Back

Republika e Tanushës

Shkruan: Kim Mehmeti

 

 

            Në veri, rreth 50 kilometra larg Shkupit, aty ku malet e larta shënojnë kufirin që ndanë “shqipërinë” e Maqedonisë këndej, me Kosovën e matanë maleve, ndodhet fshati Tanushë. Nga malet ku janë shpërndarë mëhallët e këtij fshati, shihen qartë vendbanimet e Kosovës, por jo edhe kryeqendra e Maqedonisë. Mbase shkaku i kësaj, po të mos ndodhte konflikti i 2001, Shkupi kurrë nuk do e dinte se ekzistonte edhe ky fshat me banorët e tij, ky fshat ku u dëgjuan krismat e para që do shënonin fillimin e një konflikti të armatosur mes kryengritësve shqiptarë dhe forcave policore e ushtarake të Maqedonisë. Ai që i pari e paralajmëroi Maqedoninë se ndodhej në prag të luftës, ishte Xhezair Shaqiri, i njohur si Komandat Hoxha, i riu i lindur e i rritur në këtë fshat, ai që paraprakisht kishte paguar çmimin e atdhetarisë duke luftuar për çlirimin e Kosovës, e që atë vit kumtoi se kishte lindur UÇK-ja e shqiptarëve të Maqedonisë. Me çka, këtë fshat e shënoi me guximin e shqiptarëve të këtushëm t’i  kundërvihen një regjimi që tallej me kërkesat e drejta të tyre dhe gjithashtu, fshatin e vet, e shënoi edhe me urrejtjen e maqedonasve etnik, për të cilët, Tanusha mori përmasat e metaforës që do simbolizonte rrënimin e  besimit të tyre gënjeshtarë se Maqedonia ishte vetëm pronë e  tyre.

 

          Pra, që nga viti 2001, Tanusha  u bë metaforë e një të kaluar plotë mosmarrëveshje shqiptaro-maqedonase, u bë kufi që ndan periudhën e para konfliktit, nga vitet e shpresës së madhe se Marrëveshja e Ohrit do ishte çelësi i munguar i harmonisë ndëretnike. Dhe si i tillë, ky fshat sot pasqyron gërshetimin e një të kaluar të hidhur me një të sotme shumë të largët nga ajo që shpresonin shqiptarët e këtushëm. Si i tillë, ky fshat sot paguan “mëkatin” e krismave të para të vitit 2001 dhe pasqyron qartë dy “maqedonitë” brenda një shteti, e që u ndërtuan pas Marrëveshjes së Ohrit: atë që maqedonasit etnik e ndërtojnë për vetveten dhe tjetrën, të cilën e ndërtojnë po të njëjtit maqedonas etnik të VMRO-DPMNE-së, për të jetuar në të shqiptarët dhe që nuk ndryshon thuajse me asgjë nga ajo e parakonfliktit. Pra, Tanusha e sotme pasqyron Maqedoninë e dy standardeve: atë që kujdeset për çdo fshat ku ka edhe një banorë të vetëm me përkatësi etnike maqedonase dhe Maqedoninë e cila sikur të mundej, të gjitha vendbanimet shqiptare do i linte si Tanushën – të mos jetojnë as “atje” as “këtu”, të zhdukeshin në heshtje.

 

            Tanusha sot ndodhet aty ku ka qenë me shekuj. Dhe i ngjanë një fshati të harruar, apo qëllimisht të heshtur nga të gjithë. Ka vite që në këtë fshat nuk hyn as policia, e as çkadoqoftë tjetër që do dëshmonte se dikush kujdeset për banorët e këtushëm. Kështu që, Tanusha i ngjanë një republikë ne vete, një “zone të lirë”, ku nuk hyjnë as të mirat, as të këqijat e shtetit të cilit i takon. Kushtet e të jetuarit në këtë fshat janë të njëjta si ato të para konfliktit. Tanushën e sotme, nga ajo e para vitit 2001, e dallon vetëm përmendorja e dëshmorëve të rënë gjatë konfliktit, e cila përmendore ndodhet në hyrje të fshatit dhe thuajse bënë roje mbi qetësinë e plogësht që është pllakosur mbi fshat. Qetësi e cila mbase i ngërthen në vetvete të gjitha të pathënat e banorëve të këtij fshati, të cilët as që pyesin më se pse mbetën të harruar edhe nga pushtetarët shqiptarë dhe mos vallë edhe ata, njësoj si pushtetarët e VMRO-DPMNE-së, duan që ky fshat – si shenjë e ndërmendjes së një të kaluare –  të zhduket nga harta e kujtesës. 

