Back

Nga fati i PPD-së mund të mësojnë shumë udhëheqësit e BDI

Edhe pse BDI-ja arriti rezultate kolosale – për mua vetëm legalizimi i Universitetit të Tetovës mund t’ua mbulojë mangësitë e deritanishme – mendoj se kjo nuk ia doli që në ecje të rirreshtohet. BDI-ja i mbeti mbi shpinë Ali Ahmetit si thes i mbushur me brirë dashi: me plot grupacione që nuk i bashkon qëllimi i njëjtë. Në radhët e saj i keni “prostitutat politike” të PPD-së, “intelektualët” me ambicie ambasadoreske ,
“radikalët” e pakënaqur me statusin e ish-luftëtarëve të UÇK-së, “leninistët” që u bënë demokratë, “atdhetarët” që bëjnë analiza globale për shqiptarinë, e askund nuk e keni “boshtin” profesional partiak. Partitë të cilat nuk i mban “bërthama” e profilizuar politike, por i mban hija e individit, nuk kanë energji për vrapime të largëta. Më në fund, ky është fati i partive të cilat dehen nga euforia fillestare e lëvizjes popullore dhe nuk arrijnë të rirreshtohen në parti të mirëfillta. PPD-ja, siç e dimë, startoi me kalë të bardhë në mes të Tetovës dhe me gjithë shqiptarët pas vetes, por përfundoi me një autobus anëtarësh. Sepse, nuk e kuptoi se nuk ka parti që mund të bashkojë interesat e të gjitha grupacioneve që ka një popull.
Tani për tani ka filluar të më pëlqejë të jem i papunë. Kuptohet, nuk e kam vështirë të punësohem, por njeriu vjen në situatë kur e mbyll një mënyrë të të ekzistuarit dhe pyetet si dhe ku më tej. Kam oferta konkrete për angazhim në Tiranë dhe Prishtinë dhe mund të ndodh që të shpërngulem në ndonjë nga këto kryeqendrat tonat. Por, tani për tani, dua njëherë të rikthej kontaktin me krijuesin në vetvete-shprehet shkrimtari Kim Mehmeti pas dorëheqjes nga posti i zv/drejtorit të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Maqedonisë (RTVM) në intervistën për “Lobin”. Në të ai njëkohësisht flet edhe për rolin dhe vendin e gazetarisë shqiptare në Maqedoni, për punën e partive, për rastin e Kondovës etj.
  

LOBI: Në një intervistë dhënë mediave në Tiranë, ardhjen tuaj në vendin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTVM-së e vlerësuat si gabim të madh tuajin të bërë me vetëdije. Mbase jeni ndër shqiptarët e rrallë, nëse jo edhe i vetmi, që keni dhënë dorëheqje nga një post i tillë, edhe atë pasi arritët të punësoni 70 profesionistë në këtë shtëpi informative. U tërhoqët që ta korrigjoni gabimin, apo nga pamundësia të realizonit konceptin tuaj?

MEHMETI: Nuk është e paditur se ky vend pune është nga ato ku me vetëdije shkoni që të dështoni. Sepse cilindo rezultat të arrini, nuk mund të mbushni gropën e thellë të zbrazëtirës profesionale të programeve në gjuhën shqipe pranë RTVM-së që me dekada kanë qenë vetëm sa për sy e faqe, sa për t’u lavdëruar Maqedonia para botës se zbaton konceptin informativ shumëgjuhësor. Nëse këtij dekori socialist ia shtoni dekadën e fundit të partizimit “demokratik” të programeve në gjuhën shqipe – çdo parti shqiptare, sa vinte në pushtet edhe zbrazte vagonin e partizanëve të vet që duheshin të na informojnë shqip, mirëpo siç thotë “nëna parti” – atëherë duhet të jeni mbi mesataren naiv që të besoni se mund të bëni korrigjime marramendëse. Pra, jo se nuk e dija se nga unë pritej të jem “referent i çështjes shqiptare” në RTVM, jo se nuk e dija se me emërimin tim në të vërtetë mbulohet zbrazëtira në piramidën udhëheqëse në këtë shtëpi informative, jo se nuk e dija se këtë post e pranon vetëm ai që ka ndonjë “dërrasë të kalbur në kokë”, apo që nuk ka zgjidhje tjetër ekzistenciale, jo se nuk e dija se ky post është nga të rrallët ku nuk shkojnë “nipat” dhe të merituarit e partisë po ata që kanë shpinë për “samar”, apo që janë të “tepërt”, por pranova shkaku i thënies: hatri është më i madh se halli. Në fund, pranova edhe që të përkrah një qasje të gjatëpritur që filloi ta realizojë BDI-ja, partia shqiptare në koalicionin e tanishëm qeveritar: të angazhojë njerëz pa libreza partiake, të kuptojë atë që nuk e kuptuan kurrë PPD-ja dhe PDSH-ja se ne jemi pak që libreza partiake të jetë e vetmja vlerë që t’i hap dyert për punësim.

