Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ngjajnë në revoltë-vajtim, janë të qeta, ashtu siç u ka hije atyre që e duan vetveten por nuk e dëmtojnë tjetrin. Dhe mirë është që shqiptarët e këtushëm ua kanë marrë dorën protestave të qeta, që nuk u shkaktojnë telashe policëve, qoftë kur shprehin revoltën kundër provokimeve të Gruevskit, si me rastin e “Enciklopedisë” përbuzëse ndaj shqiptarëve, qoftë kur policia ekzekuton shqiptarët pa ua dhënë atyre mundësinë të dalin përpara gjykatës që ajo t’ua peshojë fajësinë, siç ndodhi dikur në afërsi të fshatit Radushë, ku u ekzekutuan katër shqiptarë, apo siç ndodhi para ca ditëve, kur polici maqedonas vrau dy të rinj të Gostivarit. Por, sa më shumë ata protestojnë, aq më shumë të shtohet bindja se revolta e tyre nuk lexohet drejtë, se ajo askujt nuk i prishë punë. Apo ke bindjen se ndodh e kundërta: pas çdo proteste të shqiptarëve, Gruesvki bëhet gjithnjë e më i fortë dhe më i pëlqyer te zgjedhësit e vet, e vasalët shqiptarë në qeverinë e tij (duke u bërë më të pabesueshëm për popullin) bëhen gjithnjë e më të varur e më besnik ndaj sunduesit.
Që nga paskonflikti i vitit 2001, shqiptarët e Maqedonisë kryesisht kanë organizuar dy lloj protestash të qeta dhe demokratike: o të organizuara nga “OJQ-të” e partisë shqiptare në pushtet, sa për ta zbutur pakënaqësinë e popullit, o nga organizatat e “pavarura” të partisë opozitare, sa për ta mbuluar të kaluarën e tyre vasale në qeverinë e Gruevskit. Me çka, shqiptarët e Maqedonisë dëshmuan se dinë ta shprehin revoltën kundër sunduesit maqedonas antishqiptarë, por duke u kujdesur të mos i lëndojnë vasalët shqiptarë. Apo thënë edhe më qartë: pa marr parasysh përmbajtjes së parullave që brohoriten nëpër protestat e shqiptarëve të këtushëm, nga jehona e tyre dëgjohet vetëm thirrja: Poshtë sunduesi – Rroftë vasali! Parullë që shpjegon se ky popull, duke pasur frikë nga e keqja konkrete që mund t’ia bëjnë të zgjedhurit e tij, e shajnë sunduesin që të mbushet me mend vasali.
Të rinjtë shqiptarë bëjnë mirë që protestojnë paqësisht, duke dëshmuar se nuk janë të dhunshëm, por të urtë e të kujdesshëm që të mos provokojnë askënd. Ata mirë bënë që me dinjitet protestuan edhe kundër vrasjes makabre të dy shqiptarëve të Gostivarit nga ana e një polici, të cilit zëdhënësi i MPB-së dhe mediat maqedonase, u munduan t’i ndërtojnë alibi ende pa arritur vrasësi në stacionin policorë. Por mbase edhe kjo protestë do ketë domethënien e gjitha të deritanishmeve të organizuara nga shqiptarët e Maqedonisë: do e bëjnë Gruevskin edhe më të pëlqyer te qarqet nacionaliste maqedonase, e “tenderokratët” shqiptarë edhe më të vlefshëm për sunduesin. Me çka pala maqedonase edhe më shumë do besojë se ky popull, së bashku me revoltën e vet, njësoj si deri dje, nuk lufton për të pasur shtet, por për t’i mbetur besnik partisë.
Shqiptarët e Maqedonisë paqësisht, duke mos shkelur asnjë lule nëpër parqet e qyteteve ku protestojnë, kanë treguar hapur se nuk e duan e nuk i besojnë Gruevskit dhe qeverisë së tij. Por, ata në asnjë protestë nuk kanë treguar se çfarë mendojnë për pozitën vasale të përfaqësuesve të tyre ndaj sunduesve maqedonas. Andaj mbase është dashur qysh dje, e jo sot, ata të organizonin një protestë ku nuk do i drejtohen sunduesit, por vasalit, ku do thonë se për ta është e vdekur Maqedonia që i takon vetëm një etniteti, se nëse në vendbanimet maqedonase nuk ka asnjë polic shqiptarë, atëherë ç’kërkon polici maqedonas nëpër vendbanimet shqiptare, të thonë se ata nuk e duan këtë Maqedoni që i ngjanë një lope të cilën e ushqejnë të gjithë, por e mjelë vetëm Gruevski.
