Prej sot gazeta “Lajm” do të fillojë rubrikën e rregullt “Çka do të isha, po të mos isha…”. Personalitete të njohura të jetës politike, kulturore, shkencore, shoubizit dhe nga gjitha sferat tjera të jetës do të zbulojnë për lexuesit se cili do të ishte profesioni alternativ i tyre në rast se nuk do të ushtronin profesionin aktual.
Nderin për ta hapur këtë rubrikë ia ofruam shkrimtarit dhe publicistit tonë të njohur Kim Mehmeti, i cili na bëri nder dhe respekt edhe më të madh duke i’u përgjigjur pozitivisht ofertës tonë.
Çfarë profesioni do kishit po të mos ishit shkrimtar dhe publicist?
Kim Mehmeti: Sa do që tingëllon e pabesueshme, unë kurrë nuk kam menduar se do bëhem ky që jam. Shkrimin dhe leximin i kam pasur shoqërues të përjetshëm, por në rininë e hershme, profesion më tërheqëse për mua ishte ai i vozitësit të maunave që transportojnë mallra anë e mbanë botës. Mbase kjo ishte pasoj e dëshirës sime për të shëtitur tërë botën dhe shkaku se në kohën e socializmit, ata ishin ndër të rrallët që bredhin nëpër të gjitha kontinentet. Deri vonë kamë ndërruar fakultet, profesione, hapësira jetësore, duke gjurmuar vendin që do më pëlqente dhe profesionin që do më realizonte plotësisht. Besoj se sikur mos isha ky që jam, do bëhesha shumë i pasur, e do merresha me ndonjë biznes shumë fitimprurës, ngaqë mendoj sa kam aftësi për t’i bindur partnerët të më besojnë. Por, ngaqë jam ky që jam dhe, ngaqë jam në moshë kur thinjen flokët, trashet trupi e hollohet truri, s’kam zgjidhje tjetër përpos t’i nënshtrohem krijuesit në vetvete.
Si ka ndodhur dhe kush ka ndikuar që të ushtroni profesionin që e keni sot?
Kim Mehmeti: Rastësitë janë shtyllat e jetës. Pas takimit të rastësishëm me ndonjë femër, ne dashurohemi në të, ndërtojmë konceptin e bashkëshortësisë dhe familjes e që pastaj të jetojmë me bindjen se ajo ka qenë gruaja që kemi pritur. Mendoj se kurrë nuk do e dashuroja shkrimin leximin, po të mos e kisha në tetëvjeçare arsimtarë të gjuhës amtare Safet Fejzullahun, i cili s’di si e lexoi këtë nerv timin dhe më “dhunonte” të lexoja aq shumë libra, sa qysh në moshën fëmijërore kisha lexuar libra që të tjerët nuk i kuptojnë e nuk i lexojnë as në moshën madhore. Pastaj, kur filluan bredhjet e mia nëpër jetë e nëpër botë, ndodhi takimi i rastësishëm me një krijues kroat, me Alldo Klimanin, i cili assesi nuk e kuptonte mospërfilljen time ndaj dhuntisë krijuese që posedoja dhe i botoi disa tregime të mia nëpër revistat kroate përderisa un isha në kurbet, në Irak. Kështu më lëshoi rrjedhave të lumit krijues. Mbase çdo gjë do dukej ndryshe me të sotmen time, sikur mos ishin këta dy njerëz, të cilët shkrimtarit në mua i besonin më shumë se sa unë vetë.
A jeni i kënaqur nga karriera që keni realizuar në profesionin e sotëm, apo jeni pishman?