Ditën që erdha, doja të zbatoj atë për çka publikisht i kritikoja të tjerët: hapur të shpalos synimet e mia dhe t’i bëj të ditura publikisht afatet kohore kur duhen realizuar zotimet e marra mbi vete. Publikisht thashë se qëllimi im parësor do të jetë ripërtirja e kuadrit profesional më së voni deri në shtator, që pastaj të fillojmë fazën e dytë: zgjidhjen e statusit të programeve në gjuhën shqipe pranë RTVM-së dhe realizimin e një skeme programore siç i ka hije një servisi informativ publik. Punësimi u realizua me dy muaj vonesë, që për mua nuk ishte vonesë e vogël. Ndërkaq, statusi i programeve në gjuhën shqipe pranë RTVM-së mbeti i padefinuar, gjë që nuk mvarej nga ne të punësuarit brenda në këtë shtëpi informative, por nga subjektet politike. Kuptohet, pa status të definuar ju nuk mund të realizoni asnjë koncept profesional. Duke u nisur nga përvoja e serviseve të ngjashme, nga bindja se nuk kemi nevojë të shpikim formula të reja organizative, dhashë tri propozime për riorganizimin e RTVM-së: ose krahas dy njësive punuese ( RM –së dhe TVM-së) të themelohet edhe RTVM në gjuhën shqipe, ose kjo shtëpi informative të riorganizohet në dy servise gjuhësore – maqedonisht edhe shqip – me mundësinë që edhe redaksitë tjera gjuhësore të kenë hapësirë të zhvillohen në servise, dhe mundësia e tretë, programet në gjuhën shqipe të ndahen e të regjistrohen si shtëpi e veçantë publike informative, siç u ndanë shumë njësi punuese të këtij kolosi informativ. Por, propozimet e mia humbeshin nëpër zyrat e RTVM-së, kështu që pas realizimit të punësimeve, u përballa me dy zgjidhje: të mbyllem në zyrë e të shtirem se çdo gjë është në rregull, apo të vazhdoj të veproj “ilegalisht”, siç bëja tërë kohën sa isha në këtë pozitë. Them “ilegalisht”, se dihet çka i lejon statuti i kësaj shtëpie zëvendësdrejtorit të përgjithshëm: të kryejë punët për të cilat e autorizon drejtori i përgjithshëm. E ai rëndom të autorizon të marrësh pagën mujore, të shetisësh me veturën zyrtare, të bisedosh falas me telefonin celular e të heshtësh. Vetëm kaq nuk më mjaftonte. Prandaj edhe bëra të vetmen që më mbeti ta bëj: dhashë dorëheqje.

