Back

Ndarja e Kosovës do ta zhbënte Maqedoninë

Intervistë me shkrimtarin dhe analistin politik nga Maqedonia, Kim Mehmetin      

    

Në një intervistë për gazetën “Focus” shkrimtari dhe analisti politik Kim Mehmeti thotë, se kjo që ndodh me shqiptarët e Maqedonisë dëshmon se ata ende janë popull “joinstitucional”, se ky shtet me qëllim i bënë pronë të partisë në pushtet. Sipas tij mundësi e bashkimit është e pamundur tani për tani, sepse janë në luftë dy koncepte politike, të cilët janë të largët mes veti aq sa edhe komunizmi dhe demokracia. Shqiptarët e Maqedonisë, sipas Mehmetit do paguajnë çmim të lartë për të shpëtuar nga “rrugaçëria” partiake dhe se nuk do arrijnë ta bëjnë pa ndihmën e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare

 

Ardian Zejnaj

Focus: Z. Mehemti, në Maqedoni vetëm sa ka filluar fushata parazgjedhore, ndërkohë që me 1 qershor janë zgjedhjet. Prisni ndryshime në skenën politike të Maqedonisë nga këto zgjedhje?

Mehmeti: Në Maqedoni çdo gjë do mund të ndryshojë, por jo edhe mentaliteti politik i disa qarqeve politike maqedonasve, që jetojnë me bindjen se çdo gjë në këtë shtet, përfshi qiellin e nëntokën, ka shenjën sllave dhe kryqin ortodoks. Në këtë shtet do mund më shpjet të ndryshojë konfiguracioni gjeografikë i tij, se sa disa qarqe politike shqiptare ta kuptojnë se,  duke luftuar për pushtet, ata në të vërtetë nuk vërejtën se popullin e tyre e lanë pa shtet, e bënë të ndjehet qiraxhi në shtëpinë e vet. Zgjedhjet e 1 qershorit, janë ai provimi i madh për shqiptarët e Maqedonisë se vallë ata e kanë kuptuar se kanë mbet peng i “rrugaçërisë“ partiak, se vallë e shohin se  dikush sistematikisht i çon drejtë rrugës së kriminalizimit të shoqërisë së tyre, drejtë vëllavrasjes, dhe se në njëfarë mënyre, me dorën e vetë u dhanë legjitimitet atyre që janë në shërbim të qarqeve të këtushme politike maqedonase që thonë se “vetëm shqiptari i komprometuar dhe me dosje policore, është i përdorshëm për pushtetin”. Andaj, ndryshime do ketë vetëm nëse shqiptarët e Maqedonisë e kanë kuptuar se në këto zgjedhje, o do i thënë mjaft rrugaçërisë partiake, o do mbeten peng i saj. Do ketë ndryshime vetëm nëse partitë e këtushme shqiptare, arrijnë ta kuptojnë se populli më është ngirë nga demokracia që ia ofrojnë ata, e që në të vërtetë është një diktaturë shumëpartiake. Do ketë ndryshime vetëm nëse elitat e këtushme politike të popullit maqedonas, do kenë guxim të shohin se ky shtet ka ardhmëri të errët shkaku i krizës së identitetit që ka populli maqedonas, e të cilën duan ta mbulojnë duke nxitur dhe përkrahur institucionalisht destruktivitetin te shqiptarët e këtushëm. 

Focus: Sondazhet e ndryshme nuk nxjerrin asnjë herë të njëjtën parti fituese, qoftë BDI-në apo PDSH. Mendoni se këto sondazhe po bëjnë lojën e dikujt tjetër apo sa reale dhe të besueshme janë ato, kush mendoni se është parti që do të fitoj?

