Back

POHIM PËR NJË MOHIM

Në një shoqëri normale multietnike, dygjuhësia është përparësi. Ndërsa në këtë Ballkan mund të të kushtojë shtrenjtë. E dini ju si më sulmojnë disa politikanë shqiptarë, kur ndonjëherë ua nxjerr të palarat në shesh: “ai nuk është shkrimtari ynë”, thonë, “ai i takon letërsisë maqedonase”. E këtë ta thonë ata, që asnjëherë nuk kanë arritur ta shqiptojnë tingullin “y” dhe në vend të fjalës “dygjuhësi”, thonë “digjuhësi”, edhe për veten thonë jam “krietar” partie e jo “kryetar”… Këtë e thonë ata që mendojnë se unë ndihem keq kur pohoj: po, i takoj edhe letërsisë maqedonase, jo pse ajo letërsi ka nevojë për mua, jo pse unë jam shtyrë që të radhitem në kolonën e krijuesve maqedonas, por pse i tillë ishte fati im krijues. Aq më shumë, unë mburrem që i takoj një populli, kultura e të cilit është si kopsht ku, sa më tepër këput degë me lule, aq më i fortë bëhet trungu, një popull që u jep të tjerëve, pse ka çfarë t’u japë.

Kim Mehmeti

1.

Qysh në vitet e hershme e kam kuptuar se sikur botuesit e kësaj bote të botonin vetëm librat e vlefshëm, mbase kurrë nuk do të kishte tituj të mjaftueshëm për të organizuar panaire dhe raftet e bibliotekave kombëtare do të mund të vendoseshin në hapësira shumë më të vogla nga ato ku qëndrojnë sot.
Por botuesit nuk botojnë vetëm krijimet e mirëfillta letrare, ata publikojnë edhe pretendimet e krijuesve. Dhe pretendimet e krijuesve janë të ngjashme me ato të popujve të tyre, mbështeten në bindjen se janë më të begatë, më të pasur, më të mençur, më të vlefshëm… nga sa i vlerësojnë të tjerët. Pra, njësoj si edhe jeta e njeriut që mbetet nën pretendimet e synuara, e mbushur edhe me përmbajtje, të cilat nëse i pastron mirë e mirë, do vëresh se nuk janë asgjë përpos ngushëllim për çastet e kota, edhe një letërsi kombëtare, edhe një opus letrar i një autori, thuajse gjithmonë është tërësi jo proporcionale mes vlerave dhe pretendimeve. Duke e ditur këtë, qysh në fillimet e mia ia dola ta bind veten se mjafton ta arrij harmoninë mes pretendimeve dhe aftësive që kam, që të mos mbetem në taborin e të dëshpëruarve.
Gjithashtu, duke e ditur se njeriu i mat lehtë të tjerët, por vështirë arrin ta peshojë vetveten, pra, i bindur se edhe unë kam sedër, se jam materie njerëzore, të cilën nëse nuk arrin ta mirëmbash edhe prishet, i thashë shkrimtarit fillestar në vetvete diçka që mbase ia mundësoi krijuesit të ardhshëm që gjithmonë të ndihet mirë dhe pa ngarkesën se ku do të zërë vend në bibliotekën kombëtare: Ti shkruan jo pse letërsia shqiptare e populli yt ndien mungesën tënde, po pse s’di të bësh asgjë tjetër më të vlefshme. Dhe nëse është kështu, vazhdova t’i them vetvetes, atëherë nisu nga e vërteta se në bibliotekat e një populli ka një raft ku regjistrohen librat, të cilët nuk kanë vlerë për askënd, përpos për autorin. Që do të thotë, isha i gatshëm ta pranoj edhe më të dhimbshmen për një krijues: të shkruaj vetëm për shkak se kisha lindur si “i infektuar” nga kjo “sëmundje”, dhe se ishte e pamundur të shërohesha nga ajo, madje as që doja të gjeja ilaç që do më imunizonte nga kjo lëngatë. Mbase këto bindje më sollën këtu ku ndodhem sot dhe ma mundësuan të them diçka, që nuk i ka hije një krijuesi: rezultatet në krijimtari janë mbi pretendimet që kam pasur.
Kurrë nuk e kam gënjyer krijuesin në vetvete se është e lehtë të arrish të të lexojnë në mbarë hapësirën shqiptare, ndaj caqet që kam mëtuar, i kam vënë edhe më afër sesa e kam ditur se mund të “vrapoj”, vetëm që të mos përballem me dëshpërimin. Sepse, qysh në moshë të hershme, kuptova se krijuesin mund ta pengojnë vetëm tri gjëra: josinqeriteti krijues, xhelozia e sëmurë dhe dëshpërimet që pasojnë si rezultat i mosbarazimit të pretendimeve me kapacitetin kreativ që ka ai krijues. Thjesht e shkurt: në moshë të hershme vërejta se në qarqet krijuese ka më shumë të dëshpëruar sesa të kënaqur me arritjet, dhe e bëra gati veten që assesi të mos mbetem në taborin e këtyre të parëve.
Gjithë sa thashë më lart, më bën të jem ky që jam sot. Pra, të lexoj mirë dhe shumë, t’i dua lartësitë, të kem zilinë normale që të bën të thuash: dua t’i arrij rezultatet e këtij apo atij shkrimtari, por kurrsesi jo thënien: jam më i mirë se ky apo ai. Për t’u shprehur dhe më i qartë: dua të jem një nga majat e shumta të letërsisë sonë, por asaj rruge jam nisur me bindjen se hapësira në majë është e ngushtë dhe se drejt saj janë nisur edhe shumë si unë. Ndaj e them me bindje se u takoj atyreve, të cilë e dinë se peshues më të mirë të të tjerëve janë pikërisht ata, që më parë e masin vetveten. Dhe kjo më ka bërë që me kohë, krijuesit në vetvete, në mos më shumë, t’i them: nuk bën asgjë të turpshme pse mëton të arrish në majat e larta të letërsisë, po do ndihesh keq nëse nuk e ke kuptuar se majat i fryn shtrëngata, i godet rrufeja, se atje mund të qëndrojnë e të durojnë vetëm më të fortët; t’i them pra, krijuesit në vetvete, se nuk është turp nëse nuk arrin në lartësitë e dëshiruara, por do të turpërohesh nëse nuk di t’i shijosh bukuritë që sjellin ata që kanë pushtuar majat, dhe vetëm pse ata janë ngjitur atje ku ke dashur ti, fillon t’i urresh. Ndaj, duke u nisur nga ajo që e kanë thënë të tjerët për mua, duke u mbështetur në të vërtetën se nuk kam asnjë problem të gjej botues për krijimtarinë time, duke parë se proza ime sadopak përfshihet në antologjitë e ndryshme, se sadopak ajo botohet edhe në gjuhë të tjera, nuk më mbetet tjetër përpos të besoj se qëndroj aty ku e kam vendin. E cili është ai vend, do të vazhdojnë ta thonë të tjerët dhe ta përcaktojnë veprat që botoj.

