Shkruan: Kim MEHMETI
Fushata parazgjedhore në Maqedoni, i afrohet fundit. Mbase këtë fund shqiptarët e Maqedonisë e presin me mall. Dhe ky mall që sa më shpejtë tu kthehet qetësia, të shpëtojnë nga krismat e natës, nga grindjet ndërpartiake, ata i bënë të mos shohin se ndoshta qetësia e rrejshme edhe do u kthehet, por ata do mund të mbeten edhe më tej në duart e diktaturës shumëpartiake, e cila nga gjitha projektet që pati për shqiptarët e këtushëm, suksesshëm e realizoi vetëm atë të kriminalizimit të shoqërisë së tyre. Projekt i cili në këtë fushatë parazgjedhore, kulmoi me atentatin mbi kryetarin e BDI-së, për të cilin, pa hezitim, si porositës të këtij akti makabër, Ali Ahmeti i akuzoi krerët e PDSH-së. Akuzë e cila do duhej të alarmonte gjithë institucionet shtetërore dhe gjithë shqiptarët e këtushëm. Akuzë që do duhej t’u shpjegonte shqiptarëve të Maqedonisë se ata janë katandisur rrugës që të kenë partinë e tyre fituese në zgjedhjet e qershorit, që të kenë edhe ministrat dhe pushtetarë shqiptarë, por edhe më tej të mbeten vetëm popull “i përdorshëm” , që edhe më tej zgjedhjet të mos i përjetojë si mundësi lirshëm të shprehin vullnetin e vet politik, por të mbetet peng i “vasalëve” të tyre partiak. Që edhe më tej të dëgjojnë se si partiakët shqiptarë flasin për zgjedhje të lira e të ndershme, për zhvillim të shqiptarisë së këtushme, e ata të shijojnë vetëm dhunën që lirshëm dhe shumë pandershëm e ushtrojnë mbi ta aktivistët e partisë shqiptare në pushtet. Pra, të dëgjojë se si për liri dhe demokraci flasin ata që vjedhin pajisjet transmetuese të TV stacioneve në Tetovë, ata që njohin vetëm punësimin partiak, vetëm arsimimin partiak, vetëm terrin informativ partiak, e që kanë emër e mbiemër të caktuar edhe kur flitet me terma të përgjithësuar. Pra, shqiptarëve të Maqedonisë do u duhet shumë kohë që të dalin nga “demokratura” e vasalëve të VMRO-DPMNE-së maqedonase, nga ajo rrjetë e rrezikshme e destruktivitetit politik në të cilën lehtë hyhet, por vështirë dilet. Ku e futën ata që më shumë mbanin llogari mos t’i zbresë popullariteti i “partnerit të tyre strategjik” maqedonas, se a do rritet standardi jetësorë i shqiptarëve, ata që për shqiptarin e këtushëm bënë vetëm një gjë – nga shkalla e të dëgjueshmit politik, e ngritën në shkallën e të përdorshmit si argat të përkulur gjatë pyllëzimit të Maqedonisë me kryqe dhe kisha të ndërtuara edhe mbi themelet e shtëpisë së lindjes së shenjtores sonë – Nën Terezës.
Si do që të jetë, fushata parazgjedhore i afrohet fundit të sajë. Nga gjitha ofertat e partive shqiptare, banorët e këtushëm qartë kuptuan vetëm atë se partiakët e tyre edhe më tej do vazhdojnë urrejtjen e ndërsjellë. Dëgjuan gënjeshtra nga gënjeshtarët dhe premtime nga ata që thonë se gjithmonë do i qëndrojë besnike misionit atdhetarë dhe shqiptarë, për barazi të plotë me gjithë të tjerët që jetojnë në Maqedoni. Diku mes gënjeshtrave të gënjeshtarëve dhe premtimeve të atyre që e mbajnë veten për mbrojtës të votës shqiptare, mbeti e vërteta se ndoshta partitë e këtushme janë të këtilla siç janë, shkaku se ky popull, demokracinë e kuptoi si mundësi çdokush të thirret në emër të tij, e ai të mos ketë kënd ta thërras në ndihmë. Sepse, pasi përfundojnë zgjedhjet, thuajse të gjithë partiakët shqiptarë, sëmuren nga harresa dhe nuk mbajnë mend kush i ka votuar. Dhe kështu, demokracia “alla shqiptarçe”, u ngrit në rrafshin e mundësisë që shqiptari i këtushëm të votojë aq lirshëm sa mundë të shëtit lirshëm ai që zvarrit mbrapa frustrimet disa dekadëshe. E i zgjedhuri shqiptarë të bëjë atë që ia lejon zinxhiri i punëdhënësit maqedonas, zinxhir i cili nuk të lë të shkosh më larg se të realizosh ndonjë përfitim personal.
Në këtë fushatë parazgjedhore, u dëgjua zëri i pesë partive shqiptare. Dhe platformat politike u shtrinë nga ato të partive më të vogla, si e BDK-së e cila ofron federalizmin e Maqedonisë, e deri te PPD-ja, e cila si gjithmonë, edhe kësaj radhe, premton shumëçka që shpjet bëhet mjegull e premtimeve të kota. Më të zëshme ishin dy partitë më të mëdha të këtushme shqiptare, BDI-ja e Ali Ahmetit dhe PDSH-ja. Diku mes pretendimeve të dy partive minore, dhe zhurmës së dy më të mëdhave, mbeti i zëri i BDSH-së Bardhyl Mahmutit, i cili ofron fillim të ri dhe shpreson se, si forcë e mesme, do jetë ajo luhatësja e kandarit, që do përcaktojë saktë se sa shqiptarët e këtushëm janë të lodhur apo jo nga gjitha partitë që kanë moshë më të madhe se e tija, a me vetë atë, edhe mëkate dhe bëma që, o i dëmtojnë, o u sjellin përparësi.