Mehmeti: Sondazhet e fundit, të publikuara në Maqedoni, kanë për qëllim hutesën e plotë të votuesit të këtushëm. Posaçërisht të atij shqiptarë. Kanë për qëllim edhe frikësimin e popullatës duke dashur t’i bëhet me dije se nuk do ketë shpëtim nga PDSH-ja, nga pushtetarët aktual shqiptarë. Kuptohet, për realizimin e këtyre anketave të rrejshme, jepen para të mëdha të marra nëpërmjet reketimit partiak mbi biznesmenët e pambrojtur dhe të paktë shqiptarë të këtushëm. Me çka, partia shqiptare në pushtet, u bë ngufatja më e madhe e rritës së kapitalistëve të këtushëm shqiptarë, i çoi ata krahas  taksave shtetërore, të paguaj edhe taksën partiake. Ky popull pra, u shndërrua në taksapagues i atyre që e gënjejnë me anketa të rrejshme, ky popull mbeti pengë i gënjimit që e paguan me djersën e vet. Por, edhe sondazhet në Serbi thoshin se do fitojnë “sheshelistët”, por doli e kundërta. Besoj se edhe këtu do ndodh e njëjta. Anketat e shumë “agjencive objektive”, si ajo me pronarë arab me seli në Lubjanë, thonë se do fitojë PDSH-ja, por unë besoj se do ndodhë krejt diçka tjetër. Kësaj radhe BDI-ja do fitojë më bindshëm se kurrë më parë. 

Focus: Shqiptarët duket se janë larg profilizimit të tyre, për të mos thënë të “mbushurit mend”, sepse që në start kanë filluar ta sulmojnë njëra-tjetrën. Sa do të dëmtohen nga këto veprime vet shqiptarët?

Mehmeti: Kjo që ndodh me shqiptarët e Maqedonisë dëshmon se ata ende janë popull “joinstitucional”, se ky shtet me qëllim i bënë pronë të partisë në pushtet. Gjitha këto sulme të selive partiake, si dhe atentati mbi kryetrarin BDI-së, nxiten e stimulohen nga struktura policore. Kush nuk e kupton këtë, s’ka pse i shpjegon se dikush shqiptarët i çon rrugës së vëllavrasjes. Ai që nuk e kupton se pse nuk ka ekcese në vendbanimet maqedonase, por vetëm në ato shqiptare, nuk do e kuptojë kurrë se ka qarqe politike shqiptare, të cilat në emër të interesit vetjak dhe të kryesuesve të partisë, janë të gatshëm të torturojnë dhe frikësojnë popullin e vet. Në Maqedoni janë në skenë forca policore të VMRO-DPMNE-së, që veprojnë sipas parimit: derisa shqiptarët vriten mes veti, ne do zhvillojmë ekonomikisht pjesën lindore të shtetit. Dhe mund të ndodh që shqiptarët, vonë ta kuptojnë këtë lojë. Dhe kur të zgjohen nga gjumi, ta shohin se ata jetojnë në një “shkretinë” ekonomike, të kontrolluar nga hajdutët shqiptarë. Por, atë ditë kur elitat  maqedonase do mendojnë se e kanë arritur qëllimin e kriminalizimit të shoqërisë shqiptare, në të vërtet do e shohin se ma nuk ka mbetur asgjë nga Maqedoni. 

Focus: A ka ekzistuar apo ekziston ndonjë mundësi apo ide që shqiptarët të bëhen bashkë politikisht, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj këtë ua kërkojë, por ata nuk dëgjuan. Çfarë i ndalon shqiptarët që të bashkohen politikisht?