LOBI: U përfol shumë në opinion rirreshtimi i kuadrove që bëtë në programet në gjuhën shqipe në RTVM. Bile, një parti ju akuzoi se jeni “diktator”, njeri që punon kokë më vete…

MEHMETI: A dresat e sakta të ferreve të kësaj bote janë mjediset ky njerëzit nuk ua zgjasin dorën të rinjve, aty ku nuk çmohen vlerat individuale, në ato mjedise ku ka vetëm llafe e jo edhe punë. Posa hyra në atë ndërtesë, e “lexova” një adresë të tillë dhe e mora porosinë që ma dërgonin pjesa më e madhe e të punësuarve aty: bën ç’të duash, po ne jemi baballarët e gazetarisë dhe të kësaj shtëpie informative. E unë habitesha pse nuk kisha dëgjuar për shumicën e tyre, si nuk vjen asnjë media t’i blejë ato vlera gazetareske, por ndodh e kundërta: programet në gjuhën shqipe ushqehen me kuadro të marra nga mediat lokale. I bindur se ne, “fëmijët e socializmit”, jemi me bosht të thyer kurrizor, por pa dashur të zhvlerësoj asnjërin, doja të bëja të vetmen që duhet bërë në këso situatash: përzierjen e gjeneratave. Duke e ditur se mediat elektronike, posaçërisht TV, kanë specifikat e veta dhe nuk mund të fshehen mangësitë (mjafton të mos keni kulturë leximi, të keni zë as të mashkullit e as të femrës, mustaqet t’i keni të bezdisshme dhe shikuesi të ndërrojë kanalin), ia arritëm të sigurojmë mjete dhe një grup gazetarësh të rinj të dërgonim në trajnim njëmujor në Tiranë, në mediat e atjeshme më me emër (Top-chanel dhe ALSAT). Sigurova mjete edhe për të sjellë tre-katër gazetarë nga Prishtina dhe Tirana, që të korrigjojmë mangësinë më të madhe: të folurit rrjedhshëm shqip. Por, ndodhi ajo që nuk më besohej se mund të ndodhte: shumica e të punësuarve, duke refuzuar dhe bojkotuar çdo risi, ma bënë me dije se aty nuk ka vend për asnjë të ri nëse nuk është i biri apo e bija e ndonjë të punësuari.

