zonje plakë të cilës posa t’ia heqësh kapelën e stolisur me pupla dhe posa t’ia marrës bastunin e stolisur me gurë të çmuar, do njohësh prostitutën e dikurshme politike e cila ende nuk ka arritur t’i shërojë të gjitha traumat dhe varrët nga rinia e sajë e hershme.

http://www.gazeta-shqip.com/qosja-kadare/mehmeti.html