Mehmeti: Ajo mundësi është e pamundur tani për tani. Është e pamundur sepse janë në luftë dy koncepte politike, të cilët janë të largët mes veti aq sa edhe komunizmi dhe demokracia. Në Maqedoni janë përballur koncepti politikë i BDI-së, dhe i gjitha partive tjera, e që thotë se shqiptarët janë ata që vendosin se cila parti e tyre do i përfaqësojë në institucionet më të larta shtetërore. Përballë këtij koncepti të BDI-së, qëndron ai praktikuari deri më tani i PDSH-së, që mandatari – partia më e madhe politike maqedonase – të përcaktojë përfaqësuesit shqiptarë nëpër institucionet shtetërore. Thirrjet e Prishtinës dhe Tiranës për bashkëpunim mes partive të këtushme shqiptare, janë shumë të vonuara. Këto thirrje vijnë pasi e kuptuan se neve shqiptarëve të këtushëm, na instaluan “vlera” politike, të cilat mbase edhe kanë qëllim tjetër nga ai që e thonë kur thirren në atdhetari dhe shqiptari. Andaj edhe thirrja e Prishtinës dhe Tiranës për bashkëpunim, ngulfatet nga zhurma e këtushme ndërpartiake. Më në fund, Prishtina dhe Tirana zyrtare u bënë të shurdhëta, kur pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, ne kërkonim të mos i japin legjitimitet qeverisë së Gruevskit, e cila e ndihmuar nga PDSH-ja, shkeli vullnetin politik shumicë të shqiptarëve të këtushëm. Tirana e Prishtina zyrtare e kuptuan çka ndodh, atëherë kur shqiptarët e këtushëm e morrin porosinë se janë lënë në mëshirën e diktatorëve demokratik. Se Tirana e Prishtina përkrahin edhe qeveri që nuk kanë legjitimitetin e shqiptarëve të këtushëm. 

Focus: Çfarë mendoni, sa gjatë mund të jenë shqiptarët të trajtuar në këtë mënyrë nga pala maqedone dhe a ka njerëz dhe forca politike shqiptare që mund ta ndryshojnë këtë situatë brenda Maqedonisë?

Mehmeti: Shqiptarët e Maqedonisë do paguajnë çmim të lartë për të shpëtuar nga “rrugaçëria” partiake. Dhe këtë nuk do arrijnë ta bëjnë pa ndihmën e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare. Kur e them këtë, nuk dua të them Kosova e Shqipëria duhet të vendosin për partitë tona, por të respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve të këtushëm. Të mos i përkrahin qarqet politike që këtu terrorizojnë popullin. Tirana dhe Prishtina zyrtare do duhet që interesin kolektiv të shqiptarëve të këtushëm, ta venë mbi atë të bizneseve ndërpartiake atje dhe këtu, mbi ortakëllëqet në biznes që i kanë partiakët e atjeshëm me këta tonët këtu. Është mëkat dhe mallkim, që mbi fatkeqësinë e popullit të nxjerrësh përfitime. Kjo është e mundur për një kohë, por do vijë dita kur ky popull do ua vë flakën fabrikave të atyre që interesin e tij e barazuan me profitin material për krerët partiak këtu e matanë kufirit. 

Focus: Ju në shkrimet e juaja jeni shumë kritik ndaj kësaj gjendje të cilën po përjetojnë shqiptarët. Vërtet mendoni se partitë politike ekzistuese janë fajtoret e kësaj gjendje apo edhe shqiptarët kanë faj që nuk kërkojnë alternativë me të mirë?

Mehmeti: Ka një thënie se populli ka përfaqësuesit që i meriton. Unë nuk i besoj kësaj thënie, sepse asnjë popull nuk e meriton të keqen. Por ka një fakt që nuk duhet mohuar: shqiptarët e këtushëm janë pjesa më e paarsimuar e shqiptarisë sonë, dhe si e tillë, edhe me kulturë më të ultë politike. Shqiptarët e këtushëm bënë edhe një gabim: besuan se në kohën kur Kosova kishte hallin si të çlirohet nga thundra serbe, Tirana do jetë ajo që sadopak do kujdeset që ata të mos mbeten në kthetrat e atyre që atdhetarin e shisnin për të marr 10 përqindëshin e cigareve të padoganuara. Në vend të kësaj, Tirana zyrtare “zyrtarizoi” të përkëdhelurit e sajë, të cilët sa herë që populli i demaskonte se cilët ishin, shkonin në Tiranë, fotografoheshin me zyrtarët e atjeshëm, dhe ktheheshin në Tetovë si patriot të licencuar nga mëmëdheu. Kështu pra, në këtë shkretinë politike, u bënë politikanë  edhe disa nga ata që nuk kishin as turp as frikë të shkelin mbi interesat e popullit të vet. Gjë e cila tani më është etabluar si veprim politik. Gjë që shqiptarët e këtushëm i bëri rob të disa qarqeve partiake, të cilat tani nuk kanë hallin e popullit, po si të legalizojnë pasurinë e tyre, si të shpëtojnë kokën pasi që e ndjejnë se janë të zhytur deri në fyt në keqbërje. Duke e ndje veten të tillë, ata mirë e kanë vlerësuar se mund të mbeten politikisht të gjallë vetëm nëse kaosi është i plotë. Pra, ata tani veprojnë sipas parimit: sa më keq e ka populli, aq më mirë është për ne.