2.

Leximin dhe shkrimin i kam shokë të hershëm, që nga fëmijëria… Por librin e parë e kam botuar në moshën tridhjetëvjeçare. Kurrë nuk ngutesha për botimin e librave, sepse i përmbahesha parimit se gazetat dhe revistat ushqehen me shumëçka, ndërsa libri mund t’ia hajë kokën autorit. Dhe besoj se nuk bëra gabim, sepse nuk ndihem i vonuar, nuk ndiej mall për kohët e humbura.
Çdo krijues dëshiron të komunikojë me tërë botën. Çdo autor ndihet mirë, kur e lajmërojnë se ndonjë vepër e tij është përkthyer në ndonjë gjuhë të huaj. Kënaqësia është e veçantë kur ky lajm të vjen i papritur, kur rrugën deri te botuesi i huaj e ka hapur vetë libri, edhe atë duke shkuar dorë më dorë, nga një lexues te tjetri, nga një peshore vlerësuese në tjetrën. Ky është rrugëtim i ngadaltë, i lodhshëm, të cilin vepra e bën e vetme, udhëtim që ndonjëherë zgjat me vite, por i vetmi që ofron kënaqësinë e plotë.
E di se udhëtimi i librit prej atdheut të vet gjuhësor deri te botuesi i huaj mund të bëhet edhe ndryshe, duke qenë në këtë apo atë pozitë, pjesë e këtij apo atij klani krijuesish. Kam pasur edhe mundësi të tilla, por nuk kam ndier nevojën për t’u vetëgënjyer, për “onanime” krijuese që të çojnë të harrosh kënaqësitë e natyrshme, sepse e kam ditur se të tjerët mund t’i gënjesh lehtë, por vështirë gënjehet vevetja.
Unë kam përjetuar kënaqësinë më të madhe që një nga tregimet e mia të përkthyera në gjuhën gjermane, u radhit në mesin e dhjetë më të mirëve në Europë, e këtë e mora vesh kur më ftuan të marr pjesë në manifestimin ku u shpall më i miri. Kjo është ajo kënaqësi që të bën t’i thuash vetes: ulu të pimë një pije të merituar! Këtë ia thashë vetes edhe para pak ditësh, kur një botues bullgar më kërkoi leje për botimin e romanit “Ritet e Nishanes”. E kam qerasur shkrimtarin në mua edhe kur ia botuan romanin “Fshati i fëmijëve të mallkuar” në gjuhën gjermane, si edhe shumë herë të tjera kur më kanë botuar tregime në gjuhë të huaja. Por mua më shumë më pëlqen kur thonë se jam shkrimtar i mirë shqiptar. Sepse e di se ky është stacioni prej ku vepra mund të nisë rrugëtimin drejt botës.