Duke qenë ithtar i idesë se ne tani duhet të ndërtojmë elitat profesionale nga gjeneratat të cilat nuk janë të ngarkuara me inferioritetin tonë, që nuk kanë mentalitetin e “portierit” që mendon se urdhrat jepen vetëm në “cirilicë”, ngula këmbë të realizohet punësimi. I prisja pengesat, por jo edhe nga qarqet shqiptare brenda dhe jashtë RTVM-së. Thjesht, ata që vinin tek unë dhe më lavdëronin për “punën historike që kisha bërë”, që me lot në sy më rrëfenin për kontributin që kishin dhënë për shqiptarinë, të njëjtët lot i shisnin edhe njëherë te drejtoresha e përgjithshme, ku rrëfeheshin për kontributin e dhënë për “bashkëjetesën” dhe ankoheshin për përbuzjen që ua bëja gazetarëve shqiptarë të Maqedonisë duke sjellë kuadro nga Shqipëria e Kosova. Harronin se unë dhjetë vite kisha punuar për konceptin multietnik dhe multigjuhësor edhe në kohët kur ata kishin koncept redaktorial të “pastër shqip”, por sipas fjalorit partiak që e përpilonin krerët e VMRO-DPMNE-së e të shqipëruar rrjedhshëm nga Arbër Xhaferi. Harronin se unë as që filloja punë që mund të m’i pengonte cilido në RTVM, përfshi këtu edhe drejtoreshën e përgjithshme dhe se nuk u takoj atyre që janë burreca kur shqiptarëve u shesin shqiptari e “butheca” kur duhet të dalin në shesh ku i dëgjojnë të gjithë. Se nuk kam një qëndrim për shqiptarët, e tjetër për kolegët maqedonas. Prandaj, edhe disa shqiptarëve ua thoja atë që e thoja në mbledhje me kolegët maqedonas: nëse në RTVM ka dhjetra shqiptarë që marrin rrogë kot, atëherë duhet të ketë me qindra maqedonas të cilët zyrat i përdorin vetëm si vende për të pirë kafen e mesditës (rrallëkush në RTVM vjen në punë para mesditës) dhe për të bërë bisedat telefonike me të afërmit dhe miqtë brenda e jashtë shtetit. Ua thoja atyre që duhej thënë atë që e dija dhe kisha argumente: se kanë punuar aty jo pse i dogji malli për hallet e popullit, po pse askund tjetër nuk do ta gjenin atë “grazhd”, se nga paratë e popullit kanë marrë pagë mujore të mbajnë familjet. I pyesja hapur: Çka keni bërë falas për këtë popull dhe mos vallë deshët të merrni pagë e të mos punoni? U thoja se jo që nuk e di se ka edhe të atillë që marrin rrogë në RTVM-së e më me rëndësi e kanë si do të lajmërojnë për mediat e huaja ku askush nuk të toleron joprofesionalizmin, se i di ata që në Këshillin e Radiodifuzionit përfitojnë edhe një herë nga pagesa mujore e parapaguesve duke konkurruar dhe duke marrë mjete të majme në emër të projekteve private, të mbuluara juridikisht me firmat e fëmijëve të tyre dhe përkrahjen e “dajallarëve”, se e di kush ka asgjësuar me qindra shirita me këngë “irredentiste” dhe dokumentacion të vlefshëm, se kush cilin “çmim” e ka pasur kur ka bërë dokumentarë me familjet tona në kurbet. Kuptohet, duke pasur kujdes që mos njollosen të gjithë, mos zhvlerësohet puna e atyre pa të cilët nuk do të kishim as këto themele që janë, e mbi të cilët mbindërtohen programet në gjuhën shqipe. Doja të gjithë të përballemi me të vërtetën se nuk ndërtohet ardhmëri me ata që nuk mund ta shohin në sy të kaluarën e tyre, për të cilën më në fund edhe askush nuk kërkonte të paguanin llogari, por prisnim – edhe shkaku i mbulimit sa më të shpejtë të gabimeve të tyre – të ndihmojnë të fillonim ndërrimin e gjakut të prishur me atë të shëndoshin, rinor. Jo se nuk e dija që është e marrëzishme nga “i sëmuri” të kërkosh të bëhet “dhurues gjaku”, por ne nuk kishim brumë tjetër gazetaresk, përpos atij që pesë dekada kishte gatuar socializmi dhe në dekadën e fundit e kishin ngjeshur “selitë alternative” (lexo kafenetë) të partive tona demokratike. Andaj, mendoj se me 70 të punësuarit e rinj mund të fillojë mbindërtimi i mirëfilltë, duke mos pasur iluzion se me këtë vetvetiu do të përmirësohet kualiteti programor në gjuhën shqipe pranë RTVM-së.

LOBI: Çka u shtyu të akuzoni publikisht ministrin e Financave, Nikolla Popovski, se pengon punësimin e shqiptarëve në RTVM? Patët mbështetjen e ministrave shqiptarë në Qeveri për realizimin e këtij synimi?

MEHMETI: Komunikimi publik me ministrin e Financave erdhi si rezultat i situatës sime kur e pashë se duan të ma harxhojnë kohën duke më thënë: do bëhet, e nuk më tregonin kur, sepse donin të shihnin çdo të ndodh nëse nuk realizohet punësimi deri atëherë kur kisha premtuar – në shtator. Kur jemi te komunikimi im publik me ministrin e Financave, dua ta them këtë: jo se unë nuk e dija adresën e vërtetë kujt duhej t’ia dërgoja atë letër – përgjegjësit qeveritar për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit,

zëvendëskryeministrit Musa Xhaferit – por doja mos t’ia prish imixhin e njeriut të kulturuar e ta bie në situatë të komunikojë me një si unë që nuk i njeh rregullat e “salloneve”, ku flitet qetë e ecet në majë të gishtave. Dhe, falë Zotit dhe ndihmës së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit, arritëm të punësojmë profesionistë të rinj. Nuk dua të jem i padrejtë e të mos e them hapur se pata mirëkuptim të plot edhe nga kryeministri i atëhershëm Hari Kostov. Kur shkova në atë ashtëpi informative, kishte gjithsej 97 shqiptarë të punësuar (nga portierët e deri te zëvendësdrejtori i përgjithshëm) e tani këtij numri i janë shtuar edhe 70 profesionistë (nga kameramanë, disenjatorë, montazhierë, regjisorë, organizatorë, teknikë, mjeshtër zëri, ndriçues…dhe 40 gazetarë).