Focus: Maqedonia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Cilat janë arsyet, sipas juve që Maqedonia heziton ta njoh pavarësinë e Kosovës?

 

Mehmeti: Maqedonia nuk e ka njohur ende Kosovën, sepse ajo ende nuk i ka njohur si të barabartë me maqedonasit as shqiptarët e këtushëm. Nuk e ka njohur shkaku se faktori politik i shqiptarëve të Maqedonisë, nuk ka aspak ndikim në politikën e këtushme shtetërore.  Që më së miri u dëshmua nëpërmjet deklaratës së kryesuesit të PDSH-së, i cili publikisht tha se Maqedonia do e njeh pavarësinë e Kosovës atëherë kur do vendos partia e tij. Me çka tani del se njohjen Kosovës e kundërshton PDSH-ja. Gjë të cilën unë nuk dua ta besojë. Por e besoj atë se PDSH-ja ka ndikim në vendimet e kryeministrit ende aktual të qeverisë së Maqedonisë, aq sa ka ndikim qeni im në përmasimin e racës së vet në Kinë.

Focus: Mendoni se ka ndikim Serbia mbi Maqedoninë për këtë çështje, sepse pas takimit Cërvenkovski-Tadiq, Cervenkovski deklarojë se pavarësia e Kosovës është e rrezikshme dhe krijon destabilitet për rajonin?

Mehmeti: Se Beogradi ka ndikim ne strukturat e këtushme politike maqedonase, unë as që dyshojë. Por, për mua mbetet dilema se sa Beogradi ka ndikim edhe në disa qarqe të këtushme politike shqiptare. Këtë e them sepse shumëçka shkon e koordinuar. Atë që dëshiron ta realizojë Branko Crvenkovski, e bënë me ndihmën e deklaratave të lartpërmendura se Maqedonia do e njeh Kosovën atëherë kur do vendos PDSH-ja. Pas kësaj, a nuk pason pyetja e logjikshme, se mos vallë aq Beogradi ndërhyn aq mjeshtërisht në politikën e këtushme, sa Shkupi ende ka mbetur atë që ishte në ish Jugosllavi: filiali më i dëgjueshëm politikës së Serbisë. Se oktapodi i ndikimit serb, ka krahët e vet edhe në disa struktura politike të këtushme shqiptare. 

Focus: Apo e shihni mosnjohje e Kosovës të lidhur me çështje e demarkacionit të kufirit në Debellde dhe Maqedonia pret që së pari të definohet kjo çështje dhe pastaj ta njoh pavarësinë e Kosovës?