Nuk ka dyshim se është mirë që shqiptarët e Maqedonisë e kanë kuptuar se duhet të protestojnë qetësisht dhe me urtësi, se mund ta hanë plumbin e të mbeten vetëm me keqardhjen e pushtetarëve shqiptarë dhe me revoltën e partive opozitare shqiptare. Pra mirë është që shqiptarët e këtushëm e kanë kuptuar se ata nuk i takojnë shtetit por pushtetit, se për ata nuk vlen ligji, por libreza partiake, por mbase ka ardhur koha kur ata do duhet të tregohen aq të pjekur sa të dinë ta ndajnë të keqen që u vie nga “sllavët antishqiptarë” nga ajo që u ndodh shkaku i “tenderokratëve” shqiptarë nëpër institucionet më të larta shtetërore. Thjeshtë, shqiptarët e Maqedonisë më në fund duhet ta kuptojnë se nuk ka qeveri mamaje maqedonase që mund të financojë enciklopedi antishqiptare, apo që do u jep bileta treni falas tifozëve maqedonas për të shkuar në Beograd që nga atje të shajnë e ofendojnë shqiptarët, po qe se në qeveri nuk do kishte shqiptarë injorant dhe inferiore, të cilët injorancën dhe inferioritetin e vet përballë palës maqedonase, na e shesin si urtësi shtetëformuese dhe tolerancë frytdhënëse Pra, më në fund, shqiptarët e Maqedonisë do duhet ta pranojnë se, o atyre u shkon për shtati të shajnë sunduesin sa herë që janë të mllefosur me vasalin, o e njohin vetëm veprimin e deridjeshëm politik kur populli i shërbente partisë e jo partia popullit.
Ditën kur shqiptarët e Maqedonisë do e kuptojnë se shumë të këqija u vijnë edhe shkaku i injorancës dhe inferioritetit të përfaqësuesve të tyre shtetëror, ata do e shohin edhe një të vërtet të dhembshme: pas çdo proteste të tyre, Gruevski ka dalë edhe më i bindur se shqiptarët shpejt revoltohen, por edhe më ngutshëm harrojnë, se ata shpejtë provokohen kur ua ekzekuton ndonjë bashkëkombës pa gjykim, por prapë ia japin votën atij që u ofron një thes me miell dhe një shportë me premtime. Aq më shumë, Gruevski e ka kuptuar se shqiptarët vrullshëm dalin në protesta kundër tij, se ata nëpër çajtore i shajnë liderët e tyre partiak, por publikisht as që mund ta hapin gojën të kritikojnë injorancën politike të pushtetarëve shqiptarë. Dhe duke qenë të këtillë, shqiptarët e Maqedonisë ia dolën të mësojnë si organizohen protesta paqësore e demokratike për të shprehur revoltën kundër Gruevskit, pora assesi nuk ia dolën t’i detyrojnë përfaqësuesit e vet të mos guxojnë të bëjnë koalicione qeveritare me ata që nuk i donë populli. Dhe mbase nuk ia dolën kësaj ngaqë ata lehtë dhe zëshëm brohorisin parulla kundër Gruevskit, por assesi të dalin e të thonë: nuk duam universitet që janë bë degë partish, që prodhojnë të shkolluar e të paditur, nuk duam liderë partiak që injorancën e inferioritetin e kanë ngritur në shkallën e urtësisë politike, kërkojmë përgjegjësi nga at që na i vodhën votat për ta bërë Gjorgjin president të shtetit, nuk duam përfaqësues shqiptarë që i shërbejnë Gruevskit vetëm sa për ta mbuluar ai antishqiptarinë e tij, nuk duam Maqedoninë që ndërton të kaluarën maqedonase dhe e varrosë të ardhmen tonë…. Me çka shqiptarët e Maqedonisë do dëshmonin se përpos protestave paqësore kundër qeverisë së Gruevskit, ata dinë të shprehin edhe revoltën kundër të zgjedhurve të vet. Pra shqiptarët e Maqedonisë do dëshmonin se e kanë kuptuar se antishqiptarizmit i sunduesve maqedonas ka mbulesë jorganin e ngrohtë të vasalizmit të partive shqiptare.