LOBI: Flitet se tani janë “korrigjuar” të gjitha lëvizjet kadrovike që i bëtë ju dhe se thuajse janë kthyer të gjithë në vendet që ishin para ardhjes suaj në RTVM. Si e komentoni këtë?

MEHMETI: Nuk ndjej nevojë të bëj komente të këtyre thënieve, sepse nuk kam informata se çka ndodh brenda RTVM-së. Prej ditës që dola ia kam marrë vetes të drejtën morale të gjykoj për të tjerët, përpos asaj që më takon si shikues dhe dëgjues i emisioneve të RTVM-së. Mund të flas vetëm për atë që kam bërë unë me ekipin tim. Nuk mund të paragjykoj as t’ua mohoj të drejtën morale dhe profesionale udhëheqësve aktualë të RTVM – së t’i shpallin si të gabuara gjitha ndryshimet tona, bile përfshi këtu edhe punësimet e reja. Ata mbajnë përgjegjësi për realizimin e konceptit të tyre, siç mbajmë ne përgjegjësi për punët që bëmë aty.

Ajo që dua të them lidhur me këtë ka të bëjë me një dukuri që është prezente thuajse në të gjitha sferat e veprimit të udhëheqësve shqiptarë: posa vijnë në ndonjë vend pune me të drejta vendimmarrjeje, mendojnë se çdo gjë fillon dhe përfundon me të. Ne nuk u mësuam që “kalanë” mos ta fillojmë gjithmonë nga themeli, por aty ku e kanë lënë muratorët para nesh. Andaj, kur shkova në këtë shtëpi informative ku të gjithë ishin emëruar redaktorë, e nuk ekzistonte asnjë redaksi, e para që u munduam të bëjmë me Salajdin Salihun ishte të vëmë bazamentin e redaksive të mirëfillta. Që gazetarët të dinë atë më elementaren: cilës redaksi i takojnë. Dhe redaktorëve u dhamë afat gjashtëmujor që të kompletojnë redaksitë me honoraristë, që më vonë do t’i punësonim. Pas gjashtë muajsh, nga shumica e redaktorëve morëm përgjigje se nuk ka kuadro dhe se ata që janë aty nuk vlejnë gjë. E unë kot mendoja se redaktorët e dinë rolin e tyre parësor: të zbulojnë dhe të krijojnë gazetarë profesionistë. Pastaj e kuptova se loja është shumë më trishtuese: një pjesë e tyre thjesht nuk donin asgjë të trazohet, i frikësoheshin konkurrencës. Dhe mos vallë këtyre duhej t’u ndaja dekorata, apo edhe këta t’i propozoja për profesorë të gazetarisë në “Universitetin e PDSH-së” në Tetovë ( të cilin gabimisht e quajnë “Të Shtulit”), ku ligjërojnë edhe kuadro të dështuara të PDSH-së, në mesin e të cilëve edhe disa që rregullisht marrin rrogë në RTVM e asnjë ditë nuk shkojnë në punë.

LOBI: Si e vlerësoni situatën e mediave në gjuhën shqipe në përgjithësi te ne në Maqedoni? Pse nuk ia dalim dot të kemi qendra të qëndrueshme informative, siç i ndërtuan bashkëqytetarët tanë maqedonas?

MEHMETI: Përpos që janë pasqyrë e shkollave gazetareske, mediat shprehin demokracinë e shoqërisë, si dhe atë se në duart e cilës etni apo grupi është biznesi më fitimprurës në një shtet apo mjedis. Në hapësira të vogla gjuhësore si Maqedonia, mediat nuk kanë ardhmëri pa mbështetjen e biznesit, pra pa reklama e sponsorime. Andaj, në Maqedoni ka media të forta në gjuhën maqedonase dhe media të “vyshkura” shqiptare, sepse etnia maqedonase e merr kajmakun e biznesit të madh e shqiptarëve u ranë në hise kafenetë, agjencitë turistike dhe ëmbëltoret. Merrni dhe shfletoni gazetat në gjuhën maqedonase dhe do të shihni se kush reklamohet aty e kush në mediat shqiptare.