 

Mehmeti: Ratifikimi i kufirit ndërshtetërorë mes Beogradit e Shkupit, u bë në kohën e  qeverisjes së po të njëjtit koalicion qeveritarë që tani zvarrit njohjen e pavarësisë së Kosovës : VMRO-DPMNE dhe PDSH.  Pra, atëherë kur faktori politik shqiptarë është më i dobët, në kohë kur qeveria e këtushme nuk ka legjitimitetin e shqiptarëve, Maqedonia sillet me mospërfillje ndaj Kosovës. Dhe kjo të shtynë të paragjykosh se VMRO-DPMNE-ja, e ndihmuar nga PDSH-ja, luan një lojë të rrezikshme me shqiptarët në përgjithësi. Se dëshiron sa më shumë t’i shërbejë Beogradit. Mbase VMRO-DPMNE-ja ka ndonjë planë tjetër për këtë shtet, të cilin nuk ka guxim ta shpalos publikisht dhe kështu dëshiron t’ua rikujtojë shqiptarëve të bëjnë atë që ëndërrojnë kryesuesit e kësaj partie:federalizmin e shtetit. Andaj, mosdefinimi i kufirit të Maqedonisë me Kosovën, ka të bëjë me mosdefinimin e relacionit të brendshëm maqedono-shqiptarë. Pse, mos vallë dikush mendon se sikur shqiptarët e këtushëm të ishin faktorë i rëndësishëm i vendimmarrjes, do kishte qeveri maqedonase që deri tani nuk do e njihte pavarësinë e Kosovës dhe që do mundohej të vidhte pjesë të tokës kosovare? 

Focus: Por, në atë pjesë të Kosovës disa njerëz kanë marr armët për t’i mbrojt tokat e tyre. A shihni rrezik të eskalimit të situatës së sigurisë, shkuarjen drejt ndonjë konflikti mes Kosovës dhe Maqedonisë, nëse zgjidhja është e disfavorshme për ata njerëz?

Mehmeti: Rrezikimi i stabilitetit të Maqedonisë fare nuk ndërlidhet as me shqiptarët e Kosovës, as me ata të këtushmit. Ai do ndodh shkaku se elitat e këtushme maqedonase ende dyshojnë se a është i mundur shtet i përbashkët i tyre me shqiptarët. Andaj, këto “probleme të hapura” me shqiptarët dhe Kosovën, më shumë u duhen atyre, se sa neve shqiptarëve. Prandaj, mendoj se shqiptarët nuk kanë nevojë të marrin armë nëse duan shkatërrimin e këtij shteti. Ai edhe ashtu do vetë-shkatërrohet nëse mbetet  në duar e këtyre strukturave të pafata maqedonase që e çojnë Maqedoninë drejtë kalbjes së sajë të brendshme.

Focus: Një çështje tjetër me të cilën vazhdon të përballet Maqedonia është çështja e emrit, të cilin nuk e pranon Greqia, për çka e bllokoj edhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO për Maqedoninë. Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështje?

 

Mehmeti: Duke mos pasur pjekuri e guxim të merren me krizën e identitetit maqedonas, elitat e këtushme politike maqedonase, gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të kaluara, merreshin me “rrezikun shqiptarë” në Ballkan. Ato edhe sot zbulojnë “terroristë islamik” në mes të Shkupit, e nuk arrijnë t’i gjejnë kush janë ata që thyejnë shtabet zgjedhore të BDI-së, që bëjnë atentat mbi Ali Ahmetin, cilët janë ata që në mes të ditës plaçkitin paratë e postës. Problemi me emrin e këtij shteti, e të cilin e nxiti Greqia, ka të bëjë me problemin e një populli, i cili herë thotë se është me prejardhje sllave, e herë  pasardhës i maqedonasve etnik. Diku në me të këtyre vetgënjimeve, mbetet e vërteta se edhe ne shqiptarët mbetëm peng i kësaj krize që kanë maqedonasit lidhur me identitetin e tyre. Pra, Maqedonia mbeti pengë i një populli që sillet si fëmijë që e dinë adresën ku ka lindur, por në certifikatën e lindjes i mungojnë emrat e prindërve.

Focus: Disa thonë se zgjidhja do të jetë ruajtja e emrit aktual kushtetues të Maqedonisë duke u thirr në identitetin maqedonas, por kjo pak është e mundur. A ekziston ky identitet vërtetë në Maqedoni, identiteti maqedonas?

