Shkruan: Kim Mehmeti
Shkallët politike, nëpër të cilat ecin shqiptarët e Maqedonisë, kanë formën e spirales së paskajshme që i rrotullon rreth një boshti të njëjtë. Rreth atij që ka të bëjë me pretendimet, të cilat njëherë e përgjithmonë të shkëputen nga kërkesat e të drejtave që kanë të bëjnë me mbrojtjen e qenies së tyre kombëtare, e të merren me probleme që kanë të bëjnë me mirëqenien e tyre ekonomike. Pra, shkallët që simbolizojnë ngjitjen, përvojën, kalimin nga një lartësi në tjetrën, për shqiptarët e Maqedonisë kanë domethënien e rrotullimit thuajse në vend. Rrotullim që të shkakton marramendje, që të huton me dramacitetin dhe vështirësinë që të ecësh pa u rrëzuar, që ta humb baraspeshën e të çon të mos dallosh ngjitjen nga zbritja përposhtë. Gjë që mbase u ndodhi shqiptarëve të Maqedonisë gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë viteve të demokratizimit të shtetit ku jetojnë, dhe andaj tani nuk e kuptojnë se vallë shkojnë drejt lartësive apo lëshohen drejt fushëgropave, nga sërish duhet të fillojnë ngjitjen nga e para.
Shqiptarët e Maqedonisë e kaluan pjesën e spirales kur besonin se koncepti shumetnik e shumëkulturor është ai që do i bëjë zot shtëpie dhe të barabartë me të tjerët në shtetin e përbashkët. Përderisa ata shpresonin dhe i besonin këtij koncepti, qarqet politike maqedonase punonin dhe i përforconin institucionet një etnike shtetërore. Kështu përfundoi periudha tetëvjeçare e vetëgënjimit shqiptar (ku për hir të së vërtetës, duhet thënë se këtij koncepti i besonte edhe autori i këtij teksti), periudhë që zgjati që nga mëvetësimi i Maqedonisë e deri në vitin 1998, e gjatë së cilës Partia për Prosperitet Demokratik ishte ajo që e ndërtonte kullën e shpresave të kota shqiptare. Ajo ishte partia që kishte besimin e shqiptarëve të këtushëm dhe që shprehte gatishmërinë e kësaj popullate për të ndërtuar një shoqëri me institucione shumetnike, edhe atë në kohë e rrethana kur qarqet politike të etnitetit maqedonas i trishtonte çdo emërtim që shpjegonte shumësinë etnike të Maqedonisë.
Periudha katërvjeçare e qeverisjes së "vëllazërisë" VMRO-DPMNE – PDSH (1998-2002) – e njohur si sundim i "maunokratëve" shumetnikë të këtyre dy partive – për shqiptarët e Maqedonisë ishte edhe një rrotullim në vend në spiralen e shpresave të kota. Por, në mos më shumë, ky rrotullim ata i çoi të kuptonin drejt gjelbërimin e pranverës së vitit 2001 dhe të shihnin se kishte ardhur koha kur duhej të bënin diçka më shumë, nëse donin të dilnin nga pozita e lypsarit që kërkonte pronën e vet. Andaj, duke e ditur se humbja ishte e plotë, se thuajse çdo gjë ishte e mbuluar nga mjegulla e premtimeve të kota të partiakëve të tyre, ata i besuan Ali Ahmetit, i cili u premtoi se do i nxirrte nga spiralja e pafundme e lojërave partiake e do i bënte zot shtëpie. E Ali Ahmeti këtë edhe e arriti, duke ia imponuar Maqedonisë Marrëveshjen e Ohrit. Marrëveshje, që ishte dhe mbeti shpresa e madhe e shqiptarëve të këtushëm.
Por, atëherë kur shqiptarët besuan se përfundimisht çdo gjë do merrte për mbarë, ata sërish u futën në shkallët spirale që nuk të çojnë askund. Kjo u ndodhi pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, kur shumëçka u kthye aty ku ishte para vitit 2001. Kur PDSH-ja i lejoi Gruevskit të injorojë vullnetin politik shumicë të shqiptarëve të Maqedonisë dhe thuajse të zhvlerësojë tërësisht Marrëveshjen e Ohrit. E që e çoi Ahmetin të kërkonte mundësi për të shpëtuar vlerën më të madhe të dalë nga lufta e 2001. Përderisa ai mundohej të shpëtonte Marrëveshjen e Ohrit dhe partinë e vet – duke i mbuluar ato me pëlhurën e hollë të Marrëveshjes së Majit mes tij dhe Gruevskit – shqiptarët e këtushëm me të drejtë pyesnin veten se mos vallë edhe koncepti integrues i BDI-së është vetëm edhe një kthesë marramendëse e shkallëve spirale që të rrotullojnë në vend. Kjo hamendje e tyre nuk është e pabazë, nëse dihet se me Marrëveshjen e Majit mes Ali Ahmetit dhe Gruevskit nuk iu dha përgjigje pyetjeve më parësore që kanë të bëjnë me thelbin e krizës politike në Maqedoni. E ato pyetje kanë të bëjnë me dilemat se ç‘vlerë ka Marrëveshja e Ohrit, nëse nuk është vota e shqiptarëve të këtushëm ajo që përcakton përfaqësuesit e kësaj popullate në institucionet më të larta shtetërore!? Si dhe pyetja: Ç‘vlerë kanë partitë politike shqiptare, nëse fatin e tyre e përcakton mandatari e jo votuesi shqiptar?