    
! Bile, edhe ndërmarrjet publike, në bordet e të cilëve keni (sa për sy e faqe) nga një shqiptar, e ku derdhen paratë e gjithë qytetarëve (e lëre më ato privatet), mbajnë anën njëetnike: thjesht, kur është në pyetje sponsorimi dhe reklamimi, mediat në gjuhën shqipe i ndjejnë njësoj larg sa ato të Tiranës e të Prishtinës. Ku e keni ju, ta zëmë, një “Mobimak” të sponsorojë televizionet shqiptare me emisione, siç bën me TV-të në gjuhën maqedonase, apo ku do të gjejmë për “Lobin” dymbëdhjetë faqe reklamë, siç kanë javoret në gjuhën maqedonase ku reklamojnë të gjitha bankat, birraritë, shoqëritë e sigurimit… Pastaj, ku do të gjeni ju të “Lobit” shqiptarë të kthjellët në këshillat e këtyre kompanive, të cilët do të angazhoheshin për ndarjen e drejtë të mjeteve propaganduese, ta zëmë, të “Mobimakut”, kur i gjithë interesi i tyre merr fund me punësimin e ndonjë familjari, apo kënaqen vetëm me një numër të telefonit celular, nga mund të flasin falas?
Por, mos t’i fajësojmë të tjerët edhe për atë që nuk kanë faj: përderisa partitë tona shqiptare delegimin e anëtarëve në këshillat drejtues të ndërmarrjeve publike nuk e shohin si interes më të gjerë, por e marrin si mundësi për të “punësuar” aktivistët partiakë, nuk mund të pritni ndonjë ndryshim në qëndrimin e udhëheqësive të këtyre kompanive ndaj mediave shqiptare. Bankave në Maqedoni, “Telekomit” dhe “Mobimakut”… kurrë nuk do t’u kujtohet se fitimin me të cilin sponsorojnë aktivitete të ndryshme kryesisht vetëm të etnisë maqedonase, ua sjellin edhe shqiptarët, nëse kjo nuk u kujtohet vetë shqiptarëve. Përderisa shqiptarët pijnë birrë të Shkupit, harxhojnë pulset e Telekomit dhe “Mobimakut”, e nuk pyesin se sa këto kompani sponsorojnë mediat dhe aktivitetet kulturore të shqiptarëve, mos pritni këtë ta bëjnë udhëheqësit e këtyre ndërmarrjeve, shumica e të cilëve rrëqethen kur dëgjojnë shkronjën e parë të shqiptarisë e lëre më kur dëgjojnë se do të botohet ndonjë gazetë e re.

Këtij problemi thjesht financiar duhet bashkangjitur çmimin që tani paguajmë për mospasjen mundësi në të kaluarën që shqiptari të përvetësojë profesionin e gazetarisë. Mos harroni: në “punëtoritë” e vetme nga dilnin gazetarë dhe kuadro për mediat elektronike dhe të shtypura – në RTVM dhe në “Nova Makedonija” – kishte vetëm nja dhjetra “punëtorë politiko-shoqërorë” shqiptarë që kishin më shumë rol paradesk sesa profesional. Në ato shtëpi informative kaluan me mijëra profesionistë të etnisë maqedonase, të cilët pas rënies së socializmit u shpërndanë nëpër mediat komerciale, ku sollën përvojën, e bile edhe mjete teknike nga këto dy shtëpi informative. Andaj, mendoj se ne ende nuk mund të flasim për gazetari të mirëfilltë në gjuhën shqipe në Maqedoni, por për emra të njohur po. Kush nuk e beson këtë, le të përgjigjet pse edhe pas një dekade ne nuk bëmë një TV të fortë, pse gazetat tona të përditshme e javore dalin “sezonalisht”, apo me pengesa të mëdha?