Kim Mehmeti: Tani do u përgjigjem ashtu siç nuk i ka hije një krijuese: jo vetëm në krijimtari, por në gjitha lëmit tjera të jetës, unë kam arritur më shumë seç kam pretenduar. Duke qenë se ndërrova shumë fakultete, pa përfunduar asnjërin, se kalova nga një profesion në tjetrin, duke mbetur i pakënaqur nga të gjitha ato veprimtari ku të tjerët më thoshin se jam mjaft i suksesshëm, nuk kisha në çka të mbështes ambiciet se do mund të zbulojë profesionin që do më kënaqte. Kam punuar si gjeometër, si shitës librash, si drejtor kooperative bujqësore, kam punuar shumëçka që më joshte, por vetëm deri sa nuk zbërtheja fshehtësitë e punës me të cilën merresha, përderisa nuk më joshte diçka tjetër, apo përderisa lufta për ekzistencë nuk më çonte të merresha edhe me punë që kurrë nuk i kisha menduar. Kuptohet, shkrimin e leximin i kisha ujdhesë ku takoheshin shkrimtari në mua dhe ai kërkuesi që mbase donte t’i provojë të gjitha profesionet. Sot ndjehem i plotë dhe i realizuar, nuk bartë peshën e ndjenjës se kam bërë ndonjë gabim të madh në jetë. Të gjitha ato shëtitje nëpër jetë, nëpër botë e nëpër profesione, janë universitet më të vlefshme të mia dhe çdo periudhë ime jetësore nuk është e harxhuar mëkot. Shitja e librave më mundësoi të bashkoja lexuesin dhe përfitimin material, puna si gjeometër më mundësonte jetë komode rinore, kurbeti në Irak më bëri me shtëpi qysh në moshë të re, me çka mund të mendoja për konsolidim familjarë…, e sotmja më solli kurorën e një jete që kurrë nuk kërkonte ndihmë nga të tjerët, por bënte çmos që ta ndihmonte vetveten. Mbase të tjerët nuk e dinë, por edhe në socializëm, mua nuk më gjenin punë të tjerët, por e punësoja vetveten edhe duke themeluar gjëra larg natyrës sime, si për shembull një kooperativë bujqësore. Dikur dhe sot, un shumë pak jam ushqyer nga grazhdi shtetëror. Sa i përket Maqedonisë së sotme, nga ky shtet unë kam marr pagë mujore vetëm aq muaj sa isha zëvendës drejtor i RTVM-së. Ata që e pohojnë të kundërtën, le ta gjejnë një këshillë, apo një institucion shtetëror, që të më ketë paguar, apo të më ketë mundësuar të jetojë ashtu si shumë “patriotë” e parazitë tjerë, e të cilët sa herë që duan të mbulojnë vetveten, tregojnë me gisht kah të tjerët.
A keni dëshirë që fëmijët tuaj ta trashëgojnë profesionin që ju e keni?
Kimë Mehmeti: Kam fëmijë të mbarë, kam fëmijë me të cilët mburrem dhe e di se çka do që ata të bëhen, do mbeten njerëz të mirë. Të jesh i njerëzishëm, të kesh boshtin e shëndosh njerëzor, është profesioni më i rëndë të cilin mund ta ushtrojë një individ. Unë ata i dua deri në dhembje dhe e di se më duan marrëzisht. Kjo dashuri e dyanshme shpesh më çon të më dhimbsen, ngaqë e di se paguajnë çmim të lartë, shkaku i qëndrimeve të mia publike. E di që shpesh edhe unë atyre u dhimbsem dhe e heshtin atë që kanë dëgjuar mes shokëve, apo në takime të ndryshme. Mendoj se ata nuk ma kanë zili dhe se nuk e duan profesionin tim. Dhe kjo më pëlqen. Mbase që tani e kanë kuptuar se të jesh person publikë në shoqërinë shqiptarëve në Maqedoni, do të thotë të jetosh mes sharjeve e të vdesësh i lavdëruar. Pra, e kanë kuptuar se në këtë mjedis shqiptarë, është e rëndë jeta e personit publik, ngaqë deri sa je gjallë nga të gjitha anët të shoqërojnë sharje, por është trishtuese edhe të vdesësh, sepse atëherë fillojnë lëvdatat e tejskajshme, sa nuk të lënë të prehesh i qetë në varrë. Shkurt, fëmijët e mi nuk duan të bëhen këtë që jam unë, mbase shkaku se qysh si të vegjël e kuptuan se ne jemi shoqëri që nuk i duron të gjallët që arrijnë diçka në jetë, por i lëvdon të vdekurit që me asgjë nuk na pengojnë më.
Intervista u shkeput nga ueb faqja: http://lajmpress.com/intervista/10114.html