Ka shumë argumente që mbështesin pohimet se procesi "integrues" i shqiptarëve të Maqedonisë filloi mirë, por u ndërpre pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006. Por, ka edhe qindra dëshmi se koncepti "integrues" ishte i dështuar para se ai të fillonte. Këto dëshmi kanë moshë më të vjetër se ajo e BDI-së. Janë të kohëve kur bëhej privatizimi i pronës shoqërore, nga i cili shqiptarët ishin plotësisht të përjashtuar. Me çka, edhe përgjithmonë u harxhua mundësia e integrimit të tyre më të rëndësishëm në shtetin ku jetojnë: integrimin ekonomik. Kështu që edhe koncepti "integrues" ishte i vonuar dhe u bë edhe një pjesë e spirales së paskajshme politike, në të cilën qëmoti ishin futur shqiptarët e këtushëm.
Për të dalë nga spiralja e paskajshme e vetëgënjimit, shqiptarët e Maqedonisë do duhet paraprakisht ta kuptojnë se kur bëhet fjalë për kërkesat e tyre, të gjitha qarqet politike të etnitetit maqedonas veprojnë njësoj: blejnë kohë. Pra, ato nuk e japin sot atë që mund ta shtyjnë për nesër. Aq më shumë, ato "japin" diçka vetëm pas ndonjë gabimi të dukshëm, si për shembull, ai i paradokohshmi në fshatin Brodec, ku policia maqedonase vrau gjashtë shqiptarë dhe burgosi e keqtrajtoi dhjetëra të tjerë. Kështu vepruan edhe me Universitetin e Tetovës, të cilin shqiptarët e paguan me viktima, e vetëfinancuan vite me radhë, e ndërkohë paguanin dhe taksën shtetërore për arsimim, por jo të vetvetes. E qarqet maqedonase, jo se nuk e dinin se ai universitet një ditë do zyrtarizohet, por ata dinin t‘i blinin lirë vitet që shqiptarët i kishin paguar shtrenjtë. Pra, qarqet politike maqedonase ishin dhe mbetën blerës së të sotmes shqiptare, të cilën e investonin në të ardhmen e etnitetit maqedonas, e të cilën partitë shqiptare e shisnin dhe ende e shesin më lirë se gjiza e Tetovës. Për çka kishin arsyetim dje, e kanë arsyetim edhe sot: betejën për pavarësinë e Kosovës, betejë që kërkon durim dhe urtësi nga shqiptarët e këtushëm. Por, mbase ky arsyetim së shpejti do i takojë të kaluarës dhe më në fund, partitë e këtushme shqiptare do i bëjnë llogaritë përfundimtare për humbjet dhe fitoret, nga do shohin se koha i dënon egërsisht ata që e shesin lirë të sotmen e tyre.
Qarqet politike të etnitetit maqedonas edhe sot janë blerës të mirë të së sotmes shqiptare. Politikanët e etnitetit maqedonas jo se nuk dinë që në Maqedoni do valëvitet lirshëm flamuri shqiptar, jo se nuk e kanë të qartë që në Maqedoni do flitet çdokund edhe shqip, por ata duan që shqiptarët e këtushëm edhe më tej të mbeten në spiralen politike, që nuk u lejon të shohin se ky shtet qëmoti e harxhoi kohën për realizimin e koncepteve multietnike dhe integruese, dhe se tani ndoshta u ka mbetur ta provojë vetëm edhe konceptin e kantonizimit. Nuk ka dyshim se qarqet politike të etnitetit maqedonas e dinë se tregu i shitblerjes së kohës së shpejti do mbyllet, se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës do e kenë më rëndë të bëjnë tregti me të drejtat e shqiptarëve të këtushëm. Ata e dinë se vjen koha kur do shihet se me blerjen e lirë të së sotmes shqiptare ata ia harxhuan Maqedonisë të ardhmen si shtet i qytetarëve të integruar. Se Maqedoninë e prunë një hap përpara domosdoshmërisë të bëjë edhe një ndryshim të radhës të Kushtetutës, në të cilën mbase do përcaktohen kufijtë e kantoneve dhe një rend i ri shoqëror i ndërtuar mbi themelet dynacionale. Me çka do dëshmohet se blerësit e mirë të së sotmes shqiptare, në të vërtetë ishin tregtarët më të këqij të këtij shteti, duke dashur të sforconin boshtin e dobët kurrizor të etnitetit maqedonas, ata përfundimisht e dobësuan dhe e lënduan rëndë skeletin e Maqedonisë unitare. Me çka arritën që shqiptarët e këtushëm t‘i mbajnë në spiralen marramendëse të ngjitje-zbritjes së tyre politike. Të kenë shumë marrëveshje me maqedonasit etnikë, e të vlejë vetëm ajo që zbatohej gjatë shtatëmbëdhjetë viteve nga e kaluara: ajo e shitblerjes së të sotmes shqiptare. Me çka pra e sollën Maqedoninë aty ku ndodhet sot: në prag të paradhomës, ku politikanëve të etnitetit maqedonas do u kumtohet e vërteta se kanë qenë blerës të iluzionit të tyre, e politikanëve shqiptarë do u prezantohet portreti i mjerimit të tyre politik, portret ku do shihet qartë edhe një mangësi kolektive e shqiptarëve të këtushëm: shpejt harrojnë se ndërtuesit e të nesërmes së tyre janë ata që lirë ua shesin të sotmen.
(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)