 

Numri i shtëpive të këtij fshati është po ai i dikurshmi, vetëm se nga dita në ditë, pakësohen numri i oxhaqeve të shtëpive nga të cilët del tym. Ata pakë banorë që ende nuk dorëzohen dhe që jetojnë në këtë fshat, nuk janë të prirë të flasin për vetveten. Ata nuk duan më as të ankohen. U janë dorëzuar rregullave të “republikës” së tyre, ku nuk vlejnë as ligjet e Maqedonisë, as ato të Kosovës, por vetëm ato të mbijetesës. Pra, u janë dorëzuar rregullave që të mundësojnë të mbijetosh në malet e këtij Ballkan edhe atëherë kur mbetesh si i askujt, kur je i harruar nga të gjithë.

 

Në Tanushë ndodhet edhe shtëpia ku jeton Komandant Hoxha, pa dyshim figura më emblematike e ish UÇK-së së Maqedonisë, pas asaj të Ali Ahmetit. Dhe ka vite që ai, së bashku me banorët tjerët të këtij fshati, pret që Maqedonia të bëhet shtet i ëndrrave të tij rinore, shtet siç e kishin ëndërruar bashkëluftëtarët e tij që kurrë nuk do plaken, e emrat e të cilëve mbeten të shënuar në përmendoren në hyrje të fshatit. Komandant Hoxha, për dallim nga banorët tjerë, flet shumë, ai ka çka të rrëfejë për të kaluarën dhe të sotmen e vet. Dhe në rrëfimin e tij për të kaluarën, e që ndërthuret nga shpresa e atyre që besonin se janë ndërtuesit e ardhmërisë së popullit të vet, njësoj si edhe në tregimin e tij për të sotmen e pashpresë, për këtë të sotme që atë dhe bashkëfshatarët e tij i ka bërë rob të një shteti që i ikë ballafaqimit me realitetin e vet shumetnik, nuk ka as vetëmburrje as akuzë, por vetëm shpalosje të një vetie shqiptare që shpejtë të shpallë hero dhe shumë më shpjet të harron. Andaj, kur dëgjon rrëfimin për të shkuarën e tij dhe për të sotmen me të cilën përballet, nuk arrin ta kuptosh se vallë kush e dëmtoi më shumë ëndrrën e atyre që në vitin 2001 morën armët në duar – elitat e shkathëta politike maqedonase, apo përfaqësuesit e paaftë të partive shqiptare, e të cilët as sot nuk ia dalin ta kuptojnë se forca politike e Gruevskit është proporcionale me paaftësinë e pushtetarëve shqiptarë.

 

Tanusha e sotme e jeton izolimin e vetë nga bota përreth dhe i numëron ditët e harresës shqiptare. Edhe si të tillë, të harruar nga të gjithë, banorët e Tanushës nuk pyesin gjithaq se çka do ndodh me Maqedoninë e dëshpërimit të tyre, por si do bëhet puna me “bllacat” në Kosovë dhe si do përfundojnë grindjet ndërpartiake në Tiranë. Me çka, sikur duan të gjejnë shpjegim për atë si është e mundur që shqiptari të mbetet i askujt edhe atëherë kur nga të gjitha anë kufizohet me “shqipëritë” e veta. Ku ta dish, ndoshta kjo ndodh shkaku se kemi shumë “shqipëri”, por asnjëra nga ato nuk funksionon si shtet i mirëfilltë. Apo pse nuk e kemi kuptuar se burri mund të ketë jetë të lumtur me më shumë dashnore, por jo edhe me shumë nëna.