Sa u përket përparësive partiake, kjo fushatë parazgjedhore dëshmoi atë që dihet prej moti: partitë e këtushme shqiptare, shumë pak mbështeten mbi programet dhe rezultatet e tyre. Ato mirëmbahen kryesisht duke u ushqyer me autoritetin e kryetarit të partisë. Kështu që BDI-ja, “koncept” më të fortë ka aurën e Ali Ahmetit, e PDSH-ja ende nuk mund të del përpara popullit pa ish- kryetarin e saj, Arbër Xhaferin. Në të vërtetë, këto parti edhe nuk kanë gjithaq nevojë për programe dhe mbështetje në rezultate konkrete, sepse votuesi i këtushëm voton si ai që nuk e dinë çka i pëlqen, po e dinë çka nuk do. Pra, vota e shqiptarit të këtushëm nuk është gjithaq pro partisë për të cilën voton, sa shprehë mllefin ndaj asaj që ai nuk e duron.
Shikuar nga ky këndvështrim, shqiptarët e Maqedonisë edhe s’kanë ndonjë zgjidhje të madhe. Ata o duhet të mbështesin qetësinë dhe maturinë e Ali Ahmetit, o kryetarin aktual të PDSH-së. Pra o Ali Ahmetin, i cili pranon se nuk ka plumba për shqiptarët dhe nuk ka vullnet ata t’i dhunojë vetëm për të ardhur në pushtet, o “nxënësin” e Arbër Xhaferit – siç e quan veten kryetari aktual i PDSH-së – a i cili edhe kur vozit duke iu përmbajtur standardeve perëndimore, shpejtësitë i ndërron në mënyrë aq “ballkançe”, sa qartë shihet se ende nuk e ka zhvesh kapotën e njëmendësisë leniniste, e cila në thelb, i përjashton të gjithë ata që kanë guxim të thonë se shqiponja e stilizuar dykrenore në flamurin partiak të PDSH-së, më shumë i ngjan sorrës, se sa shpendit që simbolizon etjen e shqiptarit për fluturim të lirshëm në lartësitë jetësore.
E vërteta se pa emrin e Ali Ahmetit, BDI-së nuk do i mbetej as pika mbi “i-në” dhe se pa Arbër Xhaferin, PDSH-ja prej moti do mbetej vetëm kujtim i kohëve kur çdo “kaubojs” mund të bëhej “sherif” i qytetit, shpjegon më së miri se shqiptarët e Maqedonisë bëjnë politik pa pasur parti të mirëfillta të strukturuara politike. Se partitë e këtushme shqiptare dallojnë mes veti aq sa kryesuesit e tyre. Kështu që, pjesa tjetër e aktivistëve partiak, kryesisht janë njerëz që bëjnë fllad nën hijen e autoritetit të kryetarëve të partisë dhe pamëshirshëm e harxhojnë kredibilitetin e Ali Ahmetit dhe të Arbër Xhaferit. Dhe del puna se nga e gjitha, më shumë dobi nxjerrin ata të ngjashmit me trimin që ka dashur të bëhet plakë i fshatit, e kur e kanë pyetur se ç’merita ka për t’ia besuar fatin e gjithë fshatarëve, ka thënë se dikur, kur mbreti paska dal në gjah, ai i paska shëtitur zagarët e tij. Pra, edhe BDI-ja, edhe PODSH-ja, kanë shumë “shëtitës të zagarëve të mbretit”, shumë nga ata që vlerë të vetme kanë se “janë rritur me Aliun”, apo kanë pirë kafe me Arbërin, e pak nga ata, si për shembull Teuta Arifi, Izet Mexhiti e Agron Buxhaku, të cilëve edhe nëse ua hjek emblemën partiake, mbetet profili i tyre i qartë intelektual dhe politik.
Kur do e lexoni këtë shkrim, do jetë dita e fundit e fushatës parazgjedhore në Maqedoni. Pastaj do vijë e shtuna, dita e heshtjes. Pra, pastaj do vijë dita kur shqiptarët e këtushëm, në heshtje do përballen me të vërtetën se jetojnë në shtet me demokraci dy standardësh, se institucionet shtetërore janë efikase në mbrojtjen e të drejtave qytetare të maqedonasve etnik, por të ngadalshme dhe të pandjeshme ndaj maltretimeve parazgjedhore që u bëhen shqiptarëve. Kur do e lexoni këtë tekst, ndoshta do ndodhin gjëra që do e bëjnë edhe më të qartë se shqiptarët e Maqedonisë ecin drejtë ardhmërisë nëpër rrugë paraprakisht të minuar nga qarqet e këtushme antishqiptare. Andaj, nëse duan të arrijnë cakun kah synojnë edhe bashkëkombësit e tyre të Kosovës e Shqipërisë – në NATO dhe BE – ata do duhet së pari të gjejnë ekspert të mirë që dinë të bëjnë “ç’minizimin” e rrugës sy tyre drejt të ardhmes.