3.
Një pjesë e ne shqiptarëve që jetonim nga kjo anë e kufirit, e patëm fat të përjetonim “jeniçerizmin kulturor”, për shkak se rrethanat jetësore nuk na mundësonin shkollimin në gjuhën amtare. Pra, qysh në moshën fëminore duhej që të shtegtonim në gjuhët e “nënës së tyre”, të njihnim letërsinë dhe kulturën e popujve të sllavëve të jugut, ende pa e njohur mirë identitetin kulturor të qumështit të nënës.
Por “jeniçerizmi” nuk është zgjedhje që e bën një fëmijë: është çështje fati. Dhe kur e pashë se ai fat më kishte takuar edhe mua, bëra të vetmen gjë që më mbetej: ta mbart ndershëm mbi shpinë. E kjo do të thoshte t’i rikthehesha gjuhës shqipe, pasi kisha përvetësuar mirë gjuhët serbokroate dhe maqedonase. T’i rikthehesha gjuhës, pa të cilën mbetesha si pa atdhe, si shkrimtar i djepit dhe fëmijërisë. Dhe mburrem që ia arrita.
Fakti që shkruaj e botoj paralelisht edhe në gjuhën maqedonase, më sjell vetëm përparësi “teknike” dhe më mundëson kontakt të drejtpërdrejtë edhe me lexuesit e popullit, me të cilët jetoj në të njëjtin shtet. Sepse përsa i përket karakterit universal të veprës, atë nuk e përcakton fare shumëgjuhësia eventuale e autorit. Veprës së mirë i mjafton gjuha amtare që të bëhet e pranueshme për të gjitha gjuhët e tjera.
Dygjuhësia ime krijuese shpesh më ka sjellë përparësi, por shpesh edhe më ka përballur me situata paradoksale, si për shembull, ajo gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni kur, për shkak të disa sulmeve në shtypin maqedonas, dhashë një deklaratë publike se nuk do të shkruaj e nuk do të botoj asgjë në gjuhën maqedonase, derisa në këtë shtet nuk zyrtarizohet edhe gjuha ime amtare. Pra, e thashë publikisht se ai që dëshiron t’i botojë tekstet e mia letrare, ato mund t’i marrë e t’i përkthejë në gjuhën që do, se do marr pjesë nëpër tribuna dhe takime vetëm kur do të ketë përkthim simultan nga shqipja në maqedonisht dhe anasjelltas. Kuptohet, kjo i irritoi kolegët e mi maqedonas, por mbase u rikujtova se unë irritohesha me vite, se unë kisha pranuar gjuhën e tyre pa asnjë paragjykim, e aq më shumë m’u bë e papranueshme bindja e tyre se jam i detyruar t’u drejtohem ashtu siç i kishim mësuar me dekada: vetëm në gjuhën e tyre amtare. Pastaj përfundoi konflikti, por e thëna publike mbeti. Ndërkohë, një mik imi – botues maqedonas, duk e ditur se shumë nga tregimet e kësaj përmbledhjeje i kisha botuar në gjuhën maqedonase nëpër revista të ndryshme – më kërkoi përmbledhjen me tregime “Fshati pa varreza”. Por në atë kohë ende nuk ishte përmbushur “kushti” im, dhe ende nuk ishin bërë ndryshimet kushtetuese, që më vonë do ta zyrtarizonin gjuhën shqipe. Kështu që u përballa me dy mundësi: të shkelja fjalën e thënë publikisht, apo të lejoja që libri të përkthehej. Zgjodha të dytën, si një pohim për një mohim. Kjo i habiti kolegët e mi maqedonas, të cilët kërkonin të më bindnin se në këtë shteg dëmtoja veten. Por unë mendova se nuk kisha zgjidhje tjetër. Dhe kështu, në biografinë time, do të mbetet një e dhënë paradoksale fakti që kam botuar libër të përkthyer në maqedonisht, në gjuhën në të cilën shkruaj.
E dini pse ua rrëfeva këtë? Sepse në një shoqëri normale multietnike, dygjuhësia është përparësi. Ndërsa në këtë Ballkan mund të të kushtojë shtrenjtë. E dini ju si më sulmojnë disa politikanë shqiptarë, kur ndonjëherë ua nxjerr të palarat në shesh: “ai nuk është shkrimtari ynë”, thonë, “ai i takon letërsisë maqedonase”. E këtë ta thonë ata, që asnjëherë nuk kanë arritur ta shqiptojnë tingullin “y” dhe në vend të fjalës “dygjuhësi”, thonë “digjuhësi”, edhe për veten thonë jam “krietar” partie e jo “kryetar”… Këtë e thonë ata që mendojnë se unë ndihem keq kur pohoj: po, i takoj edhe letërsisë maqedonase, jo pse ajo letërsi ka nevojë për mua, jo pse unë jam shtyrë që të radhitem në kolonën e krijuesve maqedonas, por pse i tillë ishte fati im krijues. Aq më shumë, unë mburrem që i takoj një populli, kultura e të cilit është si kopsht ku, sa më tepër këput degë me lule, aq më i fortë bëhet trungu, një popull që u jep të tjerëve, pse ka çfarë t’u japë.