 

LOBI: Publikisht keni folur edhe për familjarizmin në RTVM. Ish-kryeministri Kostov për nepotizëm akuzoi edhe BDI-në. Mendoni se familjarizmi është aq prezent te shqiptarët?

MEHMETI: Familjarizmi në RTVM ka përmasa monstruoze. E pranoj: asgjë nuk arritëm të korrigjonim në këtë drejtim, sepse çdo njëri që ka qenë në ndonjë post përgjegjës, e para që ka bërë ka sjellë si honorarist djalin, vajzën, ndonjë familjar të vetin apo partizan partiak. Nuk doja që fëmijët të paguajnë çmim për shkallën e moralit të prindërve të tyre, nuk doja të shkel mbi rininë e tyre dhe përvojën e bërë aty. Qysh kur shpalla konkursin, e dija se me këte i dëmtoj ata që nuk janë fëmijë të baballarëve, që nuk kanë pasur mundësi të bëjnë përvojë si fëmijët e disa ish- kryeredaktorëve. Por, për familjarizmin në RTVM mund të akuzoni cilëndo parti apo individ, përpos BDI-së.

Nuk kam të dhëna për familjarizmin në institucionet tjera, edhe pse mbiemra të njëjtë mund të dëgjosh sa të duash. Por, edhe pa e pasur listën fisnore të atyre që parashikohen për poste ambasadorësh e ndërkohë bëhen ministra, nuk është e vështirë të përcaktosh se cila “komandaturë” qëndron dhe kush ia vulos “certifikatën” të posazgjedhurit si specialist për shumëzimin e mizave sipas ndarjes së re territoriale të Maqedonisë. Bëhet fjalë për një zhvlerësim, një shkatërrim të standardeve elementare, pa të cilat çdo gjë devalvohet dhe merr përmasat e dilentantizmit. Sepse, del puna, ta zëmë, se edhe një elektricist, i cili me vite ka punuar në një spital, nëse ka pëlqimin e partisë, mund të bëhet drejtues i mjekëve dhe të vendos për zhvillimin e klinikës. E kam thënë këtë edhe kur u bë emërimi im: përderisa në poste ku duhet të jetë kusht parësor mbulesa dhe përvoja profesionale, mund të vini vetëm me pëlqimin e partisë, atëherë është e kotë të flisni për verifikim vlerash.

E theksoj këtë problem, sepse kjo është dera nga e cila hyn familjarizmi. Kur e jepni sinjalin se çdokush që ka pëlqimin e partisë mund të bëhet çdo gjë, atëherë nuk fillon gara e shëndoshë profesionale, por ajo destruktivja – kush e ka “axhën” më të fortë në parti. Ky fenomen mund të na kushtojë shtrenjtë, sepse joprofesionalizmi lë pas vetes gërmadha nga të cilat as specialistët më të mëdhenj nuk mund të bëjnë mur. E di, ka të atillë që thonë se nuk kemi kuadro të duhura. Atyre do t’u preferoja të hapin faqet e internetit ku do të shohin se sa të rinj shqiptarë studiojnë jashtë. Dhe, do t’ua rikujtoja atë që bënë bashkëqytetarët tanë maqedonas: themeluan dhjetra fondacione për të stimuluar shkollimin dhe kthimin nga jashtë të të rinjve të talentuar. Ndërkaq, partitë tona, në vend që të lavdrohen me kthimin e të rinjve që janë shkolluar jashtë, mburren me “selitë alternative” në formë të kafeneve ku, ta zëmë, për kremtimin e ditëlindjes të një lidershipi harxhohen aq euro sa kushton shkollimi vjetor i një të riu në cilindo universitet të botës.

 

LOBI: Kohëve të fundit jeni joproduktiv me tekstet publicistike. Keni vendosur të heshtni, apo t’i përkushtoheni vetëm krijimtarisë letrare?

MEHMETI: Të jem i sinqertë, angazhimi në RTVM më bëri ta harroj edhe alfabetin, e lëre më të shkruaj. Pastaj mendoj se fjala