Mehmeti: Identiteti që varet vetëm nga emri i shtetit, nuk mund të jetë identitet i shëndosh. Se sa është i fortë boshti kurrizorë i identiteti etnik maqedonas, nuk e di. Por ajo që shihet nga jashtë, flet se ky identitet është i luhatshëm. Gjë të cilën mirë e kanë kuptuar fqinjët e Maqedonisë, dhe e stimulojnë që sa më shumë të dobësohet. Andaj jam i prirë të besojë se fatkeqësia e popullit maqedonas qëndron aty se ata bëhen popull në kohën e internetit, në epokën e globalizimit, kur e kanë vështirë të ruajnë identitetin e vet edhe popuj të formuar me kohë, e lere më ato të porsaformuarit.

Focus: Ajo që vërehet në këtë çështje është, si të themi heshtja e shqiptarëve. A do të thotë kjo se për shqiptarë nuk qenka, apo nuk ka rendësi se qytetar të cilit vend do të quhen apo sikur janë dakord, se edhe shqiptarët në këtë shtet duhet ta quajnë veten apo ta ndjejnë vetën si maqedonas me identitet?

Mehmeti: Shqiptarët dolën shumë korrekt lidhur me problemin e emrit që ka Maqedonia me grekët. Duke e ditur sa e ndjeshme është kjo çështje për popullin maqedonas, ata thuajse ia lanë në dorë këtij populli që ta zgjidh këtë problem me grekët si të dojë. Partitë e këtushme shqiptare nuk bënë as aq sa t’ua kumtonin elitave maqedonase, se ata mund të zgjedhin cilëndo emër, bile edhe atë të “Republikës të specave të kuq”, por pa aprovimin e shqiptarëve, të gjithë emrat e saj – si edhe ajo vet – do jenë të përkohshëm. Këtë duhej ta bënin partitë shqiptare jo shkaku i shantazhit, por që të ruajnë dinjitetin e popullit të vet, që të mbrojnë atë se shqiptarët e këtushëm mund të tregojnë kujdes ndaj të tjerëve, por nuk mund të jenë të pakujdesshëm ndaj vetvetes.

Focus: Por, a do të duhej të kishte një marrëveshje brenda vetë qytetarëve në Maqedoni dhe a është e mundur kjo, që të ketë një identitet mbi ata kombeve kombëtare për shembull diçka të ngjashme siç po ndodh në Kosovë me tentimin për të ndërtuar identitetin kosovarë?

Mehmeti: Në Kosovë kjo është e mundur, sepse e keni të ndërtuar identitetin e të gjithë etnive që jetojnë në atë shtet. E këtu ndodh e kundërta: populli numerikisht më i madh – maqedonasit – ende ka problemin e identifikimit të identitetit të vet etnik. Andaj edhe këtu shqiptarët nuk lodhen gjithaq se si do quhet në të ardhmen shteti ku ata jetojnë.

Focus: Të kalojmë pak nga Kosova dhe Shqipëria. A kanë bërë mjaftë këto dy vende për t’u ndihmuar dhe mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni?

 

Mehmeti: Kosova bëri atë që mund ta bënte një shtet që kishte hallin e mëvetësimit. Shqipëria bëri atë që mund të pritej nga një shtet që shumë pak mund të bënte për vetveten. Kështu që shqiptarët e Maqedonisë mbetën si fëmijë bonjak të cilët kishin në hallë prindërit. Mbase kjo edhe u ndihmoi të kuptonin se për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, ata gjithmonë do mbeten “vëllai më i vogël”, të cilin mund ta përdorësh vetëm kur ke halle të mëdha. Këtë mirë e kuptuan qarqet e këtushme politike maqedonase, andaj edhe silleshin me mospërfillje ndaj faktorit të këtushëm shqiptarë. Dhe e tërë kjo i solli shqiptarët e këtushëm aty ku janë sot: të kenë pushtetarë shqiptarë, po të ndjehen si ai që nuk ka shtëpi të veten. Të jenë bashkësundues me maqedonasit, por sundimi i tyre të mos shkojë më larg se sa t’i mbajë nën kontroll shqiptarët. Pra, shqiptarëve të këtushëm u lejohet të jenë pjesë e pushtetit, por jo edhe pronarë të shtetit ku jetojnë.  

