Shkruan: Kim MEHMETI
Nëse harta e Ballkanit do rivizatohej sipas dëshirës së popujve të këtushëm, ajo do i ngjante një arnimi të çuditshëm ku do shiheshin herë kufijtë e hapësirave deri ku jetojnë të gjallët e një etniteti, e herë ato deri ku shtrihen varret e popujve që kanë jetuar këtu. Pra, harta e njërit popull shpjet do mbulohej nga ambiciet e tjetrit, do përziheshin "trashëgimit e gjakut dhe dheut" me ato të të gjallëve, mitet me realen, historikja me irealen. Harta e tillë e Ballkanit, do pasqyronte frustracionet, shpirtngushtësinë etnike të popujve të këtushëm, si dhe pamundësinë e tyre të dalin nga tuneli i hasmërive të trashëguara nga e kaluara.
Mbase në pakënaqësinë e tyre dhe në ndjenjën se historia ka qenë e padrejtë me ta, duhet kërkuar pika më bindëse që i bënë të ngjashëm të gjithë ballkanasit. Pra, te ndjenja se hartat shtetërore janë arnuar gabimisht, tek bindja se atyre u takon edhe diçka matanë kufirit të shtetit fqinjë, se janë njësoj të dëmtuar, duhet kërkuar atë frustracion aq tipik për popujt e këtyre hapësirave, e që të krijon bindjen se këto popuj ecin përpara duke e mbajtur shikimin të drejtuar nga e kaluara.
A është fillimshkellu i njëzetenjë ai kandarë që do duhet t’i peshojë drejtë të gjitha pakënaqësitë, nacional-romantizmat, ëndërritjet, mitet, konceptet shtetërore të ballkanasve. Të gjithë atë përzierje nga e cila bymehet e vërteta se dera nga e cila njëri popull del i kënaqur, është e njëjta nga tjetri del duke dënesur dhe i dëmtuar, se ditën që njëri popull e shpall ditë festive, tjetri e shënon në kalendarin e vet si ditë zie. A është pra ky vit ai që do shënojë fundin e pritjes qindravjeçare të Kosovës që të sundojë me vetveten, apo edhe pas këtij viti, vetëm sa do rriten pakënaqësitë e ballkanasve, e do shtohen mitet, kjo – si edhe gjithmonë deri tani – nuk do varet gjithaq nga ballkanasit, por nga "kryeqendrat" e vendosjes që ishin dhe do jenë larg këtyre hapësirave. Që do të thotë, sa u përket ballkanasve të këtyre hapësirave, ata ishin e do mbeten edhe më tej të ngjashëm me "kurvat" në shtëpinë publike, të cilave shumëçka u varet nga forca dhe gjindshmëria e "makrove", e shumë pak – thuajse aspak – nga bukura dhe mjeshtëria e lëvizjeve të tyre.
Por, kjo ende s’do të thotë se ballkanasit duhet të rrinë të palëvizshëm. Më në fund, edhe kurvat nëpër shtëpi publike janë të dëgjueshme, por jo edhe të palëvizshme. Andaj, nëse ka ndonjë shtet në këtë Ballkan, e të cilin pavarësia e Kosovës duhet ta interesojë po aq sa edhe vetë kosovarët, nëse ka ndonjë popull që pavarësinë e fqiut veriak duhet ta dëshirojë po aq sa edhe atë të shtetit ku jeton, atëherë ai shtet duhet të jetë Maqedonia, e ai popull duhet të jetë populli maqedonë. Pra, nëse në hapësirat e këtushme ka shtet të pavarur dhe popull që fatin e vet e ka ngushtë të lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe të kosovarëve, atëherë ai shtet është Maqedonia dhe etniteti maqedonas. Të cilët, së bashku me gjithë ata që ia duan të mirën Maqedonisë, duhet të jenë kundër qarqeve politike serbe të përkrahura nga Moska që pengojnë pavarësinë e Kosovës dhe dëshirojnë destabilizimit e saj, me ambicie se vetëm kështu do arrijnë të shkëputin ndonjë pjesë të saj dhe t’ia bashkëngjitin Serbisë.
Arsyet se pse pavarësia e Kosovës për Maqedoninë ka domethënie jetike, janë shumë të thjeshta, dhe mbase ato nuk mund t’i vërejnë vetëm amatorët politik të Maqedonisë dhe të Evropës. Arsyet pra janë ato të njëjtat që ekzistonin edhe në kohën e Millosheviqit, të ditëve kur Jugosllavia e tij, e përballur me bombardimet e NATO-së, luajti letrën e fundit që i kishte mbetur në dorë për pokerin politikë kundër tërë botës: atë që me milionë shqiptarët e dëbuar nga Kosova, ta destabilizonte Maqedoninë dhe Shqipërinë. Pra, njësojë si dikur, edhe sot, Serbia zbaton konceptin e njëjtë, por në formë tjetër: e ballafaquar me humbjen e Kosovës, e dëshiron destabilizimin e kësaj pjese të Ballkanit, e vetëdijshme se vetëm kështu do arrijë ta fshijë nga harta Maqedoninë dhe e vetëdijshme se kështu ndoshta do e humbë Luginën e Preshevës, por mbase do arrijë ta shtrijë kufirin deri te Ura e Gurit e Shkupit, të cilën serbet edhe kurrë nuk e kanë quajtur me këtë emër, por "Dushanov Most".
