Back

Nuk dihet deri ku do të shkojë rrugaçëria

Bisedë me Kim Mehmetin, autor i “Kalit të bardhë….”

Unë në libër në një vend e them se tendencat e disa qarqeve maqedonase të udhëhequra nga Gruevski duan nga shqiptarët të bëjnë atë që janë sot palestinezët, thotë Mehmeti

ANILA DISHA

Shkup, 26 shtator – Në esenë politike “Prej kalit të bardhë deri te rrugaçëria politike”, eseisti dhe publicisti i njohur Kim Mehmeti e thotë troç atë që ka ndodhur me shqiptarët e Maqedonisë prej krimit të partisë së parë shqiptare (1990) dhe si një profet i paraprin të keqes. Libri u shpërnda bashkë me gazetën “Lajm” dhe për një kohë rekord, që në orët e para të mëngjesit u shit komplet tirazhi i gazetës.

Lajm: A ka pas reagime ndaj librit tuaj “Prej kalit të bardhë…”, libër ky që u shpërnda bashkë me gazetën tonë, pasi në gazetë akoma vazhdojnë të telefonojnë lexues të cilët pyesin se ku mund ta gjejnë librin?

Mehmeti: Nuk e kam pritur, se unë jam mësuar me librat krijuese të prozës që të mos reagojnë shpejt, por të kaloj një kohë e pastaj të vijnë reagimet. Kanë nis reagimet shumë shpejt që do të thotë se njerëzit janë të interesuar ta lexojnë dhe normalisht aty ka mendime nga më të ndryshmet, nga ato që lëvdojnë deri te ato që shajnë. Unë jam mësuar më me një të jetuar të atillë, diku në mes, në atë hapësirë ku çdo njëri ka të drejtë të vlerësojë. Me vetë faktin që njeriu merr guxim të thotë publikisht atë që është thënë në libër, ai duhet të llogarisë dhe atë, që edhe të tjerët guxojnë të thonë dhe duhet të thonë atë që mendojnë lidhur me librin. Kështu që me të vërtetë kishte shumë reagime dhe ka shumë reagime.

Lajm: Reagimet negative mos vinin gjë nga partia në pushtet, pasi me aq sa lexova në libër nuk shkruani me shumë simpati për ish kryetarin e PDSH-së, Arbën Xhaferin?

Mehmeti: Besoni nuk bëj analiza të atilla. Do t’ju duket ndoshta demagogji. Unë, fare nuk shkruaj libër i bindur se ai do tu pëlqejë të gjithëve, unë fare nuk kam shkruar libër i bindur se unë e them të vërtetën e fundit dhe fare nuk jam nisur të bëj libër i bindur se aty do të vihet pika. Vetëm bëj një libër që të jap kontributin tim qytetar që gjërat të qartësohen dhe atë me kohë, jo kur ta kemi vonë. Ne shqiptarët jemi mësuar që të gjithë të bëhemi gjeneralë, pasi të përfundojë beteja. Unë kam dashur dhe dua edhe sot që eventualisht kontributin tim si njeri, si krijues ta jap ndoshta me kohë, të mos jem i vonuar dhe prandaj doja që ky libër të dalë sivjet. Mendoja se është koha kur shqiptarëve të Maqedonisë duhet tu tërhiqet vërejtja se partitë e tyre i çojnë drejt një rrugaçërie, drejt një kriminalizimi të shoqërisë shqiptare, që ndoshta më së miri u pa mbrëmë.

Lajm: Në libër thoni se do të jetë shumë vështirë të dilet nga kjo rrugaçëri partiake. Pse mendoni kështu, kush ka gisht në gjithë këtë haos?

Mehmeti: Nga ajo rrugaçëri shqiptarët do të dalin shumë vështirë. E kam thënë dhe në libër, e them dhe tani, shqiptarët do ta paguajnë çmim të madh për këtë që u ndodh, nuk është diçka që dilet brenda muajit, sepse  ajo rrugaçëri mori përmasat e aktivitetit prtiak dhe do të jetë shumë vështirë që të dalim nga ajo. Unë në këtë kontekst do të kasha thënë se kanë pak gisht edhe bashkëkombësit tanë. Edhe Tirana zyrtare, edhe Prishtina zyrtare, të cilat me aq lehtësi u jepnin përkrahje disa liderëve tanë, aq lehtësisht i shpallnin heronj të gjithë shqiptarisë. Këtë do ta paguajmë ne shqiptarët e Maqedonisë dhe dhëntë zoti çmimiu të jetë sa më i ulët.

Lajm: Si do ta komentonit ngjarjen që ndodhi mbrëmë në parlament? Sa i ka paraprirë libri këtij skandali?

Mehmeti: Po, në këtë libër kjo është paraparë. Unë në libër në një vend e them se tendencat e disa qarqeve maqedonase të udhëhequra nga Gruevski duan nga shqiptarët të bëjnë atë që janë sot palestinezët. Të ketë një Hamas dhe një Fatah. Unë mendoj se në këtë drejtim PDSH-ja u jep një ndihmë të madhe qarqeve antishqiptare. Deri ku do të shkojë puna unë nuk e di, nuk jam ndonjë profet, me të vërtetë sikur ta dija … Mirëpo, mendoj se ajo u bëhet gati shqiptarëve të Maqedonisë dhe ata duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë, prandaj dhe ajo rrugaçëria që e them unë në libër aq mirë u lejohet shqiptarëve. Nëse do ta vini re mbrëmë, askush fare nuk ndërhynte në rahjen mes shqiptarëve, sepse ajo është diçka që dëshirohet nga ata. Sa më shpesh të rrihen, sa më shumë të armiqësohen dhe të fillojnë vëllavrasjet duke e ditur se sa e rrezikshme është gjakmarrja tek shqiptarët, atë duan ato ta nxisin. Mendoj se kjo është vetëm fillimi, deri ku do të shkoj nuk e di.