Focus: A pajtoheni se në Kosovës ekzistojnë dy mendësi për sa i përket pavarësisë, “kosovacentristët” që nuk preferojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe “albanocentristët” që mendojnë se pavarësia është vetëm një pushim…deri në luftën tjetër për bashkimin e shqiptarëve në një shtet? A mundet që të mbijetojë Kosova si shtet i pavarur sipas Jush?

Mehmeti: Më shumë është shtet Kosova, se sa Maqedonia. Nëse për hiçgjë tjetër atëherë shkaku se atje – sa kam vërejtur unë – policia të gjithë i dënon njësojë për shkeljen e rregullave të komunikacionit. Sa u përket proceseve integruese brendashqiptare, ato janë të pashmangshëm. Lëvizjet e popujve depërtojnë më lehtë e më thellë se uji. Popujt janë materie e gjallë, e paparashikueshme, dhe ngandonjëherë të kota janë analizat dhe vendimet e sjella nëpër kabinete. Më në fund, proceset integruese evropiane, mbështeten mbi shlyerjen e kufijve, mbi qarkullimin e lirë të njerëzve, ideve dhe mallrave. Atëherë, vallë është e logjikshme që te shqiptarët të ndodh e kundërta: ata të mbeten të paintegruar brenda vetvetes? Kosova është shteti i dytë shqiptarë, por është pjesë e tërësisë shqiptare. E cila tërësi gjithnjë e më shumë do i mbyll rrathët e komunikimit normal që i ka hije një populli. Mbyllja e plotë e  këtij procesi, do vijë atë ditë kur për shqiptarët nuk do jetë gjithaq e rëndësishme se vallë kryeqyteti i tyre është Tirana , Prishtina apo Shkupi.

Focus: Por elitat politike e kulturore mendojnë se ka vetëm një identitet shqiptar në Ballkan dhe çdo identitet kosovar është i shpifur dhe i kontribuon shkombëtarizimit?

Mehmeti: Kosovarët nuk duhet të lejojnë të bëhen “maqedonasit” e dytë të Ballkanit, që merren me zbulimin e identitetit të tyre. Duhet të dallojnë çdo të thotë identitet shtetëror, dhe identitet etnik. Nëse bëhet fjalë për identitet shtetërorë, atëherë ai problem është krejt tjetër. Por, nëse dikush fletë për identitet etnik, të ndryshëm nga ai i shqiptarëve të Shqipërisë apo të Maqedonisë, atëherë bëhet fjalë për detsruktivitet pervers. Njeriun e përbëjnë identitete të ndryshme, nga ai gjinorë, social, arsimorë, rajonal…, por ka një bosht që quhet identitet etnik, e që shqiptarët e kanë të qartë para se Shqipëria e Kosova të ekzistonin si shtete. Identiteti shqiptarë, është më i vjetër se ai i shteteve që kemi, andaj ai është themeli i ndërtimit të identiteteve shtetërore, që tani emërtohen si “kosovarë” e “shqiptarë”. Andaj nuk munden themelet të qëndrojnë mbi kulmin, por e kundërta. Kosova dhe Shqipëria janë kulme që mbrojnë nga reshjet dhe furtuna, po të njëjtin identitet – atë shqiptarë. I cili identitet në vetvete ngërthen multireligjionizmin tonë si dhe multidialktizmin gjuhësorë.

Focus: Edhe pse Shqipërinë e konsiderojmë si vendin amë të të gjithë shqiptarëve, mendoni se e ka luajtur rolin që i ka takuar në raport me bashkëkombësit e saj t&e