Politikanët e Maqedonisë, si edhe ata evropian, duhet ta kenë të qartë se me ndarjen eventuale të Kosovës, realizohet një planë i kahmoçëm – jo vetëm serb – për këtë pjesë të Ballkanit me vetëm pesë shtete në të: Greqi, Shqipëri, Bullgari, Serbi dhe Kroaci. Me kërcënimin e tërësisë territoriale të Kosovës, pa dashjen e tyre, shqiptarët do duhet t’i përgjigjen pyetjes edhe politikisht edhe historikisht shumë të logjikshme: vallë pse vetëm ata u dashka ’i respektojnë kufijtë e shteteve të vëllezërve sllavë të jugut, pse të jetojnë në shtetet e tyre të dalë nga ish-Jugosllavia, në shtet e popujve, të cilët edhe të tillë – vëllezër të një gjaku e një fisit – nuk duan të jetojnë me njëri tjetrin. Pra, do duhet t’i përgjigjen pyetjes: pse shqiptarët e Luginës së Preshevës të festojnë datat shtetërore të Serbisë, pse ata të Maqedonisë t’i përkulen flamurit shtetërorë të këtushëm, nëse shkaku i një grushti serbësh të Kosovës vihet në pyetje tërësia e saj territoriale. Pra, ata do duhet të gjejnë rrugëdalje për vetveten si popull, nëse në këto hapësira realizohet koncepti serbë i përkrahur nga rusët, a i cili në thelb ka të vërtetën se, në çastin kur Serbisë i jehonë e vërteta se e ka humbur Kosovën, ajo dëgjon thirrjen për ta fshirë nga hartat Maqedoninë. Sepse politika aktuale serbe ende ushqehet me logjikën e dikurshme millosheviqiane: me gërmadhat e Maqedonisë t’i ndërtojë përmendore konceptit të dështuar serbomadh, i cili mbase do jetojë në politikën serbe po aq sa edhe mitet që i mëkon në "djepin" e nacional-romantizmit absurd.
Andaj edhe mund të thuhet se pa një Kosovë të pavarur në kufijtë e saj të sotëm, nga Maqedonia nuk do mbetet as shkronja "M" e saj, se ajo do mbetet vetëm kujtim i largët i orvatjeve që në zemër të Ballkanit të murohet një kala e suksesshme e konceptit shumetnik, shumëgjuhësor e shumëkonfesional. E prishja e Maqedonisë nuk është koncept shqiptarë, po strategji serbe të cilën e përkrahë Moska zyrtare. Fshirja e Maqedonisë nga hartat gjeografike do i dëshmojë si të sakta dhe vizionare thëniet e Lubço Georgievskit dhe të Arbër Xaferit se as shekulli i njëzetenjë, nuk sjellë klimë të përshtatshme për shtete shumetnike në Ballkan. Pa Maqedoninë, ballkanasit do bëhen edhe më të frustruar, do i shtojnë djepet ku do u këndojnë ninulla miteve të veta dhe si çdo hapësirë ku banojnë mitet, ajo do mbetet edhe më tej e mbuluar me re të lagshta të cilat do e kalbin ardhmërinë e popujve të këtushëm.
Mosshpallja sa me e shpejtë e Kosovës si shtet i pavarur në kufijtë ekzistues, do jetë dështim i plotë edhe i Evropës. I kësaj Evropa plakë, mbase me instinkte edhe të atrofuara, i kësaj Evrope me syze politike me dioptri që ia shfytyrojnë realitetin ballkanik, kështu që nuk e vëren se ajo sot nuk bënë luftë me kohën vetëm për ta stabilizuar këtë pjesë të kontinentit të vet, por edhe për atë se vallë do "evrpizohet"Ballkani, apo do "ballkanizohet dhe rusizohet" Evropa. Pra, zgjedhjen duhet ta bëjë kjo "plake" sklerotike, e cila lë përshtypje se nuk arrin ta kuptojë se kështu siç shkojnë punët – ma zvarritjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës – në hapësirën e vet, Evropa është duke prodhuar dy popuj "palestinezë" – palestinezët shqiptarë dhe ato serb. E kjo është shumë për një Evropë të plakur e cila qysh në Bosnje dëshmoi se as syzet politike i ka në rregull, e as bastunin arrin ta përdorë për të ecë drejt të ardhmes. Mbase edhe shumë kërkohet nga një "plakë" e moshuar, e lodhur. Andaj mund të thuhet se pa ndihmën dhe përkrahjen e "kaubojit" matanë Atlantikut – të cilit nuk i mungon as vrulli as energjia rinore – Kosova e Ballkani do mbeten të davaritur në pluhurin e ngritur nga mosmarrëveshjet, frustracionet dhe hasmëritë shekullore.